Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Durrsaku
Durrsaku
V.I.P Forumi
V.I.P  Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 47
<b>Postime</b> Postime : 12667
<b>Hobi</b> Hobi : bisedat e sinqerta
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : diku
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 04/12/2011

Këneta e Maliqit, zbulohen letrat për pushkatimin e 63 intelektualëve Empty Këneta e Maliqit, zbulohen letrat për pushkatimin e 63 intelektualëve

Thu 2 Feb 2012 - 18:00
Këneta e Maliqit, zbulohen letrat për pushkatimin e 63 intelektualëve Sulejman-xhixha-4-300x225
Sulejman Xhixha duke treguar për “Panorama” letrat e ish-të burgosurve nga kampi i Maliqit


Sulejman Xhixha rrëfen për të atin

Kampi i Vloçishtit, letrat për vrasjen e 63 intelektualëve

Dëshmitë e bashkëvuajtësit për të birin: Muharrem Xhixha u ekzekutua nga Hito Hitaj

Ai dhe shumë të tjerë patën fatkeqësinë që t’i njohin baballarët nga rrëfimet e miqve bashkëvuajtës. Sulejman Xhixha e sjell ndër mend të atin ashtu siç mund ta kujtojë një fëmijë 4-vjeçar.
Ai dhe shumë të tjerë patën fatkeqësinë që t’i njohin baballarët nga rrëfimet e miqve bashkëvuajtës. Sulejman Xhixha e sjell ndër mend të atin, ashtu siç mund ta kujtojë një fëmijë 4-vjeçar. Kaq ishte mosha e tij kur e pa për herë të fundit babain e tij, Muharrem Xhixha, si njeri të lirë, në vitin 1946. Më pas e takoi rrallë, herë pas hekurave e herë pas telave, por gjithmonë në burg. Derisa ia vranë pas shpine dhe e varrosën gjysmë të gjallë në llumin e kënetës së Maliqit dy vite më vonë, më 1948-n. “Një ekzekutim i paramenduar, vrasja e tij ishte lajmëruar një muaj para në Krujë”, thekson i biri, Sulejmani. Një e vërtetë që ai e ka mësuar dekada më vonë nëpërmjet dëshmive dhe letrave të ish-të burgosurve të mbijetuar nga kampi famëkeq i Vloçishtit, që panë me sytë e tyre masakrën e plumbave mbi trupat e katër personave. Katër vetëm në një ditë, 63 intelektualë u pushkatuan apo u varën ndër vite. Të tjerë, në mes atyre 3 mijë të burgosurve në Maliq, ende nuk dihet se ç’fat patën. Sigurisht, nga ai më i ziu. U zhdukën, u eliminuan dhe sot e kësaj dite nuk u dihet varri. Dihen vetëm tragjeditë. Njërën prej të cilave, Sulejman Xhixha na e rrëfen për gazetën “Panorama”. Historia nis herët, që në vitin 1931, kur babai i tij, Muharremi, ishte nëpunës i zyrave gjyqësore të Mbretërisë në Krujë. Si i tillë, ai i kishte shërbyer më pas Abaz Kupit dhe i ishte bashkuar Rinisë Legaliste. Pas rënies së monarkisë, Muharrem Xhixha vijon të jetë nëpunës në administratën shtetërore, në pozicionin e llogaritarit apo sekretarit, ku si njohës i mirë i italishtes merrej me përkthime dhe literaturë. Një funksion i thjeshtë prej nëpunësi, por që pas zgjedhjeve të vitit 1946 u konsiderua nga komunistët në pushtet si veprimtari armiqësore ndaj atdheut. Arrestohet me disa dhjetëra intelektualë të tjerë krutanë dhe dërgohet në burgun e Durrësit, ku dënohet me 8 vjet burg. Që aty, transferohet në kampin e Vloçishtit në Maliq dhe vetëm 28 vjeç vritet dhe lihet në llucën e kënetës. Gjysmë i vdekur e gjysmë i gjallë, derisa llumi i pisët e thithi në brendësi. Vrasja e tij më 1948-n u justifikua nga Ministria e Mbrojtjes si “tentativë arratisjeje”, por zyrtarisht certifikata e vdekjes u lëshua vetëm 28 vite më vonë, pra më 1976-n. Ndërsa eshtrat e Muharrem Xhixhës janë gjendur nga familja pas 46 vitesh (1994), aq sa mund të gjendeshin. Mos harroni, kjo është njëra nga 3 mijë historitë horror të Vloçishtit. Ajo vjen sot jo vetëm nëpërmjet dëshmisë së të birit, Sulejmanit, por edhe të letrave origjinale dhe dokumenteve të arshivës.
Janë publikuar shumë emra të viktimave nga kampi i Vloçishtit, por tragjedia e babait tuaj është zbuluar vetëm së fundi. Pse?
Këneta e Maliqit, zbulohen letrat për pushkatimin e 63 intelektualëve Muharrem-xhixha-209x300
Muharrem Xhixha


Ata emra që janë zbuluar janë shumë pak. Bëhet fjalë për mijëra viktima, ndërkohë që janë publikuar me dhjetëra. Është debat i gjerë ky se pse heshtet për viktimat e komunizmit. Personalisht, që me ardhjen e demokracisë, jam marrë me mbledhjen e dëshmive, dokumenteve e gjithçka tjetër që mund të vijë në ndihmë për të zbuluar masakrat në atë kamp. Im atë, fatkeqësisht, si shumë të tjerë, vdiq aty. U dënua zyrtarisht me 8 vite burg, por fundi i tij jozyrtar ishte parashkruar ndryshe: Të vritej.
Pse u dënua babai juaj?
Im atë ka qenë nëpunës gjatë kohës së monarkisë, por edhe më pas. Gjatë punës që bënte nëpër institucione, babai im nuk mbetej i painformuar rreth zhvillimeve të rëndësishme në vend. Ishte njohës shumë i mirë i italishtes dhe kishte kaligrafi shumë të bukur. Ishte angazhuar që në krijimin e saj me Rininë e Legalitetit, kishte marrë pjesë nëpër mbledhjet që bëheshin dhe kishte plotësuar detyrat e marra përsipër. Për të gjitha këto kanë dëshmuar shokët e tij të kësaj organizate, si Abdulla Berberi, Ramiz Dani apo Zihni Dervishi, që nuk ishte nga Kruja.
Dëshmi të tipit…
Dëshmi që u arrestua kot babai im. Duke qenë se sot gjithnjë e më shumë dëshmitë gojore konsiderohen si emocionale, që t’ju bind, po ju vë përpara arkivin. Një pjesë e mirë qytetarësh krutanë u përpoqën që t’i bënin rezistencë të vendosur diktaturës. Për këtë u organizuan për të kundërshtuar me çdo mjet demokratik fitoren e “Frontit” në zgjedhjet e para, që do të mbaheshin më 2 dhjetor 1945. Historia dihet tashmë, për shkak të rrethanave të asaj kohe “Fronti” humbi. Lidhur me humbjen e Frontit në këto zgjedhje, po citoj dy nga dokumentet arkivore të AQSH-së (vendim i Gjykatës Ushtarake të Tiranës në Durrës, nr.269, datë 26.08.1946, fq. 3), ku thuhet: “Pati edhe raste që goglat e kutisë së zezë, komisionet njëngjyrëshe i hidhnin në kutitë e kuqe, si në Petrelë të Tiranës, në Kavajë, në Krujë dhe në Lumë të Kukësit”. Më tej shkruhej: “Komiteti Qarkor i Durrësit i raportonte Komitetit Qendror të PKSH: Një pjesë e konsiderueshme e intelektualëve është kundër nesh dhe ka votuar pro Frontit. Listën e tyre do t’ia japim edhe Mbrojtjes”. Kjo listë do të ishte dhe tragjedia e shumë intelektualëve shkodranë. Më 14 janar 1946, në qendër të Krujës, në Pazar, e për ditë të hënë, u pushkatuan pa gjyq Hashim Hoxha, Myftar Taga, Hasan Berhami, Mustafa Dervishi e Sulejman Qira. Gjatë janar-shkurtit pati një valë tjetër arrestimesh, ndër to edhe im atë. Ai u lidh dorë për dore me të arrestuarin tjetër, të nderuarin Hysen Meça dhe të dy bashkë u dërguan më këmbë nga Kruja në Durrës. Dikush njoftoi Baba Myrtezanë për arrestimin e tyre, që në atë kohë drejtonte Gjyshatën e Bektashinjve në Fushë-Krujë. Ishte atdhetar i devotshëm, intelektual, antikomunist. E arrestuan edhe atë dhe gjatë torturave nga më çnjerëzoret, e mbytën. Për të maskuar këtë barbari, deklaruan se kishte tentuar të vetëvritej duke u hedhur nga dritaret e godinës ku kryheshin hetimet në Tiranë, te Selvia. Në fakt, nga dritaret e kishin hedhur pasi kishte vdekur dhe kjo kishte ndodhur në muajin maj 1942.
Më saktë, a mund të dimë motivacionin e dënimit të babait tuaj?
Babai im, Hysen Meça, Nafije Kupi (e arrestuar më parë më 10 janar 1946) dhe Zenel Preza, dolën në gjyq rreth 6-7 muaj pas arrestimit. Gjykimi u zhvillua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës në Durrës, më 26 gusht 1946 dhe përbëhej nga:
Këneta e Maliqit, zbulohen letrat për pushkatimin e 63 intelektualëve Muharrem-xhixha1-220x300
Foto e vitit 1947 dërguar babait të burgun e Durrësit, me tre fëmijët. Sulejmani, Aliu dhe në korrige motra Havaja


major Irakli Bozo – kryetar, toger Fuat Hyseni – anëtar, nëntoger Haxhi Pela – anëtar, prokuror Petrit Hakani – kapiten dhe sekretar Halil Grapshi. Nuk qe rastësi që prokurori Petrit Hakani ishte caktuar si përfaqësues i akuzës edhe në gjykimet e shumë krutanëve në grup, ose individualisht. Ai ishte me prirje të theksuara prej krimineli dhe me sadizmin që e karakterizonte, dëshironte të fitonte vlerësimet e eprorëve, po kriminelë. Ndërmjet të tjerash, ja se çfarë “observon” kjo gjykatë: “Veprimtaria e të gjithë të pandehurve të këtij grupi është e qartë dhe e provuar. Secili i pandehur është treguar koshient për punën e tij tradhtare. I pandehuri Zenel Preza është i pari që krijoi lidhjet ndërmjet kriminelëve të luftës dhe Komitetit të Legalitetit të Tiranës. Letrat që merrte prej kriminelëve ia jepte në dorë Anton Dukagjinit dhe prej këtij merrte përgjigjet. Kanë sabotuar direkt zgjedhjet e 2 dhjetorit me anë traktesh, ku shkruhej se qeveria e Zogut do të kthehej shpejt në Shqipëri. Këto trakte shtypeshin prej njerëzve të Legalitetit si Muharrem Xhixha dhe Hasan Tara (Sula). Këto trakte niseshin nëpër qendrat e votimeve dhe i jepeshin popullit me anë të të pandehurve Sabri Ndreu, Selim Vogli, Haxhi Shani etj. Me anën e së pandehurës Nafije Kupi janë munduar të krijojnë lidhje me reaksionin e huaj, e cila kishte takuar në Tiranë Profesor Lozzi-n dhe ky do ta takonte me reaksionarë të tjerë të huaj. Shumica e të pandehurve kanë qenë në dijeni të plotë mbi strehimin e kriminelëve të luftës dhe i ka ndihmuar këta që të shpëtojnë e të mos kapen prej forcave të sigurimit. Janë përgjegjës për organizimin e Rinisë së Legalitetit, e cila do të vepronte me të njëjtin program dhe të ishte në lidhje të ngushta me Komitetin”. Në vazhdim: “Të pandehurit Njazi Dedja, Muharrem Xhixha dhe Hysen Melca nuk kanë dashur kurrë që populli shqiptar të kishte në dorë pushtetin. Kanë dashur gjithmonë që populli të shtypet nga klasa sunduese. Këta donin që të kishin në fuqi Baz Kupin me shokë që të kapardiseshin në popull si besnikët e tij. Favori që kishte bërë pushteti për këta ishte i madh, pse i kishte konsideruar njësoj me ata që sakrifikuan gjithçka me çlirimin e atdheut, duke i vënë nëpunës të tij. Dhe këta si shpërblim deshën ta rrëzonin këtë pushtet. Mbanin lidhje të ngushta me Hasan Kalanë e Muharrem Vocin dhe bisedonin rreth formimit të grupeve të Legalitetit, që do të vepronin për rrëzimin e qeverisë”. Pas përfundimit të hetimit gjyqësor, u formulua ky vendim: “Gjykata, për arsyet e mësipërme, në bazë të neneve 15 e 18 të Ligjës nr.41, datë 14 janar 1945, mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake dhe nenit 1 të Ligjës nr.21, datë 15 dhjetor 1944, mbi sabotatorët e luftës, të pushtetit dhe armiqve të popullit, pjesërisht në konform dhe pjesërisht në kundërshti me kërkimin e prokurorit, vendosi: Fajësimin e të pandehurve, cilësimin e tyre si armiq të popullit e sabotatorë të pushtetit popullor dhe ndëshkimin e tyre si vijon: Sali Balla – dënim me vdekje dhe konfiskimin e pasurisë së tij, të tundshme dhe patundshme. Nafije Kupi – 30 vjet burg dhe konfiskimin e pasurisë së tij, të tundshme dhe patundshme. Zenel Preza – 15 vjet burg dhe konfiskimin e pasurisë së tij, të tundshme dhe patundshme. Hysen Meça – 8 vjet burg. Njazi Dedja – 8 vjet burg. Muharrem Xhixha – 8 vjet burg. Qazim Ferra – 5 vjet burg dhe konfiskimin e pasurisë së tij, të tundshme dhe patundshme. Haxhi Shani – 5 vjet burg. Jakup Kepi – 2 vjet burg. Sabri Ndreu – 2 vjet burg. Selim Vogli – 2 vjet burg. Shaqir Myftari (Lama) – 2 vjet burg kondicionel. Mehmet Shani – 2 vjet burg kondicionel. Këta u dënuan në një ditë, por asokohe në burgun e Durrësit ishin shumë krutanë, si: Abdulla Broca, Mustafa (Pajë) Paja, Hasan e Xhaferr Sula, Hysen Hoxha, Xhemal Suta, Sabri Veseli, Hysen Mali, Shaqir Taga, Hysen Merlika etj. Me të gjitha, babai im mbante marrëdhënie shumë të mira dhe respektoheshin sinqerisht.
Pra, ai nuk u dënua me pushkatim apo varje, por vetëm me 8 vjet burg?
Zyrtarisht, vetëm me 8 vjet burg, por jo zyrtarisht ishte marrë tjetër vendim për të. Për fundin tragjik të tim ati patën rol përcaktues drejtuesit komunistë Xhavit Qesja, Saba Hasa, vëllezërit Mehmet e Haxhi Seseri etj. Prej tyre, ekzekutimi i babait ishte përfolur në Krujë, që një muaj para vrasjes. Partia dhe Sigurimi në Krujë, nuk kanë qenë të kënaqur me dënimin e tij prej 8 vitesh burgim. E kishin përgojuar shpesh si “armik dhe element të rrezikshëm” edhe në gjyqin e Xheladin Kuqit dhe Haki Pengilit me shokë, si edhe në disa nga mbledhjet me popull a nëpër qendra të tjera, siç bëheshin asaj kohe. Pas kësaj pakqënaqësie është marrë edhe vendimi për ta eliminuar. Porosia i ka shkuar komandës së atjeshme, në Vloçisht, kuptohet në rrugë të fshehtë e krejt të paligjshme. Skenari i ekzekutimit ka qenë nga më të shëmtuarit. Deri në vitin 1976 ishte i paçregjistruar nga gjendja civile, pra figuronte si i gjallë. Pas një kërkese që bëmë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për nevojë të dokumentit të vdekjes së tij, morëm përgjigjen më mashtruese dhe falsifikatore, siç vijon: “Republika Popullore e Shqipërisë. Ministria e Punëve të Brendshme. Drejtoria e Policisë Popullore Tiranë, më 09.12.1975. Dega e Zbatimit të Vendimeve Penale. Nr.Z/18, Sulejman Xhixës, Krujë: Lidhur me kërkesën tuaj mbi ish-të dënuarin Muharrem Hasan Xhixha, nga verifikimi që iu bëmë dokumenteve tona, rezulton se i përmendurit me datën 29.07.1948 është vrarë gjatë tentativës për t’u arratisur nga vendi ku vuante dënimin. Kryetar i Degës Zbatimit Vend.Penale, Begtash Toro”.
Pse e quani mashtrues dhe të falsifikuar këtë vendim?
E vërteta është krejt ndryshe dhe unë e kam mësuar nga dëshmia e disa krutanëve që kanë qenë prezentë në vrasjen e tim ati. Dhe këta nuk kanë qenë të pakët: Xhafer Sula, Faik Mërlika, Qazim Ferra, Argjend dhe Haxhi Goci, Ramazan Kodra e Pjetër Gaci nga Derveni etj. Kam dëshmitë gojore të tyre, por edhe korrespondenca me shkrim, të cilat i kam ruajtur (shihni faksimilet). Edhe pas lirimit nga burgu ata nuk kanë shkuar direkt nëpër shtëpitë e tyre, por kanë ardhur në familjen tonë për ngushëllim e ndër lot tregonin historinë e ekzekutimit me detaje.
Si është e vërteta, atëherë?
Në fillim të vitit 1948, një pjesë e madhe e të burgosurve të Durrësit, ndër ta dhe babai im, u transferuan në Kampin e Punës e Shfarosjes në Maliq, qendra Vloçisht. Urdhri ishte që ata, si skllevër të thanin kënetën, por porosia e vërtetë ishte që të mos dilnin gjallë që andej. Në atë kamp, ku mizoritë nuk përshkruhen, kishin mbledhur 1 800 djem e burra nga të gjitha moshat, nga të gjitha burgjet anembanë Shqipërisë. Më vonë, kanë qenë 3 mijë. I sfilitnin, i rraskapitnin, i stërmundonin. Për banesë kishin stallat, ku edhe kafshët do të ndiheshin keq. Jeta atje ishte si në fundin e ferrit dhe për gjithsecilin prej tyre, jo rrallë, vdekja do të vlerësohej si shpëtim. Të burgosurit ishin ndarë nëpër brigada. Babai im me shokët nga burgu i Durrësit u kishte rënë shorti të punonin në brigadën e dytë. 27 korriku i 1948-s kishte qenë ditë e premte. Komandanti kriminel, Tasi Marko, kishte shkruar për të parë punimet dhe kishin caktuar një çerek ore pushim. Pushimin e kishin nisur duke qëndruar secili në vendin ku ishte, disa brenda në kanal e disa të tjerë në argjinaturë. Babi im kishte qenë në argjinaturë. Ai ishte ngritur dhe shmangur pak nga shokët, për nevoja personale. Ashtu si ai, edhe disa të tjerë. Atë çast, me urdhër të komandantit, rojet nga kullat kishin zbrazur breshëri automatikësh dhe të gjithë të burgosurit ishin shtrirë. Babai me të shpejtë kishte zënë vendin ku ishte më parë, në argjinaturë. Atëherë i ishte afruar kapiteni Hito Hitaj, efektivi i burgut të Durrësit, famëmadh për vrasjet e tij. E kishte detyruar babanë të ngrihej nga vendi ku qe ulur, e kishte shtyrë jo më shumë se sa 30 metra larg dhe pasi e kishte detyruar të ulej në gjunjë, e kishte qëlluar nga pas me plumb. E kishin groposur po aty. Në çastet e breshërive të rojeve ishin plagosur edhe 3 fatzinj të tjerë, të cilët i kishte ndjekur i njëjti fat; i mbuluan me baltën e kënetës, ende të gjallë dhe pa dhënë shpirt. Pra, “tentativa e arratisjes” ishte një shpifje e qelbur dhe ekzekutimi ishte i porositur. Ruaj ende letrat e ish të burgosurve për vrasjen e tim ati, ndër to edhe atë të znj. Nadja Darova (ish-e burgosur). Me shkrim dore, ajo tregon ndër të tjera: “Më erdhi shumë keq kur e pushkatuan, si mua, ashtu edhe të gjithë të tjerëve që e njihnin. Hitoja që e pushkatoi, u shpreh se kështu e duan armiqtë e betuar si ky, që ka qenë sekretari i Bazit të Canit” (Abaz Kupit). Po ashtu, edhe një bashkëvuajtës tjetër i babait, Theodhori Theodhosi, më ka shkruar: “Jam i sëmurë me të dyja këmbët plagë, pasi nuk më mbyllen si pasojë e 16 kampeve ku vuajta… Në Vloçisht, veç Muharremit, janë vrarë dhe varrosur të gjallë edhe 63 të tjerë. Pra 63 viktima janë mbuluar me llumin e kënetës”. Edhe Hiqmet Cërloi nga Durrësi më ka dëshmuar për mëngjesin e fundit me babain tim, se si kishte parë një ëndërr të frikshme. … vijon
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi