Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Takim me njeriun që di ta dëgjojë tjetrin Empty Takim me njeriun që di ta dëgjojë tjetrin

Fri 25 May 2012 - 20:29
Takim me njeriun që di ta dëgjojë tjetrin Jacques_Lacan_030-4-250x300Elsa Demo

“Takim me Lakanin” (Rendez-vous chez Lacan) një film nga Gérard Miller na njeh nga afër me Jacques Lacan-in (1901-1981), përfaqësuesi më i rëndësishëm e më me influencë i psikanalizës pas Frojdit. Duke qenë se pak dokumente ekzistojnë për reformatorin e psikoanalizës frojdiane, për ata që do të ndjekin sonte dokumentarin, ora 18.30, në Sallën “Çehov”, Teatri i Metropolit, marrin vlerë të veçantë dëshmitë e të afërmve, të nxënësve e të pacientëve të tij, njerëz që e kanë njohur në përditshmërinë e tij.

I lindur me shekullin e njëzetë në një familje katolike të borgjezisë së mesme, me formim psikiatër dhe kulturë enciklopedike, mik i Picasso-s, Lévi-Strauss-it, Sartre-it, Jacques Lacan-i e nisi aktivitetin e tij si psikoanalist në vitin 1938. Ishte e pashlyeshme dhe konsekuente përvoja e gjatë që pati në spitalin e “Shën Anës” në Paris, ku nga matanë mureve dëgjonte “ata që shoqëria nuk donte t’i dëgjonte e që shkenca beson se i kupton: të çmendurit”. “Diçka ruaja në zemër prej këtyre mureve”, do të thoshte ai më vonë. Por në vitet pesëdhjetë, hapja nëpërmjet gjuhës që ai i bën psikanalizës konsiderohet vërtet revolucionare dhe këtë e dëshmon influenca e tij edhe në mendimin teorik letrar e sidomos te një brez artistësh pamorë.

Teksa vazhdon të shpjegojë Lakanin me kurse të përjavshme në Paris, dhëndri Jacques-Alain Miller, edhe në një nga referatet e fundit “Të lexosh një simptomë” (përkthyer shqip nga Jolka Nathanaili dhe Ardian Vehbiu), trajton pse psikanaliza nuk është vetëm çështje të dëgjuari, po është edhe çështje leximi. “Çka më ka përcjellë Lakani është pikërisht mirëleximi”, thekson Miller. Saç janë terma të ligjërimit, aq i atribuohen detyrave të analistit atij që nëpërmjet mirëdëgjimit dhe mirëleximit të subjektit, do ta çojë “të pavetëdijshmen tek Qenia”, do të shfaqë atë që është e ndrydhur, atë që përbën “statusin e fshehtë të qenies”, “e paarritshme nga njohja”. “Është operacioni i ligjërimit që vë në veprim psikanalizën”, nënvizon Miller.

Seminaret që Lakani mbajti prej viteve 1953 deri më 1979, u botuan falë Jacques-Alain Miller-it, duke dokumentuar nëpërmjet tyre gjenialitetin e psikoanalistit, si mjek i shquar dhe teoricien i pashoq, e që megjithatë, “kolegët e tij do ta shkishëronin sikur të ishte ‘djalli’”. Ttridhjetë vjet pas vdekjes së Lakanit vijnë edhe këto kundërshti e dyshime si jehona të asaj kohe aktive të psikoanalistit në kulmin e kërkimeve të tij mbi qenien, po edhe të krijimit të tij.

Dokumentari i sotëm i Gérard Miller-it, është realizuar në kuadrin e këtij përvjetori, 9 shtator 20011. Miller ka patur shansin ta takojë falë të vëllait, Jacques-Alain, më besniku i nxënësve që u martua me të bijën e Lacan-it, Judith-in. Këta të dy kanë veçanërisht shumë për të treguar. Judith Miller flet për raportet, të tendosura po aq sa të privilegjuara mes të atit dhe Glorias, asistentja e tij për tridhjetë vjet. Ndërsa Jacques-Alain Miller vite më vonë do të kujdesej për botimet e Lacan-it.

Por është Judith Miller ajo që prej pak kohësh po jep një kontribut të madh në Shqipëri, siç e dëshmon psikoanalistja Jolka Nathanaili psikoanalistja në këtë intervistë, e cila e ftoi dhe krijoi një rreth lakanian të Fushës Frojdiane në Tiranë. Jolka është shpirti i këtyre iniciative për futjen e psikoanalizës bashkëkohore në Shqipëri nëpërmjet seminareve me studentët e psikiatrisë, me botime dhe diskutime.



Shfaqja e filmit “Takim me Lakanin” dhe seminari i 26 majit: Mund ta quajmë një takim me psikoanalizën bashkëkohore në Tiranë?

Dakord jam. Filmi është shfaqur për herë të parë në shtator 2011 nga Televizioni Publik Francez (France 3) me rastin e 30-vjetorit të largimit të Lacan-it nga jeta. Judith Miller, vajza e tij, shprehu dëshirën për ta shfaqur edhe në vende të tjera ku Lacan-i nuk njihej shumë. Filmi i regjisorit Gérard Miller na shfaq grimca të karakterit dhe të jetës së tij në një format metrazhi relativisht të shkurtër, rreth 50 minuta. Publiku shqiptar do të ketë mundësinë të dëgjojë dëshmitë e pacientëve dhe nxënësve të cilët kanë qenë në analizë me të por bashkë me intervistat e tyre hedh dritë mbi psikoanalistin më të rëndësishëm pas Freud-it. Viti që lamë pas, 2011, ishte një vit përkujtimor mbushur me aktivitete e botime nga më të ndryshmet rreth figurës dhe veprës së Lacan-it. Nuk është e rastësishme që një broshurë e vogël e titulluar “Jeta e Lacan-it” u botua po në shtator të 2011-s dhe është çdo gjë tjetër përveçse një biografizim ku lypset kopsitja e ngjarjeve të jetës së tij nën një diktat kronologjik të pajetë. Ne sot kemi në dorë një sërë veprash, tekstesh të Lacan-it në sajë të një pune të mrekullueshme ndërmarrë prej Jacques-Alain Miller që prej disa dekadash, i cili është njeriu i përzgjedhur nga vetë Lacan-i si publikuesi besnik i integralitetit të veprës së tij. Mbase publiku shqiptar nuk e di por Lacan-i i është rezervuar publikimit të seminareve të tij. Mbase për këtë arsye etike por edhe nga shtresëzimi i spikatur i ligjërimit të tij, ende sot çdo tekst i tij kalon më parë nga J.A.Miller, “si në vrimën e gjilpërës” përpara se ne t’i lexojmë këto tekste si qëndisje të mirëfillta lakaniane.



Sa është bërë prezent rrethi lakanian shqiptar, nëse mund ta quajmë të tillë?

A ka njohës të veprës së Lakanit në Shqipëri? A ka ai admirues këtu?

Rrethi lakanian shqiptar është në hapat e parë të tij dhe pikërisht aktivitetet tona mundësojnë një prezantim me veprën e Jacques Lacan-it por edhe me praktikën e tij. Në Shqipëri gjen tek-tuk njohës të veprës së tij, por që nuk janë lexues të përhershëm. Më ka rënë rasti të takoj njerëz nga fusha e artit, kinematografisë por edhe e politikës të cilët e lexojnë atë, sidomos në Kosovë falë citimeve të përhershëm të filozofit Slavoj Zizek. Përshtypja ime është se në qarqet psikiatrike dhe psikologjike shqiptare ai njihet pak thuajse aspak. Mbase edhe pse ai i përket mirëfilli botës frankofone dhe më vjen keq të them se shpesh ata preferojnë amerikanizimin e instrumentalizimin e praktikës së tyre duke hedhur poshtë rishtazi përpjekjet shekullore të praktikës klinike franceze megjithëse paradoksalisht psikiatria pioniere shqiptare u specializua në Francë, kam ndërmend dok. Xhavit Gjatën, dok. Ulvi Vehbiun etj. Sot ngrihen pyetje mbi praktikën klinike në Shqipëri ku shpeshherë referimi ndër kolegë psikiatër por edhe psikologë ngelet i vështirë nga një tjetërsim që i është bërë punës klinike këtu.



Vëmë re përpjekjen që po bëni për të sjellë tekste edhe në shqipe prej Zhak Lakanit po edhe prej njohësve të tij si Jacques-Alain Miller. Duke pasur parasysh edhe vështirësinë e gjuhës lakaniane, a ekziston mundësia që këto tekste të vijnë në shqipe dhe të mos kenë fatin e përkthimeve të Frojdit, Fromit, Jungut?

Sa mirë kjo pyetje për përkthimin e psikoanalistëve të mëdhenj në shqip. Godet në thembrën e Akilit. Prej më shumë se një viti po punojmë së bashku me përkthyesin Ardian Vehbiu për botimin e një libri të parë të Lacan-it në shqip. Përkthimi është një odise më vete, një rrugëtim i bukur por sigurisht i gjatë. Urojmë që në nëntorin e ardhshëm të përfundojë kjo vepër e parë për lexuesin shqiptar!



Zhak Lakan ka pasur një udhëtim në Shqipëri në vitet ‘70, për të cilin nuk është folur ndonjëherë. Çfarë dini për këtë?

Më lejo ta ruaj si surprizë këtë ngjarje sepse është e lidhur si me botimin e librit ashtu edhe me vetë familjen e doktor Vehbiut!



Tani është e bija që po ndjek hyrjen e veprës së tij në Shqipëri?

Po, në shtator të 2010 Judith Miller ka ardhur për të prezantuar seminarin dhe aktivitetet e tjera të Fushës Frojdiane dhe është shumë e lidhur me përhapjen e psikoanalizës në vendet e Lindjes, sidomos ato post-komuniste si Rusia, Bullgaria etj..



Kongresi i këtij viti i Shkollës se Re Lakaniane ka si titull “Si të lexojmë një psikozë”. Në të njëjtën temë do të jetë edhe seminari i nesërm i dr. Carmelo Licitra-s?

Saktësisht kongresi i NLS-së (Shkollës së Re Lakaniane) titullohet “Si të lexojmë një simptomë” por të dyja janë të lidhura dhe në një vijë të përbashkët pune kliniko-teorike të orientuara nga Jacques-Alain Miller. Seminari ynë do të trajtojë çështjet e psikozës për klinicienët shqiptarë të duhet të them me kënaqësi që janë shtuar në Auditoriumin e Fakultetit të Mjekësisë, dhe kjo tregon se nuk i tremben më punës klinike qoftë dhe me rastet më të vështira duke u ndriçuar dalëngadalë nga orientimi lakanian.

Dr. Carmelo Licitra, prej dy vjetësh vjen në Tiranës së bashku me presidenten e Fushës Frojdiane, zonjën Judith Miller. Ka dy vjet që Fusha Frojdiane, që është një strukturë tejet e gjerë, organizon seminare psikoanalitike në Tiranë dhe sjell lektorët e saj francezë dhe italianë enkas për këtë aktivitet. Dr. Carmelo Licitra është një ndër ta. Ai është psikoanalist dhe psikiatër i cili jeton në Romë. Të gjithë lektorët e seminarit të psikoanalizës kanë gradën apo titullin “A.E.” që do të thotë “Analyste de l’École” – pra analist i shkollës lakaniane me qendër në Paris.



Sa i hapur është Fakulteti i Mjekësisë për ta sjellë mendimin lakanian në auditore?

Që në fillim Fakulteti ka qenë mikpritës dhe i prirur për t’i përftuar dijet. Ngelet për t’u parë nëse mjekët psikiatër do t’i bashkohen kësaj nisme pasi deri tani kemi patur pak mjekë psikiatër dhe më shumë psikologë të cilët punojnë në Q.S.U.T. ose në qendra të tjera jo vetëm në Tiranë por edhe në Elbasan, Vlorë, Shkodër e Durrës. Unë uroj për një bashkëpunim më të fortë me tërësinë e sektorit të shëndetit mendor në Shqipëri.



Si u gjetët juve Jolka, në këto nisma, që janë për t’u përgëzuar?

Personalisht një nga shtysat më të forta për të sjellë shkollën lakaniane këtu ka qenë mungesa e kolegëve. Mbaj mend kur u ktheva në Tiranë pas formimit tim në Paris, gjeta një vakuum teorik dhe etik. Në këto kushte u gjenda përballë një pamundësie bashkëpunimi me psikologët apo psikiatrit shqiptarë kështu më lindi ideja t’i bëj një propozim Judith Miller-it për të ardhur në Tiranë. Për habinë time ajo jo vetëm hapi dyert për shqiptarët, por vazhdon të punojë shumë për t’i formuar ata, qoftë nëpërmjet punës formuese këtu, qoftë nëpërmjet stazheve klinike në Francë apo Itali. I jemi shumë mirënjohës për të gjitha rrugët që i ka hapur profesionistëve të rinj. Më emocionon dhe kujtimi kur në vitet e para qarkullimi i fjalës për atë ç’ka po bënim ishte problem e shpeshherë mosbesues dhe më duhej ta përcillja lajmin e ardhjes së tyre si farë kosi, apo “de bouche à oreille” siç thonë francezët. Sot është e vërtetë që problematikat psikike janë shtuar mjaft dhe i bien këmbanave të alarmit për profesionistët e shëndetit mendor të cilët shpesh punojnë në kushte të paimagjinueshme për një francez apo italian kështu që mundohemi t’i orientojmë etikisht në punën e tyre siç na mësoi e na mëson ende Lacan-i, si i vetmi mbase, që nuk lëshoi kurrë pe kur bëhej fjalë për dëshirën e pavetëdijshme të qenies njerëzore e kërcënuar sot më shumë se kurrë. Ne pas céder sur son désir”



Nesër

Ka më pak se një vit që në Tiranë kanë nisur të mbahen seminare nga lektorët e Fushës frojdjane, Francesca Biagi-Chai, Massimo Termini, Carmelo Licitra, anëtarë të Shoqatës Botërore të Psikanalizës (AMP). Ky cikël seminaresh organizohet nga Judith Miller, presidente e Shoqatës së Fondacionit të Fushës frojdjane, vajza e psikanalistit Jacques Lacan. Nesër, gjatë gjithë ditës, në Auditorin “Galileo Galilei” në Q.S.U.T, mbahet seminari i tretë, “Si lexohet një psikozë” nga dr. Carmelo Licitra, Anëtar i SLP-së (Scuola Lacaniana di Psicanalisi) lektor i Sektorit klinik të Romës. Seminari shoqërohet nga një diskutim dhe do të ketë dy prezantime klinike: “Macja brenda meje s’më lë rehat” nga Alma Hasalami, specializante në psikiatri, dhe “Zjarri më jep qetësi!” nga Jada Caja, psikologe, Q.S.U.T.





Mbi rrethin lakanian

Jolka Nathanaili

Psikoanaliza nuk qëndron më e fshehur dhe e paarritshme për ne shqiptarët. Erdhi koha për ta sjellë atë në formën e saj më të freskët, në tingullin e saj në shqip. Trajta e saj bashkëkohore lidhet ngushtë me veprën, veprimtarinë dhe stilin e psikoanalistit francez Jacques Lacan. Vitaliteti i psikoanalizës lakaniane do të përcillet për lexuesin shqiptar pa tradhtuar etikën e psikoanalizës e cila lindi në veprën e tij dhe ngeli e patjetërsueshme, ndryshe nga pjesa tjetër e teorisë së tij e cila u ripërtëri pambarimisht deri në fund të jetës së tij, që prej Lakan-it të viteve 50-të deri tek teoria e nyjeve boromeane.

Etika e lidhur ngushtë me dëshirën e pavetëdijshme na frymëzon vazhdimisht, siç Lacan-i thoshte ‘Ne pas céder sur son désir” – “Të mos hiqet dorë nga dëshira”.

Kjo përpjekje është pikësëpari një fillim, një gur themeli për thurjen e diçkaje që tejkalon dëshirat me sy hapur dhe synon vetëm dëshirën e pavetëdijshme e cila e shfaq veten gjatë procesit analitik apo në fund të tij. Një ëndërr e hershme ushqen këtë dëshirë të pavetëdijshme dhe sjell psikoanalizën lakaniane në Tiranë. Tani ka ardhur momenti të sjellë përmes këtyre faqeve jo vetëm të rejat e fundit mbi ciklin e seminareve të fushës frojdjane që zhvillohen në Tiranë por edhe versionin në linjë ku do të publikohen tekste, konferenca apo shkrime të ndryshme psikoanalitike të nyjëtuara e lakuara në shqip.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi