Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Bebe-Bonusi nuk po vjen! Empty Bebe-Bonusi nuk po vjen!

Wed 9 May 2012 - 16:32
Entela Resuli Është vendosur në Qershor të vitit 2008 me vendim qeverie: çdo fëmijë që lindë do të marrë 5 mijë lekë të reja nga shteti. Kanë kaluar tashmë 4 vjet, por zor se gjen arsye të shëndosha për të thënë që ky vendim është zbatuar rregullisht. Herë mungesa e fondeve nga shteti dhe herë mungesa e informacionit nga prindërit, e kanë bërë këtë “bonus-bebe”, thjesht të pamundur.5 mijë lekëshi i QeverisëDuhet bërë një saktësim i rëndësishëm. Ka dy vendime për bebe-bonusin. Një vendim është i qeverisë (në 2008) me shpërblim 5 mijë lekë dhe vlen për gjithë territorin e vendit, dhe një vendim i dytë është i Bashkisë së Tiranës dhe vlen vetëm për kryeqytetasit. Qeveria e shpërndan nëpërmjet minibashkive, por ka muaj të tërë që nuk e jep këtë 5 mijë lekësh; Fondi duhet të shpërndahet nga minibashkitë në momentin që fëmija regjistrohet nga prindërit dhe merr certifikatën e lindjes. Dmth, si rregull, fondi kalon nga shteti te minibashkitë e më pas te familja e bebit.



5 mijë lekëshi i Tiranës

Ky fond vlen vetëm për kryeqytetasit dhe bazohet në një vendim të marrë nga Bashkia e Tiranës në vitin 2010. 5 mijë lekë-shi i Bashkisë së Tiranës si rregull shpërndahet nëpërmjet një banke private. Në bashkim të dy vendimeve, banorët e Tiranës duhet të marrin 10 mijë lekë për beben e sapolindur, 5 mijë të vendimit të Qeverisë (në minibashki) dhe 5 mijë të vendimit të Bashkisë (në bankë). Por edhe ky institucion i pushtetit lokal ka 2-3 muaj që nuk e jep bebe-bonusin. Zyra e Shtypit e Bashkisë në kryeqytet pohon se; të gjitha bebet e lindura në vitin 2011 e kanë marrë këtë shumë. Ndërsa për 2012… nuk ka fonde!



Të lodhin që të heqësh dorë?

Janë të shumtë ata që pasi kanë bërë regjistrimin e fëmijës së tyre nuk janë kthyer më në zyrën e financës në minibashkinë e lagjes ku jetojnë me certifikatë në dorë. E po kaq të shumtë ata që kanë “grisur” këpucët duke trokitur herë pas herë në dritaren me kangjella të gjendjes civile. Nga ana e pasme e saj kanë marrë një përgjigje në kor: “Nuk na ka ardhur ende fondi”. Kjo situatë është përsëritur çdo vit. Fondi mbërrin zakonisht pas muajsh të tërë, dhe gjatë kësaj kohe shumica e prindërve janë lodhur dhe e kanë lënë këtë muhabet. Lekët që nuk tërhiqen? Kthehen sërish andej nga kanë ardhur.



Ç’po ndodh këtë vit me fondin

Në Tiranë, që nga Janari i këtij viti e deri sot, zor se mund të gjesh ndonjë prind që ka marrë “50 mijë lek-shin e bebit”. Kryetarja e njësisë bashkiake Nr 5, Jeta Seitaj, i tha dje “Shekullit” se që nga fillimi i vitit e deri më tani, arka në zyrën e financave në këtë njësi është bosh. “Çdo prind që vjen e regjistron fëmijën brenda afatit të caktuar, e merr certifikatën, por nuk i merr lekët sepse nuk është çelur ende fondi nga Ministria e Brendshme. Vetëm në këtë njësi janë mbi 400 fëmijë që nuk e kanë marrë këtë shumë, – tha znj.Seitaj. Kjo është situata në të gjitha minibashkitë e Kryeqytetit.
*****
Vendimi i qeverisë

Për t’u uruar mirëseardhjen foshnjave të sapolindura, me vendim të qeverisë numër 9929, datë 09.06.2008 u vendos që çdo fëmijë të marrë një shpërblim prej 5 mijë lekësh.

Bebet e këtushme

Në zbatim të këtij ligji u vendosen edhe disa rregulla. Sipas tyre, fëmija e merr shpërblimin vetëm nëse regjistrohet në zyrën e gjendjes civile brenda 60 ditësh.

Bebet emigrante

Përfitues të këtij vendimi janë edhe fëmijët e emigranteve. Por për këtë kategori kërkohet që ata të regjistrohen brenda një periudhe prej 90 ditësh në Shqipëri.
*****

“I lodhin njerëzit me sorollatje dhe fytyra të bezdisura që në fund të heqin dorë”

“Shekulli” ka pyetur, prindër e gjyshër të foshnjave, se sa janë në dijeni të Bebe-Bonusit dhe nëse e kanë marrë apo jo këtë shumë. Për ata që kanë lindur në fund të vitit të shkuar dhe të tjerë brenda këtij viti as që bëhet fjalë. Ka dhe të tjerë që janë dorëzuar, duke pohuar me nervozizëm: “Nuk i dua fare. Sa me bën e shkuara lart e poshtë nëpër zyra për ta kërkuar dhe pritur, nuk më bëjnë ato 5 mijë lekë”
Juli Shehaj është shtëpiake, nënë e dy fëmijëve, jeton në Tiranë prej 19 vitesh dhe i ka lindur dy djemtë e saj në maternitet shtetëror në kryeqytet. Jeton në rrugën “Medar Shtylla” në Njësinë Nr.5 në Tiranë. Ka dëgjuar për shpërblimin në fjalë, por nuk është përpjekur kurrë t’i marrë, sepse beson se praktika e administratës është e qartë: “Sorollati njerëzit derisa të heqin dorë”.

Julim, kur ju kanë lindur djemtë?
I pari, Enesi në 2009 dhe i dyti Albi bën 2 muaj, për 4 ditë

Keni dëgjuar për shpërblimin 5 mijë lekësh që jepet për të sapolindurit?
E kam dëgjuar nga nëna të tjera me të cilat kalojmë ndonjë paradite këtu në lagje, që merret në minibashki, a diçka e tillë, por nuk e kam marrë vesh ndonjëherë saktë këtë punë.

As për djalin e parë, as për të dytin.
Asnjëherë, as që jam përpjekur. Mbaj mend vetëm që kur lindi djali i parë morëm një letër urimi të firmosur nga kryetari i Bashkisë. U befasuam dhe na pëlqeu, pastaj morëm vesh që ishte një letër që ua shpërndanin kopje të gjithë nënave. Po gjithsesi, mirë edhe kaq.

Po pse nuk interesoheni, nuk ju duhen paratë?
Shiko… Paratë u duhen të gjithëve, qoftë edhe 5 lekë. Por për t’ua thënë fare sinqerisht, a e keni parë ndonjëherë ç’bëhet në zyrën e minibashkisë këtu? Të zë tmerri kur të duhet të kesh të bësh me ta. Nuk mbaron radha kurrë, duhet të ngrihesh që pa gdhirë, për një certifikatë apo një shërbim tjetër duhet të shqetësohesh e të rrish me orë të tëra, të zihesh me njerëzit, të zihesh me ato punonjëset aty, e në fund as nuk mbaron punë e asgjë. Është stres i madh, sa më pak punë me këto zyrat e shtetit, aq më mirë jam. Të shkretët ata që varen totalisht prej tyre.

Pyetëm në zyrat e minibashkisë dhe na thanë që është çështje fondi, dmth kur vjen jepet, kur nuk vjen vonohet. Nëse merr vesh që vjen fondi, do shkoje ta merrje?
Sa më bën e shkuara lart e poshtë nëpër zyra për të kërkuar dhe pritur, nuk më bëjnë ato 5 mijë lekë. E di si mendoj? Madje e kam bindje, shkruajeni shpesh nëpër gazeta këtë. Këta i sorollatin njerëzit, që në fund të mos i kërkojnë ato para. Mua ma shpifin këto sinqerisht. Pale kur kujtoj ato fytyrat e punonjëseve pas xhamave të sporteleve që nuk dinë të thonë kurrë një fjalë të sjellshme apo të buzëqeshin. Nuk i dua fare ato lekë në kushte të tilla.
*****

Alba Nako – Nënë
Alba Nako është nënë e një djali 8-muajsh dhe e ka marrë 50-mijë lekëshin bashkiak të bebes. Alba shprehet: “Na sollën pak vërdallë, duke na thënë, shko këtu, shko atje, por në fund ja arritëm ta merrnim. Kam marrë lekët e bankës të dhëna nga Bashkia. Hapëm një llogari dhe na e hodhën atje. Ndërsa për këtë 5 mijë lekëshin tjetër të qeverisë që merret në minibashki, kemi shkuar dy-tre herë, na kanë thënë nuk kemi lekë dhe nuk kam shkuar më”-tregon ajo.

Dhimitrula Thomai – Gjyshe
Dhimitrula është gjyshja e Nikolës 7-muajshe. Na tregon nuk ka marrë asnjë nga shumat që janë caktuar për lindjen e fëmijës, duke treguar se; “Akoma nuk e kemi marrë. Ne jemi në njësinë bashkiake numër 8. Vajza ka lindur në shtator, na thanë që brenda dy muajsh do i merrni, por ende asgjë. Unë kam punuar vetë në bashkinë e Pogradecit dhe e di këtë punë, e njoh problemin. Këto jepen kur çelet fondi dhe me siguri nuk ka lekë”.



Si duhet të veproni për ta marrë shpërblimin kur sapo keni lindur një fëmijë

Nuk ka rëndësi nëse fëmija ka lindur në Shqipëri apo jashtë kufijve, të gjitha ata që regjistrohen në zyrën e gjendjes civile mund të përfitojnë shpërblimin prej pesë mijë lekësh. Kështu prindërit që kanë lindur fëmijën në Shqipëri kanë një afat kohor prej 60 ditësh që nga koha e lindjes për të regjistruar fëmijën e tyre. Fillimisht nëpunësi i gjendjes civile mban aktin e lindjes dhe pajis të interesuarit me certifikatë lindje. (në rastin e regjistrimit të lindjeve të ndodhura jashtë shtetit, afati 60-ditor tolerohet deri në afat 90-ditor nga dita e lindjes).

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Brendshme, zyra e Gjendjes Civile harton në dy kopje një liste mujore dhe e dërgon një kopje në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe një kopje në zyrën e financës përkatëse.
Prindërit pasi kanë marrë certifikatën e lindjes duhet të paraqiten në zyrën e financës së bashkisë (të njësisë bashkiake ose te komunës përkatëse), për të tërhequr shumën prej pesë mijë lekesh.
Punonjësi i ngarkuar nga kryetari i bashkisë, pasi administron certifikatën e lindjes me shënimin “Për efekt shpërblimi, nga regjistrimi i lindjes brenda afatit ligjor, e verifikon me listën e hartuar nga zyra e gjendjes civile dhe (teorikisht) duhet të kryejë pagesën.
Bebe-bonusi në disa vende afër dhe larg nesh

ITALIA
Në Itali shifra e Bonus-Bebe është rreth tek 500 euro për çdo të sapolindur. Ka propozime konkrete të cilat e çojnë këtë pagesë në 800 euro për fëmijën e parë me progresion rritje për fëmijë të dytë dhe të tretë. Veç kësaj nëse familja dëshiron, shteti në bashkëpunim me bankat ofron një kredi të vogël deri në 5 mijë euro për familje me bebe të sapolindur, me përqindje shumë të ulët dhe këste deri në 20 euro në muaj. Qeveria italiane i ka klasifikuar këto të dhëna në kuadrin ligjor për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Familjes.

BELGJIKA
Në Belgjikë, kur nënat lindë për herë të parë paguhen nga shteti një mijë euro në dorë, ndërsa në të gjitha lindjet e tjera nga 800 euro. Në ketë shtet shtatëzania e gruas ndiqet falas, po kështu edhe trajtimi shëndetësor i fëmijës deri në moshën 18-vjeçare, që nga vaksinat dhe shume gjëra të tjera të domosdoshme. Veç bonusit që merr në momentin që lind, fëmija paguhet çdo muaj 250 euro deri sa mbush moshën 18 vjeç. Kjo ndihmë nuk ndërpritet edhe pas kësaj moshe, nëse fëmija vazhdon ende shkollën e mesme.

GREQIA
Greqia jep çdo vit më shumë se 100 euro për çdo fëmijë. Sa më shumë fëmijë të ketë një familje, aq me e madhe është “Ndihma e fëmijës” e quajtur në greqisht “Epidoma pediu”.

SUEDIA
Për të nxitur lindjet, Suedia ka rritur çmimin. Shteti në këtë vend, për çdo bebe të ardhur në jetë i jep familjes 10,000 kronor ($1,085). Kjo shifër është menduar si një mënyrë për të rritur normën e lindjes. Se sa i ka joshur kjo shumë, qytetarët e këtij vendi, nuk e dimë! Nëpërmjet kësaj ata i kanë dërguar një sinjal shoqërisë, se kanë nevojë për më shumë fëmijë, që vendi i tyre të mos listohet në një ndër më të plakurit.shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi