Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Seksi, “mëkat” për vajzat, lojë për djemtë ! Empty Seksi, “mëkat” për vajzat, lojë për djemtë !

Tue 6 Apr 2010 - 22:22
Vajzat, të paragjykuara nga shoqëria, meshkujt e konsiderojnë arritje.

Në gjimnazet e Tiranës shumica e adoleshentëve kanë kryer akte seksuale. Por kur bëhet fjalë për të treguar rreth seksit vetëm një pjesë e tyre flet me kënaqësi. Meshkujt duket se janë më të hapur, pasi për ta është një dukuri krejt normale. “Po. Unë kam kryer marrëdhënie intime me një vajzë, që në moshën 14-vjeçare. Atëherë për shokët u ktheva në një shembull, që duhesha ndjekur. Ndërsa në familje babai më lavdëroi për këtë fakt, ai madje më tha se tashmë isha bërë burrë”, thotë 18-vjeçari Lorin Canga. Vajzat hezitojnë të tregojnë rreth seksit. Ato ndjehen të paragjykuara jo vetëm nga familja, por edhe nga shoqëria që i rrethon. “Të them të drejtën, nuk kam dëshirë të tregoj nëse kam kryer marrëdhënie me dikë apo jo”, thotë A.D, adoleshentja 16 vjeçare. Sipas Eri Maçit, psikologe në gjimnazin “Arben Broci”, seksi tashmë është pjesë e jetës së shumë adoleshentëve. Shumë prej tyre, sidomos vajzat, e kanë të vështirë të flasin rreth tij. “Vajzat, ndryshe nga djemtë pas kontaktit të parë seksual, kanë ankth. Pritshmëria nga shoqëria sigurisht i vë atyre përpara një stresi shumë të madh. Kam pasur raste të këshilloj një adoleshente, e cila, pasi kishte kryer marrëdhënie seksuale me të dashurin, ishte braktisur nga shoqet”, thotë ajo. Po sipas psikologes, imazhi që vajzat duhet të ruajnë për t’i pëlqyer shoqërisë i ndrydh ato duke i krijuar mjaftë komplekse, të cilat sigurisht ndikojnë negativisht në jetën e tyre të mëvonshme. “Kur bëra dashuri për herë të parë, edhe pse ishte një vendim që e mora vetë, pa u ndikuar nga i dashuri im, u ndjeva keq. Më ishte krijuar ideja që bëra një mëkat ndaj familjes. Nuk i kam treguar kurrë nënës time për eksperiencën e parë, pasi më vinte shumë turp”, thotë M.N. Seksi për femrat duket se është ende një tabu për t’u shprehur, por jo për t’u kryer. “Në Shqipëri ekziston ende një mentalitet, që e dënon padrejtësisht femrën dhe e nderon mashkullin, kur bëhet fjalë për seksin”, thotë psikologia Eri Maçi.

Mentaliteti… Grupi i “murgeshave” dhe i “moderneve”

“Ua erdhën murgeshat, mbetën duke na shit mend këto të ndershmet! Po ju? Prostituta. S’keni lënë mashkull pa shkuar!” replikojnë gjimnazistet grupe-grupe. A.S, e cila është në vit të katërt në gjimnaz, tregon se ato nuk përzihen në grupin e vajzave, të cilat kanë kryer marrëdhënie seksuale. Sipas saj, nuk kanë të njëjtat interesa, sepse ato mësojnë, ndërsa vajzat moderne e kanë mendjen për t’u pispillosur. Jo vetëm kaq, por ato nuk kanë vetëm një të dashur, por i ndërrojnë si rrobat. “Sigurisht që nuk përzihem me to, pasi ato e kanë mendjen për t’u lyer e ngjyer dhe nuk mësojnë fare, madje dhe na kanë inat kur mësueset u tërheqin vëmendjen që janë të dobëta në shkollë. Ato nuk mbajnë vetëm një të dashur, por i ndërrojnë”, tha A.S. Sipas saj dhe shoqeve të grupit ato e quajnë të pamoralshme që vajzat të ndryshojnë herë pas here të dashur. Psikologia Eri Maçi tha se adoleshentet nuk janë të pjekura psikologjikisht për të hyrë në një marrëdhënie seksuale. “Është herët për to të hyjnë në marrëdhënie seksuale, ato mund të jenë pjekur fizikisht, por jo psikologjikisht. Kur shkëputen nga një marrëdhënie me një djalë mund të lëndohen dhe kjo ndikon në mësime, në sjellje etj.”, tha psikologia Maçi.


Vajzat, më herët në marrëdhënie

Sipas një studimi të psikologëve, nëpër gjimnaze ka rezultuar se femrat kryejnë më shpejt marrëdhënie seksuale se meshkujt. Kjo ndodh për arsye sepse ato zhvillohen më herët fizikisht. Adoleshentet piqen seksualisht në moshën 12-14 vjeç, ndërsa meshkujt 14-17 vjeç. Pjekja e hershme seksuale te femrat i bën ato të futen në moshë më të vogël se meshkujt në marrëdhënie seksuale. “Vajzat piqen seksualisht më herët dhe për rrjedhojë ato futen më shpejt në marrëdhënie seksuale. Ka vajza që kanë kryer marrëdhënie në moshën 14-vjeçare, madje edhe kanë lindur në moshën 16-vjeçare”, tha psikologia e shkollës “Arben Broci”. Sipas saj, femrat janë më delikate se meshkujt, sepse ato mund të rrezikohen edhe nga shtatzënia. Jo të gjitha e përdorin mjete mbrojtëse gjatë kryerjes së seksit me familjen. Të bëhesh me fëmijë në moshën 16 vjeç është traumatike. Femra nuk është rritur ende dhe jo më të përballojë ardhjen e një fëmije në jetë. Kjo mund ta shkatërrojë atë, sepse nuk do mbështet edhe nga prindërit. Është një “dënim” që vajza i bën vetes dhe familjes së saj.

Seksi, i dëmshëm për adoleshentët

Përveç se ndikon negativisht në psikologjinë e femrave, seksi i hershëm është i dëmshëm edhe biologjikisht. Gjinekologu Adem Ajazi shpjegon se nuk është mirë si për femrat dhe për meshkujt të hyjnë në marrëdhënie seksuale. “Ata mund të jenë të pjekur seksualisht, por nuk kanë mbaruar fazën e rritjes akoma. Është i dëmshëm kryerja e seksit në moshën më të vogël se 18 vjeç. Por adoleshentët e sotëm abuzojnë edhe me seksin”, tha Ajazi. Sipas tij, adoleshentët e kthejnë seksin në tendencë dhe i përkushtohen. Ata bëjnë seks shumë shpesh, por ndërrojnë edhe partnerë dhe në shumë raste nuk përdorin prezervativë. Kjo e fundit është akoma më negative, sepse mund të marrin sëmundje ngjitëse të pashërueshme. Janë shumë raste ku adoleshentët janë me virusin HIV, madje ky numër është përherë dhe në rritje. Megjithatë adoleshentët nuk kanë frikë as nga virusi për të provuar kënaqësinë e marrëdhënieve seksuale.

Hezitimi i vajzave

Vajzat hezitojnë të shprehen rreth intimitetit të jetës së tyre. Shumë prej tyre mendojnë se paragjykohen nga shoqëria përreth. “Nuk flas në lidhje me seksin, pasi më vënë epitetin e përdalë”, thotë adoleshentja A.D. Kur i pyet femrat rreth seksit ato hezitojnë dhe vihen në siklet. Për meshkujt ndodh e kundërta, ata flasin me kënaqësi. “Jam mashkull me eksperiencë. Sigurisht që kam kaluar shumë femra nëpër duar”, thotë Ardion Selimi.

Kontakti i parë

Përjetimi mbas kontaktit të parë seksual është i ndryshëm te dy gjinitë. Sipas psikologes Ada Ruçi, krijimi i stereotipave bën që seksi të shihet si tabu për femrat dhe si medalje për meshkujt. “Femrat kryejnë një mëkat, ato dënohen nga shoqëria, kurse meshkujt marrin trofeun e merituar”, thotë psikologia Ada Ruçi. Ndikimi i stereotipave, pra, paragjykimeve në shoqërinë shqiptare, sipas psikologes, është shumë herë më i madh sesa në botë. Modelet e marra në familjen patriarkale shqiptare ndikojnë dukshëm te të rinjtë e sotëm.

Informimi...

Adoleshentët duket se janë shumë të informuar rreth seksit dhe pasojave të tij. Sipas psikologes në gjimnazin “Arben Broci”, të rinjtë i dinë sëmundjet, që mund të marrin nga kontakti seksual. “Ka pasur raste që në biseda me gjimnazistët jam informuar me rreziqe apo sëmundje të transmetueshme seksuale, që as unë nuk i kam ditur”, thotë Eri Maçi. Po sipas saj, shumë prej tyre kanë kulturën e të përdorurit të mjeteve mbrojtëse.

Modelet kryesore për të rinjtë janë prindërit dhe media, sidomos ajo vizive. Sipas psikologes Eri Maçi, modelet televizive ndikojnë fuqishëm në imazhin që krijojnë të rinjtë në lidhje me një raport dashurie. “Telenovelat kanë një efekt të dukshëm në krijimin e një shembulli se si mund të jetë një lidhje dashurie në një çift. Femrat ndikohen, pasi ato janë më romantike, u kushtojnë një vëmendje më të madhe ndjenjave”, thotë psikologia Maçi.

Sipas psikologes, modelet që të rinjtë marrin në familje janë shumë të rëndësishme. Në bazë të tyre të rinjtë krijojnë imazhin për bashkëshortët e ardhshëm. “Dihet që te mashkulli ndikon shumë figura e nënës ashtu si edhe figura e babait te femra. Kështu, meshkujt priren të zgjedhin si grua një vajzë, që ngjan me nënën e tyre, ashtu si dhe vajzat zgjedhin ose dashurojnë mashkullin, që ngjan me babain”, thotë Ada Ruçi.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi