Çfarë ndodh para vdekjes?
Thu 5 Jun 2014 - 23:02
Fenomeni i quajtur Near-Death Experiences (NDE) ose Gjendje e Para Vdekjes, zakonisht vihet re në subjekte të cilët, edhe mbasi kanë pasur një traumë fizike që duhej t’u shkaktonte vdekjen (për shkak të ndalimit të zemrës), të një aksidenti të rëndë, apo gjatë një ndërhyrjeje kirurgjike) ia kanë dalë mbanë të mbijetojnë.
Shumë nga këta persona, në raste të tilla janë shpallur klinikisht të vdekur, sepse përveçse u kishte ndaluar zemra, nuk jepnin më asnjë shenjë të aktivitetit mendor. Pavarësisht kësaj, në mënyrë të pashpjegueshme, mbas disa minutash, e nganjëherë edhe mbas disa orësh, me t’u rikthyer në jetë, u tregojnë mjekëve, infermierëve, njerëzve të familjes kujtime të jashtëzakonshme: teksa ishin “klinikisht të vdekur” kishin vijuar të përjetonin ndjesi pamore dhe zanore mbi atë që po ndodhte rreth tyre e madje në vende shumë më të largëta sesa vendi ku dergjej trupi i tyre. Më qartë, me t’u “zgjuar” kanë përshkruar në mënyrë të hollësishme atë që kishin bërë e thënë në fillim ndihmësit e shpejtë e mandej infermierët dhe mjekët, ndërsa përpiqeshin t’i rikthenin në jetë, por edhe çdo gjë që kishin bërë, thënë apo menduar njerëzit e familjes së tyre ndërsa ndodheshin larg në banesat e tyre apo në punë.
Në tridhjetë e pesë vitet e fundit, interesin shkencor në nivel botëror përsa i përket kësaj eksperience, e ka përfaqësuar nga Raymond A. Moody (kohët e fundit në studimin e këtyre eksperiencave janë përfshirë edhe shumë studiues të tjerë, por në veçanti Frankl e Potzel), i cili njihet si ai që i ka përhapur më së shumti studimet mbi NDE. Moody qe i pari që mblodhi të dhëna mbi NDE, duke i bërë ato publike nëpërmjet konferencave dhe botimit të librave; libri i tij “Jeta Përtej Jetës”, vijon të mbetet një tekst themelor për të gjitha ata që interesohen për këtë fenomen. Me këtë libër, Moody i sfidoi të gjithë studiuesit e mjekësisë, të cilëve u kërkonte të përkushtoheshin më shumë në kërkimet që lidheshin me eksperiencën e jetuar në prag të vdekjes.
Ndjesia e vdekjes
Shumë persona nuk e kuptojnë menjëherë se përvoja që janë duke jetuar ka të bëjë me vdekjen. Tregojnë se e kanë parë veten të flatrojnë përmbi trupin e tyre, të cilin e shihnin nga distanca duke përjetuar papritmas frikë apo pështjellim. Në një gjendje të tillë ata arrijnë të mos e njohin si të vetin trupin që shohin prej së larti, por shpesh frika e madhe e fillimit ia lëshon vendin vetëdijes së qartë rreth asaj që po ndodh. Teksa janë në këtë gjendje, personat janë të aftë të kuptojnë gjithçka që mjekët dhe infermierët komunikojnë mes tyre, edhe pse mund të mos kenë kurrfarë kulture mjekësore, por kur përpiqen të flasin me ta apo me njerëz të tjerë të pranishëm, e kuptojnë se askush nuk arrin as t’i shohë e as t’i dëgjojë. Atëherë përpiqen të tërheqin vëmendjen e të pranishmëve duke i prekur, por kur e bëjnë një gjë të tillë, duart e tyre depërtojnë trupin e mjekut apo të infermierit pa mundur prapseprapë ta ngacmojnë vëmendjen e tyre. Mbasi orvaten të komunikojnë me të tjerët, përgjithësish ata provojnë një ndjesi më të fortë të identitetit të tyre. Në këtë pikë frika u shndërrohet në mirësi dhe në mirëkuptim.
Ndjesia e paqes dhe mungesa e dhimbjes
Për sa kohë që personi vijon të mbetet brenda trupit të vet, mund të përjetojë një vuajtje shumë të thellë, po kur e braktisin trupin ata i pushton një ndjenjë e madhe paqeje ku dhimbja resht së ekzistuari.
Tuneli
Eksperienca e tunelit vjen mbasiqë është përjetuar më parë eksperienca e braktisjes së trupit. Njeriu gjendet përballë një tuneli, ose dhe përpara një porte dhe ndjehet i shtyrë drejt errësirës. Pasi e përshkon këtë hapësirë të errët, ai hyn në një dritë vezulluese. Disa njerëz pohojnë se në vend që të kenë hyrë në një tunel u ka qëlluar të ngjitet nëpër një shkallare të gjatë. Të tjerë kanë pohuar se kanë parë porta shumë të bukura e të praruara që tregonin kalimin drejt një mbretërie tjetër. Disa subjekte të tjerë kanë pohuar se me të hyrë në tunel kanë ndjerë një fërshëllimë, një lloj dridhjeje elektrike ose një oshëtimë. Eksperienca e tunelit nuk është një zbulim i veçantë i kërkuesve të sotëm; në fakt ajo shfaqet qysh në shekullin XV tek Hieronymus Bosch, në pikturën e tij me titull “Vizione të botës së përtejme:
Parajsa tokësore përshkruan atë që zakonisht tregohet vetëm prej atij që ka përjetuar përvojën NDE.
Qeniet prej drite
Me t’u kapërcyer tunelin, në përgjithësi njerëzit rrëfejnë se kanë takuar “qenie” që vezullojnë me një dritë të mrekullueshme e cila depërton gjithçka dhe e mbush njeriun me dashuri. Në këtë dimension, dritë dhe dashuri janë e njejta gjë; drita përshkruhet si më e mrekullueshmja e çdo tjetër drite të njohur në Tokë, nuk është verbuese por e ngrohtë, ngushëlluese, e gjallë.
Përveç dritës së mrekullueshme, shumë persona rrëfejnë se kanë takuar miq ose të afërm të tyre të vdekur kohët e fundit, që spikatnin me kurmet e tyre vezullues dhe eterikë; se kanë parë parë skena shumë të bukura baritore dhe qytete të krijuara prej drite, madhështia e të cilëve është e papërshkrueshme.
Qënia e Lartë prej Drite
Mbasi takojnë lloje të ndryshme qëniesh prej drite, në përgjithësi personi “klinikisht i vdekur” takon një qenie të cilën e përkufizon si “Qenia e Lartë prej Drite”. Ai që ka edukatë të krishterë e identifikon me Zoti ose Jezui; ata që kanë edukata të tjera religjioze e quajnë Buddha ose Allah. Ateistët tregojnë se nuk është as Zoti e as Jezui, po një qenie e shenjtë. Por të gjithë pohojnë se bëhet fjalë për një qenie që rrezaton dashuri dhe mirësi absolute. Pothuaj tërë personat thonë se do kishin dëshiruar të mbeteshin atje, me të, përgjithmonë, dëshirë që nuk mund t’u plotësohej. Zakonisht, njëra nga qeniet prej drite (pjesëtarë të vdekur të familjes), ose vetë Qënia e Lartë prej Drite, mbasi që subjekti e ka shqyrtuar tërë jetën e vet, e fton ose e urdhëron të rifutet në trupin e vet tokësor.shekulli.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi