Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Princo
Princo
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Ilirida
<b>Postime</b> Postime : 3887
<b>Hobi</b> Hobi : Leximin
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Mbi Token e Zotit
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 26/03/2012

Hafiz Ali Korça (Simbol i gërshetimit të Islamit dhe kombit në Ballkan) Empty Hafiz Ali Korça (Simbol i gërshetimit të Islamit dhe kombit në Ballkan)

Fri 30 Mar 2012 - 22:40
HAFIZ ALI KORÇA (Simbol i gërshetimit të Islamit dhe kombit në Ballkan)

Hafiz Ali Korça
Para disa muajsh u përkujtua pesëdhjetëvjetori i vdekjes së H. Ali Korçës, i cili konsiderohet si njëri ndër dijetarët më të rëndësishëm të gjysmës së parë të shek. XX në Shqipëri, si dhe njëri nga simbolet e rëndësishëm që përfaqësojnë mirëkuptimin e Islamit shqiptar për rrethanat e reja, e një ndër personalitetet dhe figurat që jetuan dy periudha të rëndësishme dhe vuajtën nën sistemet e ndryshme të cilat i njohu Shqipëria, si sundimi otoman, e deri te sundimi komunist. Duke u nisur nga ky këndvështrim, orientalisti i ri shqiptar Ermal Bega, mori nismën për ribotimin e tretë të librit të njohur të H. Aliut: “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë” i cili për herë të parë e pa dritën e botimit më 1924 në Tiranë dhe botimi i dytë i tij doli në dritë më 1944, po në Tiranë.
Vlen të theksojmë këtu se H. Aliu ashtu siç ishte i njohur për hifzin e tij, po ashtu ishte edhe njëri ndër intelektualët më të shquar të kohës së tij në Shqipëri, duke pasur parasysh se njihte shkëlqyeshëm arabishten, turqishten, persishten dhe letërsitë e tyre. Përveç kësaj, ai ishte thelluar edhe në dije të ndryshme fetare-islame dhe në literaturat e ndryshme, duke ndjekur të gjitha ndryshimet që i sillte koha në mbarë botën Islame. Ky kujdes i tij e bëri atë mjaft produktiv për një kohë të shkurtër.
H. Aliu shumë herët u dallua edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare e cila kërkonte të drejtat kombëtare të shqiptarëve në kuadër të perandorisë otomane, e në krye të kërkesave qëndronte e drejta për mësimin e gjuhës amtare dhe zgjedhja e alfabetit të përshtatshëm për të, botimi i librave në gjuhën shqipe etj.
Ky aktivitet H. Aliun e shpuri në përplasje me qeverinë otomane, ku si rezultat i këtyre përplasjeve u burgos dhe u internua disa herë.
H. Aliut i takon edhe merita e fillimit të përkthimit të Kur’anit fisnik në gjuhën shqipe me qëllim që t’i ofrohet secilit shqiptar diçka nga domethënia e Kur’anit në gjuhën e tij amtare që ta kuptojnë më lehtë, meqë shumë prej tyre mbanin në mend dhe dinin sure të ndryshme të cilat i lexonin në faljet dhe lutjet e tyre, duke mos ua ditur kuptimin.
Librin ‘Shtatë ëndrrat e Shqipërisë’ H. Aliu e shkroi në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri të mbajtura në nëntor 1923, të cilat kaluan në një konkurrencë të rreptë midis dy rrymave, asaj konservatore dhe asaj moderniste, ku secila përpiqej që të përfitojë H. Aliun.
Por H. Aliu nuk mori pjesë personalisht në këto zgjedhje, por preferoi pjesëmarrjen e tij në një mënyrë tjetër, me shkrimin e kësaj përmbledhje poezish të cilës i bashkëngjiti shtatë poezi ku përshkruan shtatë ëndrra të cilat flasin për të ardhmen e Shqipërisë, (ndër të cilat edhe tërheqjen e vërejtjes për ardhjen e partisë komuniste në pushtet). Këtë libër ua ofroi anëtarëve të parlamentit të ri me qëllim që të marrin përgjegjësinë për ndërtimin e Shqipërisë e cila sapo ishte pavarësuar nga shteti otoman.
H. Aliu u tërhoqi vërejtjen anëtarëve të parlamentit se ‘Rruga të cilën e trasojnë ata nuk të dërgon drejt Qabes por në shkretëtirë’, duke ua hedhur atyre përgjegjësinë për atë se çfarë i vjen Shqipërisë. “Tani drejtimi i Shqipërisë është në duart tuaja. Nëse themeloni bankën kombëtare me kapitale shqiptare, nëse përgatitni rini me ndjenja të larta kombëtare e fetare, do të përmendeni me përulje dhe respekt. Ndërsa, nëse realizohen këto ëndrra të tmerrshme gjatë 15-20 vjetëve, atëherë do të pendoheni, por s’do t’ju sjellë asnjë dobi pendimi”.
Me sa vëmë re nga këto rreshta të parathënies, H. Ali Korça vë theks të veçantë në: “Ruajtjen e lidhjes mes Islamit dhe kombit, e në veçanti porosia që Islami të bëhet faktor përbërës – (krahas feve të tjera) – i kombit shqiptar”. Dihet mirë se lëvizja kombëtare shqiptare edhe pse u shfaq më vonë se lëvizjet e tjera kombëtare në Ballkan, kishte elemente dalluese nga ato lëvizje, ku ajo prezantohej me një qëndrim të veprimtarëve të një kombi me shumicë muslimane në përballje me shtetin otoman i cili sundonte në emër të Islamit. Për këtë arsye libri në pjesën e dytë të tij mban nëntitullin “kujtime të shkurtra për vuajtjet e mia” për të sqaruar qëndrimet e hafizit gjatë pushtetit otoman, për të cilat u ndalua, u burgos, e u internua disa herë.
Vihet re qartë këtu se qëndrimet e H. Aliut, të cilat ngacmonin pushtetin otoman silleshin rreth dy çështjeve kryesore mbi të cilat u ndërtua edhe lëvizja kombëtare shqiptare: çështja e gjuhës dhe çështja e alfabetit.
Kombi shqiptar dallon nga kombet e tjera fqinje të Ballkanit, sepse rezistencën e tij dhe përballjen me pushtetin otoman nuk e ndërtoi mbi bazë fetare, por mbi bazë të gjuhës të cilën e konsideronin lidhjen e cila ngërthen në vete shqiptarët muslimanë dhe të krishterë. Për këtë shkak, gjuha ishte dhe mbeti pika themelore e cila lidh kombin shqiptar. Për këtë arsye H. Aliu së bashku me veprimtarët e tjerë të lëvizjes kombëtare shqiptare kërkonin me këmbëngulje njohjen e të drejtës shqiptarëve për gjuhën e tyre, mësimin e saj, botimin e librave dhe gazetave në këtë gjuhë, për ngritjen e vetëdijes në masën e gjerë të shqiptarëve.
Për këtë arsye H. Aliu burgoset për herë të parë me të arritur në stacionin e trenit në Stamboll në Maj 1894 dhe u internua në Sinop sepse autoritetet gjetën në çantën e tij “Libra dhe gazeta të dëmshme shqipe”. Por H. Aliu në shënimet e tij përmend se me vete ka pasur përmbledhjen me poezi “Qerbelaja” të Naim Frashërit, ndërsa libri tjetër ishte “Skënderbeu” dhe disa gazeta të cilat konsideroheshin “të dëmshme” meqë ishin të shkruara në shqip dhe me grafi latine.
Shqiptarët morën pjesë aktive në Revolucionin e 1908, përkatësisht në Shpalljen e kushtetutës, qoftë përmes partisë “Bashkim e Përparim” ose përmes kryengritjeve të armatosura nëpër vilajetet e tyre dhe kërcënimit se do t’ia mësyjnë marshit drejt Stambollit, gjë që pati ndikim të madh te sulltan Abdulhamidi në shpalljen e kushtetutës. Me Shpalljen e kushtetutës shqiptarët kuptuan të drejtat e tyre për formimin e shoqatave, hapjen e shkollave, formimin e partive të tyre të cilat do t’u garantonin realizimin e të drejtave të tyre kombëtare në kuadër të perandorisë.
Në këto rrethana, paria e lëvizjes kombëtare shqiptare u mblodh në qytetin e Manastirit (tani ndodhet nën Maqedoni,) në një kongres me qëllim unifikimin e një grafie për gjuhën shqipe, meqë shqipja në atë kohë shkruhej me disa grafi: arabe, latine, cirilike. Kongresi i Manastirit doli me vendimin që të mbështetet grafia latine (e cila përdoret në ditët tona) për alfabetin e shqipes. Udhëheqja e shoqërisë “Bashkimi” përkrahte qëndrimin i cili kërkonte përdorimin e grafisë arabe për gjuhën shqipe, nga frika se mos mbështetja e grafisë latine do të çojë drejt shkëputjes së plotë të shqiptarëve nga shteti otoman.
S’ka dyshim se qëndrimi i H. Ali Korçës në këtë kongres kishte peshë të veçantë meqë, ai ishte personalitet që gëzonte respekt për horizontin e tij të gjerë të dijes, për kulturën dhe njohjen e orientit, dhe mund ta mbështeste secila palë brenda kongresit. H. Aliu që herët konsideronte se grafia latine i përshtatet më tepër shqipes për shkak të sistemit të saj fonetik mjaft të pasur, dhe për këtë arsye gazetat e kohës në Stamboll e quajtën: Hafiz Ali Latini.
Por, ky qëndrim i Hafizit nuk nënkuptonte ftohjen e marrëdhënieve të shqiptarëve me lindjen, përkundrazi. Hafizi ishte nga ata që nxitnin shqiptarët të ruajnë lidhjet me arabishten, ku konsiderohej se largimi nga mësimi i arabishtes është largim nga Islami. Nga ky këndvështrim, hafizi punonte për përmirësimin e mësimit të arabishtes, që shqiptarët të mund ta mësonin shumë shpejt, në vend që të kalojnë nga 6-7 vjet sipas metodave të vjetra. Prandaj, edhe vetë hafizi punoi në këtë drejtim dhe hartoi tekste dhe metoda për mësimin e arabishtes sipas metodave të reja brenda vetëm dy vjetëve, gjë që konsiderohej një arritje shumë e madhe për atë kohë.
Duke iu kthyer kujtimeve të hafizit në pjesën e dytë të librit del në dukje roli primar që kishte në kongresin e Manastirit. Synimi i deklaruar i këtij kongresi ishte me karakter gjuhësor, por shumë shpejt, së bashku me hafizin u transferua në rrafshin kombëtar, pasi parashtroi një sërë kërkesash që kishin të bënin me të drejtat e shqiptarëve për autonomi në kuadër të shtetit otoman: njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjitha shkollat në trojet shqiptare, reformimi i arsimit nëpër shkolla, lirimi i të burgosurve shqiptarë, mos dërgimi i ushtarëve shqiptarë në luftë jashtë trojeve të tyre (në Jemen e vende të tjera) meqë shumica e tyre nuk ktheheshin më në atdhe… etj.
Dhe në fund, vlen të përmendet se hafizi ishte personalitet i njohur në botën Islame në gjysmën e parë të shekullit XX, ku shkruante dhe botonte edhe në arabisht e persisht, e po ashtu mbante korrespondencë edhe me shejhul Ez’herin Mustafa Meraghi. Por ardhja në pushtet e partisë komuniste në Shqipëri në fund të 1944, e margjinalizoi tërësisht nga skena, e burgosi, e internoi, ku mbeti tërësisht i izoluar edhe ndaj vetë Shqipërisë, derisa ndërroi jetë në qytetin e Kavajës më 1956.

Marrë nga gazeta “Al-Gad”, Amman-Jordani
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi