Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Bovilla, ku pine uje bashke tiranasit dhe dhite  Empty Bovilla, ku pine uje bashke tiranasit dhe dhite

Thu 8 Sep 2011 - 1:22
Rezervuari i Bovillës është pak kilometra nga Tirana në një nga peizazhet më të bukura natyrore, ku Tirana ndahet me Krujën. Kushdo mund të shkojë... të lahet. Të kryejë nevojat personale dhe... të largohet i qetë. Ndërsa afër digës së tij, atje ku janë dhe impiantet, ruhet me kujdes, në pjesën tjetër rezervuari jo vetëm është krejtësisht i paruajtur, por më shumë akoma je në shoqëri të ‘peshkatarëve’, të dhive që kullosin lirisht, papastërtive të gjithë llojeve dhe kuptohet makinave që vinë deri në breg të patrazuar nga askush...
Bovilla, ku pine uje bashke tiranasit dhe dhite  1315402899-bovilla
Shishe birre familjare, bidona uji, shapka të mbetura, stiva druri të paprekura, mbeturina rrobash të kushedi çfarë kohe, fekale, hi i lënë nga ndonjë ziafet. Kjo është butaforia e zakonshme e Bovillës, njërës nga tre burimet e ujit për Tiranën përveç Selitës dhe Shën Mërisë dhe që prej 13 vjetësh furnizuesi kryesor me ujë të pijshëm i kryeqytetasve.
...
Nuk e kam ende në kokë këtë skenë sepse është hera e parë që shkoj pas shumë vitesh në rezervuarin, nga ku pi ujë Tirana. Është shumë më afër nga sa mendohet. Thjesht në kohët e sotme, për shkak të ndryshimit të objekteve të dikurshme dhe mjeteve të reja, një qytetar disi edhe mund të ngatërrohet. Në ditën e fundit të verës, lëmë luzmën e tabelave që përcaktojnë rrugicat globaliste të Kamzës dhe i afrohemi Bathores. Ndërsa qeshim me emrat aspak të natyrshëm për vendin: Australia, Zvicra, Amerika etj., arrijmë në kryqëzimin e Bathores, ku një burrë ngarkon ngutazi thasë me miell në bagazhin e një Mercedisi. E pyesim. Me një dialekt të rëndë verior, na tregon udhën, por befas ndërron mëndje: Pas meje, urdhëron. Pas 4 minutash ndalon. ‘Qe këtu. Ec drejt dhe pas një kilometri je aty’. E falënderojmë sinqerisht. Ka një kapele, që nuk e di pse më kujton një mashtrues, që paraqitesh dikur si gazetar dhe merrte viza, po në moshën e tij. Si vegim. Ecim. Jo shumë por vetëm pak minuta më vonë kemi ‘gabuar’. Pyes një burrë të ngeshëm që ma thotë saktë. Më vjen keq që nuk i besoj vetes. Ditën e votimeve ishim fare afër.

Drejt rezervuarit

Kthehemi sërish nga erdhëm, por kasketa duhet të ketë shkarkuar miellin nga makina dhe ka ikur. Këtu në Bathore, ende duhet të ketë familje që e bëjnë vetë bukën. Rruga vazhdon deri në Zall-Herr. Lemë repartin e Komandove dhe futemi thellë drejt luginës së reshtur të ujit të Lumit të Tiranës mes malit të Dajtit dhe fillimit të Vargmalit të Skënderbeut. Kuptohet se asfalti nuk vazhdon për gjatë. Makina e fundit që pyesim është e postës. Një djalë pranë saj me bluzën e sigluar ‘Make dream come true’ (Realizo ëndrrën) na e konfirmon. Qeshim sepse edhe ai e kap ironinë e momentit, krijuar prej epigramit. Futemi në Herr, ku pas pak ndahen fshatrat e tjerë, që lidhen me urat mbi ujin që rrjedh poshtë Bovillës. Mrekullia e peizazhit është e papërshkruar. Kreshtat vigave të Dajtit dhe malit përkundrejt, kanë krijuar formacione të mahnitshme natyrale, që japin imazhe gati biblike. Kundrimi ndërpritet shpesh sepse përballë makina të mëdha sjellin inerte dhe kalojnë në rrugën e ngushtë që ashtu e pashtruar ka nisur të dëmtohet frikshëm. Banorët, të paktit e mbetur, bëjnë punë në bahçet e tyre dhe kujdesen për shtëpitë. Nuk ka ndonjë mirëqenie të themi që mund të mbetet në mëndje. Por peizazhi vazhdon i mrekullueshëm...Dhe, ka një qetësi baritore, që të lë pa frymë.

Për të shkuar nga Tirana në Mat ne zgjodhëm rrugën më të përshtatshme që kalonte në drejtimin lindor. Kjo rrugë kalon nëpër plasën më jugore të tokës të maleve të Krujës dhe quhet sipas fshatit që ndodhet në hyrje të saj perëndimore tre orë në lindje të Tiranës, shkalla e Dunjas. Rruga pjesërisht e shtruar me kalldrëm dhe që aty këtu ngrihej mbi një bazament artificial kalon në qoshen jugore të plasës që në shumicën e rasteve ka skarpate shumë të pjerrëta dhe ngrihet herë pas here me siguri rreth dyqind këmbë mbi përroin, i cili megjithë mungesën ekzistuese të ujit, kur derdhet mbi faqen shkëmbore që mbushin tabanin e ngushtë të plasës e mbush grykën me shungullima që i shëmbëllejnë bubullimave. Këto janë rreshtat e Georg von Hahn, që erdhi këtu 170 vjet të shkuara.

Kalojmë dhe një pikë inertesh, që ka bërë një kodrinë rërë dhe sakaq afrohemi në një shteg që të përcjell në vendin e njohur si Shkalla e Tujanit. Në ujërat e pastra të përroit që çan mes shkëmbinjve dhe që ka krijuar disa vende larje të mrekullueshme, adoleshentë provojnë të hidhen në ujë. Askush nuk hidhet me kokë, por të gjithë me këmbë dhe mbi ujë në shkëmbinj, bashkërisht i kënaqen një shalqini të madh. “Hajt mos fotografoni. Më fotografo mu, po u hodha me kokë”. Protagonistët janë zhgënjyes sepse në ujë askush s’noton mirë. Të gjithë i kënaqen ujit. Këtu mrekullia është e pafund. Përveç dy ekskavatorëve, që po e gërryejnë malin, deri aty ku s’mban më. Thuhet se do kaloj një aks i Arbërit. Shkalla e Tujanit s’duket më si e tillë. Pak metra më tutje, në një rrugë që tash kthen asfaltin, ngjitemi mbi një digë ku është vendosur një nga nyjet e kontrollit të Bovillës. Jemi. Njerëzit e kontrollit dalin sakaq. Kanë juridiksionin në këtë digën dhe pak qindra metra më tutje. Se ç’ndodh më pas, se kanë ata. Largohemi në paqe. Kërkojmë pak ujë. Uji, i një çezme të hershme është i ngrohtë. Mos e pi, nuk pihet na thonë.

Në rezervuar

Pak metra më tutje deri në horizont shtrihet e gjithë syprina e pasqyrës ujore rreth 326 ha. Një gomone poshtë digës shërben për patrullim. Anash një tunel. Dhe, një kullë e madhe, që duhet të shërbejë mbase për kontrollin dhe filtrimin e ujit. Kjo pasuri ujore është e çmuar dhe kur e sheh kaq të plotë kënaqesh. Por s’ka ditë që tiranasit të mos ankohen për të. Anipse, liqeni ruan kaltërsinë dhe shtrihet ose më saktë ne dy territore: në atë të Tiranës dhe në territorin e Krujës, të cilët administrohen përkatësisht nga komuna Zall-Bastar dhe komuna Cudhi. Pellgu ujëmbledhës ka gjashte fshatra sipër: Zall-Bastari, Vileza, Bastari i Mesëm, Mneri i Sipërm, Rranxë dhe Bruzmal. Madje janë aq të lidhur sa në referimet e grupeve përgjegjëse thuhet se ujërat e zeza hidhen aty. E lemë asfaltin, kur një kope e tërë dhish të shumë racave dhe me erë tejet të rëndë karakteristike, zbret nga shpati majtas, e qetë nga andej ku është zona e Krujës. Dy qen rrotullohen atypari. Mundohem ti bëj foto, por kur shikoj qentë stepem disi. Dhitë e kanë ritual ditor, që të pinë ujin aty ku dhe duken bash të mësuara. Lëvizin pa u tollovitur dhe me bariun, që i ndjek nga pas. Ia bëj me dorë. Afrohet pjerrtas dhe sytë i mban te dhitë, që janë poshtë digës së Bovillës të patrazuara. ‘Këtu pinë gjithnjë?’- i them bariut. “Këtu, pse ku të pinë”. ‘Qenka ujë i pastër’, i them. “Po i pastër dhe nuk e kuptoj pse ankohen”. ‘Po këto pisllëqet anash, këto rroba?’ “Ç’më duhet mua. Jam vetëm me dhitë”, ma pret. ‘Me këto je marrë gjithë kohën’. “Po me çfarë?-ma pret. Edhe grekët me dhi të çojnë”. ‘Ke qenë ndonjëherë? “Jo”. Kaq. Ikën. 22 vjeçari ka një kope mbresëlënëse e cila vazhdon e patrazuar të pijë ujë, me kutërbimin pas që të shastis. Është nga Rrëza, nëse e kam kuptuar mirë nga zona e Krujës dhe ky është i vetmi mjet jetese, sepse djathin e shet. Ashtu si ai dhe barinjtë e tjerë kullosin afër. Zall-Bastari ka një zonë rreth 6000 ha, nga e cila 3366 ha janë pyje, me lis dhe shkozë, 509 ha tokë bujqësore, 549 ha kullote dhe 931 ha tokë e zhveshur. Cudhi, ka gjysmën e këtij territori. Falë pellgut malor që e ushqen.

Masat e sigurisë

Një tabelë e shtrembët që ndalon qarkullimin rreth 150 metra tutje asfaltit të digës, është fundi i makinave, por jo i këmbësorëve. Vetë tabela është bërë si objekt qitje sepse e kanë prishur duke e qëlluar dhe ruan shenja. Që andej jemi të lirë të bëjmë gjithçka. Një burrë nuk na lë të fotografojmë afër digës, por që andej e tutje, çdo njeri është i qetë të bëjë çfarë i do mëndja. Dhe, vërtetë, më pas, je i lirë për të gjitha. Një djalë 15 vjeçar është zhveshur lakuriq dhe po lahet ndërsa dy shokë të tij më të mëdhenj përpiqen të zenë peshq. ‘I bie-?’-pyes. “Vetëm sardele ka”, më thotë trishtueshëm njëri. Janë futur deri në gju në baltën e rezervuarit. “Më duket se ka peshk më të madh andej nga mesi, por kush të le me varkë”. Kanë disa drunj të mëdhenj gungaç në vend dhe gjuajnë. Një stivë drush që është përballë pret të merret nga dikush. Kush e ka bërë, u them. Askush s’përgjigjet. Konspiracion fshati. Po këto? Pyes për rrobat e kalbura anash, shishet plastike etj. Ngrenë supet. “Këtu vimë të gjithë lahemi”, më thatë djali që lahet. Pas tabelës së shtrembët s’ka asnjë mase jo vetëm sigurie por në këtë zonë je i lirë. Në fakt është një rrugë që e lidh me pjesën tjetër të zonës ku ka shtëpi banimi, kurse vendi pas digës së liqenit është plazhi i vetëm i banorëve dhe i vetmi mjet i tyre i luksit stinor. Kuptohet hyrja në pjesën e distribucionit nga ku administrohet uji për furnizimin e kryeqytetasve është i rregullt, por kjo se justifikon faktin pse bidonet plastikë notojnë shpesh mbi ujë, apo bagëtitë hyjnë lirisht e pinë aty ujë.

Shoqata e Konsumatorit Shqiptar, me anë të kryetarit të saj, Islam Cani do shprehej jo shumë kohë më parë :”Një objekt i tillë, jo vetëm që duhet të jetë i rrethuar, por edhe rrethimi është specifik. Një basen i tillë siç është Bovilla duhet të ketë 5 rrethime”. Që nga rrethimi i parë të jetë në një distancë 3 km dhe me radhë, tjetri 2 km, 1.5 km, 1 km, ndërsa i fundit 500 metra dhe madje me roje te armatosur. Duket utopi për banorët, që komunikojnë me liqenin jo vetëm virtualisht por në mënyrë interaktive. Djemtë zënë e qeshin, kur fjalosemi dhe pak. Janë tepër të qetë, shenjë që këtë punë e bëjnë shpesh. Por të gjithë djemtë e moshës së tyre nga 15-të deri te mbi 20-tat e kanë të tyrin këtë vend për argëtim. Shqetësimi, në fakt, s’mjafton këtu. Kohë më parë shqetësimi u ngrit për rreth 120 shtëpi, të cilat i shkarkonin ujërat e zeza në Bovillë, ashtu si edhe ata që punojnë tokën dhe që përdorin pesticidet dhe kimikate, që reshjet i derdhen drejt konsumatorëve të Tiranës.

Një studim i pak ditëve më parë i SNSF-së e shprehu më mirë gjendjen: “Erozioni i tokës, mbulesa e varfër bimore bien menjëherë në sy në gjithë hapësirën e basenit ujëmbledhës; gërryerjet masive me pasoja mbathjen e liqenit nxiten shume nga prerjet për dru zjarri, kullotjet (sidomos prej dhive) dhe zjarret. Ndërkohë, brenda pellgut ka pak kujdes në shkarkimet e ujërave të zeza të krijuar nga njeriu dhe nga kafshët. Varfëria në zonë është e dukshme, edhe pse vetëm pak kilometra larg kryeqytetit. Shkalla e ndërgjegjësimit është shumë e ulët jo vetëm në zonë, por edhe në vetë organet drejtpërdrejt të interesuara për ujin e pijshëm në Tiranë”.

S’ka problem filtrohet

“Është i pastër më thotë, një nga burrat që vjen sakaq afër. Mjafton filtrimet dhe merr fund”.Në Tiranë nëse do pyesësh njeri që pi më ujë Boville do të shikojë si UFO sepse askush se përdor më. Të 1800 litrat e ujit për sekondë me gjysmën e sasisë që shkon në kryeqytet mund të ndihë për tu larë por kurrsesi për ta pirë. Edhe pse zyrtarët pretendojnë se standardeve dhe niveli i baktereve është 300 herë më i vogël se kufiri maksimal që pranon sistemi i impiantit të Bovillës. Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, Sahit Dollapi pak javë më parë, në fillim të sezonit veror shprehej optimist se”liqeni monitorohet për pastërtinë e ujit 24 orë në ditë dhe mjeti lundrues që UKT ka siguruar lehtëson monitorimin e liqenit në çdo anë të tij”. Por studimi i ekspertëve shqiptare, që u mbështet financiarisht nga Fondacioni Kombëtar për Kërkimin (SNSF) ka renditur disa nga problematikat dhe tregoi se ndikimi i dorës së njeriut është i frikshëm dhe se s’është vënë dorë sa duhet. Një djalë tjetër, vjen sakaq, dhe trembet kur aparati ynë bën poza para turrës së druve. Sigurohet që s’kemi gjë me të por me ujin. Na tregon një qese plastike që pluskon jetime mbi suprinën e Bovillës. ‘Atë fotografo!’. ‘Ik, qurrash. Lahu”, ia pres. Qesh dhe vrapon. Bashkohet me djemtë e tjerë. Kujtoj se pak kilometra më tutje, studimi i kërkon njerëzve të ziejnë ujin e Bovillës dhe të sjell ndërmend vitin 2001, kur uji i Bovillës shfaqi kohë pas kohe ere dhe shije jo të pëlqyeshme.

Pavarësisht nga prodhimtaria e varfër biologjike, Liqeni i Bovillës karakterizohet nga tejpamja e ulët dhe turbullira relativisht e lartë, sidomos gjate reshjeve (kategoria A2). Po në këtë periudhë vihen re përkeqësime në përmbajtjen e Fe, në koliformet dhe streptokoket fekale, u shkrua në raport.
...
Këtë relacion vërtetë s’mund ta kuptosh teknikisht, por dorën barbare të njeriut të zonës e sheh me erozionin e tokës, mbulesën e varfër bimore, gërryerjet masive, drunjtë që i kemi afër dhe që i kanë stivuar, kullotjet e dhive dhe zjarret dhe shkarkimet e ujërave të zeza të krijuar nga njeriu dhe nga kafshët. Por në varfërinë e banorëve s’mund t’i kërkosh dhe vetëdije etike sepse Zoti këtu se ka për gjë që robin ta lerë të pijë njësoj me dhinë. Si qëmoti, i them një burri, që vjen tinëz. “Hë”, më thotë. Ikim, dhitë kanë zbritur poshtë Shkallës së Tujanit dhe janë drejtuar për diku. Djemtë na përshëndesin dhe na ngrenë dy sardele të tjera në shenjë përshëndetje. Kemi etje dhe pranë bazenit etja të duket dyfishe. S’ka vend ku mund të pish rehat. Ose të jesh i qetë si dhitë që ishin para teje. Ose pemë. Pyll. Shkatërrim po. E ke kudo.

“Këtu rriten herë pas here edhe pemë të mëdha, pamja e të cilave krijon herë pas here tek vrojtuesi nordik shqetësime për sa i përket dëmtimeve që pësojnë këto pemë nga bagëtitë dhe barinjtë e tyre”, na vjen sërish në ndihmë Georg von Hahn, nga viti i largët 1863. Të paktën, kjo më kujtohet në këtë ditë të fundit të gushtit 2011./Mapo

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi