Shqiptarët, i vetmi komb me 5 akademi e gjysmë...
Wed 27 Nov 2013 - 22:01
Hans-Joachim Lanksch/studiues, përkthyes
Nganjëherë Prof. Dr. Agron Fico na befason me prurje të jashtëzakonshme. Para do vjetësh na befasoi me propozimin që shqiptarët të mbajnë shapka me një kokardë shqiptare d.m.th. me një distinktiv që përmban portretin e shkrimtarit Ismail Kadare. Tjetër herë na e ftilloi imazhin e Arshi Pipës duke e quajtur "gërmadhë pseudoshkencore dhe me plot mllefe primitive".
Kësaj here, në një shkrim te gazeta "Shekulli" (23.11. 2013) ku i qorton akademitë e shumta shqiptare dhe akademikët e tyre të shumtë se nuk e plotësojnë "rolin e vet" (të ndihmojnë "zgjidhjen e problemeve dhe sfidave madhore që ka pasur dhe ka vendi dhe kombi shqiptar") dhe nuk e thanë fjalën e tyre për çështjen e shkatërrimit të armëve kimike, profesori na befason edhe më shumë me një konstatim që do t' i kontribuojë dukshëm krenarisë kombëtare.
Konstatimi në fjalë thotë: "Jemi i vetmi komb që kemi 5 akademi e gjysmë të shkencave: dy në Shqipëri, një në Kosovë, një në Hamburg, Gjermani (e quajtur “Akademia e Djathtë e Hamburgut”), një në Nju Jork dhe gjysmë në Maqedoni (anëtarët shqiptarë të Akademisë Maqedonase të Shkencave)." Pesë akademi e gjysmë, goxha punë! Bile një e gjysmë më shumë se Italia që ka vetëm 5 Akademi! Profesori nuk na sqaroi ku e ka fjalën te Akademia e dytë e Shqipërisë – te Akademia e Arteve a te QSA?
Te QSA duket s'e ka fjalën meqenëse më poshtë në po atë shkrim sugjeron krijimin e një Akademie të specializuar albanologjike që do t'i mbulonte tamam fushat që i mbulon QSA-ja. Prandaj, fjala është për Akademinë e Arteve, e cila prapë nuk është e Shkencave, po e Arteve dhe profesoreshat dhe profesorët e saj nuk e kanë titullin "akademikë". Interesante është Akademia e gjysmë në Maqedoni, meqenëse atje, nga 48 akademikë (anëtarë të rregullt) 3 janë shqiptarë, ndërsa nga 48 anëtarë të asociuar, 2 janë shqiptarë po të merret shqiptar dhe nobelisti me prejardhje shqiptare, Ferid Murad (http://www.manu.edu.mk/about/members).
Akademia në New York (Nju Jork) me nënkryetarin Prof. Dr. Agron Fico quhet "The Albanian American Academy of Sciences" (Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave), qëllimi i së cilës përcaktohet si "promovimi dhe mbështetja e interesave të anëtarëve të saj dhe rritja e vazhdueshme e marrëdhënieve akademike dhe investimeve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve" ku nuk bëhet fjalë për aktivitetet shkencore hulumtuese të kësaj Akademie dhe ku shumica e anëtarëve me titull doktor janë mjekë dhe stomatologë.
Akademia shqiptare amerikane pajis studentë dhe studente "online" tituj master online dhe doktor dhe mbase është e vetmja Akademi ku paguhet anëtarësimi (100 dollarë) dhe anëtarësia (75 dollarë). Për profilin e kësaj Akademie çdokush mund të sqarohet në faqen e saj (http://the-aaas.com/index.html). Mirëpo, më interesantja, bile enigmatike, na duket puna e Akademisë shqiptare në Hamburg (Hamburk). Interesante meqenëse një Akademi shqiptare në Gjermani ku ka 11 Akademi të Shkencave duhet të jetë diç shumë serioze, shumë e rëndësishme dhe hijerëndë. Enigmatike mbasi dihet që Akademitë e Shkencave merren me punën shkencore hulumtuese të lirë, të hapur e të paanshme pa u përcaktuar për ndonjë kahje politike si "e djathtë".
Më enigmatike bëhet puna ku nuk dihet gjë për Akademinë e Djathtë Shqiptare të Hamburgut dhe as nuk mund të hetohet gjë për të në internet. Prapëseprapë, si dhe në raste të tjera, durimi shpërblehet: po të harxhosh shumë mund dhe kohë mund të hasësh në një shkrim me një bollëk gabimesh drejtshkrimore te "Fjala e Lirë. Suplement i webfaqes Shkoder.net" (http://www.shkoder.net/fjala/2004/akademi1.htm). Shkrimi na e zbulon gjithë fshehtësinë e "Akademisë se Djathtë të Hamburgut". Titulli i shkrimit është: "Në Hamburg të Gjermanisë u mbajt akademi për të djathtën shqiptare"….
Postscriptum: Do ishte mirë po të dinte specialisti ynë për Akademitë shqiptare të Shkencave se qysh shkruhet emri i asaj të Tiranës që ai e jep si "Akademia e Shkencave të Shqipërisë" sikur të ishte fjala për shkencat e Shqipërisë dhe jo për Akademinë e Shqipërisë.
shekulli.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi