Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Lef Nosi, një guru për pavarësinë Empty Lef Nosi, një guru për pavarësinë

Mon 16 Apr 2012 - 15:15
Lef Nosi, një guru për pavarësinë Lef-Nosi-273x300Armand Boçe٭

Të shkruash për veprimtarinë kombëtare të Elefter (Lef) Nosit është një përpjekje e madhe dhe e vështirë. E madhe sepse pranë Arkivit Qendror Shtetëror tërësia e letrave të ardhura në adresë të tij arrin më tepër se 1200. Po t’i shtojmë kësaj dhe letrat e dërguara nga Lef Nosi, sasia është vërtetë e madhe dhe në të gjitha këto letra përshkruhen ngjarje, kërkohen këshilla apo jepen urdhra. Është e vështirë sepse veprimtaria e tij politike-shoqërore ishte pothuajse e pandarë me atë personale. Prandaj, duke qenë se viti 2012 është një vit i veçantë për kombin shqiptar, një përshkrim i veprimtarisë së Lef Nosi gjatë atyre viteve që përfunduan me shpalljen e pavarësisë, le të jetë një shprehje mirënjohjeje për të. Ndoshta veprimtaria e pasur e Lef Nosit do bëjë kuriozë dhe të interesuar për pjesën pas shpalljes së pavarësisë duke u kthyer në një objekt studimi të mirëfilltë.

Ideja e Lef Nosit për Shtetin e Ri Shqiptar mori formë në programin politik që së bashku me Faik Konicën shtypën në Londër më 1907. Lëvizja politike do të quhej Ana Kombëtare dhe programi i saj përmbante 24 pika ku dallojmë më kryesoret. Forma qeverisëse do të ishte monarkia. Shteti i ri shqiptar do të kishte në përbërjen e tij katër vilajetet e perandorisë osmane: Janinës, Kosovës, Manastirit dhe Shkodrës. Shteti shqiptar ishte një shtet laik. Pikat e tjera të programit tregojnë se për organizimin e brendshëm, me zgjedhje, përfaqësues dhe administratë, programi ishte mbështetur gjerësisht në traditën e popullit shqiptar.

Veprimtaria e ngjeshur kombëtare e bëri shumë shpejt Lef Nosin objekt ndjekjeje për autoritetet osmane. Në 1902 shpëtoi pa u dënuar sepse nuk iu provua fajësia. Por nuk do të kishte të njëjtin fat disa vite më vonë. Shkak u bë gazeta e tij “Tomorri” e themeluar në 1909. E drejtuar prej tij kjo gazetë u bë një orientim për çështjen e pavarësisë së kombit shqiptar. “Me gëzim të madhë leçita “Tomorrin” fletoren e nershme qi filloi në kërthizët Shqipnis e drejtueme prej Z. juej” i shkruante një nga miqtë e tij. Ky i fundit jo vetëm e uronte por dhe shtohej si abonues në gazetë.

Por kishte dhe miq që me dashamirësi e këshillonin “të zbuste” qëndrimin sepse rrezikonte deri edhe jetën. “Tomorri” doli vetëm në disa numra duke u mbyllur prej qeverisë osmane. Drejtori i saj u kap paraditen e 7 gushtit 1910 në Elbasan. Katër ditë më vonë dënohet nga një gjykatë ushtarake dhe internohet në Bursë të Turqisë. Për rikthimin e tij nga internimi do të angazhoheshin pothuajse të gjithë miqtë e tij. Do të lirohej nga internimi 9 muaj më vonë për t’u gjendur përsëri në Elbasanin e tij në mesditën e 9 prillit 1911, pikërisht në momentet më të rëndësishme për kombin shqiptar.

Ndërkohë qeveria e re e xhonturqve kishte nisur një fushatë kundër çdo gjëje që shprehte lëvizje për pavarësi, sidomos ndaj atyre që shpreheshin në gjuhën shqipe. Përballë këtyre sulmeve u gjend dhe Normalja e Elbasanit të cilën qeveria osmane e mbylli në tetor të vitit 1910. Përballë kësaj situate Fan Noli nga Bostoni i shkruante Lef Nosit në Elbasan që do të ishte mirë dhe njëkohësisht një goditje për qeverinë osmane që Normalja të transferohesh jashtë tokave shqiptare në ndonjë shtet të Europës. “Bisedojeni ketê çeshtje me miqt’ e atjeshme dhe shkruamëni që të di. Jam gatî dhe unë dhe z. Faik bej Konitza të vemi të gjithë në Svicerë dhe të bêhemi të gjithë profesore atje dhe të gatitim një racë te ré për Shqipërine e nesërme.” Shkolla nuk u transferua jashtë por qëndroi mbyllur afro 18 muaj për t’u hapur nga marsi i vitit 1912.

Por momenti më i rëndësishëm në jetën e Lef Nosit është ftesa që i bëhet këtij prej Ismail Qemalit dhe Fuat Toptanit që të bashkohet me lëvizjen për pavarësinë e kombit shqiptar. Moment që do të arrinte kulmin me firmosjen e një prej dokumenteve më të rëndësishëm për Kombin Shqiptar, atë të Shpalljes së Pavarësisë. “Po juvé or Zotri të ndershem çe pritni akoma. Sot Shqiprija gjindet ne razik te madh shum… Pergjigjen e pres me telegraf qi lypset te shkruhet tektill (gjindem gati) ose (s’mundim dot). Kjo asht mendja edhe kërkimi i plakut edhe gjith zembretar shqiptarvet. Ju lutem mos flini edhe ju lutemi mo na lini pa përgjigje.”

Sigurisht që kjo mundësi që i paraqitej u mor në konsideratë nga Lef Nosi i cili që në prill të vitit 1912 porosit bashkëpunëtorët e tij për të siguruar materiale për administratën e shtetit të ri shqiptar që pritej të shpallte pavarësinë.

Ky mund të quhet për Lef Nosin dhe kulmi i karrierës politike ku qëndroi si ministër dy vjet. Do pranonte një post politik vetëm 20 vjet më vonë, zgjedhje që do t’i kushtonte jetën. Gjatë kësaj kohe vërtet nuk do të ishte në radhët e para në skenën politike por ndikimi i tij nëpër disa nga ngjarjet më të rëndësishme në Shqipëri ishte i prekshëm. Ndoshta ky ishte dhe pozicioni ideal për një person si Lef Nosi, më shumë një filolog se politikan.

Autori është arkivist në AQSHF. Boçe ka në proces hartimin e një botimi mbi letërkëmbimin e Lef Nosit.



Letra

Të gjithë muajt e vitit 1912 deri në nëntor ishin të mbushur me ngjarje të rëndësishme. Ndërkohë që miq e bashkëpunëtorët e tij ishin shpërndarë nëpër Europë për të siguruar mbështetje diplomatike, Lef Nosi ndodhej në malet e përreth Elbasanit dhe si përgjegjës për pothuajse gjithë këtë zonë. Të gjitha çetat me luftëtarë shqiptarë që qëndronin në këtë zonë merrnin urdhra nga Klubi Shqiptar i Elbasanit, kryetar i të cilit ishte Lef Nosi.



3 Korrik 1912

Bokanik

Zotnij i ndershëm

Gjer ditën e xhuma kemi qi po rrijm këtu. Shokët qi jan për me ardhun këtu asnjin nuk na erdhën. Pra Zotnija jote na ço një lajmë me Bimin qi mrama nga Elbasani do të vijë këtu. Pa gjer nashti në këtë orë pritëm edhe u nisa për Çekin si mas lajmes qi më çove dhe dy a tri dit do të rrijë tek Asllan (Shahini) te llahja por Zotrija jote me ardhjet qi të vish me ne në këta dy vise të më kërkojsh pa dhe Asllan Dervishit i kam thanë disa fjal me gojë Ali Beu të fal me shëndet.

Vëllai yt

Ataji

Valësh 3 Korrik 1912

I dashuni Zot

Sot erdhëm këtu po nuk ju gjetëm. Jemi bashkë me Gani Benë e Servet Benë e Tahsin Myftinë. Hasan Beu dulë e po na pret në Shtërment me shokë të tjerë. Ju kthehuni prapë e jani këtu. Sabri Benë ose tjetër njiri e çoni ke Asllan Shahini qi të na dajë fjalën me sa shok do të vijë e kurë munt të vijë. Në qoftë se asht kollaj le të vijë nesër bashkë me ju ene Asllan Shahini që të merremi vesht me gojë.

Lef Nosi





Në Kuvendin e Vlorës Lef Nosi ishte përfaqësues i Elbasanit i shoqëruar nga tre zotërinj po aq të respektuar, Mit’hat Frashëri, Shefqet Daiu dhe Qemal Karaosmani. Firmosi me këta zotërinj dhe shumë të tjerë të njohur dokumentin e shpalljes së Pavarësisë. Delegatët në ditën e dytë të punimeve e zgjodhën nënkryetar të Kuvendit. Ndërsa më 4 dhjetor pas propozimit të Këshillit të Ministrave prej Ismail Qemalit, Lef Nosi u zgjodh ministër i Postë-Telegrafëve.



Biografi

Lef Nosi (1877-1946) lindi në Elbasan më 9 prill 1877. Kryen dy vjet studime në degën e Farmacisë në Athinë të cilat i ndërpret dhe kthehet në Elbasan ku merret me studime të ndryshme albanologjike si autodidakt. Botues i gazetës “Tomorri”. Pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, firmëtar i dokumentit të Pavarësisë. Ministër i Post-Telegrafëve. Kryetar i Bashkisë Elbasanit në kohën e qeverisë së Fan Nolit. Pas tërheqjes nga politika në mesin e viteve ‘20 i kushtohet tërësisht mbledhjes, gjurmimit dhe ruajtjes së dokumenteve dhe çfarëdo materiali albanologjik. Një nga koleksionistët më të njohur shqiptarë. Në vitin 1943 është në grupin e 22 personave që nënshkruan dokumentin që shpallte pavarësinë nga pushtimi italian. Në zgjedhjet e 1 tetorit 1943 zgjidhet anëtar i Kuvendit Kombëtar. Ky i fundit e zgjodhi kryetar të tij. 1943-1944 është anëtar i Këshillit të Naltë. Arrestohet nga komunistët në gusht 1945 dhe dënohet me vdekje. Ekzekutohet më 20 shkurt 1946. shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi