Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Fëmijë të shpirtit apo dobiçë!! Empty Fëmijë të shpirtit apo dobiçë!!

Sun 18 Dec 2011 - 16:56
Fëmijë të shpirtit apo dobiçë!! Raimonda-150x150
Nga Raimonda MOISIU

(Sipas lajmit: “…..babai shqiptar trajtonte vajzën e tij 12 vjeçe, si skllave”!)
Keqtrajtimi i fëmijëve është bërë gjerësisht i njohur gjatë këtyre dekadave të fundit si një problem social me proporcione të mëdha. Dhuna në familje është tashmë një çështje serioze në shoqërinë e sotme shqiptare që edhe po neglizhohet shpesh. Kjo lloj dhune prek njerëzit e të gjitha moshave. Kur dhuna është e pranishme në familje, fëmijët janë të parët ata që preken dhe lëndohen. Ndër llojet e ndryshme të dhunës në familje janë abuzimi me fëmijët, emocional, fizik e seksual. Fëmijët jo vetëm po abuzohen e dhunohen, por ka arritur kulmi po trajtohen si skllevër. Rasti më i freskët është lajmi i para disa ditëve dhënë në mediat italiane se “babai shqiptar trajtonte vajzën e tij 12 vjeçe, si skllave”!!! Ky është një lajm jashtëzakonisht i dhimbshëm! A thua se këta prindër e kanë dobiçë apo fëmijë të shpirtit, atë vajzë të mjerë??!! Kjo ka një shpjegim: nuk ekziston më shpirt, por ka deformim të trajtës jetësore, deformim të shpirtit njerëzor! Është e rrezikshme dhe emocionalisht shkatërruese keqtrajtimi i fëmijëve, të rriten në një ambient të dhunshëm e aq më tepër në skllavëri, duke e kontrolluar atë psikologjikisht dhe ekonomikisht. Të mbash skllave fëmijën tënd apo qoftë edhe fëmijën e sjellë pas apo të gjetur nga martesa pararendëse, të shfaqësh indiferencë e urrejtje ndaj fëmijës tënd, do të thotë se nuk është më shpirt njerëzor por je transformuar në një frymor të pashpirt! Të detyrosh në moshë aq të mitur të bëjë të gjitha punët që bën një i rritur, t’i hedhësh një copë bukë për të mbijetuar, sepse të nevojitet për të nesërmen, t’i privosh gjumin, lodrat, duke e lënë jashtë atmosferës ngrohëse familjare, se ai/ajo është i ndryshëm nga pjesa tjetër e familjes, duke e kërcënuar qoftë edhe duke i thënë” Më mirë të të kisha abortuar se sa të solla në jetë”, duke e kërcënuar edhe për jetën, -që do të thotë se këta prindër janë ‘të kriminalizuar”, të cilët përdorin edhe ndëshkimin fizik, që e çojnë fëmijën në ankth tension të brendshëm, depresion, çrregullime psikologjike në fëmijëri, në fazën e pjekurisë dhe rënie të vetëbesimit. Dhuna e prindërve dhe e anëtarëve të tjerë të familjes ndaj fëmijëve, fizikisht e psikologjikisht, si edhe neglizhencat e qëllimshme, duke i fyer, epitetuar me nofka të ndryshme, dënime mizore apo poshtëruese në kontekstin e disiplinimit, skllavërimit, izolimit, refuzimit, kërcënimet, indiferencat emocionale, abuzimi seksual nga dikush që ata e njohin si anëtar të familjes së tyre dhe përçmimi janë të gjitha forma të dhunës që dëmtojnë dhe shkaktojnë pasoja të pariparueshme në ndërgjegjen dhe mirërritjen e fëmijëve. Praktikat e dëmshme tradicionale asistojnë në përgjithësi mbi fëmijët e mitur nga kryefamiljari i familjes. Pjesa më e madhe e kësaj dhune është e fshehur prapa dyerve të mbyllura, ose për shkak të turpit e frikës. Kriza ndërkombëtare është bërë një tragjedi e vërtetë për të varfrit në vendet në zhvillim, dhe çmimin më të lartë për këtë e paguajnë fëmijët, dhuna te të cilët merr forma nga më të ndryshmet. Kësaj nuk mund t’i shpëtojnë edhe fëmijët e emigrantëve shqiptarë, ku emigracioni shqiptar njeh shifrën e frikshme, gati një e treta e Shqipërisë është jashtë saj. Por kjo kurrsesi nuk justifikon dhunën në familje dhe ndaj fëmijëve, sjelljen autoritare të strukturës patriarkale në shtëpi e në shoqërinë e sotme, e kërcënuar me një barrë të përgjegjësive. Në mënyrë tipike shpesh fëmijët vuajnë gjatë fëmijërisë për shkak të prindërve të tyre, të cilët mund të jenë të dhënë pas veseve; pijes e kumarit, keqtrajtimit të nënës nga babai në të shumtën, gjë që ka sjellë mosnjohurinë dhe neglizhimin në edukimin e fëmijëve, gjëra që krijojnë konfuzion ankthi dhe fëmijët humbasin besimin ndaj prindërve të tyre. Fëmijët janë themeli i formimit njerëzor, në rast se prindërit edukojnë fëmijë të mbarë edhe shoqëria do të jetë e fortë dhe e mirëqëndrueshme, përndryshe do të kemi një shoqëri të korruptuar dhe të degjeneruar. Trafikimi i qenieve njerëzore, ai i fëmijëve në veçanti, e perifrazuar ndryshe “skllavëria moderne”, rrëmbimi e shitja e tyre, duke i nxjerrë në rrugë të lypin, të lajnë xhamat e makinave në semaforë, përdorimi si skllavë, ankthi, çrregullimi mendor, stresi, “trafikimi seksual”, sidomos adoleshentet, përballja e tyre me realitetin e ashpër, abuzimi fizik e mendor, është bërë tashmë një biznes mëse i zakonshëm dhe mjaft fitimprurës për tutorët e tyre. Për të kuptuar të gjitha aspektet e trafikimit seksual, “dhuna emocionale e psikologjike” ndaj fëmijëve adoleshentë jepet nga portretizimi i medias së “sukseseve” të dhunës policore, në kapjen e bandave me armë, të trafikantëve dhe prostitutave, pasqyrimin e dhunës dhe kontrollin që tutorët e seksit ushtrojnë mbi viktimat e tyre, që janë kryesisht vajza të reja. Ky lloj pasqyrimi në gazeta apo në televizione duhet të mbahet larg syrit e vëmendjes së fëmijëve. Të gjitha llojet e gazetave, masmedia, revistat kinemaja, videot dhe televizionet kanë ndikimin e tyre pozitiv në zhvillimin gjuhësor të fëmijëve, por kanë edhe pasoja negative. Roli kryesor e i drejtpërdrejtë i televizioneve dhe shoqërisë është të ndihmojnë sa më shumë në zbehjen e faktorëve negativë, të japin sa më shumë progame për fëmijë që ndikojnë jo vetëm në sjelljen kulturore e sociale të tyre, plotësojnë nevojat më elementare të fëmijëve që janë dashuria, paqja e harmonia shpirtërore dhe shkarkimin e emocioneve, por kanë edhe ndikim pozitiv te prindërit që ushtrojnë dhunë ndaj tyre. Fëmijët janë të ndikuar nga një sërë faktorësh, përpos ndikimit të prindërve dhe familjes në karakterin e tyre, edhe çdo aspekt i shoqërisë sikundër shokët e shoqet e shkollës, mësuesit, fqinjët e të afërmit, kanë ndikim absolut në formimin e tyre. Dhuna ndaj fëmijëve mund të jetë e lidhur me mjetet e komunikimit masiv dhe të rejat e informacionit e teknologjive të komunikimit. Dhuna e komunitetit shpesh ndikon grupet e margjinalizuara të fëmijëve, sidomos të fëmijëve të flakur në rrugë. Dallimi mes qenieve njerëzore dhe krijesat e tjera të natyrës është se qeniet njerëzore kanë një jetë sociale. Ata nuk mund të jetojnë pa një shoqëri dhe natyra biologjike e fëmijës qëndron mbi këtë domosdoshmëri. Fëmija është fëmijë shpirti, është një fëmijë në nevojë gjithmonë, dhe për shkak të kësaj ka nevojë të padiskutueshme jetësore e njerëzore të babait e nënës, të të afërmve e të shoqërisë në rast të mungesës së prindërve, deri sa të rritet e të arrijë pjekurinë trupore e mendore. Mjedisi dhe njerëzit që e rrethojnë formojnë personalitetin e fëmijëve. Trajtimi psikologjik është në thelb i rëndësishëm për fëmijët dhe njerëzimin në përgjithësi, sidomos në fëmijërinë e hershme. Ka shumë faktorë që ndikojnë në mirëqenien psikologjike të fëmijës, si marrëdhëniet midis babait e nënës, mes prindërve e fëmijëve, midis vetë fëmijëve –vëllezërve e motrave, -mes familjes e shkollës, mes gjendjes ekonomike dhe nivelit shoqëror të tyre. Fëmijët janë pasqyra e shoqërisë dhe reflektimi i ardhmërisë. Janë shpresa e së ardhmes dhe kujdesi e edukimi i fëmijëve duhet të jetë përparësi e interes kryesor në jetën e familjes dhe shoqërisë në përgjithësi. Zhvillimi i aftësive fizike, psikologjike dhe intelektuale te fëmijët, është garancia për të ardhmen e një familje e shoqërie të shëndetshme fizikisht, moralisht e qytetarë të devotshëm . Shoqëria , të gjithë ne së bashku, përfshi këtu edhe mjetet e informimit masiv e mediatik, njerëzit e letrave e të artit, duhet të bëjnë shumë përpjekje për të mbështetur kujdesin, ngrohtësinë, edukimin dhe dashurinë ndaj fëmijëve, ti themi: STOP DHUNËN NDAJ FËMIJËVE!
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi