Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Surroi: Beogradi nuk e ka fshehur synimin për ndarjen e Kosovës Empty Surroi: Beogradi nuk e ka fshehur synimin për ndarjen e Kosovës

Wed 3 Aug 2011 - 19:32
Publicisti Veton Surroi, shef i Klubit për Politikë të Jashtme, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se Beogradi nuk e ka fshehur synimin e tij për ndarjen e Kosovës. Ai tha se ky synim është pasqyruar edhe në veprimet e ditëve të fundit në veri ku po mbahen të bllokuara rrugët kryesore me organizimin e Beogradit. Në një intervistë dhënë “Zërit të Amerikës” në Prishtinë, gazetarit Besim Abazi, zoti Surroi tha se Kosova dhe Serbia e kanë një konflikt të papërfunduar, i cili duhet të përmbyllet në një tryezë të bisedimeve.

Zoti Surroi, tash më shumë se një javë, veriu i Kosovës është përfshirë nga tensione të larta. Sipas pikëpamjes suaj cili mund të jetë përfundimi i këtyre zhvillimeve?
Përfundim në fakt nuk do të ketë për këtë segment të problemit. Ky është problem i cili lidhet drejtpërdrejt me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu që, ky segment i rëndësishëm, do të vendoset brenda kontekstit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Problemi për analizë dhe për vendosjen e procesit negociator është se në çfarë marrëveshjesh të ndërmjetme do të arrihet për vendosjen e një lloj normaliteti, nëse mund të quhet i tillë, në vendkalimet 1 dhe 31 dhe a do të ketë vendosje të institucioneve kosovare pa negociata apo me negociata. Më duket se në këtë fazë është e qartë se KFOR-i është i vetmi institucion legjitim në atë pjesë të Kosovës, por , KFOR-i nuk është i mjaftueshëm. KFOR-i nuk e siguron rendin dhe ligjshmërinë civile. KFOR-i krijon përmasat e sigurisë bazike.

A ka gjasë dialogu pas këtyre zhvillimeve?
Dialogu ashti siç ka filluar, ka filluar mbrapsht. Nuk ka pasur një përgatitje të duhur nga ana e Kosovës. Kosova ka hyrë e papërgatitur dhe pa ndonjë iniciativë të veten, pa ndonjë platformë të veten. Ka hyrë me një platformë e cila nuk i konvenon Kosovës. Dhe kjo që ndodh tash, është rrjedhë normale e një mospërgatitjeje. Dialogu, gjegjësisht, mos ta quajmë dialog, por një proces negociator mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë. Duhet të ndodhë në formë shumë më serioze sesa që është bërë deri më sot dhe duhet të bëhet me iniciativë, me platformë kosovare, me kërkesa të qarta të të arriturave kosovare si në aspektin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ashtu edhe në aspektin e normalizimit të marrëdhënieve me Brukselin?

Nëse duhet një proces i ri që ju e quani proces negociues, a nënkupton kjo që veriu tashmë është shndërruar në një temë që duhet të jetë mbase e para në negociata?
Kosova ka pranuar në formë mendjelehtë që procesi i normalizimit me Serbinë të trajtohet prej teme në temë, prej çështjes në çështje, e jo të trajtohet si një tërësi e cila do zgjidhje. Kosova dhe Serbia e kanë një konflikt të papërfunduar. Ai konflikt duhet të përfundojë. Përfundim i atij konflikti duhet të bëhet në një tryezë të bisedimeve. Optimalja, e cila nuk mund të mbërrihet sot, është që mes dy shteteve të nënshkruhet një traktat paqeje dhe bashkëpunimi të mirë fqinjësorë. Por, në mungesë të këtyre, duhet gjetur marrëveshje të tjera që shpijnë në një ta ardhme drejt një traktati. Marrja prej teme në temë, e rrezikon pa nevojë gjendjen edhe ashtu të brishtë në Kosovë dhe e kufizon sovranitetin edhe ashtu të kufizuar të Kosovës. Po e marr një shembull të thjeshtë, në Bruksel, kot së koti, delegacioni ynë ka pranuar që Serbia dhe Kosova të administrojnë së bashku regjistrin civil. Ndërkohë që kjo është pronë e Kosovës, ekskluzive, është pronë e sovranitetit të Kosovës. Në këtë formë, mendjelehtësia negociatore, shpie drejt rezultateve negative.

Thatë se duhet një proces negociator jo vetëm më Serbinë por edhe BE-në. Ditëve të fundit kishte një qasje të BE-së që ishte kundërshtues nga veprimeve të Kosovës dhe kërkoi kthimin prapa, që u hodh kategorikisht poshtë nga Prishtina. A ka hyrë Kosovë në një fazë të re të marrëdhënieve të reja me BE-në? A janë rrezikuar këto marrëdhënie?
Duhet ikur prej formulimeve historike, se tash kemi hyrë në një fazë të re historike, kemi hyrë në një fazë ku nuk kthehemi mbrapa etj etj. Fakti se nuk do të kthehet gjendja para 25 korrikut, nuk do të thotë se do të bëhet më e mirë. Mund të bëhet edhe më e keqe. Çështja është se si të sigurohet një gjendje që është edhe më përparimtare e jo në një fazë e cila mund të jetë prapakthim. Kosova mund t’i krijojë vetes, ndonëse e ka shumë të vështirë, një pozicion më të mirë. Por, ka mundësi që t’u krijojë vetes një pozicion edhe më të vështirë edhe më të keq. Çështja është se si do të veprojë. Nëse, atë çka shoh unë se nuk jam mbase me i informuari, veprimet e Kosovës nuk janë pjesë e një koncepti të studiuar mirë, por janë veprime që bëhen ditë pas dite, në një aspekt edhe improvizues. Çështja është tash se si të kthehet kjo gjendje në një politikë të mençur shtetërore, e cila e zhvillon, e nxjerrë problemin nga gjendja ku është sot dhe e vendosë në një proces i cili siguron sovranitetin e Kosovës, i cili siguron një marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare, fundi i fundit një përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare të nevojshme për të mbërritur deri aty.

A ishte operacioni i njësive të posaçme të policisë një përpjekje e tillë për vendosjen e sovranitetit të Kosovës?
Sovraniteti nuk bëhet me një operacion njëditësh policor. Sovraniteti vendoset në një proces më afatgjatë dhe ka nevojë për një politikë të menduar mirë të sigurisë. Sepse, nëse do të vendosni polici, rregull, rend, doganierë në veri, duhet krijuar furnizimi i tyre, duhet krijuar mundësia e sigurisë së tyre, duhet krijuar mundësia që krejt ky operacion të ketë edhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare. KFOR-i do të duhej t’i mbronte doganierët tanë atje në gjendjen çfarë është. Të gjitha këto kërkojnë një parapërgatitje të sigurisë, një parapërgatitje politike. Kjo do të thotë që aksioni policor të ketë një mbështetje politike për legalitetin dhe legjitimitetin e këtij operacioni i cili është nga aspekti jonë, i padyshimtë.

Aktualisht në veri është një gjendje, deri diku e ngrirë, në njërën anë është KFOR-i në pikat kufitare, ndërsa në anën tjetër janë bllokadat që vazhdojnë të mbahen nga banorët serbë. A ka potencial shpërthimi në veri të një spiraleje tjetër të dhunës?
Potenciali ekziston. Është e natyrshme që nuk i konvenon kujt që kjo çështje të degjenerojë në dhunë. Por, po ashtu është e qartë se nuk mund që, për hir të kësaj të parës, të tolerohet dhuna e organizuar, e institucionalizuar nga ana e Beogradit. Spontaniteti i vendosjes së barrikadave, janë përralla, të cilat i kemi dëgjuar nga lufta në Kroaci, e deri më sot. Mos të na tregojë kush se këto barrikada vendosen sepse dikush, komshiu me komshiun janë marrë vesh për këtë punë. Por, ekziston një strukturë e organizuar, e dirigjuar, e financuar, me një përkrahje të fortë logjistike nga Beogradi dhe së fundi siç pamë, edhe më një përkrahje politike, sepse u deklaruan të dy të dërguarit e Beogradit në përkrahje të barrikadave, duke kërkuar madje që të vazhdojnë dhe të intensifikohen. Një formë e këtillë është krejtësisht në kundërshtim me të gjitha parametrat e një zhvillimi politik, demokratik dhe kërkim të zgjidhjeve paqësore. Kjo gjendje nuk mund të balancohet, ndonëse po balancohet artificialisht dhe thuhet “edhe Beogradi edhe Prishtina duhet të qetësojnë situatën”. Prishtina nuk është duke vendosur barrikada. Aktualisht, Prishtina as që ka ndonjë zyrtar të vetin kurrkund në veri të lumit Ibër. Ndërsa, Beogradi po ndërhynë si në “bahçe të babës” dhe po ndërhyn drejtpërsëdrejti kundër forcave të NATO-s.

A po artikulohet me këto veprime të Beogradit synimi i tij për ndarjen e Kosovës?
Beogradi nuk e ka fshehur këtë punë dhe rreziku më i madh për Beogradin, siç e shohin ata, është një normalitet edhe më i vogël në funksionim në veri, sepse normaliteti më i vogël i funksionimit në veri, qoftë edhe pa praninë e instancave kosovare, e nxjerr çështjen jashtë negociatave. Qëllimi i Beogradit është në mënyrë të përhershme, që kjo të jetë prej “atuve” më të forta në procesin negociator. Kosova, po të kishte vendosur doganierët e vet dhe policët e vet më 17 shkurt (2008), para tre vjetësh, kjo çështje nuk do të bëhej fare objekt i negociatave as bisedave as ndonjë gjëje tjetër.

Dhe a mund të realizohet një aspiratë e tillë e Beogradit, pavarësisht deklarimeve ndërkombëtare se ndarja e Kosovës nuk është e mundur?
Ne jemi në një gjendje sot, ku për shkak të mangësive të drejtpërdrejta të politikës kosovare, për shkak të mangësive të drejtpërdrejta të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, veriu i Kosovës është vendosur si një territor jashtëligjor dhe rrjedhimisht do të kërkojë zgjidhje të tjera prej zgjidhjeve që bëhen në jug të lumit Ibër. Kjo është një intencë e përhershme e Beogradit. Çështja e rëndësishme për Kosovën është që, nga ky proces i cili po zhvillohet, të mos dalë me një veri me të cilin preokupohet gjithmonë dhe gjithmonë bëhet pjesë e negociatave. Kosova ka nevojë që procesi negociator me Beogradin të jetë gjithëpërfshirës, mos të merret me tema veç e veç, të kërkojë të vendosë parimet e rregullimit të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe që këto parime të kenë bekimin e bashkësisë ndërkombëtare. Në mungesë të një marrëveshjeje të këtillë, Kosova do të merret herë me veriun, herë me njërën komunë, herë me një fshat që nuk pajtohet me një punë dhe një vend i cili merret në formë të këtillë nuk krijon funksionalitetin e veprimit të vet dhe vepron në dëm të interesave të qytetarëve të vet.
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Surroi: Beogradi nuk e ka fshehur synimin për ndarjen e Kosovës Empty Re: Surroi: Beogradi nuk e ka fshehur synimin për ndarjen e Kosovës

Wed 3 Aug 2011 - 19:35
Per lufte e ka mendjen serbia...
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi