Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Argjend dhe krenari për Flavian dhe Besmirën Empty Argjend dhe krenari për Flavian dhe Besmirën

Wed 16 May 2012 - 2:34
Entela Resuli Projekti i dy vajzave nga Shqipëria ka fituar vendin e dytë mes 4500 projektesh duke marrë medaljen e argjendit në një konkurs shkencor në Houston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Flavia Zenelaj dhe Besmira Ahmati, nxënëse në vitin e dytë në shkollën “Turgut Ozal” janë kthyer krenare në Shqipëri pas pjesëmarrjes me konkurrentë nga e gjithë bota. Vajzat tona kanë shkëlqyer atje, në një projekt në lëndën e Fizikës për termoizolimin. Ato kanë sjellë një ide të tyren inovatore në këtë fushë që ka të bëjë me mënyrën e përdorimit të xhamit. Puna e tyre është vlerësuar dhe për këtë janë shpërblyer, madje një kolegj në SHBA, u ka ofruar vajzave një bursë prej 36 mijë dollarësh secila.



Projekti

Projekti kishte të bënte me termoizolimin e ambienteve të mbyllura: vendosja e një shtrese xhami jashtë murit në formë grile për të reflektuar nxehtësinë. “Ky projekt ishte i veçantë sepse ne përdornim sipërfaqet e shndritshme, si për shembull pasqyrat ose xhamin, i përdornim në shtëpi, apo në ndërtesa të larta për veshjet e murit brenda apo jashtë. Ka shumë mënyra për vendosjen e tyre. Por ishte diçka e re që ne sollëm. Xhami vërtet përdoret kudo, por mënyra se si ne e propozuam nuk ishte bërë asnjëherë, – tregojnë vajzat.



Flavia

Flavia është vajza e dytë e familjes Zenelaj. Na tregon se mamin e ka mësuese matematike në Tiranë, ndërsa babin oficer policie në Elbasan, qytet ku 16-vjeçarja ka jetuar derisa ka përfunduar klasën e 9-të. Mos mendoni se është nga ato “të strukturat në libra”. Na tregon se maksimumi i orëve që studion në ditë është 3, ndërsa pjesën tjetër ia dedikon palestrës dhe shoqërisë.



Besmira

Besmira, është e shpejtë, energjike dhe medaljen e argjendit e ka në dorë. Na tregon se kur u kthye nga Amerika në shtëpinë e saj u organizua një darkë, ku ishin mbledhur bashkë, hallat e xhaxhallarët. Ajo është shumë e lumtur pas kësaj punë së bashku me shoqen e saj, u nderua me një çmim. Sot tregon emocionet që i dha gara dhe dëshirat që ka për veten. Ku? E ku tjetër veçse në rubrikën Jetë të Shekullit



Çmimet

Çmimet ishin ndarë në tre kategori: Energji, Mjedis dhe Inxhinieri. Vajzat shqiptare ishin në Energji dhe morën medaljen e argjend. Kishte gjithashtu edhe bursa që i ofronin universitetet në bazë të interesit që kishte. “North American Colege” u ka ofruar vajzave shqiptare 9 mijë dollarë bursë secila për katër vjet, domethënë gjithsej 36 mijë dollarë.



Vajza e mësueses dhe oficerit që ëndërron të bëhet mjeke ose arkitekte

“Në datën dy maj ne u nisëm për në Amerikë. Çdo projekt kishte stendën e vet. Aty vinte edhe publik i thjeshtë, të cilëve ua prezantoje punimin, ndërsa në një ditë tjetër vinte juria. Çdo anëtar i jurisë që vinte, të dëgjonte, mund të bënte dhe pyetje nëse kishte të pa qarta dhe të vendoste pikët përkatëse në bazë të kritereve që kishin vendosur ata. Qëndruam 5 ditë. Bëmë edhe disa vizita tek Muzeu i Shkencës dhe tek qendra NASA. Pas kësaj u bë dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve ku ne fituam vendin e dytë me medalje të argjendtë, – tregon Flavia për Shekullin në këtë intervistë:



Flavja, si u bëtë pjesë e këtij projekti?

Filluam që në shtator përgatitjet. Me zyshën mësuam në fillim anën teorike. Më pas, porositëm një maket. Ishte një model i vogël i shtëpive me ambiente të mbyllura. Aty realizuam eksperimente të ndryshme dhe me rezultatet që na dolën hartuam një reportazh, ku hodhëm rezultatet, grafikat që ndërtuam dhe komentet. Ndërsa për pjesën teorike dhe formularin e bëmë aplikimin online. I plotësuam të gjitha dhe e dërguam në SHBA. Në këtë fazë aplikuan 4500 projekte nga e gjithë bota. Të drejtën për prezantim e fituan 500 projekte.



Projekti shqiptar me çfarë kishte të bënte, dhe çfarë të veçantë kishte?

Përdorimi i xhamit për termoizolimin e ambienteve të mbyllura në formën e një grile. Me sa mund të shpjegojmë me pak fjalë, konsiston në atë që të vendosësh një shtresë xhami jashtë murit dhe ta hapësh e ta mbyllësh atë kur të duhet për të reflektuar nxehtësinë jashtë.



I paske pasion lëndët shkencore…

Kam shumë qejf lëndët shkencore dhe kjo olimpiadë ishte për projekte shkencore. Do më pëlqente shumë që të vazhdoja për mjekësi, por meqë nuk m’u dha mundësia për të, mora këtë projekt në lëndën e fizikës. Gjithashtu, ky projekt do ishte shumë i rëndësishëm nëse unë do të vazhdoja për arkitekturë të cilin e kam dhe shumë dëshirë.



Mund të themi që Flavia e quan veten një shkencëtare të vogël?

Pse jo, besoj se në këtë fazë jam (qesh). Para se të bëja këtë projekt nuk kisha ndonjë certifikim të tillë, por tani që kam marrë edhe medaljen mbase është diçka.



Po prindërit çfarë profesioni kanë Flavia? Na thuaj dy fjalë për familjen tënde?

Mamin e kam mësuese matematike ndërsa babin komisar policie. Kam dhe një motër më të madhe, e cila studion këtu në Tiranë. Unë arsimin 9-vjeçar e kam bërë në Elbasan se andej e kam familjen.



Kemi patur disa personazhe nxënës këtu në rubrikën Jetë që kanë arritur rezultate të larta në përballjet ndërkombëtare. Të gjitha pohojnë se lexojnë shumë. Ju jeni nga ato vajza që vetëm mësoni dhe rrini në shtëpi apo edhe dilni?

Haha (qesh) Shumë njerëz duke parë rezultatet këtë gjë mendojnë, sikur rri vetëm në shtëpi edhe mësoj. Unë zakonisht lexoj rreth 3 orë në ditë. Mendoj që është shumë mirë të alternosh shkollën me të tjerat.



Por megjithatë siç na thanë mësuesit jeni nxënëse që nuk e njihni 9-n?

Si numër e njoh, por si notë jo. Deri tani nuk kam marrë asnjë 9. Dhe nuk do marr.



Të ka ndodhur që të korrigjosh mësuesin në klasë?

“No coment” për këtë.





Besmira: “Punuam shumë, ndihem mirë që i bëra prindërit krenarë”

Prindërit dhe familja e Besmira Ahmatit ndihen shumë krenarë këto ditë. Dhe kanë arsye për këtë. “Ideja na ka ardhur që para një viti, për mësimin intensiv” – na tregon Besmira për projektin. Kur u kthyen me çmimin dhe propozimin për bursë, familja ishte në festë. “Ishin mbledhur xhaxhallarë, teze, u bë një darkë shumë e madhe, – rrëfen Besmira.



Besmira, i dëshironi lëndët shkencore, mund t’ju quajmë edhe ju një shkencëtare të vogël?

Edhe unë, dëshiroj shumë të vazhdoj në lëndët shkencore. Nuk e kam vendosur akoma, por besoj për mjekësi.



Sa kohë keni punuar për projektin?

Ideja na ka ardhur që para një viti, për mësimin intensiv. Punimet i kemi filluar që në shtator ku folëm më mësuesen tonë për pjesën teorike dhe për eksperimentet, pasi na duhej të bënim eksperimente për stinën e dimrit dhe për të verës pasi i tilli ishte projekti që i kërkonte.



Keni pasur vështirësi?

Vështirësia ishte në fillim pasi duhet të jepnim idenë tonë sesi duhet ta aplikonim, sesi do ishte pjesa e zbatimit në jetën reale dhe sesi do ishte vendosja e shtresës. Ne e dinim, por dhe eksperimenti e tregoi se kjo shtresë funksion si termoizolues dhe kishte efiçencën e lartë ndaj mund të aplikohet në jetën reale. Aty diskutuam shumë gjëra dhe arritëm në përfundimin se, më e mirë, do të ishte, që në punën e një grille, aplikimi të bëhet për dimër dhe për verë.



Si u ndjeve në konkurs?

Jashtë zakonisht mirë. Edhe pjesëmarrësit e tjerë vinin e të pyesnin jo vetëm për projektin por edhe për shtetin tënd. Si është atje jeta? Donin të dinin gjithçka.



Jeni të kënaqur me vendin e dytë?

Jam vërtetë shumë e kënaqur. Punuam shumë. Është bukur kur puna që bën, shpërblehet në një farë mënyre. Të arrinim këtë vend që në prezantimin tonë të parë, besoj është një arritje e madhe. Ndihem shumë krenare, unë, prindërit e mi, dy motrat e mia, shkolla.



Na treguan se familja kishte organizuar diçka të madhe për çmimin?

Po. Kur u kthyem. Mami dhe babi ishin shumë krenarë. Ishin mbledhur xhaxhallarë, teze, u bë një darkë shumë e madhe. Doja t’ju falënderoja edhe ju të Shekullit që dëshmuat kaq shumë interes për ne, zakonisht këto gjëra nuk janë nëpër gazeta.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi