Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Jeta sllovene e Bozgos: Ne, 'brezi komunist' i emigrimit Empty Jeta sllovene e Bozgos: Ne, 'brezi komunist' i emigrimit

Sat 15 Sep 2012 - 19:58
Kliton Bozgon e takojmë në Mari Bor (Slloveni). Janë të shumta ata që mund ta kujtojnë me nostalgji këtë emër dhe shpeshherë mund t’i ketë bërë të ngrihen peshë në shkallët e stadiumit, ku nuk kanë qenë të pakta herët që ka dërguar topin në rrjetë. Futbollisti shqiptar jeton në këtë qytet prej më shumë se 15 vjetësh. Sot ai është pjesë e “Jetw” në “Shekulli”, pasi në Shqipëri dhe vendin ku jeton ka bërë histori suksesi. Bisedën me të nuk kishte se si të mos e bënim pranë një fushe të blertë, por këtë herë zgjodhëm fushën e skive, e cila në verë është e gjelbëruar, ndërsa në dimër zbardh nga bora.

Na u desh të ecnim me të vetëm disa qindra metra rrugë për të kuptuar që kishim të bënim me një person të adhuruar nga sllovenët. Arsyen e kësaj e kuptuam më mirë pasi kishim nisur të bisedonim në atë kafe të qetë. Ai kishte dalë dy herë golashënuesi më i mirë në Slloveni, lojtari dhe golshënuesi i huaj më i mirë i Sllovenisë dhe golshënuesi i dytë, me 109 gola, më i miri në histori të Mari Borit.

Ndërsa shkëlqimin në Shqipëri e ka pasur herët, në fillim të viteve ’90, ku gjatë përfshirjes së tij me ekipin e Tomorrit të Beratit kishte dalë golshënuesi më i mirë i kampionatit. Të gjitha ato çka na tregonte Klitoni mbylleshin me... më i miri.

E gjithë karriera e tij ka nisur herët dhe fat është bërë afërsia e shtëpisë me fushën e futbollit në Berat. Shpeshherë ka kaluar murin për të parë fshehurazi më të rriturit teksa stërviteshin në fushë dhe me largimin e tyre, fusha bëhej e Klitonit. Duke mos shmangur dot emocionet ai pohon: “Kam pasur një fëmijëri të shkëlqyer, falë gjyshit, gjyshes time, nënës e dajallarëve të mi, komshinjve, lagjes time, Beratit tim. E kam pasur shtëpinë 50m larg stadiumit të vjetër dhe çdo pasdite isha aty, kapja topat që dilnin nga fusha kur bënte stërvitje Tomorri. Çdo kohë të lirë dilja përpara pallatit dhe luanim futboll me çunat e lagjes, nuk dihet sa xhama dritaresh kemi thyer”.

Ka mjaftuar talenti dhe zhdërvjelltësia e tij, që shumë shpejt të binte në sy të profesorëve të cilët merreshim me sport në qytetin e vogël të Beratit. Ata i kanë dhënë vulën e sigurisë duke i pohuar se: po, ti mund të bëhesh një sportist i mirë. Bozgo asnjëherë nuk i zhgënjeu mjeshtrit që e drejtuan drejt futbollit. Sot ai bën një jetë aktive në Mari Bor, është trajner i shpresave të Sllovenisë, që nuk është pak për një emër shqiptar. Në këtë rrëfim, ai na tregon jetën e tij drejt suksesit.



Në atë kohë punohej me përzgjedhje, ju kush ju tha që “po, ti vlen për futbollist”?

Kisha fat, se atëherë më panë dy trajnerët, Njazi Shehu dhe Mandi Xhamo, që ishin trajnerët më të mirë në Shqipëri për moshat e vogla dhe njerëz me zemër të madhe. Isha 6-7 vjeç, më provuan dhe më afruan që të vija tek shkolla sportive “1 Maji”. Këtu filloi karriera ime.



Cili ishte edukimi shkollor që ju morët në lidhje me sportin?

Mbas shkollës “1 Maji” me ndihmën e madhe të mikut tonë, Gazment Hyska, shkova në shkollën e mjeshtërisë “Loro Boriçi” në Tiranë për 4 vjet. Mbas mbarimit të shkollës së mjeshtërisë, u ktheva në Berat dhe fillova stërvitjen tek Tomori. Konkurrenca qe shumë e fortë, por kisha fatin e madh se, pas një kohe, në Berat u kthye trajneri i madh Guxim Mukli me Andrea Xheblatin dhe më dhanë shansin në ekipin e parë. Kjo ndodhi më 1988-89. Më pas luajta me Tomorin deri në vitin 1992 dhe dola njëherë golshënuesi më i mirë i kampionatit me 29 gola dhe i treti në Evropë; dhe një herë i dyti golshënues me 19 gola. Gjithashtu debutova me Kombëtaren në gusht 1990, kur fituam në Athinë me Greqinë, me dy golat e Sokol Kushtës dhe luajta 19 ndeshje.



Cila ka qenë eksperienca dhe karriera juaj jashtë, sa çmime keni marrë?

Jashtë shtetit ikëm se atëherë ishin vitet ‘90 dhe më erdhi oferta nga Zagrebi. Të gjithë shokët e mi në përgjithësi ikën jashtë shtetit. Çmimet që kam marrë jashtë Shqipërisë janë: tri herë kampion i Sllovenisë, tri kupa të Sllovenisë, një superkupë, kampion me Dubravën e Zagrebit, kampion me Hartberg të Austrisë, dy herë golshënuesi më i mirë në Slloveni, lojtari dhe golshënuesi i huaj më i mirë i Sllovenisë dhe golshënuesi i dytë me 109 gola më i miri në histori të Mari Borit, 11 gola në kupat e Evropës dhe pjesëmarrës në kupën e kampionëve në 1999-n.



Ka qenë e vështirë të mbaje në “majë” karrierën futbollistike?

Po, e vështirë ka qenë se të njohin të gjithë dhe nuk përfaqëson vetëm Kliton Bozgon, por Shqipërinë për të cilën jam krenar. Ti mund të jesh lojtar shumë i mirë, por duhet të dish të menaxhosh veten dhe të shitesh. Nëse nuk u merr vlerën këmbëve të tua, atëherë nuk ke marrë asgjë. Kështu është edhe puna e klubeve dhe e lëvizjeve të lojtarëve të tyre.



Po tani, me çfarë merreni, cilat janë angazhimet tuaja të momentit?

Tani jam trajner i Kombëtares së Sllovenisë u-15 dhe trajner në Austri.



Tani që kanë kaluar vite, mendoni se keni bërë mirë apo keq që keni zgjedhur këtë profesion?

Kohën nuk e kthen dot mbrapa, por jam shumë i kënaqur me karrierën dhe që vendosa për t’u bërë futbollist. Ne, brezi ynë, që kemi jetuar në komunizëm dhe kaluam në kapitalizëm, na kapi vala e emigrimit, shumica e bashkëmoshatarëve të mi emigruan, mua ai futbolli sikur më mbajti. Ndaj mund të më kishte marrë edhe kështu jeta. Mendoj se kam bërë mirë që kam bërë këtë rrugë e këtë zgjedhje.



E ndiqni futbollin në Shqipëri, çfarë mendoni që nuk shkon me këtë sport në vendin tonë?

Futbollin në Shqipëri e ndjek dhe sidomos Tomorin tim të dashur dhe po shfrytëzoj rastin t’i përshëndes të gjithë. Gjithashtu jemi dhe në një grup me Slloveninë për ndeshjet e botërorit. Futbolli është sporti numër një në Shqipëri, por duhet të punohet dhe të krijohen kushtet për moshat e reja se ata janë identiteti dhe e ardhmja e futbollit në Shqipëri.



Momenti më i bukur që ke jetuar në futboll?

Ka shumë, fillon që me Beratin, sepse aty kam filluar hapat e parë. Kur kam luajtur për herë të parë atje, edhe të më dilte muri përpara do e rrëzoja, nuk shfaqej asnjë pengesë para meje. Përparim Kovaçi më dha fanellën e tij. Luajta në ekipin kombëtar, dala golshënuesi më i mirë në Slloveni, luajtja me kupën e kampionëve atje.



Po një moment të pafat në futboll?

Shprehja jonë që duhet të heqim nga fjalori është “humbje dinjitoze”. Trajneri i madh italian ka thënë: “Pas një humbjeje nuk ka asgjë pozitive”. Jam i kënaqur me karrierën, mund të arrija edhe më shumë po këtu futen ato çështjet e fatit, ku mund të jenë prishur kontrata me klube të mëdha sportive. Ka pasur 2-3 variante që mund të shkoja në ekipe më të mëdha, por janë prishur në momentet e fundit.



Na tregoni pak për familjen tuaj, prej sa kohësh jeni i martuar. A keni fëmijë?

Kam një djalë 11 vjeç, e ka emrin Kliton Stavri (emrin tim dhe të gjyshit tim) dhe jam i martuar që në 1997-n. Me bashkëshorten jemi njohur në lagje, se banonim afër njëri-tjetrit, por nusja nuk e dinte që isha futbollist, më vonë e mori vesh. Ajo ka ardhur disa herë në Shqipëri.



E vizitoni shpesh Shqipërinë dhe a mendoni ndonjëherë të ktheheni sërish këtu?

Shqipërinë dhe Beratin tim e vizitoj minimumi 2-3 herë në vit. Nuk duroj dot më shumë se 6 muaj pa ardhur dhe kjo marrëdhënie do jetë dhe në Slloveni dhe në Shqipëri.



Jeta

Emri: Kliton Bozgo

Vendlindja: Gjirokastër

Datëlindja: 5 dhjetor 1971



1989–1992 Tomori Berat

1992–1993 Dubrava

1993–1994 Maribor

1995–1998 Olimpija Ljubljana

1998–2000 Maribor

2000–2004 Admira Wacker

2004–2005 Maribor

2005 Drava Ptuj

2006 TSV Hartberg

2006–2007 WAC St. Andrä

2007–2008 Mura

2008– FC Gamlitz

Me kombëtaren shqiptare 1993–1997.







Bledar Kola

Është një tjetër futbollist që ka luajtur në kohën e Kliton Bozgos. Mesfushori i Partizanit që më pas kaloi në Greqi dhe luajti me shumë skuadra greke për një kohë të gjatë ka qenë pjesëtar i ekipit kombëtar së bashku me Klitonin. Edhe ai ka marrë të njëjtën rrugë. Atë të trajnerit. Prej kohësh është trajneri i moshave të AEK-ut. Disa herë është thirrur nga Federata e Futbollit për të qenë pjesë e kombëtareve të moshave, por ka preferuar që të qëndrojë në Greqi dhe të vazhdojë punën në shtetin fqinj. Ka qenë trajner i parë i AEK-ut dhe Apollonit. Aktualisht është pjesë e akademisë së Panathinaikosit.



Rudi Vata

Kapiteni i kombëtares shqiptare Rudi Vata është një nga bashkëkohësit e Kliton Bozgos. Lideri i kuqezinjve ka luajtur gjatë me Bozgon në kombëtaren shqiptare. Ai së bashku me beratasin kanë luajtur që në vitet 90-të me ekipin kombëtar, por edhe kanë qenë kundërshtarë në kampionatin shqiptar. Edhe pse jeton jashtë Shqipërisë, Rudi Vata bën të njëjtin punë që bën edhe Bozgo. Prej dy vitesh ai i është përkushtuar profesionit të trajnerit. Së fundmi ai ka drejtuar edhe ekipin e Vllaznisë. Më përpara ka qenë një menaxher i sukseshshëm futbollistësh. Kohën e ndan mes Skocisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, vende në të cilat ka edhe nga një shtëpi.



Foto Strakosha

Foto Strakosha është një tjetër futbollist i cili ka luajtur në kohën e Bozgos. Portieri legjendar i kombëtares dhe kapiteni i kuqezinjve ka qenë pjesë e skuadrës nga 1990-ta deri në 2005-ën. Si edhe Klitoni ai karrierën e ka zgjeruar jashtë Shqipërisë. Edhe në këtë moment që flasim e ndaj jetën mes Greqisë dhe Shqipërisë, pasi është trajneri i 19-vjeçarëve. Më parë Strakosha që familjen nuk e ka në Shqipëri, ka qenë trajner i portierëve të kombëtares, trajner i shumë skuadrave greke të Kategorisë Superiore dhe trajner i parë i Panionosit.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi