Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Karamelica
Karamelica
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 3517
<b>Hobi</b> Hobi : Noti!
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Ne hene me yjet !!
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 12/11/2010

Kongresi i Drejtshkrimit (1972)  Empty Kongresi i Drejtshkrimit (1972)

Mon 10 Jan 2011 - 16:29
Gjuha shqipe dhe balsamosja e saj nji anash‑shenim për kongresin e drejtshkrimit të 1972

Kujtuen se shqipja âsht nji gjuhë aq e përkryeme sa mund të quhej e vdekun, kështu qi vendosën me e balsamosë në nji Kongres i cili do të shihte dy emisarët e saj kryesor: gegnishten dhe tosknishten jo si dy lumenj të vrullshëm, por si nji liqen n'amullì, qi s'merr jetë prej kërkah, përveçse prej letrarëve të regjimit e prej përkthimeve të kontrollueme. Letrarët dhe përkthimet e mâparshme, domethanë çka kishte zanafillen e vet qysh prej vjetit 1555 e deri m'at ditë, u balsamosen e u bânë objekte muzeale, qi lejoheshin me u vizitue vetëm prej mâ të besueshëmve, mbasi rreziku i infektimit ishte i madh. Por na e dijmë mirë se nji liqen qi s'ka mâ prûmje kthehet shpejt në nji kënetë. Në ketë mënyrë u shkrue dhe u vulos: kena kënetën tonë, të rrethueme e të kontrollueme mâ së miri. E kjo kënetë pat edhe kukuvacat e veta qi i kukuvitshin pa prâ tanë asaj bukurije. E për me u ndejtë besnik joneve (versi, cri) e zâneve etologjike të Anastas Kulluriotit, kishte edhe shtazë tjera qi "grunisnin, majmunisnin, shesherisnin, kukonin, krakarrisnin e papagallonin".

Parulla e Kongresit ishte: "Nji komb nji gjuhë" ‑ e tue kenë se bâhej fjalë për nji komb të shkatërruem nga ana morale dhe materiale, atëherë këtij kombi qi jetonte me shpirtin në përbaltjen komuniste i duhej dhanë jo nji gjuhë lumejsh të vrullshëm, por nji gjuhë kënetash të turbullta. Treguesi agogjik i kësaj muzike të çmendunish ishte i shkruem prej kreut të Partisë: tempo di marcia dhe andante maestoso, e kangëtarët s'mungojshin, sidomos në formacione korale. Pra: "nji komb nji gjuhë" (edhe Hitleri në 1933 kishte si parullë "nji Popull, nji Führer, nji Reich") e gjithë kjo për me induktue nji entuziazëm të marrë, nji furí irracionale, qi do t'i jepte zâ ndjenjave mâ të ulta e veseve mâ të turpshme t'nji populli. Dâmi i madh i fenomeneve patologjike të shoqnís âsht qi, edhe kur flaka e marrís shuhet e prej nëndheut del rishtas turpi, e keqja e kryeme nuk shlyhet, bile tendenca âsht me i dhânë të drejtë qytetarijet.

Logjika qi udhëhoqi Kongresin e 1972 ishte kjo: jena vetëm kundër të gjithëve, duhet disiplinë e sakrificë, duhet punë e vetmohim, jena të fortë (na e kena çlirue Shqipnín!), jena nji popull ushtar e si të tillë duhet të veshena njilloj, të mendojmë njilloj, të ndiejmë njilloj e edhe të shkruejmë e të flasim njilloj. E u pa, kur u rrëzue komunizmi kanonik, qi logjika e totalitarizmit jeton vetëm në saje të imoralitetit të masave, të cilat nuk ndërgjegjësohen plotësisht as atëherë kur evidenca objektive flet qartë.

Pra merret vesht pse gjuha duhej "bashkue" arbitrarisht, në mënyrë qi kur ajo të flitej mendja të shkonte menjiherë te Partia: krijuesja e çdo të mire. E vetmja gjuhë qi të kuptohej duhej të ishte gjuha e Partisë, gjuha e unitetit kombëtar, gjuha e njësuar, gjuha me të cilën Enveri shkruente veprat e tija sa tërheqëse aq edhe të sinqerta. Edhe sot qi statuja e rreptë e Enverit nuk mbikqyrë mâ Skënderbeun e strukun mbi kalë, sot qi veprat e tija janë shpërnda andej këndej ndër njerëz të besuem, sot qi Kushtetuta e 1976 âsht shfuqizue... logjika e gjuhës së tij mbijeton.

Aq âsht e vërtetë sa qi deri tashti veç nji apo dy të përkohshme kam ndie se pranojnë me botue në gegnisht, a thue se kanë frikë qi kjo e folme mos t'i ngjisin murtajen faqeve të tyne të pastra e mos t'i dalin mûllajt (lat. bubone) nën stjetullat e tyne qiellore, ku intrigat e flligshtija nuk kanë gjetë kurrë nji strofull të sigurtë. Gjithkah mbijeton shpirti konformist, mbizotnon plogshtía intelektuale qi merr si nji t'vërtetë të paluejtshme dhe dogmatike, pra pa qendrim kritik, ketë "fitore" të kohës së socializmit, mbijeton shpirti skllav e i përulun i intelektualëve. Por e njajta logjikë zotnon edhe në politikë: në këto vjetë komunizmin e kanë urrye dhe e kanë dashtë vetëm në mënyre komuniste. Shihet pra se ajo çka ka kërkue me realizue Partia âsht arrit mâ së mirit, e kjo meritë i duhet njohte edhe "levave" te saja të binduna, atyne qi u paguejshin për vargje dhe kapituj, e qi sot mund të shiten rishtas, por vetëm me peshë.

Logjika e realitetit pasqyrohet në logjiken e gjuhës, pra për me pasqyrue drejt logjiken e realitetit socialist duhej fabrikue nji gjuhë e përshtatshme, prej së cilës duheshin zhdukë termat e botës së vjetër, diftongjet e atyne qi ishin anmiqt e përbetuem të komunizmit, shêjat e fesë së Krishtit (jo kot dikush e quejti gegnishten "gjuha Krisht"), duhej zhdukë deri edhe nji mënyrë e foljes (verbum): paskajorja ose infinitivi, qi të kujton lirinë. Si mund t'u lente në kambë infinitivi kur çdo gja në Shqipní ishte e kontrollueme prej policëve dhe spijujve të paguem apo vullnetar, aq mâ tepër kur "infiniti" si aspiratë ishte ndrydhë, mbytë, zvogelue, kufizue në nji jetë qi s'ishte mâ: me jetue paskaj, por nji: unë jetoj i zorshëm, sot për nesër. E kështu përfunduem tue i paraqit të huejve nji fjalor ku foljet gjinden në kohën e tashme të mënyres dëftore, në veten e parë njajës, gja të cilën bâjnë edhe gjuhë të tjera, të vdekuna veç. Por në qofte se ato gjuhë kanë vdekë vedit, shqipen e ka mbytë (ose e ka bâ shterpë, qi âsht njilloj si me e pasë mbytë) Kongresi i 1972.

Se si ka vdekë shqipja t'a tregojnë gazetat shqiptare, të cilat janë për kah ana gramatikore si nji fushë shalqijsh mbasi i ka kalue për midis nji bandë jeniçerësh të çartallisun. Prej kësaj fushe, merret vesht, përjashtoj të gjitha ato gazeta në të cilat unë nuk botoj! Por s'mund të përjashtoj të gjithë ata qi botojnë në nji kohë qi do t'bâjshin mirë me frekuentue, pse jo, nji kurs gjuhet shqipe për të huej. Në fund të fundit, nuk âsht krejt faji i shkrivanave e i kalemxhijve qi hanë bukë tue masakrue gjuhën e Gjon Buzukut e të Frangut të Bardhë, tue dhunue rregullat e Aleksandër Xhuvanit e të Kostaq Cipos, unjisimi në tavolinë e ka bâ shqipen nji esperanto qi për me u zhvillue e me u përshtatë do të lypin derë më derë ndër gjuhët e tjera: fjalë, shprehje, shamje e ofshamje.

Me mbrojtë gjuhën e unjisueme me zor âsht si me mbrojt sot sistemin qiellor të Ptolemeut, e

keta janë aq fort të rranjosun në realitetin toksor, sa qi mendojnë se tanë universi sillet përqark tyne dhe se kush i ka paraprî s'ka dijtë gja, e në ketë mënyrë bâhen avoketnit e pasioneve imorale e ndjeksit e vesit të lashtë qi i detyron mos me mendue, por me zbatue atë çka të tjerët kanë mendue për ta. Por na kena pasë nji Faik Konica, nji Justin Rrota, nji Matì Logoreci, nji Shpend Bardhi, nji Karl Gurakuqi e nji Eqrem Çabej, kena pasë miq të huej si Holger Pedersen, Norbert Jokl, Carlo Tagliavini, Giuseppe Valentini. Sot fatkeqsisht nuk kena mâ yje të palëvizshëm në qiellin e albanologjisë qi me na diftue rishtas rrugën qi duhet me ndjekë. Prej nji aradhe njerëzish të mëdhaj te nji tjetër kalojnë disa dhetëvjeçarë, e na sot jena tue përtypë bukën e mbrûme kahmot, të lagun me lot e me gjak. Por s'pakut, edhe pse nuk dijmë zgjidhjen e kësaj çashtje, jena të sigurt në mënyrë apofatike (negative) se kah nuk duhet me shkue. Ndërsa talenti i atyne qi sot kacaviren ndër sofizma qesharake, âsht shumë mâ inferior sesa detyra qi i kanë vû vetes: me mbrojtë me çdo kusht të pambrojtshmen: gjuhen e unjisueme me direktiva partijet.

Në këta pesëdhetë vjetët e fundit shqiptarët, mâ fort se kurrë, janë privue prej forcës së arsyes, çmimi i së cilës rregullohej me dekrete shtetnore dhe ruhej mos të kalonte standardet e mediokritetit. Mbi të gjitha u mbërrit qi njeriu të zdeshej prej nji karakteristike esenciale: të hiqte dorë përfundimisht prej shkëndijës së mbrame të krenisë qi me pasë nji opinion personal, nji mendim të pamvarun e pse jo edhe të kundërt me atë të tjerëve.

Në ketë mënyrë u predikue edhe ideja e shtetit, jo si nji mjet qi i shërben shoqnís, por si nji lak qi përherë e mâ fort shtërngohet në fyt të njeriut, si nji qellim në vete qi me dekrete vendos të ardhmen e individit e të kolektivit, të artit e të gjuhës, të kenjes e të asgjasimit total.

Kjo ishte ideja qi u krijue për shtetin, nji idè pa vërtetsí, e cila i shtyni shqiptarët me shkatërrue, sapo iu dha mundësia, vetë shtetin e jo idenë e gabueme rreth tij. Kjo gja ndodh tashti me gjuhën, pranohet mâ mirë me prishë gjuhën sesa me hjekë dorë prej nji ideje të lindun në kryet e atyne qi deshtën me e pa botën në prizmin e vorfën e opak të unjisimit sipërfaqsor e të dhunshëm. Kjo âsht e keqja e njerzve qi janë mësue me kenë "raja", me kenë të shtypun, e mendojnë qi bota ndryshon vetëm tue djegë e tue vjedhë, e jo tue ndryshue vetveten nepërmjet ideve qi i prîjnë njerëzimit.

Të fillojmë pra me konsiderue, të lirë prej këtyne vjetëve propagande komuniste e post‑komuniste, demokrate e pseudo‑demokrate, qi gjuha e unjisueme nuk âsht nji tabù, nuk âsht nji realitet qi na e ka lanë as Pirroja i Epirit e as Skënderbeu, âsht thjesht nji mbeturinë e pseudo‑shkencës enveriane e staliniste. Gjuha e unjisueme, tash 30 vjet u randon jo gegëve dhe Gegnís, por vetëm atyne qi e duen lirinë e mendimit e qi s'pranojnë idetë e gatueme prej të tjerëve, sidomos prej atyne qi idetë i përftojshin në llomshtín e mbrendshme ku mungesa e shpirtit tkurrte çdo t'mirë natyrale. Të mendojmë për nji çasë se gjuha e unjisueme âsht nji sëmundje qi i ka ra toskënishtes e gegnishtes, e na e dina qi sëmundja nuk âsht gjendja jonë normale. Mos t'harrojmë se prej sëmundjet edhe mund të vdiset, ashtu siç mund të jetohet të gjymtuem dhe të sakatuem për tanë jetën.

Gjuha shqipe âsht murosë mâ zi se Rozafa për me ndërtue kështjellën e mizorisë e të paditunisë së verbët njerëzore, për të krijue diçka me të cilën diktatura do të mund të mburrej para brezave të ardhshëm. Diktatura, kjo shfaqje e përçudnueme e njerëzimit, qi përjashton çdo krijimtari pozitive e të vetvetijshme (spontane), kërkoi me murosë trashigiminë mâ të bukur qi populli jonë pat arritë me pështue si prej otomanëve, ashtu edhe prej sllavëve e grekëve: gjuhën shqipe, toske e gege bashkë, të pandashme e të dallueshme njiheresh, ashtu siç jeton edhe sot në popull.

Nga Dr. Ardian Ndreca
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi