Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Vikena Kamenica: Familja nuk e pengon një femër në karrierë Empty Vikena Kamenica: Familja nuk e pengon një femër në karrierë

Tue 19 Mar 2013 - 3:31
Anëtarja e jurisë së “Gjeniut të Vogël”, nëna e Kristës dhe bashkëshortja e Erikut. Rrëfimi i mexosopranos për jetën e ndarë mes profesionit dhe familjes
-Vikena Kamenica, zë kristal i muzikës shqiptare, shfaqet çdo të hënë në televizionin "Klan" te juria e “Gjeniut të Vogël”. Bashkë më tre kolegë të tjerë, është një nga vlerësueset e fëmijëve që janë pjesë e këtij konkursi televiziv për përzgjedhjen e zërit më të mirë fëmijnor mes qindra konkurrentëve. Është vazhdimisht e angazhuar me punë dhe projekte aq sa e ka të vështirë për të gjetur një hapësirë bosh në ditën e saj. E përpos kësaj, kemi biseduar me Vikenën duke e pasur mysafire të fundjavës sonë. Prej më shumë se një viti ajo është bërë nënë e një vajze, të cilën e quan bekim për të dhe familjen. Vetë tregon se mëmësia nuk e ka penguar aspak në jetën artistike. Përkundrazi, sipas Kamenicës, "është një motiv për të ecur përpara dhe për të realizuar punë të mira". Këtë gjë Vikena e ka bërë edhe gjatë shtatzënisë, aq saqë vajza lindi ndërsa ajo këndonte. Angazhimi aktual me “Gjeniun e vogël” e ka bërë të përjetojë të tjera emocione dhe të shohë te fëmijët e sotëm nivele të pa imagjinueshme. Tek vogëlushet e këtyre ditëve ka parë Gjeni të muzikës dhe ndihet e befasuar prej talentit të tyre, aq sa për të rriturit ky fakt është gati-gati i paperceptueshëm. Për sa i përket debatit të madh nëse një fëmijë duhet të vendoset në të tilla pozita konkurrimi e të këndojë këngë për të rritur, Vikena shprehet: "Nuk jemi ne të parët që e bëjmë këtë ‘mëkat”. Për të ky është një format që tregon shkallën e lartë të forcës së fëmijëve dhe evoluimin e këtyre brezave. Ndërsa vetë Vikena është rritur me muzikë. Nuk kanë qenë të pakta herët që e ka zënë gjumi në stolat e Teatrit të Operës, ku ajo sot luan role të para. Ndjeshmërinë e ka të trashëguar nga prindërit muzikantë, kurse forcën në interpretim dhe nivelin e kënaqshëm i ka arritur me punë dhe vullnet.

Vikena, Krista është në qendër të vëmendjes dhe ditës suaj...çdo të thotë të bëhesh nënë?

E si të mos jetë. Është një nga dhuratat më të bukura më të cilën Zoti të bekon! Me ka bërë të kuptoj akoma më tepër vlerën e punës dhe jetës. Kisha dëgjuar shumë për ndjesitë e para të mëmësisë, por e imja m'u duk e veçantë dhe nuk e përshkruaj dot me fjalë. ç'mund të them? është një dashuri dhe lumturi e vazhdueshme.

A jua kujton Krista fëmijërinë tuaj?

Kam kaluar një fëmijëri të qetë sepse i ka përkuar një kohë shumë me të ndryshme nga kjo e sotmja! Por ka qenë e bukur edhe pse pa komoditet, dhe format e argëtimit që fëmijët e këtyre viteve kanë. Kemi qenë shumë të lidhur me prindërit. Kam mall për ato vite.

Po ashtu jeni duke u angazhuar te programi i fëmijëve, “Gjeniu i vogël”. Çfarë do të thotë të punosh me të vegjlit?

Të punosh me fëmijët është kënaqësi e madhe. Merr pafund sinqeritet dhe pastërti që vetëm ata dinë ta dhurojnë siç duhet.

Nga erdhi ftesa për të qenë në jurinë e këtij programi?

Nga “Promotori” (Pandi & Bledi Laco e Adi Hila) dhe drejtuesit e “TvKlan”, për më tepër kam qenë gjithmonë pjesë e bashkëpunimeve dhe projekteve të tyre. Është një vlerësim reciprok ndër vite që nuk ma bëri të vështirë konfirmimin e pjesëmarrjes.

A kemi ne talente në muzikë. Kemi fëmijë gjeni?

Kemi shumë talente dhe jam e befasuar për këtë fakt. Patjetër që kemi Gjeni për faktin që kalojnë prova profesionale që edhe një i rritur do t'i kishte problem në perceptim, kurse tek këta fëmijë vijnë falë talentit super!

Është një diskutim që bëhet vazhdimisht, nëse duhen vendosur fëmijët të këndojnë këngë të rriturish. Ju çfarë mendimi keni lidhur me këtë?

Varet nga lloji i formatit. Nuk është se Shqipëria ka guxuar e para për të bërë këtë “mëkat” në qoftë se do guxojmë ta cilësojmë si të tillë, meqë po e dëgjojmë shpesh si temë. Shumë vende të Europës e kanë. Jo më larg se Italia ekziston një nga programet ("Io Canto") më të suksesshme të saj. Ky është thjesht një lloj formati për të treguar shkallën e lartë të forcës së fëmijëve dhe evoluimit të këtyre brezave. Ka pastaj dhe formate të tjera ku ata këndojnë këngë të kompozuara posaçërisht. Ku vetë fëmijët duhet ta ndërtojnë në një formë të plotë një material që s’kanë asnjë shembull për të imituar, me që natyra e fëmijës është e predispozuar si e tillë.

Ju vetë kur keni kënduar për herë të parë?

Nuk e mbaj mend egzaktësisht se në familjen time duke qenë të gjithë këngëtarë këndohej pafund. Nuk kanë qenë mundësitë e sotme për të provuar veten si sot dhe të merrej kënaqësia e kujtime kaq të bukura sa këto breza po krijojnë për jetën e tyre.

Lë të shkëputemi pak nga "Gjeniu". Ju këndoni netëve “live” në Tiranë, ndoshta keni qenë ndër të parat që e keni praktikuar. Çfarë do të thotë të qenit prezente me punë në jetën e natës?

Ka qenë vite të tjera kur kjo ndodhte shpesh tani është vetëm në netë të veçanta dhe e gjitha falë dëshirës dhe mundësisë sime për ta përballuar krahas punëve të tjera që kam. E kënduara “live” me një orkestër të plotë në dispozicion më dha sigurinë dhe ka qenë një shkollë e vërtetë, përveç kënaqësisë së lirisë që muzika.

Të kënduarit “live” është gjithmonë pozitiv për këngëtarin, apo shkakton edhe probleme?

I kam parë vetëm anë të mira dhe përveç orëve të natës dhe pagjumësisë së fundjavës, nuk kam gjetur asgjë të keqe në të kënduarin “live”, gjithmonë nëse këndon në mënyrë të drejtë dhe me zgjuarsi për jetëgjatësinë e zanatit tënd.

Si do të ishte bota juaj pa muzikë?

(Qesh) Nuk do te ekzistoja në këtë botë. Nuk do të ishte Vikena askund, por dikush tjetër...

Ju kemi dëgjuar të interpretoni muzikë të lehtë, klasike, jazz. Cila ju mbush më shumë shpirtin?

Mjafton të jetë muzikë e vërtetë dhe unë e kam shpirtin gjithmonë plot.

Dua që vajza të ketë temperamentin tim
Folëm pak për mëmësin, por a ju ka kushtëzuar ky rol praninë në jetën artistike?

Aspak. Përkundrazi me ka dhënë një forcë të madhe. Duke filluar që nga ditët e para të shtatzënisë dhe deri dy ditë para se të lindte Krista, kam qenë duke kënduar...Një mrekulli!

Kush kujdeset për vajzën kur ju jeni në punë?

Mamaja e Erikut (bashkëshortit), Landa, dhe mamaja ime sa herë që i krijohet mundësia duke qenë se unë jam edhe hallë e një mbese dhe nipi nga im vëlla.

Nga ka marrë më tepër vajza?

Ngjan shumë nga bashkëshorti dhe familja e tij, por shpresoj shumë që të paktën të më ngjajë në temperament.

Si është një ditë normale juaja?

Më prioritet ka familja dhe më pas vjen organizimi për orët në Opera dhe detyrimet e ndryshme pas orarit zyrtar në aktivitetet ku angazhohem.

A jeni një amvisë e mirë?

Gjithmonë në familjen time është gatuar në përsosmëri, po ashtu tek familja e Erikut. Nuk mburrem shumë në këtë pikë, por normalisht mundohem të nxjerr më të mirën nga vetja dhe kultura e familjes time.

E përveç momenteve të bukura, njeriu në jetë ka edhe ngjarje që e kanë bërë të ndihet keq. Për ju, cili ka qenë momenti më i vështirë në jetë?

Jam përballur me momente të vështira, por njeriu bëhet i fortë dhe i kalon duke i hedhur pas krahëve. Duhet vazhduar jeta për të kërkuar gjithmonë më të mirën për veten dhe familjen tënde.

Pas "Gjeniut", ju pret ndonjë projekt tjetër së afërmi?

Janë disa në proces pune deri në fund të sezonit. Kur të jem afër finalizimit, do ishte kënaqësi t’i ndanim bashkë, pse jo në një moment të dytë.

Kemi një shoqëri të zhytur në injorancë
Kemi pasur përpara ditën e gruas, 8 marsin dhe për këtë moment kemi marrë mendimin e Vikenës se çfarë mendon ajo për femrën e sotme dhe atë çka e shqetëson këngëtaren në një shoqëri të vrullshme si kjo e ditëve që po jetojmë. Për një ditë të tillë ajo do të donte shumë që të ekzistonte kultura e protestës paqësore, duke patur parasysh se jemi një vend në zhvillim. Sipas saj kemi shumë për të thënë , por ajo çka e shqetëson këngëtaren është fakti që çdo iniciative e marrë vishet më ngjyra politike dhe atëherë heq dorë duke patur parasysh që mund të analizohesh shumë lehtë si pre e lëvizjeve të caktuara. Pyetjes se, "çfarë ju shqetëson si femër në shoqërinë e sotme shqiptare?", i përgjigjet hapur, pa stërhollime: “Kanë ndryshuar shumë gjëra në këto vite për vlerën e plotë të femrës në shoqërinë e sotme. Ajo që më shqetëson së tepërmi është që ka lëvizje vetëm në një pjesë shumë të vogël të Shqipërisë dhe kemi atë më dominuese të zhytur në një injorancë dhe ekstremitet të dhimbshëm, që mjafton të dëgjosh e lexosh lajmet nëpër mediat e shkruara dhe televizive dhe të kuptosh që sa afër teje është gjithë ky realitet”.

Dashuria që lindi në Teatrin e Operës
Vikena Kamenica, mexosopranoja e Teatrit të Operas dhe Baletit e nisi karrierën si këngëtare e muzikës së lehtë. Në vitet dymijë këndoi në baret e para të Tiranës ku luhej Jazz megjithëse nuk kishte ende një formim të plotë akademik në muzikë. U diplomua për kanto më 2001 vit në të cilin futi njërën këmbë në Teatrin e Operës dhe Baletit. Realizoi vetëm rolin e Kerubinit në operën “Dasma e Figaros” te Moxartit e për një kohë të gjatë i hyri rrugës së muzikaleve. Shkëlqeu në “West Side Story”, “A century of Broadeay”. Rruga e saj në muzike nuk është diçka e papritur apo e rastësishme. Ajo është e bija e tenorit Guri Kamenica dhe e mexosopranos Vera Kamenica. U rrit mes muzikantesh dhe skenës së Teatrit te Operas dhe Baletit, aty njohu dashurinë e parë te jetës se saj; muzikën klasike. Po aty njohu edhe një dashuri tjetër të madhe, partnerin e saj, oboistin Erik Tauzi. Entela Resuli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi