Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Dekada pas Empty Dekada pas

Thu 21 Jun 2012 - 19:44
Dekada pas P1000977-300x225“Vështrime të ndërthurura franko-shqiptare” prezanton në Muzeun Historik Kombëtar 150 fotografi bardhë e zi: Shqipëria në vitet 1912-1922. Dekada pas pavarësisë. Koleksionisti Valter Gjoni ka zgjedhur foto të realizuara nga gazetarë dhe operatorë të organeve mediatike franceze, diplomatë francezë dhe gazetarë në radhët e Armatës Franceze të Orientit në Luftën e Parë Botërore. Fotoreporterë të koleksionit janë: Robert Vaucher, André Kertész, Ted Dubray, Frederic Gadmer, Serge Beaurienne, Charles Martel, Konsulli i Francës Leon Krajewski.

Fillon me Ismail Qemalin, me tentativën e tij për t’u lidhur me botën, për të shkuar te Fuqitë e Mëdha, dhe përfundon me ambasadat e para që hapen më 1922, ambasadat Austro-Hungareze, Amerikane, Franceze. Këto ditë mbushen 90 vjet edhe nga ngritja e konsullatës franceze në Shkodër në nivel legate dhe ngritja e konsullit në nivel ministri fuqiplotë. Ndodhi tamam më 16 qershor të 1922.Dekada pas P1000983-300x225Gjoni tregon se fotoja që hap ekspozitën është gjetur në Muzeun e Anijeve në Nisë të Francës. Ajo paraqet varkën e Jahtit “Mekong” me të cilën dërgata shqiptare, ku dallohen Ismail Qemali, Isa Boleti e Luigj Gurakuqi zbriti në portin e Nisës për të marrë rrugën drejt Londrës, më 1913. “Kjo foto mjaft e njohur në tekstet tona të historisë është marrë në Nisë. Për herë të parë paraqesim në ekspozitë imazhin e jahtit “Mekong” i cili më 1 prill 1913 hyn në Gjirin e Vlorës dhe thyen bllokadën greke ndaj qeverisë së Ismail Qemalit.”

Jo pa njëfarë ironie koleksionisti kujton kontekstin historik që ka të bëjë më këtë foto. Jugu i Shqipërisë kishte rënë në duart e grekëve që kishin zënë dhe Gjirin e Vlorës. Ata burra të shtetit të ri shqiptar që duken të pashqetësuar në një det të qetë, me vështirësi kishin dalë nga Gjiri i Vlorës përmes “Mekongut”, për t’u nisur drejt disa kryeqyteteve të Europës dhe në Konferencën e Londrës.Dekada pas P1000998-300x225E gjitha vazhdon me një kronologji të ngjarjeve historike, operacione luftarake, administrimin civil-ushtarak të qyteteve dhe veprimtarinë e ndihmës humanitare në territorin e Shqipërisë.

Pazaret e Esad Pashës, njerëz që kërkojnë ndihmë, ushtarë që varrosin në tokë shkëmbore trupat e të vrarëve, janë vazhdimi i kronikës në vitin 1913 në Shkodrën e pushtuar nga malazezët. “Komandanti i Shkodrës Esad Pashë Toptani i dorëzon çelësat e fortesës princit trashëgimtar të Malit të Zi”. Është e rrallë kjo foto e realizuar nga operatori H. Grant, e botuar në maj 1913 në “L’Illustration”. “Esad Pasha i justifikon prapaskenat e tij me urinë e njerëzve, rrezikun që i kanoset Shkodrës, por këto dhe artikujt e kohës që do të ekspozohen sonte na vijnë si dëshmi me mjaft vlerë”, thotë Valter Gjoni. Krahas koleksionit fotografik Gjoni ka krijuar edhe një koleksion gazetash franceze “L’Illustration”, “Le Temps”, me rreth 100 artikuj që komentojnë ngjarjet në foto. Ai ka realizuar dy libra të mëdhenj duke ndërtuar kësisoj një histori shqiptare 1912-1922 përmes shtypit frëng. Është një model për të cilin Gjoni është frymëzuar nga Patrick Najbor, historian francez, autor i një monografie prej pesë vëllimesh kushtuar historisë së mbretërisë shqiptare (1928-1939). “Dhe ai më krijuar bindjen që jo vetëm arkivat, por edhe shtypi është një burim informacioni i domosdoshëm për historinë”, komenton koleksionisti.

Marsin që shkoi Valter Gjoni i kushtoi një ekspozitë fotografike Republikës Autonome të Korçës në vitet 1917-’19, duke sjellë bashkëjetesën franko-shqiptare, e ushtarëve me popullin e Korçës. Fotot ishin nxjerrë nga koleksionet e Médiathèque de l’Architecture et du Patrimoine të Ministrisë franceze të Kulturës, në Paris.

Edhe kjo pjesë, meqë lidhet me “ndërthurjet franko-shqiptare”, ekspozohet sonte në MHK. Ajo përbën pjesën përmbyllëse.

Korça, Vlora, Shkodra me qendrat e tyre administrative civile-ushtarake, zënë vendin kryesor. Pamjet nga qytezat e Sarandës, Delvinës, nga Shijaku, Tepelena, Bilishti, Erseka, Shën Naum, përcjellin parada ushtarake, porte të zëna nga forca ushtarake, karvane në ura guri, stacione të të huajve në pragjet e vendasve, dyqane e tregje të djegura. “Mua më duket që gazetarët e asaj periudhe kanë mundur të shkojnë në gjithë llojet e fronteve. Ka edhe kronika të fshehura, ku thuhet, për shembull, një pikë vrojtimi serbe e marrë nga dritarja e kishës.” Ky është komenti i Gjonit për punën e ekipit prej 10 gazetarësh francezë që do të realizonin “reportazhe lufte” në gjithë territorin e Ballkanit, jo vetëm në Shqipëri, në vitet 1912-1922.Dekada pas P1000992-300x225Muzeologu Enver Kushi, specialist pranë MHK-së, e konsideron “Vështrime të ndërthurura franko-shqiptare” një nga ekspozitat më interesante kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë. “Fotografitë e koleksionit të Gjonit tregojnë çka nuk e gjejmë të trajtuar me objektivitet nga historiografia jonë zyrtare, për periudhën më dramatike, më të çuditshme dhe më pak të njohur në historinë e shqiptarëve.” Kushi shton se Ministrisë së Kulturës nuk i mungojnë paratë, por njohja për të investuar në drejtimin e duhur. Botimi i një albumi me fotot e këtij koleksioni, është një gjë. Një sugjerim tjetër i muzeologut, është nderimi në këtë 100-vjetor të pavarësisë i personaliteteve të huaja me kontribut në historinë e shqiptare të asaj epoke si Justin Godard apo koloneli Tomson, të dy personazhe në imazhet e ekspozitës.

“Vështrime të ndërthurura franko-shqiptare” hapet sonte, ora 19.00, dhe qëndron në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar deri më 1 korrik. Organizohet me mbështetjen e Ambasadës Franceze dhe Bashkisë së Tiranës. shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi