Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Të jesh grua në fshatin tim! Empty Të jesh grua në fshatin tim!

Wed 24 Oct 2012 - 19:21
Të jesh grua në fshatin tim! Topalli-ben-byrek-300x199
Nga: Albana Hodaj

Edhe pse e vështirë, është e thjeshtë të jetosh e punosh madje dhe të protestosh në qytet si shumë prej nesh. Vështirë të përballesh me jetën në fshatin e harruar qysh nga koha kur të gjithë nisëm ëndrrën evropiane pa e ditur se nuk do ta mbërrinim dot as pas 22 vjetësh.

Atje lart majë malesh, larg, shumë larg nga zhurma dhe e përditshmja, ku s’ka gazeta, as antena telefoni, as ujë në çezma s’ka, as spital për gratë që lindin, as mjekë, pa folur për internetin, psikologen apo ministri që si për ironi të këtyre njerëzve mbajnë emrin “e punës dhe shanseve të barabarta”… Atje larg, shumë larg, (më pak se një orë në rrugë normale…) ku mungon rruga për në shkollë, atje ku duhen kilometra për të mbërritur në këmbë në derën e klasës së shekullit të 21, atje ku era e maleve e flak pa mëshirë sloganin “qeveri e integrimit!”, jetojnë në harrimin e tyre njerëz me zemër e hallë të mëdha.

Në zemër të atyre maleve rriten bijtë e mbetur në këtë rrugëtim pa shpresë, si Lulër të vocërr që i ngjiten malit me këpucët e grisura për të mbledhur rigon. S’kanë nga t’i gjejnë lekët për shkollën, pa asnjë të ardhur mujore në familje, detyrohen të marrin malin në piskun e vapës, sepse taksa e shkollës së studentit duhet paguar, ndryshe… në mal për të kullotur bagëtitë! Gjithmonë e kam ëndërruar fshatin duke mbledhur lule në lëndina, por kur shoh sesi gratë me shaminë në kokë mbledhin çaj me këmbët e përgjakura, rrëqethem dhe them sa e padrejtë është bota ku jetojmë, për më tepër sa larg është shteti dhe daullet e tij të këtij 100-vjetori…

Gratë ngrihen pa gdhirë, mjelin bagëtinë, kullotin lopën, shkojnë në arë, lajnë e pastrojnë shtëpi e avlli, bëjnë drekë e darkë, mbushin ujë në burim e në mbrëmje tretin trahananë e mëngjesit …Flenë duke mbyllur sytë, por jo hallet. Sa vështirë të jesh grua në fshatin e njerëzve të mi! Më dhemb zemra kur shoh një grua në podiumin e këtyre 8 viteve që flet e bërtet për suksese ,emancipim e integrim si kryeligjvënësja e këtij vendi. Sa do të doja të ishte vetëm një ditë të vetme pranë këtyre grave për të kuptuar pse ato mallkojnë ditën kur kanë lindur e fatin që kanë pasur për të jetuar në këtë vend të harruar ku zyrat e komunës një fshat më larg as që munden ta ndryshojnë realitetin me pafuqinë e tyre reale, edhe pse me dëshirën për të bërë punë të mira.

Sa do të doja që zonjën Jozefinë, unë dhe ato gra të kishim nderin ta quanim sot shoqe që bën të pamundurën për të çuar rrugën në këtë fshat të harruar e të largët sot vetëm një orë e gjysmë nga qyteti im, por që është kaq larg mundësisë për një jetë që këto nëna e motra e meritojnë. Të papuna, të pasiguruara, pa pension dhe të vetmuara në plakjen e tyre, pa mundur t’i mbajnë bijtë dhe bijat e tyre në atë vend të të parëve dhe në atë copë Shqipërie që u përket… Zonja Jozefinë del në mediat e zhurmshme në fushata e madje dje e pashë të protestonte kundër dhunës. Po kujt ia kërkon këtë gjë ajo që është vetë ligji dhe shteti ku ne kemi sytë? Sa do të doja ta shihja ministren e Integrimit duke u shpjeguar këtyre grave në fshatin tim mrekullitë social-ekonomike të kësaj qeverie me të cilat ajo mburret para botës! Po a e di se ajo në jetën e Nilës apo Marës nuk do të jetonte as dhe një sekondë të vetme dhe jo më të mbijetonte siç bëjnë çdo ditë këto heroina? Po! Të jesh grua në fshatin e sotëm dhe jo vetëm në fshatin tim, është vërtet heroizëm! E kur flasim për qeveri të integrimit dhe të 100 vjetorit, të tilla heroizma janë njolla e tyre e turpit!

Dielli i zgjon herët këto gra, më herët se dritaren e zonjës Jozefinë, së cilës do të doja t’ia tregoja emrin e fshatit ku këto nëna e motra përleshen me egërsinë e dimrit jo më të pamundur se mundimet e ditës. Do t’ia kursej këtë togfjalësh, sepse unë e di se gjithandej fshati po braktiset e ka vite që s’flitet për të. Ai në axhendën e kryeministrit është rrënjë arrorësh e plantacione ullinjsh që vetëm ai i di se ku janë e sa ua kanë lumturuar jetën fshatarëve në rrethin tim.

Të jesh grua në foltoren e Parlamentit apo në karrigen e ministres është vlerësim, por të jesh grua në fshatin e sotëm shqiptar, është turpi i këtij privilegji! Aty ku malet rrëfejnë heshtur histori krenare të nënave që kanë luftuar në shekuj për këtë tokë, aty ku Miroja u vesh si djalë dhe shtriu në tokë pashanë, aty ku rrënjët e tokës mburren me gjakun që bijtë e saj kanë dhënë për lirinë e përbashkët e për ngjyrën e Flamurit të këtij përvjetori, aty ku kënga e burrave me besë e peshë ka gjetur rrugën e këndohet deri në UNESKO, aty ku rapsodi popullor thur vargjet “Shqiptarë kudo që jeni anembanë nëpër botë/Ju pret nëna që ju lindi në gjirin e sj të ngrohtë”, aty ku Shushica është gjallë ashtu si mali i Çikës, aty ku zjarret partizane kanë ndezur flakën e lirisë së Kombit, ja pra, aty ku shpirti i këtyre njerëzve të lashtë e të rinj të mbush me nder e krenari, aty kjo qeveri ka harruar të mbërrijë prej vitesh duke i mbyllur këta njerëz në vuajtjet e tyre të përditshme ku është kaq shumë e vështirë të kesh një rrugë jo aq mahnitëse sa thotë Jozefina, por një rrugë që shkurton ato pak kilometra që e degdisin Labërinë tonë në harrim.

Dinjiteti i të qenit grua, shkruar në qindra spote e fletëpalosje shoqatash thënë thjesht janë të drejtat themelore që një njeriu i duhen në një shoqëri, për më tepër në një shoqëri që në 100 vjetorin e saj pretendon të quhet demokratike. Derë më derë duhet lindur shpresa se ky realitet duhet patjetër të ndryshojë. Derë më derë duhet ngjallur besimi se ne nuk mund të mbetemi skllavet e shekullit modern, por ne së bashku duhet të zgjohemi për rrugën, për dritën, për çezmën, për librat, për tokën, për bukën ,për këngën, për fëmijët, për të sotmen, për të parët, por ne duhet të zgjohemi mbi të gjitha: për Veten! Ju nëna dhe motra që dielli ju zgjon të parave atje në lartësitë e maleve të Labërisë, duhet të bashkoni besimin e thirrjes së përbashkët “Dielli ka dritë për të gjithë!”
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi