Media shqiptare, dilema për një vit
Sun 24 Jun 2012 - 12:18
Prof. Artan Fuga mes studentëve të Shkencave të Komunikimit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve kombëtare për gazetarinë radio televizive
Valeria Dedaj
Akademia e Vlerësimit Vjetor të Radio Televizionit krijuar nga Instituti AKT, shpall çmimet për vitin shtator 2010-qershor 2011 për radiot dhe televizionet. Është viti i tretë që kjo akademi mbi bazën e një analize të hapësirës radiotelevizive shqiptare në harkun kohor të një viti dhe në fund bën vlerësimin. Kjo është detyra e një bordi të qëndrueshëm i cili reflekton përpjekjet, mundin, prurjet e reja, investimet që ndërmerren nga televizionet e që të gjitha këto pasqyrohen në punën e gazetarit. Në vlerësimet e këtij viti ka padyshim emra të njohur, personalitete televizive, por dhe të rinj ambiciozë. Çmimet shkojnë për programet më të mira që janë produkt i investimeve të kapitalit njerëzor dhe material. Anëtarët e bordit të Akademisë: Nevila Nika, Zamira Koleci, Artan Fuga, Remzi Lani, Gëzim Qendro, Lufti Dervishi, pasi analizuan kandidaturat sipas kategorive, certifikuan fituesit e edicionit III. Prof. dr. Artan Fuga bëri të ditur mënyrën e vlerësimit e cila ndjek disa shkallë. Së pari, vjen vlerësimi profesional që është një analizë që bëhet në rrethe të mbyllura dhe jepet nga profesionistët e redaksive përkatëse, por dhe nga kritikët e specializuar. Vlerësim i dytë vjen nga publiku masiv, kriteret e vlerësimit të të cilit ndryshojnë nga të profesionistëve, sepse ndoshta jepet mbi bazën e pëlqimit, argëtimit apo humorit që ngjall tek ai. Dhe vlerësimi i tretë që vjen nga liderët e opinionit, të cilët gjykojnë mbi pëlqyeshmërinë e tyre. Gjithsesi prof. Fuga e quan relativ gjykimin e Akademisë që bën pjesë në pluralizmin e gjykimit mediatik, “ndoshta një grupim tjetër apo në një organizim tjetër mund të kishte zgjedhur rezultate të tjera”. Por thelbi i problemit, i medias shqiptare, sipas prof. Fugës, ndodhet te sfidat dhe rreziqet e revolucionit teknologjik-numerik që kërkon gazetari të re, gazetari tjetër, tjetër komunikim me publikun, tjetër financim. “Në qoftë se e kap trendin e revolucionit numerik teknologjia e internetit, uebit ka një të ardhme të madhe për industrinë e informimit kombëtar. Nëse nuk e kap, kriza do të ishte me pasoja të jashtëzakonshme. Aktualisht ne e ndiejmë këtë gjë prandaj është nevoja për koncepte të reja dhe për mënyra të reja administrimi.”
Ishte kjo një parantezë e problemeve – ku “përjashtohet” shtypi i shkruar – për të kaluar në vlerësimin e gazetarëve më të mirë radio-televizivë që punojnë në një klimë dhe zhvillim me dilema e të mëdyshur për të cilin flet prof. Fuga.
“Personazh i Vitit” u shpall Ilva Tare për “rikthimin dinjitoz në ekranin shqiptar dhe profesionalizmin” në gazetarinë televizive; dhe Adi Krasta të cilin sondazhi i studentëve të Shkencave të Komunikimit, e ka vlerësuar “Profesionist i medias vizive”. “Është shumë bukur kur vlerësohesh, pavarësisht se shpesh herë puna të lë pa gjumë natën dhe shpesh herë të ngre në peshë. Vlerësimi të bën ta harrosh çfarë ka kaluar më parë, por dhe të heq drojën dhe frikën për të ardhmen. Gjithashtu ky profesion më ka mësuar që pa mirënjohje nuk ka vlerë asgjë”, tha Tare në ceremoninë e çmimeve mbajtur mbrëmjen e 20 qershorit në Tiranë.
“Programi më i Mirë Radiofonik” i vlerësuar për “idenë, informacionin, argëtimin, etikën”, iu dha emisionit “Klubi mëngjesit” i realizuar nga Blendi Salaj, Jerida Sakaj dhe Altin Sulaj. Edhe për radiot vështirësitë janë të mëdha, sidomos të natyrës ekonomike. “Radiot janë media më të vogla se televizioni dhe sasia e reklamës për to është relativisht e ulët, prandaj mungojnë dhe gjërat e bukura që mund të bësh duke ngelur i kufizuar vetëm brenda për brenda territorit të Tiranës”, thotë Salaj. Me pak vite punë në media, Blendi tregon se deri tani është ndjerë i lirë në shprehjen e mendimeve dhe opinioneve, pa patur kufizime nga pronarët. Në ka një problem që e shqetëson atë, është matja e audiencës. “Edhe pse drejtoj një emision mëngjesi që është shumë i dëgjuar, reklama ka pak sepse emisioni im nuk është i ndikuar nga ndonjë politikë”.
Me fjalë të tjera, është për t’u parë me dyshim dhe për t’u sqaruar në një të ardhme ajo që shumë media radio-televizive thonë për veten: jemi të parët.
Ervin Goci, specialisti i medias vizive, është fitues për “Shkrimin shkencor mbi median vizive” me titull “Dinamika në skedulimin e programacionit në median vizive”. Goci ka parë në distancë sesi ka ndryshuar në dy vjet programacioni në median vizive shqiptare. Ka konstatuar se programet kanë lëvizur drejt “reality show”-t. “Programet që kanë reklamën apo një logo identifikuese janë reality show, ndërsa ato që nuk e kanë janë drejt zhdukjes. Sepse publiciteti ushtron diktat në bërjen e programacionit. Mënyra sesi sponsorizohet pa matje audience është thjesht kontribut që shpërndahet. Audienca ose matet në mënyrë primitive nëpërmjet telefonatave ose nuk matet fare.”
Goci, pedagog në Shkencat e Komunikimit, plotëson grupin e tridhjetëvjeçarëve që u vlerësuan këtë vit me çmimin e AVVRTSh. Ai e quan ngjarje të rëndësishme këto vlerësime sepse mediat funksionojnë si një rreth i mbyllur ku aktorët vlerësojnë njëri-tjetrin. “Mendimi i specialistëve të komunikimit është mjaftë i rëndësishëm për gazetarët që të ndryshojnë taktikën e të punuarit gjatë ditës apo të reflektojnë sesi të dalin nga rutina e punës”, thotë Goci.
“Spektakli i Vitit “për impakt të gjerë në publik, imazh dhe zbavitje” u vlerësua “Këngët e Shekullit”, edicioni III, me Spektaklin e Këngës Popullore Qytetare Shqiptare” në Tv Klan me autorë Pandi Laçon, Adi Hilën dhe Blendi Laçon.
“Manifestimi Muzikor i Vitit” shpallet “Top Fest”, për interpretimin “Live” të artistëve të muzikës moderne shqiptare.
“Programi ditor për Informacion, Edukim, Emancipim, Vlerë” vlerësohet “Takimi i Pasdites” me autore dhe drejtuese Rudina Magjistarin në Tv Klan.
“Programi më i mirë argëtues për zbavitje dhe impakt në publik” shpallet “Apartamenti 2XL”, edicioni II, me autor Turjan Hyskaj. Për Turjanin i cili ka tetë vjet që punon në media “fansat dhe reklamat janë një tregues i vazhdimësisë së programit tonë”.
“Gazetar i Vitit” është Blendi Fevziu, për intervistat e realizuara, për bisedat në studio, etikën profesionale, analizën dhe informacionin. “Moderatori më i mirë i debateve” shpallet Sokol Balla për emisionin “Top Story” në Top Channel. “Reporter i vitit” është Marin Mema në ciklin e emisionit “Shqipëria tjetër”. Çmimi “Folësi radio-televiziv më i mirë” i jepet Dhimitër Gjokës. Kurora e çmimeve që është Çmimi i Karrierës i jepet Vera Zhejit (79 vjeç): “Zëri i memories së radios shqiptare dhe dëgjuesve të saj.”
Çmimi i Karrierës
Vera Zheji (79 vjeç) e nisi punën si spikere në Radio Tirana në vitin 1948. Emisionet e saj të para kanë qenë emisionet e rinisë. Krijoi emisione të ndryshme si Bota e përrallave, Universiteti popullor i radios, Enciklopedia e radios e disa të tjera, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unikale të të lexuarit jo vetëm për lajme, por dhe për gjëra kulturore.
Në vitin 1975 Vera Zheji lë përfundimisht Radion dhe emërohet pedagoge e Fjalës Artistike në degën e teatrit, në Institutin e Lartë të Arteve, deri në vitin 1988 kur doli në pension.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi