Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Legjenda
Anetar i perjashtuar
Anetar i perjashtuar
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 40
<b>Postime</b> Postime : 5560
<b>Hobi</b> Hobi : FUTBOLL
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne vendi e dashur quhet tetova
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 19/02/2012

Me Titon, marrëveshje të rrezikshme Empty Me Titon, marrëveshje të rrezikshme

Mon 26 Mar 2012 - 19:16
Kontradiktore dhe në mjaft raste e paqartë, por përndryshe nga historiografia zyrtare Nexhmija Hoxha ka pranuar në një intervistë për AS, se gjatë vizitës së Enverit në Beograd, u "nënshkruar marrëveshje shumë të rrezikshme", u fol për marrëveshje që e bënin Shqipërinë të varur, ndërsa justifikohet se i shoqi i kishte duart e lidhura për shkak të marrëveshjes së Jaltës dhe për shkak se Stalini nuk dinte asgjë për vendin tonë. "Koçi Xoxe një teneqexhi. Vrau shokët më të mirë të Enveri, dëmtoi inteligjencën e vendit…"

Bugajski: Mirëmbrëma! Ju uroj sërish mirë se ardhjen në specialen e "Bugajski Hour"! Është një nder i madh për mua të kem këtë mbrëmje, në një intervistë ekskluzive, këtu në Tiranë, Nexhmije Hoxhën. Znj. Nexhmije, dëshiroj t'ju falënderoj që pranuat ta jepnit këtë intervistë. Jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Shtetet e Bashkuara, shumë njerëz do të ndjekin me interes të madh atë ç'ka do na thoni. Prezantimi juaj s'është i nevojshëm për publikun shqiptar, por dhe për Amerikën. Studentët e historisë dhe të komunizmit ju njohin jashtëzakonisht mirë. Kjo na jep mundësinë të bisedojmë pak më gjatë. Dua ta nis duke thënë se unë vetë, kam qenë student i historisë dhe i komunizmit gjatë shekullit të 20-të. Synimi i kësaj interviste është të sjellim mes nesh kujtimet tuaja, duke dhënë kështu një kontribut tjetër të madh për faktet historike. Faktet historike për historinë shqiptare, komunizmin dhe kështu me radhë. Besoj se ju keni qenë pjesëmarrëse e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që kanë ndodhur në historinë shqiptare gjatë shekullit të 20-të. Pyetjet e mia do përqendrohen në disa faza të veçanta të përvojës suaj si aktiviste dhe udhëheqëse, por dhe si vëzhguese e brendshme e procesit historik. Dua ta nis duke ju pyetur…Teksa hedh vështrimin prapa, përpara kohës së luftës, kur ishit ende e re, çfarë ju tërhoqi në veçanti te marksizëm-leninizmi, si në aspektin ideologjik ashtu dhe atë politik. Si u angazhuat aq thellë në fazat e para të lëvizjes komuniste shqiptare?

Hoxha: Së pari desha t'ju falenderoj për vizitën që më bëtë në shtëpi dhe veçanërisht për intervistën që më propozuat. Është një nder për mua që të komunikoj me juve dhe faleminderit për fjalët e mira që thatë. Tema ishte shumë e gjerë, kërkesat tuaja ishin shumë të gjera. Unë do mundohem t'i përmbledh në disa pika dhe ju do më ndihmonit të më ndërprisnit dhe, të japë ato që ju interesojnë veçanërisht juve. Kam parasysh që kam dhe gjëra që ju interesojnë juve dhe që i interesojnë edhe publikut që do të na shohë këtu në Shqipëri, por duke marrë parasysh edhe publikun nga vini juve. Lidhur me këtë do ta filloja me luftën Nacional-Çlirimtare, si i themi neve, ose lufta partizane si i thatë juve. Kjo është e para që na nxiti më shumë që të marrim pjesë në këtë lëvizje të madhe antifashiste. Përsa i përket jetës sime do të flas më vonë, ndaj do të filloj me rolin e luftës Nacional-Çlirimtare, partizane. Populli shqiptar është e njohur që gjithmonë ka luftuar për liri, pavarësi në shekuj, historikisht. Por, gjithnjë kjo luftë ka qenë me çeta të vogla, me komandant të njohur, ose me kapedanë, që luftonin kundër perandorisë otomane. Kurse, lufta Nacional-Çlirimtare, qe një luftë e madhe, qe një luftë e lavdishme dhe ajo dallon shumë nga e kaluara, se për herë të parë kjo luftë u shtri shumë në territorin e Shqipërisë. Për herë të parë pjesmarrja e popullsisë ishte në mënyrë krejt masive. Për herë të parë në Shqipëri u njohën demonstratat massive. Këtu luajtën rol shumë studentët, rinia. Kur them studentët, nuk janë universitarë, se Shqipëria në atë kohë nuk kishte universitete, por nxënësit e shkollave të mesme. Kishim gjimnaz në Tiranë, atë të djemve, Institutin e vajzave me 800 veta, ishte teknikja amerikane, pastaj dhe në vende të tjera; në Korçë ishte liceu francez; në Shkodër kishte gjimnaz; në Elbasan pedagogjike. Domëthënë studentët bëheshin disa mijëra vetë, prandaj qytetet njohën demonstratat kundër okupacionit fashist, në fillim atë italian pastaj dhe më vonë. Një gjë tjetër e re ishte se gjithnjë luftrat çlirimtare, të paktën në Shqipëri, janë bërë nga fshati në qytet. Zbrisnin çeta të vogla, sado që të ishin, për të çliruar atë zonë, përfundimisht apo përkohësisht. Kurse, për herë të parë, qyteti ngjitej në male dhe siç thashë këto ishin disa mijëra. Me këtë bëhet një përmbysje e tërë jo vetëm në atë kohë lidhur me luftën, se rinia mëson se si luftohet, kupton dhe ndërgjegjësohet më mirë në këtë drejtim, por edhe çon në hapjen e rrugës së emancipimit të të gjithë shoqërisë shqiptare dhe qe me të vërtetë një emancipim. Në kohën kur filloi lufta, mbreti Zog, ose në regjimin e mbretit Zog, kishte gjithsej 630 intelektualë me arsim të lartë. Ju mendoni tani që gjithë këto mijëra, se janë aq pasi siç thashë vetëm instituti femëror kishte 800 vajza që dilnin mësuese. Ishin hapat e para që u bënë për të ndryshuar shoqërinë shqiptare.

Bugajski: Më falni që po ju ndërpres, por nga biseda juaj kuptova se gratë kanë luajtur një rol të konsiderueshëm gjatë lëvizjes guerilase. Kjo theu traditat e shoqërisë patriarkale dhe tradicionale. Cili ishte roli i grave në lëvizjen partizane?

Hoxha: Nga eksperienca ime, por që nuk është e vetme kjo eksperiencë, në kohën që u bë lufta në vitet 1940 në Shqipëri kishte shumë fanatizëm lidhur me gruan. P.sh nëna ime dilte me çarçafë dhe me perçe. Unë jam nga një zonë verilindore, nga Dibra, që tani bën pjesë në Maqedoni. Erdhëm këtu në Tiranë që në 1928 si refugjatë, sepse në Manastir ku kam lindur nuk kishte shkollë. Unë u bëra 7 vjeç dhe familja ishte në vështirësi ekonomike se ishin pesë vëllezër, familje patriarkale. U shpërndanë vëllezërit ca këtu në Shqipëri, ca në Turqi. Pra erdhëm këtu për dy arsye: për çështje ekonomike dhe për shkollë. Unë fillova shkollën e parë fillore këtu. Tani merreni me mend kur mbarova shkollën fillore- ishte fati i shumë vajzave ky- nëna ime mendonte: Mjaft, kaq. Dmth duhej dhe unë të vija çarçafin që kish mbetur nga sundimi ottoman në disa zona në qytete. Është zona Verilindore, Shkodra, Shqipëria e mesme, por qytetet, se në Shqipërinë e Mesme fshatarët dhe kudo në Shqipëri nuk kanë vënë kurrë çarçafë… dhe Kavaja disa vende. Kur erdhëm ne pastaj, këto i digjnim me ceremonira, derisa u zhduk. Me luftën time personale, se e doja shkollën, por më ndihmoi dhe mësuesja. Babai im ishte deri diku pak më liberal se ishte lidhur me grupet atje në Manastir për gjuhën shqipe. Ai i kishte mësuar edhe nënës të lexoj dhe atëherë ishte diçka e madhe që burri të merret me gruan. Kështu unë fitova dhe ndoqa Institutin femëror "Nana Mbretëreshë "quhej atëherë, 8 vjet. Ne kishim profesor shumë të mirë, të tërë të përgatitur jashtë, në Stamboll, në Vjenë, në Itali. Shkolla ishte shumë e fortë, me gjuhë të huaja dhe të tjera. Unë që në 1936 jam marrë me lëvizjen revolucionare, se kjo shtypje në familje, ose që shikoja në vajzat e reja ndikoi tek unë. Isha tip i tillë që lexoja shumë, dëgjoja shumë, por edhe vuaja vuajtjen e grave dhe të vajzave, se unë fitova, por ato ishin të tëra në shtëpi. Takoheshim, rrinim bashkë. Që në 1936 unë kam shkruar dhe në shtyp. Ka dalë që unë e kam shpallur se do të vijë një ditë që ne do ta kalojmë këtë gjë dhe duhet ta kalojmë. Jam njohur me Qemal Stafën me lëvizjen komuniste, jam përfshirë në këto grupet komuniste që në 1937-ën. Pastaj, natyrisht, unë u përfshiva në lëvizjen e rinisë antifashiste, u zgjodha në Komitetin Qendror të kësaj lëvizje ku sekretar politik ka qenë Qemal Stafa, i cili ishte një i ri i shkëlqyer, 19 vjeç. Ishte i dalluar në burgje. Për fat të keq, shoku i afërt i Enverit, gjashtë muaj pas themelimit të Partisë, u rrethua në një bazë, që ishte si ilegale dhe u vra. Pra, unë u lidha që në 1936 - më bën përshtypje jeta e brendshme - isha lidhur me këta të Botës së Re, që nxirrnin revistën "Migjeni". Ishin dy -tre gra aty të njohura me emra, por nuk është nevoja të ndalemi. Ishin më të moshuara, kështu që u lidha me to, bënim një veprimtari dhe lexonim. Do thosha se në mendonim për Bashkimin Sovjetik, por letërsia vinte nga perëndimi, nga Franca, se andej vinin studentët, vinin libra. Ndaj lexonim Barbyse, Ibsen, Ibanjez, Dikens, bile edhe Dostojevskin e Tolstoin, por të përkthyer. Pastaj, pasi plasi Lufta e Dytë Botërore dhe pas themelimit të Partisë Komuniste, neve u angazhuam për në luftë. Unë personalisht si anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë kam punuar dy vjet ilegale. Bëra 4 muaj mësuese, pasi mbarova Institutin. Nga demonstratat u kompromentova. Erdhën të më arrestojnë. Shpëtova. I ika arrestimit, u fsheha dhe qendrova ilegale për dy vjet. Kam punuar këtu në Tiranë, pastaj 9 muaj dola jashtë në male.

Bugajski: Dua t'ju ndërpres pak, para se të vazhdoni më tej. Partia u themelua në mënyrë të pavarur, apo mos ndoshta Bashkimi Sovjetik dhe jugosllavët luajtën një rol për themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare?

Hoxha: Në këtë kohë që vendi ishte okupuar dhe plasi dhe Lufta e Dytë Botërore këto grupet tona komuniste ishin nja trekatër. Unë kam qenë tek grupi I Shkodrës. Enveri ka qenë në grupin e Korçës. Nuk njiheshim. Jemi njohur pikërisht në këtë mbledhjen e rinisë që kemi bërë. Ata donin të bashkoheshin, por grindeshin me njëri-tjetrin, jo jam unë i parë, jo je ti e kështu që u kërkua ndihmë nga Jugosllavia, që të luante një rol arbitri për të bashkuar komunistët. Neve ju drejtuam Jugosllavisë se mund t'i drejtoheshim edhe Italisë, se kemi patur mjaft lidhje me komunistët italianë, por e para ata ishin okupatorë në vendin tonë dhe ishte më e vështirë, kurse me Jugosllavinë ne kishim dhe problemin e Kosovës dhe prandaj e gjetëm më të përshtatshme. Kanë ardhur këtu për të ndihmuar në këtë drejtim dy persona: Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Miladin Popoviçin e kemi çliruar ne vetë se ka qenë në një kamp këtu. E kishin arrestuar fashistët atje se ishte sekretar politik në Prishtinë. Në fakt, këtu ka një problematikë të tërë, se ndihma e tyre nuk ia vlejti, se vetëm sa e dëmtoi luftën tonë Nacional- Çlirimtare. Në ç'pikëpamje? Se akuza nga kundërshtarët tanë, nga pala kundërshtare ishte se Partia Komuniste Shqiptare ishte nën ndikimin e Jugosllavisë, kurse alergjia e gjithë shqiptarëve lidhur me Serbinë është shekullore. Pra, nuk ishte gjë e re lidhur me marrëdhëniet, por sidomos me trajtimin që i ka bërë shqiptarëve të Kosovës, dhe gjithë shqiptarëve që mbeten në trojet matanë. Kjo tezë ka rënë nga historianët tanë më të përgatitur, por edhe historianë kosovarë. Dhe vetë Gjilasi që ishte ideologu i dytë i Titos, kur u nda nga Tito sigurisht e ka vertetuar, e ka deklaruar që nuk është e vërtetë. Por, unë mund të them që këto grupe u bashkuan dhe Enveri kishte një rol të veçantë në këtë drejtim. Pse? Sepse ai nuk ishte përzier në asnjë grup në fillim, dhe më pas, pasi u kthye nga Franca, ai ishte profesor në liceun e Korçës. U lidh me grupin e Korçës. Kundërshtarët kanë përdorur tezën që Enveri nuk ishte i organizuar, por grupi i Korçës dhe kryetari i tyre e mori nga rruga se ishte dhe musliman se u duhej edhe një musliman pasi të gjithë ata të Korçës ishin ortodoksë. Kjo është një tezë shumë banale, ndaj dhe jam e detyruar të them dhe e kam përdorur këtë që: në 15 anëtarët e kësaj mbledhje 3 ishin intelektualët. Ishte një Koço Tashko, më i moshuari, por që aty kishte një vend nderi , (të mos japë shumë hollësira). Thoshte jam lidhur me Kominternin edhe kishte ngatërruar shumë grupet, dhe kështu u vendos që ai të mos kish të drejtën të zgjidhej dhe u la mënjanë. Dy të tjerët ishte Enveri dhe Qemal Stafa, por Enveri ishte 12 vjet më i moshuar sesa Qemal Stafa dhe kishte një eksperiencë shumë më të gjerë se ai. Qemal Stafa ishte 19-20 vjeç në atë kohë. Enveri kishte një formim të dyanshëm nga një pikëpamje patriotike dhe revolucionare. Vinte nga një familje nga Gjirokastra. Gjyshi i tij ishte pjesmarrës në Lidhjen e Prizrenit, kurse xhaxhai i tij mori pjesë në mbledhjen e shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. Kështu nga familja kishte këtë edukatë. Gjirokastra, gjithashtu, është në kufi me Greqinë dhe kanë pasur gjithnjëfërkime dhe kontradikta, jo vetëm me propagandën, por edhe me agresione. Dhe thonë që shtëpia e Enverit që është djegur më 1913 është një variant që është djegur nga grekët. Xhaxhai i Enverit ka qenë shumë aktiv, ka qenë Kryetar i Bashkisë në Gjirokastër, ka marrë pjesë edhe në çetat me armë dhe një nga iniciatorët e Klubeve Patriotike. Pra, sa ishte në Gjirokastër, në moshën e re, në adoleshenën e tij, Enveri pati një formim patriotik. Më pas shkoi në liceun e Francës dhe atje filloi edukimi lidhur me principet e revolucionit francez, dhe jo vetëm, pasi ai ishte shumë i dashuruar pas historisë, kishte lexuar shumë. Ai u regjistrua në Monpelje. Qendroi tre vjet, por nuk e ndoqi përveçse një vit. Ju ndal edhe bursa që ju dha në lidhje me rezultatet në liceun e Korçës. Ai e ndërpreu se ju dha botanikë dhe, ai nuk e donte botanikën, donte histori dhe çështje shoqërore. Kështu që pa interes, ai e la atë. Kjo çështje është përdorur shumë tani: jo Enver Hoxha nuk ka diplomë universiteti, por ai u lidh me të gjithë grupet marksiste në Francë dhe i ndiqte ato vazhdimisht. U regjistrua më vonë në Belgjikë. Një histori tjetër kjo, që prapë e kundërshtoj. U bë konsull në Belgjikë, por nuk e bëri mbreti Zog. Por, siç është rregulli bëjnë dhe Konsuj Nderi, dhe ai ishte një aristokrat belg dhe e mori si sekretar Enverin. Atje ai u regjistrua në Fakultetin Juridik. Ndoqi gjithë këto mitingjet e frontit popullor në ato vite, që bëheshin në Francë. Krijoi lidhje me gazetën "L'Humanite", me Pol Vajan Kuturie. Kështu që ai e kishte një formim edhe revolucionar, por jo vetëm. Dhe që këtu kish një frymë rinia jonë. Ishte inteligjenca e re që po ngrihej, e vjetra kish një farë formimi oriental. Dhe kështu në mbledhjen e parë, u mor një vendim i drejtë, që për shkak të grindjeve mes grupeve u vendos që asnjëri të mos zgjidhej kryetar dhe, se puna do ta tregonte. Kjo është përdorur se dalin dhe thonë: Ou! Zbulim, nuk është e vërtetë që Enveri është themelues i Partisë. Por këtë nuk e ka thënë as Enveri, as ne nuk e kemi thënë. Kjo është shkruar nga të tjerët më vonë . Në fakt ai u dallua nga të tjerët, sepse u la si sekretar për Tiranën, kur u bë konferenca. Pse këtu në kryeqytet?.. Se këtu ishte lëvizja më e gjallë. Enveri jo vetëm që pati atë edukatë që unë thashë, por ai e njihte të gjithë ambientin nacionalist dhe këtë e kishte krijuar edhe nëpërmjet kunatit të tij, burrit të motrës që ishte antizogist i emigruar, por edhe me të emigruarit shqiptar antizogistë në Francë, ai kishte krijuar një lidhje. Konareja quhej ajo e Parisit. Kështu që filloi punën me ta për të aktivizuar frontin NacionalÇlirimtar. Një gjë që desha ta theksoj, kur u formua partia më 8 nëntor të 1941 është fakt që në programin apo thirrjen që ju drejtua popullit nuk u vendosën parrullat e internacionalizmit proletar, por kryesisht bashkimi i shqiptarëve për çlirimin e atdheut, dmth bashkimi pa idelogji, pa marrë parasysh ideologjinë, fenë dhe krahinën. Në bazë të kësaj u thirr pastaj edhe mbledhja shumë e rëndësishme e Pezës në shtator 1942. Aty morën pjesë shumë nacionalistë, jo shumë, 15 veta ishin gjithsej, ku kam marrë pjesë dhe unë si përfaqësuese e rinisë dhe e gruas. Për historinë e Shqipërisë ishte një fakt që për herë të parë në një mbledhje të tillë me rëndësi historike kombëtare merrte pjesë një grua.Aty ishin të pranishëm edhe politikanë që kishin marrë pjesë edhe në Kongresin e Lushnjespjesë e historisë sonë këto- por në Kongresin e Lushnjes u vendos që Tirana të bëhej kryeqytet. Ishin të pranishëm edhe të tjerë, gjysma nacionalistë dhe gjysma shokët tanë: unë nga rinia, Enveri dhe të tjerë.

Bugajski: Dua t'ju bëj një pyetje e cila është me interes të veçantë për historianët e rajonit. Mund të na jepni një ide se cilat ishin marrëdhëniet mes Enver Hoxhës e Titos, e thënë ndryshe mes Partisë Komuniste Shqiptare dhe komunistëve jugosllavë? Gjatë periudhës së luftës deri në vitin 1948, deri në prishjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Hoxha: Në fakt neve fituam dhe çliruam vendin, por nuk qemë në kushtet që të siguronim pavarësinë e vendit. Në Jaltë, siç e dini dy të mëdhenjtë e botës Çërçilli dhe Stalini, si të thuash me një laps të kuq ndanë zonat e influencës, dhe Çërçilli siç dihet mori Greqinë, kurse Stalini Jugosllavinë. Në këtë mbledhje nuk u përmend Shqipëria fare, por ishte kuptuar që Jugosllavia kishte planifikuar që Shqipërinë ta përfshinte në Federatë, kurse gjithë plani jonë dhe ëndrra jonë ishte- unë nuk e përmenda më parëpor Enveri gjatë luftës bëri aktivitete të veçanta që të përgatitej edhe Kosova, që t'i ngjitej Shqipërisë, pas përfundimit të luftës. Ai u mundua shumë se atje ishte gjendje shumë e vështirë, sepse ndërhynë nacionalistët, pranuan prishjen e kufirit, dmth u vunë në kundërshtim me Kartën e Atlantikut. Neve ishim plotësisht dakord me kartën e Atlantikut lidhur me ato dy çështje të mëdha: e para njëherë vetëvendosja, që ishte e përhershme dhe për këtë janë bërë edhe dy mbledhje, ajo e Bujanit dhe një tjetër. Përsa i përket kufijve ne thoshim që gjatë luftës nuk na leverdis neve të prishim kufijtë, sepse duhet të pranojmë që kemi bashkëpunuar me gjermanët. Këshilloheshin shokët komunistë, shumë shkuan andej, u dërguan në Kosovë që të formonin një lëvizje kundër fashizmit, një lëvizje kundër këtij bashkimi artificial dhe të dëmshëm. Në rast se nuk do të pranohej kjo, ose nuk do ta kuptonin këtë, Kosova nuk do të kishte edhe atë pak autonomi që e pati, por do të dënohej shumë rëndë. Kjo e Kosovës është një problem tjetër shumë i gjerë. Tito në fillim mendohesh për këtë, edhe Enveri e dinte që me anën e Federatës Ballkanike që kishte Stalini me Dimitrovin mund të zgjidhej edhe problemi i bashkimit të Shqipërisë dhe të Kosovës. Kjo ide ra pastaj më vonë, se Stalini pa që Tito donte ta drejtonte ky atë, bile në bisedime të zjarrta që po dalin tani , që po botohen nga arkivat ruse i thotë : Jo, jo, federatë Stalin, jo, jo federatë me Bullgarinë, dhe më vonë Shqipëria. Titoja i vuri bërrylin Dimitrovit. Mirëpo Enveri për federatën ka thënë: Ide e mirë dhe duhet punë e madhe për këtë. Kaq dhe kjo çështje pra. Por, sidoqoftë Jugosllavia, aq më shumë që kishte edhe një lloj mbështetje nga Stalini dhe, unë them Enverit dy gjëra i lidhën duart- siç themi ne shqiptarët- në veprimin e tij të lirë. Menjëherë pas çlirimit, se ne morëm pushtetin, ai ishte komandant i përgjithshëm i ushtrisë, u bë kryesor u bë kryeministër, ministër i Jashtëm dhe ministër i Mbrojtjes. I mbajti të tria, por i kishte duart të lidhura. E para, prej vendimit të Jaltës, që nuk mund ta kundërshtonim dhe e dyta, lidhur me indiferencën dhe injorimin nga ana e Stalinit të Shqipërisë. Deri në 1947, Shqipëria nuk kishte asnjë kontakt me Bashkimin Sovjetik, me udhëheqjen e partisë. Gjatë luftës nuk erdhi asnjë ushtar. Asnjë ushtar sovjetik nuk ka shkelur këtu. Nuk kishim asnjë lidhje me komandën atje, vetëm çfarë dëgjonim Radio Moskën, po në këtë mes edhe Radio Londrën, më shumë, çdo natë, por jo gjë tjetër.

Bugajski: Nëse s'do kishte qenë kundërshtimi i Stalinit, a do kishte këmbëngulur Tito më shumë për ta aneksuar Shqipërinë në Jugosllavi? A do të kishit rezistuar ju, qoftë dhe nga ana ushtarake, ndaj këtij veprimi? Kundërshtimi i Stalinit, prishja e marrëdhënieve në vitin 1948 mes Stalinit dhe Titos, nëse të gjitha këto s'do të kishin ndodhur dhe, nëse Tito e Stalini do të vazhdonin të ishin pjesë e Bashkimit, a do të ishte ushtruar presion i mjaftueshëm që Shqipëria t'i aneksohej Jugosllavisë? A e pengoi aneksimin e Shqipërisë kundërshtimi i Stalinit?

Hoxha: Unë dua të ndalem tek fakti se si u acaruan marrëdhëniet tona dhe që ndryshoi krejt vlerësimi i Stalinit lidhur me Shqipërinë. Ndryshoi komplet. Pse ndodhi kjo? Jugosllavët filluan t'ja kenë Shqipërisë me shumë hile.Gjillasi ka shkuar që në 1944 tek Stalini dhe ai e pyeti: Çfarë është ky popull?. Në 1946 ka shkuar Tito dhe ai e pyeti: A e njeh Enver Hoxhën? I tha: Jo. Mirë tha- ata kanë disa kundërshtime, por nuk është problem. Mirëpo, në atë kohë, në 1946, Stalini ishte njoftuar për manovrat dhe gjithë prapaskenat që u organizuan në Berat. Kjo është një histori tjetër tani se çfarë bënë ata në Berat, në prag të çlirimit të Shqipërisë. Erdhën këtu dy vetë: Stojeviç dhe Dizareviç dhe ata morën gjoja një si mision ushtarak që erdhi shumë shumë vonë. P.sh anglezi kishte ardhur, ishin të parët. Por ata erdhen direkt dhe morën dhe Byronë dhe merrnin pjese në mbledhjet e Byrosë. Organizuan edhe 4 veta nga të Byrosë, kundër Enverit dhe rrëzuan tërë vijën që ishte ndjekur deri atje, me shumë kontradikta- është histori tjeter. Merreni me mend, per 2-3 ditë do vinin në Tirane, ishte çliruar edhe Tirana, qeveria ku ishte zgjedhur Enveri,të gjithë kanë thënë- edhe mendimi im është - edhe studjuesit kanë thënë - edhe Enveri- sidoqoftë kur u rishikuan këto e tregoi që Tito nuk është se donte ta rrëzonte ose ta zëvendësonte, ishte një utopi, absurditet. Ai donte ta frikësonte, ta trembte që pas kësaj ai të ishte një udhëheqës, por i përulur. Në fakt kur ishte Tito dhe e tha këtë fjalë kapërceu Aleksandër Rrankovic. Ky ishte Ministër i Brendshëm, por ishte më i egri që ka bërë kërdinë në 68- tën në Kosovë. Ai ndërhyri menjëherë dhe tha që Enver Hoxha, të gjithë antarët e Byrosë thonë që nuk është partiak i fortë, prandaj ne i kemi vënë Koçi Xoxën si më të vjetrin. Koçi Xoxe ishte një punëtorë teneqexhi. Ai kishte një aktivitet. Jo !#*, por ishte njeri pa kulturë, po ata e vunë, se ai popullin nuk mund ta zëvëndësonte në asnjë mënyrë, por si parti këta mundoheshin. Ai ishte nga Korça, ishte ortodoks me prirje maqedonase, jo greke se kështu janë ndarë atje, dhe vërtetohet me këto që tha Rankoviçi se edhe Enverin kishin arritur që ta vënë nën kontroll. Kjo njihet edhe në historinë e Partisë që bëri kërdinë në inteligjencën e partisë, bile dhe disa nga shokët e Enverit ai i vrau. Enveri donte të krijonte kontakt me Stalinin dhe vetëm tani në bazë të dokumenteve ruse - unë - se Enveri nuk ishte më, mora vesh që Enveri i ka bërë një letër Stalinit në 1946 dhe i ka thënë se në të gjithë tentativat që po bën Jugosllavia ne kemi nevojë për ndihmën tuaj. Por, thotë se ne duhet të trajtohemi si vend i pavarur dhe i flet për tërë Beratin, çfarë ishte bërë atje, si mendonte ai për këtë çështje. Kështu, kur i thotë Tito: Jo do të rregullohet kjo punë- Po Berati?- thotë Stalini. Pra kishte vajtur fjala tek Berati. Dhe kjo del tani nga dokumentet. Pra filloi interesimi dhe filloi të dyshoj Stalinithonë studiuesit. Dhe nuk i interesonte dhe donte ta ndalonte këtë ambicie të Jugosllavëve ndaj Shqipërisë. Unë kam një fakt tjetër pastaj që Nako Spiro, që ishte një nga anëtarët më aktivë që në luftë, si të thuash i dyti a i treti pas vrasjes së Qemalit në bashkëpunim me Enverin kanë pasë qenë në bashkëpunim shumë të mirë gjatë luftës, por pas luftës si duket ai kishte ca pakënaqësira lidhur me personin e tij, që e vlerësonte shumë më lart. Në Berat ai bëri një gabim fatal. Ai i bëri një letër të shkruar në italisht me anë të Dizajereviçit, që ishte i rinisë, ia dorëzoi Titos kundër Enver Hoxhës, duke shfaqur pikëpamje për shokun e tij, por fshehurazi. Dhe kjo është një gjë e dënueshme sigurisht. As Enveri, as unë, as neve nuk e kemi ditur këtë gjë. Kur u ngrit çështja e akuzës ndaj Jugosllavëve dhe ja përdorën këtë si shpata e Damokleut dhe, kur ato e deklaruan ky kishte ndryshuar pozicion, se e kuptoi kush ishin dhe u lidh prapë me Enverin. Ky, meqë nuk kishte familje, vinte dhe hante bashkë me ne. Bënim si drekë pune bashkë. Unë isha prezent dhe po ju them se aty planifikonin si të lidhemi me Bashkimin Sovjetik dhe, aty u vendos, meqë ky ishte Kryetar i një Shoqate shqiptaro-sovjetike, unë isha nënkryetare. Në 1 maj të 1945 shkuam në Moskë dhe ai u ngarkua që të shkonte në aparatin e Komitetit Qendror të Bashkimit Sovjetik, ku të bënte një kërkesë për një vizitë të Enver Hoxhës dhe të delegacionit të Partisë Komuniste në Moskë. Ai nga ky takim erdhi shumë shumë i tronditur. Siç e morëm vesh, nuk takoi asnjë nga sekretarët, por e pritën atje në Drejtorinë e Jashtme. Megjithatë, Enveri shkoi në Beograd, diku në korrik-gusht të 1946. Vizita e parë e Enver Hoxhës në Beograd si delegacion qeveritar dhe, atje u nënshkruan shumë marrëveshje për këtë miqësi, që ishin shumë të rrezikshme: për doganat, për valutën, për shoqëri të përbashkëta etj, etj. deri në çështje të ushtrisë. Enveri pastaj aty ngriti çështjen e Kosovës me Titon. Kokë më kokë, vetëm dhe i tha si do bëhet çështja e Kosovës, se Kosova na përket. Tito i tha që është e vërtetë që Kosova ju përket, por ne nuk e bëjmë dot tani këtë hap. Nuk jam duke e cituar fjalë për fjalë, por kjo ishte në thelb, sepse këtë nuk do ta lejonte Serbia dhe kjo do të na krijonte problem. Mirëpo para kësaj vizite dhe që dihej se ai do të shtronte çështjen e Kosovës dhe u fol për nënshkrimin e marrveshjeve që e bënin Shqipërinë shumë të varur. Ky është dokument, që ka folur me ambasadorin. Dhe tani dokumentet dalin që ambasadorët e çdo vendi, qoftë Laurentievi në Beograd, qoftë ky në Tiranë bënin raportet e këtyre bisedimeve. Kështu që Stalinit i kishte shkuar ky raport para se të shkonte Tito atje. Natyrisht ia ngriti Titos një çikë këtë çështje, dhe dukej se situata po precipitonte. Pas kësaj erdhi menjëherë vizita e Enverit në Moskë, dhe shkoi Enveri bashkë me të në korrik të 47. Pas kësaj Tito u aktivizua aq shumë saqë për çështjet ekonomike, bënin plane. Ata i thoshin tanëve nuk duhet të konsideroni Shqipërinë, është pjesë e Jugosllavisë, haptazi. Ajo qe pika e fundit e gotës së ujit. Dhe pastaj qe vendimi i tyre për të çuar dy divizionet në Shqipëri, sepse kishte plasur lufta civile në Greqi dhe gjoja për të mbrojtur Shqipërinë. Tito këtë e bëri pa marrë aprovimin e Stalinit dhe bile një leje jo direkte të Enverit. Enveri dyshoi dhe më pas Stalini i tha stop kësaj çështje. Ky ishte fundi, që edhe Stalini kuptoi se Tito po merrte një rrugë tjetër. Më pas erdhën letrat e Molotovit dhe Stalinit lidhur me Jugosllavinë, sepse nuk i interesonte ky veprim pavarësie i Titos. Kjo i prishte dhe politikën Stalinit, qoftë lidhur me Greqinë dhe marrëdhëniet që kishte me aleatët, ende ishte kjo fryma e aleatëve. Mund të them që edhe Shqipëria, Partia Komuniste, dhe Enveri vetë, ka ndikuar tek Stalini ose ka ndihmuar Stalinin që të kuptoj. Fakt është që Stalini e priti pesë herë, jo në Moskë. Në Moskë ka shkuar shumë herë, por me Stalinin është takuar pesë herë, edhe takime kokë më kokë: Ai, Stalini dhe përkthyesit tanë. Stalinit i interesonte të merrte vesh. Ai kishte burime të tjera pa diskutim, por njëherë e pyeti shumë në hollësi lidhur me popullin shqiptar, si rrjedh, nga ka ardhur. Njeri që kishte interesa shumë për gjuhën, kulturën, zakonet etj. Sidomos ai u informua mirë lidhur me Jugosllavinë, në thellësi lidhur edhe me Greqinë.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi