Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Dy familjet ndahen në varrimin e foshnjës Empty Dy familjet ndahen në varrimin e foshnjës

Wed 1 Aug 2012 - 18:47
Dy familjet ndahen në varrimin e foshnjës B_250_200_16777215_00___images_Thelle_hysen-peposhiLindita Çela

Pas ekzekutimit makabër të foshnjës, Lule Biba, është strehuar në familjen e prindërve të saj, në Bathore të Tiranës. Aty jeton prej vitesh fisi Peposhi, edhe këta me origjinë nga Kukësi. Aty ishin mbledhur gjithë burrat e fisit. Pas tragjedisë së ndodhur, babai i Lulës është kthyer nga Italia, ku ngjarja e ndodhur më shumë se sa mort, për të është turp që shpatullat e tij prej malësori se mbajnë dot.

Është fort i bindur se e bija, Lula, nuk e ka çnderuar, e se gjithë sa ka ndodhur është një thashethemnajë grash, që deri më tani viktimë të vetme ka patur një foshnje dyditëshe. Për gazetën “Shekulli”, Hysen Peposhi rrëfen historinë se si e dërgoi të bijën nuse, në një derë të fisme, por që shumë shpejt kjo krushqi u shndërrua në makthin e një babai. Hyseni dëshmon se dhëndri i tij, nuk është me problem mendore, por se gjithçka e ka llogaritur për të turpëruar derën e tij. E këtë, me zakonet e tyre, e lanë vetëm gjaku.

Z. Hysen, nipi juaj është vrarë dje në mënyrë makabre, a jeni në dijeni si ka ndodhur ngjarja?

Ajo që mund të them është se veç një ngjarje e momentit nuk ishte. Ai e ka planifikuar gjithë sa ka bërë. Por, ne do të presim përfundimin e disa analizave e më pas do të flasim për këtë. Nuk është aspak e vërtetë që ai është zënë dje me vajzën time. Jo. Ka shkuar në dhomë krejt i qetë. Ka pirë një cigare e më pas ka kërkuar të mbante djalin në duar. Lulja ka kujtuar se donte ta mbante në krahë dhe ia ka dhënë. Teksa ajo po merrej me rregullimin e krevatit e ka hedhur djalin nga dritarja. Më pas, krejt i qetë është larguar, a thua se nuk ka bërë asgjë. Gjithçka e ka planifikuar.

Thuhet se mes vajzës suaj dhe burrit të saj ka pasur grindje, është e vërtetë kjo?

Po. Madje prej dy muajsh Lulja qëndronte në shtëpinë time, pasi ai, thuajse e kishte përzënë, duke i vendosur edhe thikën në fyt. E ka rrahur shtatzënë dhe e ka sjellë këtu. Por, unë gjithmonë shpresoja se gjërat do të rregulloheshin, edhe pse ai na paralajmëroi para dy ditëve se do të bënte një gjë. Kurrsesi nuk na e mori mendja që do të kryente një akt kaq makabër.

Pse, çfarë ju ka thënë?

Po ja, ka dërguar një sms kur na thoshte se do të bënte disa gjëra. Ajo që mendova është se edhe për djalin e dytë do të kërkonte të bënte sërish analiza të AND-së, por kjo gjë nuk na shqetësonte se isha i sigurt për vajzën time.

Ky ishte dhe motivi i grindjeve të tyre?

Në fakt, ata fillimisht shkonin mirë, por kur lindi djali i parë aty ka filluar i gjithë sherri dhe fiksimi i tij. Gjithsesi, pasi ne bisedonim, gjërat qetësoheshin. Unë besoja se kjo histori do të merrte fund, por jo që të përfundonte në këtë mënyrë dhe me këtë turp kaq të madh që ai ka hedhur mbi ne. E gjithë kjo ka nisur nga një telefonatë, që ai i ka gjetur Lules. Telefonata ishte bërë nga vjehrra e Lules që kishte përdorur telefonin për të thirrur të birin. Hysniu ka parë telefonin dhe e ka pyetur për këtë thirrje, të cilën dhe pse e ëma i ka dalë për zot sërish nuk është bindur. Por, prej asaj dite veç sherr kanë patur. Madje ai i ka bërë analizat e AND-së djalit të madh e vetëm atëherë është bindur. Këtë gjë do të bëjmë ne tani. Unë i kam kërkuar mjekëve të ekspertizës ligjore të bëjnë analizat e foshnjës dhe pas përfundimit të tyre do të flasim për këtë gjë. Është një turp që nuk e mbaj dot.

Kur vajza juaj nuk shkonte mirë me bashkëshortin e saj, përse nuk divorcohej?

Sepse mendonim se gjërat do të zgjidheshin. Kur unë bisedoja me të më thoshte se nuk kam asnjë. Për disa kohë gjërat shkonin shumë mirë mes tyre.

Sipas policisë, Hysni Biba është person depresiv, keni konstatuar ju probleme me dhëndrin tuaj?

Jo aspak. Si mund të lija unë vajzën time tek një njeri me probleme... Përkundrazi. Ishte një njeri normal. Ai e ka llogaritur gjithçka, madje edhe faktin që është i sëmurë e ka sajuar bashkë me tezen e tij. Përveç debatit mbi atësinë e fëmijës, ai nuk kishte asnjë konflikt tjetër.

Tashmë dhëndri juaj është i arrestuar, mendoni se me dënimin e tij vihet drejtësia në vend?

Drejtësia ka punën e saj dhe ne tonën. Por do i marrim gjërat me radhë. Do presim një herë analizat.

Po në varrimin e nipit tuaj do të shkoni?

Jo. Ne nuk kemi punë atje. As vajza, bashkë me djalin e saj të madh që është dy vjeç e gjysmë, nuk ka më punë në shtëpinë e tyre.

Lulja është martuar me dashuri?

Jo. Me shkesë e gjithçka është bërë sipas zakonit. Tre vjet të shkuara, më vjen në derë babai i Hysniut e kërkon dorën e vajzës. Hysniu sapo ishte kthyer nga Londra. Si familje i njihja, por dhe ai nuk u duk aspak me problem. Na u duk rast i mirë për të rregulluar vajzën dhe vendosëm për martesën e tyre. Gjithçka shkonte shumë mirë deri në ditën që ai nisi të dyshonte mbi atësinë e fëmijës së tij. Dhe e vërteta do të dalë shumë shpejt.

“Nuk dimë pse e bëri, vëllai nuk ishte mirë mendërisht”

Nesim Biba dhe fisi i tij i tremben Kanunit. Kërkojnë bisedime, por asnjë përgjigje nga krushku

Dyert e mortit nuk janë hapur në familjen Biba, në afërsi të liqenit të Farkës, ku pothuajse i gjithë fisi është vendosur aty pas viteve 90-të. Më shumë se sa një lagje e kryeqytetit, kodra ku është vendosur fisi Biba, përngjan me një Kukës të vogël. Të njëjtat adete e të njëjtat zakone. Pa lejen e burrave gratë e fisit nuk e kapërcejnë pragun e shtëpisë, ndaj aty askush nuk ia ka parë fytyrën Lules, gruas së cilës fëmija iu ekzekutua në mënyrën më të tmerrshme para syve, nga burri i saj. Por kjo ngjarje e llahtarshme nuk ka futur në zi fisin Biba. Askush nuk vajton e derdh një pikë loti për foshnjën që vetëm dy ditë i panë dritë sytë. Gratë e shtëpisë nuk e kanë ndryshuar aspak zakonin e veshjen si në ditët e tyre më të mira. Qëndrojnë brenda mureve të larta të shtëpisë e presin fjalën e fundit të burrave që janë mbledhur, por, jo për të vajtuar. Ata mendojnë si ta mbyllin këtë ngjarje pa gjak. Drejtësia ka punën e saj, por duket se këtyre anëve forca së cilës të gjithë i frikësohen është vetëm Kanuni. Ky është halli më i madh i Nesim Bibës, vëllait të babait mostër. Gjatë gjithë ditës së djeshme është përpjekur të bisedojë me krushkun e tij. Si për të fituar mëshirën e tyre, Mersini ka hapur vetë gropën e varrit të foshnjës dyditëshe. Rreth mesditës, me një lopatë e kazmë në dorë i është drejtuar kodrës, për të hapur varrin ku do të prehen eshtrat e njoma të viktimës më të pafajshme në këtë tragjedi. “Vdekja nuk është halli i vetëm që na ka rënë. Ne nuk dimë asgjë. Im vëlla nuk ishte mirë në gjendjen mendore. Nuk di ç’të them pse e ka bërë. Asnjë prej nesh nuk di asgjë. Menduam se i kishte dhënë fund problemeve të tij, por ja ndodhi ajo që ndodhi”-thotë Nesimi teksa merr rrugën për t’i hapur varrin nipit të tij. E ndërsa në famijen Biba askush nuk flet mbi ngjarjen horror, në lagje tregojnë se Hysen Biba nuk njihet si njeri problematik. Fillimisht ka qenë emigrant në Londër e më pas shkonte dhe vinte shpesh nga Italia. Perveç se një djalë punëtor e në hall të vet, askush nuk di të thotë gjë tjetër për babain monstër. Sa për bashkëshorten e tij, Lulen, për tre vjet që ajo ka qëndruar në derë të fisit Biba, askush nuk e ka parë të kapërcejë pragun e shtëpisë.

Hysen Biba

Dëshmia në polici: “E hodha se kështu ma dha truri”

Hysen Biba nuk e ka humbur për asnjë moment mendjen teksa ka rrëfyer për oficerët e policisë ngjarjen horror që ka tronditur tërë opinionin publik. Për më shumë se 2 orë 29-vjeçari ka rrëfyer, jo vetëm marrëdhënien e tij me bashkëshorten, por dhe itinerarin dhe arsyet e vrasjes së foshnjës së tij dyditëshe. “E vrava se kështu ma ka dhënë truri. Me gruan kishim muaj që ziheshim, por këto janë punët tona”-mësohet të ketë thënë foshnjëvrasësi në polici. E ndërsa, gjithë skenën makabre e ka argumentuar si një veprim normal të çastit, Hysni Biba ka thënë se pas ngjarjes ka marrë makinën dhe ka shkuar sërish në shtëpinë e tij, në kodrën në afërsi të liqenit të Farkës. Aty ka kërkuar të takojë një prej kushërinjve e më pas ka marrë arratinë. Njeriun më të besuar ka gjetur dajën e tij me të cilin, pas tentativës së dështuar për të ikur në Kukës, është dorëzuar në Komisariatin nr 5 ku dhe ka dhënë dëshminë e parë për ngjarjen e ndodhur në maternitetin “Koço Glozheni” në mbrëmjen e së hënës. Gjatë ditës së djeshme nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes janë marrë në pyetje edhe të afërmit e Hysen Bibës. Kështu, sipas burimeve, mësohet se ata kanë dëshmuar se 29-vjeçari vuante nga depresioni dhe prej dy ditësh nuk kishte marre mjekimin. Sipas, dëshmisë së dhënë, mësohet se familjarët e tij kanë shpresuar se së fundmi çifti i ishte rikthyer paqes. Gjatë pasdites së hënë Hyseni kishte kërkuar të dërgonte ushqim dhe rroba së shoqes e cila ndodhej në maternitet prej dy ditësh. E ndërsa, gjithkush e ka parë si ogur të mirë, Hysen Biba duket se kishte planifikuar vrasjen e tmerrshme të foshnjës dyditëshe. E ndërsa, ngjarja ka tronditur tërë opinionin publik, mësohet se 29-vjeçari do t’i nënshtrohet edhe ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar gjendjen mendore. Sot ai pritet të dalë para togave të zeza për tu vlerësuar masa e arrestit.

Lë maternitetin e sëmurë

Sa është zbardhur dita, Lule Biba ka braktisur maternitetin. Në duar mbante rrobat e foshnjës që iu gëzua veç dy ditëve të para të jetës. Mësohet se asnjë prej mjekëve nuk ka firmosur daljen e gruas lehonë nga spitali për shkak të gjendjes së saj shëndetësore. Me gjithë traumën e kaluar asnjë psikolog nuk është kujdesur për të.

Ngjarja

Rreth orës 21:00 Hysni Biba ka hyrë në dhomën katit të katër të maternitetit “Kiço Glozheni” i kërkon gruas të mbajë fëmijën në duar, e përkundi pak dhe më pas e hodhi nga dritarja. Foshnja ka rënë në një pjesë të tarracës. I gjithë personeli që punonte u terrorizua. Fëmija u mor dhe u vendos në pediatri ku u asistua nga mjeku-roje. Iu nënshtrua frymëmarrjes artificiale. Megjithëse kishte fraktura të panumërta në trup dhe hemorragji të brendshme në bark e në kokë, fëmija jetoi dhe për pak minuta. Më pas, brenda 10-15 minutave vdes

Rrëfimi i mjekut

Nëndrejtori i maternitetit ‘Koço Gliozheni’ ka rrëfyer ngjarjen e rëndë të ndodhur natën e së hënës që, sipas tij, nuk ka patur asnjë mundësi shpëtimi për foshnjën dyditëshe. “Brenda 10 minutave të para fëmija ka vdekur. Padyshim traumat ishin të tilla që nuk besoj se kishte mundësi për t’u shpëtuar. Ndërkohë, nga ky moment gjendja e nënës ka qenë relativisht e rënduar dje. Fëmija ishte me një peshë shumë të mirë, 4 kg dhe kishte parametra të shëndetshëm.”,- rrëfeu nëndrejtori i ‘Koço Gliozheni’, Agron Aliaj.

Varrimi

Lule Biba nuk ka mundur të marrë pjesë në varrimin e foshnjës së saj. Lulja thuajse është nën efektin e qetësuesve, por dhe situata mes dy familjeve duket se nuk ia kanë mundësuar nënës t’i hedhë një grusht dhe foshnjës. Dje, rreth orës 17-të, familja Biba ka kryer ceremoninë mortore të foshnjës, ku dhe pse i kanë çuar fjalë familjes Peposhi asnjë prej tyre nuk ka pranuar të shkojë atje
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi