Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

John Belushi, ‘i çmenduri’ që urrente nazistët Empty John Belushi, ‘i çmenduri’ që urrente nazistët

Thu 21 Jun 2012 - 19:36
Message reputation : 100% (1 vote)
John Belushi, ‘i çmenduri’ që urrente nazistët Belushi-300x199Rivjen në kinematë e gjithë botës, kulti që nuk plaket kurrë, ‘The Blues Brothers’. Por në Tiranë nuk kujtohet kush për John Belushin.

Magdalena Alla

“Unë i urrej nazistët e Illinois”. Ose, nëse doni, “jemi në mision për hir të Zotit”. Për miliona e miliona të apasionuar në çdo vend të botës, për të cilët këto nuk janë fraza pa kuptim, por dy nga batutat më kult të gjithë historisë së kinemasë, 20 dhe 21 qershori qenë data për t’u shënuar në kalendar. Në gjithë botën u kthyen në sallat e kinemasë mitikët “The Blues Brothers”, në version të restauruar. Kjo markë vazhdon të ripërtërihet në internet, live, në televizion. Film që daton në 1980, mban firmën e John Landis, me protagonistë Dan Aykroyd dhe një John Belushi të jashtëzakonshëm. Që vetëm dy vjet pas këtij filmi na la përgjithmonë, i mposhtur nga një overdozë në një natë të mallkuar në hotel Chateau-Marmont të West Hollywood. John Belushi, aktori i madh amerikan me origjinë shqiptare, një personazh me talent unik dhe fat tragjik, të cilin vdekja e parakohshme e bëri përjetësisht të ri. Pikërisht si pelikula e tij më e dashur. Por..

‘The Blues Brothers’

mungon në Shqipëri

Në Tiranë nuk kujtohet kush për shqiptarin e madh, John Belushi. As për tridhjetëvjetorin e vdekjes së tij, rreth tre muaj më parë, nuk u kujtua kush me ndonjë përkujtim. Edhe tani që ‘The Blues Brothers’ rishfaqet në gjithë botën, ai mungoi në kinematë e kryeqytetit shqiptar. Asnjëra prej tyre nuk kishte në program shfaqjen në këtë periudhë të këtij filmi. Edhe pse për të festuar gjenialitetin e Belushit në tridhjetëvjetorin e vdekjes, por edhe 100-vjetorin e shtëpisë së madhe prodhuese Universal, filmi u shfaq brenda dy ditëve të jashtëzakonshme në kinematë e gjysmës së globit.

E feston edhe Italia

Edhe në vendin tonë fqinj, Itali, takimi me Belushin nuk do të jetë vetëm në errësirën e ekranit të madh. Por një ngjarje e madhe dhe e vërtetë, organizuar në bashkëpunim me Radio Deejay. Janë parashikuar shfaqje të Blues Mobile (makina e famshme dhe gjysmë ‘e pacipë’ e protagonistëve të filmit) përpara vendeve ku do të jenë projeksionet; dhe deri në fund të 15 qershorit, për dëgjuesit e radios ka bileta me short. Gazeta ‘La Repubblica’ për t’i bërë homazh një kryevepre dhe personazheve të saj ‘të çmendur’, e për të çpluhurosur albumet fotografike, mirëpret sendet me shenjën BB: veshje, syze, kapele të zeza, këmisha të bardha në foto, si dhe video. Dhe nuk reshtin njerëzit që në ngjarje të ndryshme të jetës së tyre kanë memorizuar vetveten të veshur dhe me shprehi sfiduese në fytyrë si Blues Brothers.

Ç’ka mbetur 32 vjet më pas?

Dukuria ‘The Blues Brothers’ nuk ka humbur as edhe një grimë nga pushteti i saj për të tërhequr spektatorët. Si vera e mirë që plaket fare mirë, tashmë më shumë se sa një kult i thjeshtë, ai është bërë klasik. Të gjithë e njohin historinë e vëllezërve, të cilët pas një jete të çrregullt, vendosin të ikin “në mision për hir të Zotit” për të ndihmuar murgeshat në jetimoret e tyre, kundër një bande të pamposhtur nazistësh të Illinois. Një gjetje që i detyrohet një mpleksjeje kinematografike mjaft unike: muzikë interesante, kërcime, komicitet i çmendur, por inteligjent, batuta të destinuara për t’u mbetur të gdhendura në mendjen e spektatorit, skena të mëdha aksioni, të xhiruara me 160km/orë në qendra të mëdha urbane plot me njerëz. Gjithçka në një skenë jo të mbuluar, jo hollivudiane, por e rrënuar, sikurse cepat e Çikagos, në të cilat është vendosur historia.

Talentet në krah të Belushit

Për të mos folur për talentet e mëdha që kanë marrë pjesë. Përveç çiftit Belushi-Aykroyd, në vend të vëllezërve Jake dhe Elwood Blues, kujtojmë Cab Calloway, James Brown, Aretha Franklin, Ray Charles dhe shumë të tjerë. Qe për këtë arsye që, në momentin e daljes, filmi solli dhjetëra risi. Falë kalimit gojë më gojë arrin një sukses të bujshëm, më shumë jashtë, se sa në atdhe dhe bëri të rishfaqet në kinema, në emër të një zbavitjeje hollësisht alternative. Brezat dalin nga stina e vështirë e mosmarrveshjeve mes tyre.

Film i të gjitha kohërave

Që atëherë filmi ka vijuar të fitojë të apasionuar në të gjitha moshat. Siç tregon jetëgjatësia e orkestrës The Blues Brothers Band, e cila lindi edhe përpara kinemasë Landis, mbi skenën televizive të Saturday Night Live. Ose fakti që në mitingjet Cosplay, veshja e Jake dhe Elwood është ende një nga më të vlerësuarat. Ose edhe prania e pafund në YouTube e videove amatoriale me kopertinë pak a shumë zbavitëse, pak a shumë mbetje të sukseseve të tyre, për të filluar nga Everybody Needs Somebody to Love. Është pikërisht ky fermentim spontan, që shpjegon përsenë e rikthimit në kinema. Edhe sepse Aykoyd dhe gruaja e Belushit, Judith, janë duke studiuar një seri televizive me trajtime nga filmi dhe, sipas disa zërave, edhe një muzikal. I vetmi hap fals, të paktën deri tani: vijueshmëria zhgënjyese kinematografike e Blues Brothers 2000 me John Goodman dhe Aykroyd. Për më tepër, nostalgjia për një film vërtet special – dhe për heroin e tij të zhdukur – mbetet shumë e fortë. Si në këngën e tyre simbol, vetëdijen që secili nga ne “ka nevojë për dikë që ta dojë”, sikurse edhe në kinema. Dhe në kinema, për t’u dashur, janë me siguri edhe Vëllezërit Blues.

Jetëshkrimi

Lindja-Vdekja: Çikago 24 janar 1949 – Los Anxhelos, 5 mars 1982.

Origjina: Shqiptar

Përvojë: Aktor, këngëtar dhe komik amerikan me origjinë shqiptare, vëllai i madh i Jim Belushit. Me debutimin në Saturday Night Live, është konsideruar për kohën si një nga talentet më të mëdhenj komikë amerikanë dhe botërorë. Debutime të shumta në teatër, televizion, por i famshëm sidomos për dy filma; nën regjinë e John Landis; ‘Animal House’ (1978) dhe sidomos ‘The Blues Brothers’ (1980), në të cilin intepreton në krah të mikut të tij të madh, Dan Aykroyd.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi