Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Ringjallje morale Empty Ringjallje morale

Tue 14 Feb 2012 - 20:01
Ringjallje morale Panneau12

Stop dhunës ! Shqiptarët për jetën!

Në këtë fund janari një ngjarje « fait divers », një dramë familjare e pabesueshme dhe revoltuese më ngjall për të satën herë sërish të njëjtin indinjim : «Sa turp ! Turp që jam shqiptar ! Turp për një barbari të tillë !».

Pyes veten dhe ty, lexues i nderuar, edhe sa kohë do të vazhdojmë të presim lajme të tilla ? Shqiptari X vret të bijën…, shqiptari Y vret të shoqen e me pas dhe asistenten sociale që ndihmon të shoqen…, kosovari Z. i rritur në Zvicër vret të vjehrrin…, vëllezërit shqiptarë therin me thikë në fyt një klient në restorant… fëmijët e gratë shqiptare, viktimë e dhunës fizike e psikologjike në rrethin familjar… Deri kur problemet familjare ose personale që në çdo vend të qyteteruar zgjidhen me ligj në respektin e dinjitetit njerëzor, te ne do të vazhdojnë të «zgjidhen» me plumb, dhunë e forcë ? Si ka mundësi që X, Y dhe Z nuk hezitojnë të shfryjnë inatin duke u marrë jetën viktimave pa faj e pa mbrojtje ? Deri kur shqiptarët do e përçmojnë jetën e do vrasin njëri-tjetrin pa kurrfarë mëshire ? Pse kjo barbari ? Deri kur ky turp ?

Sigurisht autorët e akteve të tilla së pari nuk janë burra, por janë kriminelë – cilido qoftë shkaku, burrat falin ! Kriminelë të tillë herë pas here ndeshen edhe te çdo komb tjetër... Megjithatë, faktet janë kokëfortë: tek ne proporcioni i krimeve të tilla është shumë më i lartë se gjetiu në Evropë! Mjafton të ndjekësh kronikat e lajmeve në televizionet shqiptare, ose të hapësh gazetat për t’u bindur. Dhe kur nuk bëhet fjalë për dhunë me armë, mbizotëron dhuna me fjalë, fyerjet, fjalori rrugaç kudo dhe për çdo problem. Aq e pranishme është kjo dhunë, sidomos gojore, saqë madje dhe të huajt që nuk dinë shqip i kuptojnë fare mirë të sharat tona, aq shpesh i kanë dëgjuar ! Në tren, në rrugë e në autobus në Perëndim sa herë kemi kthyer kokën, kemi bërë sikur nuk kuptojmë kur dëgjojmë të shajnë shëmtuar … në shqip. Rilindësit duhet të kthehen në varr: gjuha jonë sa e mirë…

Por, edhe më i tmerrshëm është fakti se këto krime dhe kjo dhunë, përfshirë edhe atë gojore, janë bërë aq banale saqë nuk na shokojnë më. Njerëzit i nënshtrohen fatalitetit, shoqëria civile nuk reagon dhe me kohë fryma e keqe shndërrohet në dukuri «normale», në «fenomen shqiptar», madje dalin edhe zëra që mbrojnë kriminelët e fyejnë viktimat. Turp !

Në këtë fillimviti 2012, kur shqiptarët përgatiten të festojnë një përvjetor të madh, 100-vjetorin e emancipimit të kombit, dy gjëra do ëndërroja e do t’u uroja bashkëkombësve të mi dhe ty, i nderuar lexues. Uroj të bëjmë një (psik)analizë kolektive ! Uroj të revoltohemi ndaj të keqes !

Me (psik)analizë kuptoj një debat objektiv e pa paragjykime për skutat më të errta të ndërgjegjes sonë kolektive. Ky debat do të hidhte dritë në injorancën, varfërinë shpirtërore, instinktet e ulta, barbarinë kudo dhe kurdo që shfaqen; do na hapte sytë të shohim sesi sjelljet e pamoralshme çojnë ujë në mullirin e të gjithë atyre që nuk duan të na pranojnë si komb e si popull, që na konsiderojnë të egër... Një debat i tillë do të sensibilizonte secilin prej nesh mbi mjetet e mënyrat paqësore që cilido i ka në dorë për të denoncuar e për të luftuar të keqen.

Me revoltë kuptoj një besë të madhe, një mobilizim moral e shpirtëror për të dënuar e për t’i prerë rrugën dhunës ndaj njëri-tjetrit, dhunës ndaj të pafajshmëve, dhunës ndaj më të dobtëve: grave, motrave, nënave, fëmijëve… Me revoltë kuptoj dënimin moral dhe përtej çdo dyshimi të kriminelëve. Që njerëz të tillë ta dinë njëherë e përgjithmonë se asgjë nuk justifikon çmendurinë e tyre, se shoqëria shqiptare dënon dhunën, se shqiptarët janë për jetën !

Edhe diçka. Uroj të nxjerrim mësim nga historia. Historia, jo më vonë se një dhjetëvjeçar më parë, na tregon sa shumë të huajt na kanë dhunuar. Gjenocided, krimet, vuajtjet janë plagë ende të pambyllura... Historia po ashtu na tregon se edhe në periudha «qetësie» keqadashësit gjithnjë janë munduar të na përçajnë, të nxisin vëllavrasjen, të nxisin «instinktet primitive» të një populli që, sipas tyre, kurrë nuk do mund të bëhet shtet. Për hir të kësaj historie kaq të dhimbshme, për hir të të gjithë atyre që dhanë jetën për shqiptari, ne sot duhet t’i themi stop dhunës!

I nderuar lexues bashkëkombës,

Nëse ne nuk duam vetveten, kërkush nuk do të na dojë, asnjëherë. Nëse ne nuk indinjohemi ndaj krimeve e dhunës që janë shtruar këmbëkryq mes nesh, atëherë ne do të vazhdojmë të mbetemi për vite e vite me radhë pre e etiketave fyese: shqiptarët = kriminelë. Nëse shoqëria civile, aq më tepër ajo që ka fatin të jetojë në demokraci të mirëfillta si Zvicra, nuk ndërmerr një nisëm të tillë ringjallje morale, atëherë brezat e ardhshëm do të vazhdojnë të përballohen me lajme e ngjarje të tilla revoltuese. Dhuna ushqen dhunën. Dhe faji se jemi këta që jemi dhe jo më të mirë nuk do të jetë i akujt tjetër përveç se yni.

Në këtë përvjetor të lindjes së shtetit tonë të ri, uroj RINGJALLJEN MORALE TË SHQIPTARËVE kudo që janë. Kjo është baza, kjo është ABC-ja e një të ardhmeje më të mirë se e djeshmja, e zhvillimit, e përparimit. Ditët e mira, vetëm paskëtaj vijnë…Burimi Alb.News
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi