- SilvanaPrinceshe Forumi
- Gjinia :
Mosha : 32
Postime : 9370
Hobi : moda,leximi,poezia..ecc
Vendndodhja : In Italia
Anetaresuar : 03/10/2011
Luana: Makthi i persekutimit 3-vjeçar të një pedagogu të fiksuar pas meje
Sun 1 Jul 2012 - 16:12
E kam menduar shumë herë të bëj denoncim, por nuk kam dashur t’i bëj keq një personi që ndoshta më do me të vetën.
Një 20-vjeçare hokatare si Luana Vjollca mund të bëjë shumë meshkuj të fiksohen pas ekranit, me dëshirën për ta njohur në realitet. Në “Top Fest 9” ajo prezantoi së bashku me motrën e saj Marina, me epitetin “Bad girl”, siç i shkon për shtat një vajze çapkëne në jetën reale. E ka nisur si velinë, dhe brenda gjashtë viteve ngjiti shumë shkallë menjëherë, për ta gjetur veten si prezantuese energjike në “Pallatin e Kongreseve” duke prezantuar një festival. Por çfarë ndodh pas kamerave në jetën e njërës prej motrave të njohura të “Top Channel”? Për herë të parë, Luana zbulon shumë sekrete të jetës së saj, dhe historinë personale se si një fans prej tri vitesh e ndjek i fiksuar pas saj.
Këtë vit bën 21 vjeç, çfarë të pret në karrierën tënde, ndërkohë që po hyn në moshën e maturisë?
Për sa i përket karrierës sime, mund të them se ka ardhur rastësisht nga fillimet e mia, e përpos punës së madhe gjatë viteve, jam e bindur që në radhë të parë ka qenë dhuratë nga Zoti. Tani mbetet në dorën time për të arritur objektivat që i kam vendosur vetes, që do punë të madhe edhe vullnet të paepur. Për momentin po mendoj vetëm për pushime, e nga shtatori shihemi me projekte të reja.
Ke menduar të bëhesh pjesë e muzikës, meqë ”Top Fest” të ka përfshirë shumë në botën e muzikës?
Pyetje e bukur kjo! Unë në fakt e kam një lidhje me muzikën, edhe pse e kam permendur vetëm një herë këtë fakt. Mamanë e kam pasur këngëtare shumë të mirë të re, dhe vetë kam studiuar për një periudhë të shkurtër kanto në vogëli, mirëpo për arsye të ndryshme e lashë këtë rrugë, edhe pse sot pendohem sepse vërtet e dua shumë muzikën, dhe do e veçoja si pasionin tim më të madh. Tani këndoj vetëm në shtëpinë time me familjen time, meqë dëshira më e madhe e tyre është t’i futem këngës, gjithsesi muzika mbetet thjesht hobi im dhe ndoshta një ditë mund të plotësohet kjo pjesë.
Në këtë rrugëtim televiziv keni krijuar një dyshe shumë të veçantë në televizion me Marinën. Çfarë ju ndan në shijet apo karakterin tuaj në jetë?
Po, është krijuar kjo dyshe, por jo me dashjen tonë. Ne në fakt këta tipa jemi dhe në realitet. Mua më karakterizon tipi i djalit se për djalë u nisa (qesh), tipi i hokatares që më pëlqen të bëj humor, të këndoj, të kërcej… Ndërsa Marina është tip i qetë, ajo gjyqtarja që do të bëhet në të ardhmen, dhe është ajo që vendos dhe që më thotë “Mjaft!” kur unë e “teproj”!. Jemi vërtet gjysmat e njëra-tjetrës, është pikërisht ky komportim kaq i bukur që na dha mundësinë të na besojnë emisione të mëdha, fillimisht me “E diell” e më pas na patë kudo bashkë si një e tërë.
Në këtë karrierë televizive pa dyshim që janë shtuar dhe fansat. Cila është relatat jote me ta? I takon, si i merr fjalët e mira prej tyre?
Në të vërtetë, unë nuk e di sa shumë fansa kam. Jam e lumtur që në faqen time zyrtare në facebook ka shumë njerëz që më komentojnë, pa diskutim më komplimentojnë, por ka edhe nga ata që më bëjnë kritika dhe jam e hapur kundrejt tyre nëse janë të drejta, sepse gjithmonë ka diçka për përmirësim. Jam e lumtur që kam shumë njerëz që më ndjekin “non stop” në çdo dalje timen. E këta për mua janë fansat e mi të besuar, fakt që më bën të lumtur. Ndihem e entuziazmuar kur më ndalojnë në rrugë e më vlerësojnë për punën time, jam e hapur kundrejt tyre dhe gjej rastin t’i falënderoj pa masë të gjithë. A meqë jemi te kjo pjesë, dua të tregoj diçka interesante. Së fundi kam zbuluar se fansat e mi më të mëdhenj janë djemtë e vegjël 2-5 vjeç. Vazhdimisht prindërit e tyre më tregojnë që, nëse duan t’i japin për të ngrënë dhe s’dëgjojnë, i vendosin motin të regjistruar (qesh).
Zakonisht ka fansa që dashurohen pas një imazhi televiziv. Të ka ndodhur diçka e tillë, është fiksuar ndonjë djalë pas teje?
Më vjen mirë për këtë pyetje, se nuk ma kanë bërë më parë. Edhe pse është një ngjarje që ka tre vjet që po më ndodh, unë nuk kam dashur ta bëj publike, sepse kam menduar se është një person që thjesht më do nga ekrani. Gjërat janë tejkaluar, duke qenë se është një person që më bezdis, të them të drejtën çdo ditë, që prej tri vitesh. Unë nuk besoj se këta janë fansa, më shumë sesa njerëz të fiksuar pas diçkaje që nuk ekziston. E do doja t’u bëja një thirrje të tillë njerëzve, sepse në fund të fundit duhet të jetojnë në realitet. Edhe mua më ka ndodhur që e vogël të kem simpati për një personazh publik, por gjërat nuk duhet të tejkalohen, sepse kalojnë në shqetësime dhe më të mëdha se ç’duhet. Kam menduar shumë kohë se është një person që më ka për zemër nga ekrani dhe më ndjek rregullisht në çdo dalje timen. Si fillim më është bërë qejfi, sepse vura re një interes të madh nga ana e tij. Por pas tri vitesh ka ardhur koha t’i them “Stop!” këtij personi, pasi tashmë po më shqetëson vërtet.
Ti thua se ka tre vjet që ai të shqetëson. Si është përpjekur të hyjë në kontakt me ty?
Nuk do doja shumë të flisja për këtë çështje, pasi kam preferuar të qëndoj larg, sapo vura re që nuk ishte më normale ajo çka po ndodhte me ate person. Jam munduar të qëndroj indiferente. Mirëpo me aq sa mund të them, ai mundohet të jetë në kontakt të përditshëm me e-mailin tim, duke më shkruar edhe nëpërmjet njerëzve të tjerë.
E ke takuar ndonjëherë, çfarë di për të?
Unë nuk jam informuar shumë, pasi nuk më intereson. Mund të zbuloj vetëm inicialet O.Z dhe thotë që është profesor në një universitet. Nuk e kam takuar dhe nuk e di nëse më përndjek ose jo. Di që është i informuar gjithmonë se ku ndodhem, dhe kjo është shqetësuese të dish se të ndjek përditë një person i fiksuar pas teje.
Atëherë po thua që tashmë është kthyer në një problem, të ka shkuar në mendje të bësh një denoncim ndaj këtij personi?
Të them të drejtën, po. E kam menduar shumë herë të bëj një denoncim, por nuk kam dashur t’i bëj keq një personi, që ndoshta më do me të vetën. Kjo është arsyeja që nuk kam bërë denoncim deri tani, pasi nëse do e çoj në polici, sigurisht që do merren masa kundrejt tij.
Je penduar ndonjëherë që je pjesë e ekranit, kur mendon që ka dhe persona që mund të fiksohen kështu pas teje?
Nuk pendohem asnjëherë për hapat që marr në jetën time, pasi nëse do isha penduar nuk do isha këtu. Unë gjithmonë kam qenë çapkëne, më pëlqen të aktroj, të këndoj e të merrem me art, por nuk kam menduar të bëhem pjesë e televizionit për ndonjë arsye të veçantë, ndaj për faktin se si kanë rrjedhur gjërat nuk pendohem që po bëj këtë rrugëtim të bukur në jetën time. Televizioni ka të mirat dhe të këqijat e veta, por mua më ka rezervuar shumë surpriza deri më tani.
Duke të krahasuar me Marinën, ti je ajo që je përmendur më shumë në shtypin rozë, ndërsa Marina pothuaj aspak. Pse ka ndodhur kështu?
Do doja shumë të isha Marina (qesh). Nuk e di pse ka ndodhur kështu, por di që jam cenuar shumë. Po të kisha dashur të isha pjesë e mediave për jetën personale mund ta bëja shumë thjesht, por zgjedhja ime ka qenë tjetër. Për jetën private s’kam pasur kurrë dëshirë të flas dhe të jap asnjë intervistë.
Luana: I besoj dashurisë me shikim të parë, mua më ka rezultuar se ekziston.
I beson dashurisë me shikim të parë, jetës me një mashkull të vetëm, dhe martesës ideale me shumë fëmijë. Në këtë intervistë na përmbys të gjitha përshtypjet e krijuara për tipin e vajzës çapkëne apo moskokëçarëse. Ja sa seriozisht e merr jetën Luana Vjollca…
Je tipi që ankohesh se s’ke kohë, apo kohën mund ta gjesh për gjithçka nëse do?
Besoj nëse do të bësh diçka mund ta bësh, sado e lodhshme apo e papërballueshme mund të duket. Ka kohë për gjithçka.
Je një parashikuese e motit, në jetën tënde u beson parashikimeve të fatit?
Jo, nuk jam supersticioze. Ndoshta vetëm po kaloi macja e zezë (qesh). Nuk u besoj këtyre gjërave, pasi unë besoj vetëm te Zoti.
Ke menduar ndonjëherë të bësh një emision tëndin, dhe si mund të ishte?
Nuk e kam menduar, por edhe nëse e mendoj do e mendoj së bashku me Marinën, sepse siç e thashë më sipër jam e plotë vetëm me të në krah. Nëse do bëjmë një program, do na përkasë ne të dyjave dhe do jetë mjaft mirë i menduar.
Si vajzë çapkëne që je, çfarë aventurash je e gatshme të bësh në jetën tënde?
Hmmm… S’e di, do bëja gjëra që janë pa rrezik se nuk jam aq e guximshme sa dukem, jo (qesh).
Je pro apo kundër martesës?
Pro, absolutisht.
Familjen tënde do ta krijosh shpejt apo vonë?
S’e kam menduar këtë pjesë se jam ende e re për ta menduar, por pa diskutim që dëshiroj një familje ideale.
Dëshiron një fëmijë apo shumë?
Shumë fëmijë, por të parin djalë (qesh).
Dukesh e vajzë e fortë, cila është pika jote e dobët që mund të të thyejë?
Pika e dobët? Këte s’e them! Mirëpo si çdo njeri, ka shumë gjëra që edhe mua më trishtojnë. Pavarësisht se në shumicën e rasteve preferoj të shoh gjithçka me optimizëm, të besoj që çdo vështirësi kalon, por njeri të pathyeshëm nuk ka.
I beson dashurisë me shikim të parë dhe a mund të zgjasë?
Mua më ka rezultuar se ekziston dhe se mund të zgjasë.
Beson vërtet se pasioni në dashuri jeton vetëm tre vjet?
Kështu thuhet? Jo s’e besoj.
Dashurinë duhet ta kërkosh apo ta presësh?
Unë besoj që dashuria vjen kur s’e kërkon.
Ti je e dashuruar?
Unë jam e lumtur. Kam dhënë gjithmonë këtë përgjigje, dhe nuk e jap këtë përgjigje se dua t’i shmangem thelbit të pyetjes, por vërtet ndihem e tillë dhe kur them “Jam e lumtur” është e kuptueshme gjithçka.
Ia vlen që gjithë jetën ta kalosh me një burrë të vetëm?
Absolutisht po. Nëse ekziston dashuria e vërtetë, dashuria jote e jetës, ia vlen ta kalosh gjithë jetën me një mashkull.
Bukuria jote është bukuri e trajtuar apo origjinale?
Çuditërisht në këtë pjesë nuk shquhem për vullnet të madh, për shembull të merrem me palestër apo të trajtohem rregullisht. Mundohem të jem sa më e përkujdesur, sepse duhet të jem e tillë edhe për shkak të punës sime, por nuk jam shumë e fiksuar pas kësaj pjese.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi