Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Nxënësit mbajnë trupin e mjeshtrit Empty Nxënësit mbajnë trupin e mjeshtrit

Sat 19 May 2012 - 17:20
Nxënësit mbajnë trupin e mjeshtrit Agron-Aliaj-student-ne-Moske-300x253Valeria Dedaj

Në dy orë, para se të përcillej për në Sharrë, balet-maestroja Agron Aliaj (1933-2012) u nderua në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Familja, gruaja dhe dy fëmijët që ai la pas, ishin aty, por nuk e kanë lënë deri në fund hollin as balerinët e tij, të rinj e të reja, në të zeza. Në njërën faqe muri përbri trupit, janë projektuar gjatë gjithë homazheve filmimet e baleteve të Aliajt, vepra shqiptare dhe të klasikëve botërore, origjinale apo dhe të përshtatura nga mjeshtëri. Ky tanimë ekziston si një korpus i plotë dhe i shfrytëzueshëm në çdo kohë. “Në ka gjë për të cilën munde të jemi pak krenar tani për këtë teatër, është krijimi i antologjisë së veprave shqiptare, dhe të gjitha veprat e Aliajt ne i kemi në DVD. Në këtë mënyrë ato mund të rivihen.” Drejtori i TOB-it Zhani Ciko njofton se sapo është marrë një vendim që në çdo sezon do të ketë një vepër të Agron Aliajt. Duke filluar që nga “Halili dhe Hajria” (1963) që për koreograf ka patur Panajot Kanaçin por e ka zbatuar në skenë Aliaj.

Këto tha drejtori Ciko në fjalën e tij përshëndetëse që mbylli homazhet e pastaj të pranishmit, ku nuk mungoi ministri i Kulturës Aldo Bumçi, në shenjë respekti mbajtën një minutë heshtje dhe duartrokitën për herë të fundit në prani të trupit të tij, punën e tij në gjysmë shekulli. Shumë flasin me nota nga më të lartat. Për jo pak të tjerë ai ngelet babai i koreografisë shqiptare, një ndër themeluesit e parë të shkollës së baletit dhe një ndër të paktët persona që punën e tij diti ta ndërtojë me vepra konkrete në skenë.

Në fillimet e ngritjes së këtyre institucioneve të artit koreografik, ai iu bashkua trupës së baletit të Filarmonisë Shqiptare me kolegët Zoica Haxho, Ganimet Vendresha, Melushe Bebeziqi, Petrit Vorpsi, Xhemil Simixhiu të cilëve më pas iu akorduan bursa shtetërore për në Shkollën Koreografike të Teatrit Akademik të Moskës-Bolshoj. Nuk është e tepërt të thuhet se ai gjatë viteve të studimit në Shkollën Koreografike të Teatrit Bolshoj në Moskë, u dallua për impenjimin total e të pasionuar. Blerina Arbana, drejtoreshë e Akademisë së Dancit thotë se jo më kot ai punoi në atë periudhë me mjeshtër të baletit rus si M. Meserer, V. Matorin të cilët e përgatitën atë si kërcimtar edhe si pedagog i ardhshëm “duke parashikuar se një ditë edhe në vendin tonë do të krijohet një shkollë shtetërore e baletit. Kjo është një meritë e këtij artisti legjendar” e që të gjitha përbëjnë treguesin e fillesës së mbarë, e ecurisë, rigorozitetit të kërkesave në përgatitjen e profesionistëve të baletit nga shkolla shqiptare koreografike.

“Tek balerini ai shikonte njeriun”, thotë koreografja Kozeta Bakiu. “Shpirti i tij ecte gjithmonë me hapin e kohës. Për këtë flet puna e tij e pas nëntëdhjetës. Ai hulumtonte elemente të folklorit dhe i risillte në gjuhën më bashkëkohore të mundshme.” Ndërsa shumë e shumë të tjerë nisën krijimtarinë e tyre me profesorin, fillimisht ishin nxënës të tij, e më pas ai i pati kolegë. Çdo punë e quante të përbashkët. Skënder Jazexhiu, solist i trupës së baletit ndër vite, sot në pension, ka pasur disa bashkëpunime me të fillimisht për personazhin e Pjetrit te “Cuca e Maleve”, më pas tek “Arrëthyesi” apo “Lumi i vdekur” për rolin Llazit. “Ai përherë do ta na ngrinte moralin duke na thënë se pa ne ishte një trajner i humbur.”

Kështu e kujton dhe Nermin Ahmeti Strazimiri, Drania te “Cuca e Maleve”, sot mësuese në shkollën e baletit. “Ka qenë njëkohësisht pedagogu, prindi im i dytë dhe kolegu im për dyzet vjet. Ai nuk e meritonte një fund të tillë sepse kishte ende shumë për t’i dhënë baletit shqiptar.”

Trupi i Agron Aliajt doli nga dyert kryesore të Teatrit të Operës e Baletit bartur në arkëmort mbi supet e balerinëve Gerdi Vaso, Dion Gjinika e të tjerë, të cilët pasdite do të ngjiteshin në skenë për “Carmina Burana”-ën, një homazh për mësuesin e tyre. Kështu do të bëjnë sonte dhe nesër.





Intervista

Zhani Ciko: Për çdo sezon, një balet nga Aliaj



Zoti Ciko, ç’do të bëhet me punët e Agron Aliajt?

Në ka gjë për të cilën mund të jemi pak krenar tani për këtë teatër, është krijimi i antologjisë së veprave shqiptare, dhe të gjitha veprat e Aliajt ne i kemi në DVD. Në këtë mënyrë ato mund të rivihen. Drejtoria mori një vendim që në çdo sezon do të ketë një vepër të Agron Aliajt. Duke filluar që nga “Halili dhe Hajria” që për koreograf ka pasur Panajot Kanaçin por e ka zbatuar në skenë Aliaj.



Ju çfarë raportesh keni patur?

Marrëdhëniet tona me Agronin zënë fill në vitet shtatëdhjetë. Deri në Plenumin IV është një marrëdhënie interesante e jona, me diskutimet në ecejaket në bulevard. Pas këtij plenumi vjen një periudhë tjetër, shembulli më tipik i të cilës është eksperimenti me veprën “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” që në balet mban titullin “Tokë e pamposhtur” (1977). Por që unë nuk e ndoqa nga afër sepse do të largohesha në Patos.



Pse eksperiment?

Sepse që te një vepër të identifikohej karakteri kombëtar, ajo vepër duhej të ishte popullore. Rezultati ishte që e tërë filozofia e “Gjeneralit…” të Kadaresë u vesh me valle, devollishte. Agroni ishte i vetëdijshëm për këtë, i vetëdijshëm ishte dhe Nikolla Zoraqi, autori i muzikës, i cili ishte ndërkohë i terrorizuar, e kishin çuar në Korçë, jetonte i survejuar.



“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” varianti i vitit 2009, edhe pse Aliaj aty është bashkëkoreograf, është nga realizimet më të mira në vite të TOB-it.

Sepse në këto vite Aliaj punoi me veprat shqiptare ashtu siç do kishte dashur të punonte dikur, duke i zhveshur nga vallet popullore. Kështu ndodhi me “Gjeneralin…” në versionin e ri, ku për fat të mirë ruajmë kujtimin e daljes së tij të mrekullueshme në skenë.

Kjo vërteton që këta autorë, në vetvete, pikërisht këtë gjë kishin dashur të bënin dikur, por e ambalazhuan veprën me llaç popullor duke ia mbytur mundësinë e modernitetit.



Me Nikolla Zoraqin ka pasur disa bashkëpunime.

Me Zoraqin, Agron Aliaj që kur erdhi nga Moska ka pasur bashkëpunimin e parë, ndërkohë që Nikolla nuk ishte nisur akoma me studime. Ai ia besoi Nikollës orkestrimin e baletit rus “Kujdesi i kotë” i vitit 1957. Kjo është vepra e parë që ka vënë dhe ka kërcyer Agroni. “Cuca e Maleve” ishte bashkëpunimi i tyre i plotë. Ka qenë koha kur unë erdha drejtor artistik në Opera. Është fillimi i viteve ’70, një kohë kur artistët shqiptarë ushqejnë ëndrra të mëdha për të bërë diçka.



Mihal Luarasi sapo e cilësoi “Cucën” një vepër mirëfilli të realizmit socialist.

Është e vërtetë, por që për mua ka një trekëndësh që e bën veprën një “Notre Dame” shqiptare, sepse ka brenda një çift të rinjsh që duhen dhe një klerik i cilit futet në mes tyre.



Së fundi flitet për një projekt që do donte ta vinte në skenë.

Është fjala për “Violinën e thyer”, një tregim shumë i bukur i jetës së Nikolla Zoraqit, mbi revoltën e njeriut ndaj burokracisë dhe administratës. Nikollës, ia mohuan bursën e studimit dhe ai e theu violinën dhe shkon ushtar. Ishte një gjest i guximshëm për kohën. Nikolla pjesën e parë të jetës së tij ishte një njeri shumë i fortë.

Një ditë këtë vit, Agroni hapi derën e zyrës dhe më tha: “‘Violinë e thyer’. Dua të filloj menjëherë nga puna.” Për shkak të aktiviteteve të pavarësisë i premtova për vitin e ardhshëm. I dukej shumë vonë. Vitet e fundit ai ishte i mbushur me ide. Por kjo është tjetër gjë. Ai ka lënë një vepër të plotë që përbën baletin klasik shqiptar.



“Unë gjithmonë kam dashur të bëj një balet realist”, si do ta lexonit ju këtë pohim të tijin?

Dhe ai këtë ka bërë, veçanërisht në periudhën që flasim, me aktualizimin që i bëri repertorit shqiptar pa kontekstin politik të dikurshëm.

e.d





Mihal Luarasi: Liria e baletit përballë realizmit socialist

“E kujtoj që në ‘66-ën për “Cucën e maleve”. Ai e risolli në Opera pasi unë e kisha vënë në Teatrin e Shkodrës. “Cuca e Maleve” është një pjesë tipike e realizmit socialist, por në baletin e Agron Aliajt ngjarjet nuk rridhnin në mënyrë kronologjike, por me rikthim në kohë. Ai i përmbysi të gjithë elementët dhe solli gjëra të reja. Ka një lehtësi baleti në raport me teatrin dramatik, sepse aty jo çdo gjë mund ta interpretoje si propagandë. Artisti ishte më i lirë të bënte artin e vet, dhe vepra ishte më shumë e realizuar në balet sesa në teatër. Pavarësisht se flasim për një kohë kur më e fortë se censura, ishte autocensura me të cilën ishin pajisur të gjithë artistët.

Konsiderata ime për Agron Aliajn është për një njeri që nuk ka tentuar ta përvetësojë vetën në forma të tjera, përveçse në skenë.”
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi