Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Kosova, djepi i shqiptarizmit Empty Kosova, djepi i shqiptarizmit

Thu 19 May 2011 - 8:42
Kosova, djepi i shqiptarizmit

Aty nga fillimi i vitit 1943, kur nuk kishin kaluar më shumë se dy-tre vjet pasi Italia fashiste kishte njohur Shqipërinë etnike, dhe i kishte rikthyer asaj pothuaj të gjitha viset shqiptare, që Kongresi i Berlinit në vitin 1878, si dhe Konferenca e Londrës në 1913-in, i kishin shkëputur padrejtësisht dhe ua kishin dhuruar fqinjëve të saj, në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim një libër me titull: "Kosova, djepi i shqiptarizmit". Autori i këtij libri të famshëm që u prit me interes të jashtëzakonshëm jo vetëm në qarqet intelektuale të Tiranës, por edhe në të gjitha trevat shqiptare ku ai u shpërnda menjëherë, ishte një intelektual i ri, i quajtur Hamit Kokalari. Ai ishte pinjoll i një prej familjeve më të njohura dhe nacionaliste të qytetit të Gjirokastrës, i cili vetëm pak kohë më parë kishte shërbyer si nëpunës i lartë në administratën vendore të Kosovës. Libri ka 125 faqe dhe përbëhet nga rreth 27 kapituj. Në të autori ka përdorur qindra referenca të autorëve shqiptarë, si: Fan Noli, Mit‘hat Frashëri, Dom Luigj Gashi, Zef Fekeçi, Karl Gurakuqi, Xhaferr Belegu, etj., po ashtu edhe të huaj si: Antonio Baldaçi, Angelo Pernice, Edit Durham, Milan Shuflai, Justin Godard, Bernard Nevman, etj. Shumë nga kapitujt e studimit të Kokalarit janë ilustruar me tabela të veçanta, ku paraqiten të dhëna të numrit të popullsisë së trevave shqiptare të okupuara nga sllavët, si dhe harta të ndryshme të botuara nga Ahamdemi dhe institute të njohura të Evropës. Përveç referencave dhe dokumenteve të shumta arkivore me të cilat është konsultuar, autori i librit në parathënie i ka bërë një falënderim të veçantë për ndihmën e madhe që i pati dhënë, Reuf Ficos, një nga politikanët dhe diplomatët shqiptarë më të njohur të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, i cili në vitet e fundit të karrierës shërbeu si ambasador i Mbretërisë Shqiptare të Zogut, në Beograd. Nga libri i Kokalarit, "Kosova, djepi i shqiptarizmit", ne kemi përzgjedhur dhe po publikojmë në variantin origjinal dhe pa asnjë ndryshim vetëm disa pjesë të tij, duke menduar se hidhet edhe më shumë dritë mbi të vërtetën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, të cilat iu shkëputën padrejtësisht trungut mëmë, në mesin e shekullit XIX dhe në fillimin e dekadës së dytë të shekullit XX.


Në parathënie autori ka falënderuar Reuf Ficon për ndihmën e dhënë

Kokalari: Edhe dokumentet serbe flasin në favor të Kosovës


Në faqet e para të librit "Kosova, djepi i shqiptarizmit", autori i tij, Hamit Kokalari ka bërë një parathënie të shkurtër, ku ka sqaruar me pak fjalë se pse i hyri atij studimi, dhe në fund të saj ai i ka drejtuar një falënderim të veçantë, zotit Reuf Fico, (ish-diplomatit dhe politikanit të njohur, që në fundin e karrierës së tij shërbeu si ambasador i Mbretërisë Shqiptare të Zogut në Beograd), për ndihmën e dhënë dhe për dokumentet që ai pati mirësinë t‘i dorzonte. Në atë parathënine, shkruhet: "Pak njerëz në Shqipëri e njohin Kosovën dhe krahinat e tjera shqiptare të Veriut që traktet ndërkombëtare ua kanë pas falur Malit të Zi dhe Sërbis më 1878 dhe më 1913; mund të thuhet se historija e Kosovës dhe çështjeve etnografike të saj janë në dijeni vetëm të disa specialistëve. Librat mbi këto çështje nuk mungojnë, dhe sidomos në gjuhë të huaja ato formojnë një bibliotekë të pasur dhe provojnë shqiptarësinë e krahinave në fjalë nga çdo pikëpamje. Mjafton të këndosh për këtë qëllim librat e dokumente të botuara në ish-mbretërinë jugosllave. Këto dokumente pranojnë se shumica e popullsisë në Kosovë është shqiptare, sado që përpiqen ta fshehin ose ta pakësojnë sasin e shqiptarëve vende vende. Por çfarë përfundimi do të jepet vallë në një regjistrim i popullsisë i kryer me paanësi të plotë? Sikur të realizohej do të ishte për ne një dokument shumë i vlefshëm. Me gjithë këtë dokumentet e përgatitura prej serbëve flasin mjaft në favorin t‘onë dhe në këtë botim do të merren si themel sidomos dokumente t‘atilla. Do të jepen si shembull, në formim aneksesh në fund të këtij studimi, një sasi e vogël e vargut të pafundshëm, të botimeve në gjuhë të huaja mbi shqiptarësinë e Kosovës. Por ajo që dihet më pak dhe që meriton të vihet në dukje është historija e Kosovës. Kosova nuk ka qenë vetëm djepi i rilindjes shqiptare, por ka qenë sidomos faktori kryesor i ngjarjeve historike që shkaktuan dhe siguruan krijimin e shtetit shqiptar dhe të liris s‘onë kombëtare. Kosova ka qenë një fushë lufte e përherëshme ku shqiptarët kanë derdhur gjakun e tyre shekuj me radhë në një luftë të dyfishtë kundër turqve dhe kundër Serbo-Malazezëve. Veçanërisht ngjarjet historike më me rëndësi ato të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1877-1881), dhe ato të Kryengritjes së Kosovës (1909-1913), që patën si pasojë krijimin e shtetit shqiptar, ishin pothuaj kryekëput vepra të Kosovarëve. Vetëm Shqipëria e mbyllur në kufijt e 1913-ës, pati fatin e mirë ta gëzojë shpërblimin e therorive që e bënë shqiptarët e Kosovës, të cilët mjerisht, në vend që të fitonin lirinë e merituar, kaluan nga robërija turke në robërinë serbo-malazeze. Me këtë rast e shoh për detyrë të falënderoj të gjithë miqtë që më ndihmuan në përpilimin e këtij botimi, dhe sidomos të shpreh mirënjohjen time të thellë zotit Rauf Fico, për dokumentet që pati mirësinë të më dorzojë".

Studimi i Hamit Kokalarit: Konsiderata historike

Ky studim ka për qëllim të kapë, me anën e një përshkrimi historik dhe etnografik të shkurtër, një ide të përgjithëshme mbi ato krahina thjesht shqiptare të veriut dhe të veri lindjes që ishin anësuar prej Serbisë dhe Malit të Zi pas luftës Ruso-Turke të vitit 1877 e pas luftës ballkanike dhe që në kohën e sundimit otoman bënin pjesë të Vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës dhe të Manastirit. Në lëmën historike propaganda serbe ka arritur mjerisht të bëjë çudira, sepse ka mundur ta paraqesë Kosovën përpara opinionit të përbotshëm sikur të ishte një vend serb. Në këtë puna vepra e propagandistëve sllavë ishte e përkrahur edhe prej ndihmës e bashkëpunimit të plotë të shtypit dhe të literaturës së fuqive të mëdha mbrojtëse të Serbisë. Propaganda shqiptare, me mjetet e saj tepër modeste, nuk ka pasur efektet e dëshirueshme sa që të dispononte argumenta më të forta dhe sa do që vetë realiteti fliste në favor të tezës shqiptare. Një nga mjetet e propagandës serbe ka qenë folklora. Serbët kanë ekzaltuar në këngët e tyre popullore luftrat e tyre në Kosovë, por shqiptarët kanë më shumë arsye se ata që të jenë kryelartë për luftrat që kanë bërë kundra Turqëvet dhe kundër Serbëve po në Kosovë, dhe këto vepra të lavdishme përmenden në këngët tona popullore, të cilat vetë Serbët i kanë mbledhur dhe botuar në Beligrad, në rivistën "Prilozi Proncevanje norodne poezie".


E vërteta e betejës së Fushë-Kosovës në vitin 1389

Propaganda serbe ka përdorur sidomos betejën e Kosovës (1389), të cilën e ka paraqitur si një mit të pavdekshëm të idealit kombëtar jugosllav dhe si argument për të provuar rivendikimet serbe në Kosovë. Në fakt, beteja e Kosovës të cilën serbët e kanë permëndur së tepërmi duke i bërë të vetat të gjitha theorirat, ndodhi midis turqëvet dhe një koalicioni të krishterë nën komandën e për të mbretit sërb Lazar, i cili ra i vdekur në luftë e sipër. Duhet pra të sqarohet mirë se beteja e Kosovës nuk ka qenë vepër e Serbëve vetëm, por e një koalicioni të krishterë, të përbërë prej: Serbë, Shqiptarë, Bullgarë, Boshnjakë, Dalmatë, Ungarezë. Shqiptarët ishin të komanduar nga Princi Gjergj Kastrioti, gjyshi i heroit t‘onë kombëtar, Skënderbej, por komanda e përgjithëshme iu besua mbretit serb Lazar, dhe kjo u bë për shkak se asnjë nga ushtritë e tjera aleate nuk ishin të komanduara nga një mbret dhe sepse ushtrija serbe ishte më e madhe në numër. Fuqitë serbe dhe ushtritë aleate që luftuan në fushën e Kosovës u-përpoqën ta ndalojnë invazionin turk me një ekspeditë e cila kishte më shumë karakterin e një kryqëzate për t‘i prerë hovin rrezikut mysliman, se sa të një lufte me karakter kombëtar. Historianët e njohin këtë betejë si një kryqëzatë të re kundra fuqisë otomane që shtohesh dhe kërcënonte botën e krishterë të aksidentit. Sidoqoftë fuqitë shqiptare në këtë betejë sollën një kontribut të dorës së parë: "Më 1389 Gjergji i II Balsha, Theodor II Muzaka, Gjergj Kastrioti, stërgjysh i Skënderbeut, dhe disa princër shqiptarë të tjerë u bashkuan me Kralin Lazër të Serbisë, i cili organizoi një kryqëzatë kundër Sulltanit Muradit I. Ushtria kryqëzore, e përbërë prej Serbësh, Bullgarësh, Boshnjakësh, Shqiptarësh, Vllehësh, Pollakësh, dhe Hungrezësh u përpoq me ushtritë turke në fushën e Kosovës. Në këshillën e luftës që u mbajt nën kryesinë e Kralit Lazar, Gjergj Kastrioti kishte propozuar që t‘i bijen Turqëve natën, por ky proponim nuk u pëlqye nga shkaku se armiqtë mund të shpëtonin nga një disfatë e plotë dhe të iknin më t‘ë errët. I ranë pra ditën dhe u dërmuan plotësisht prej Turqëvet. Midis të vrarëve ishin Sulltan Muradi I vetë dhe Teodor II Muzaka. (Historija e Skënderbeut, prej Fan S. Nolit, Boston 1921, faqe 37).


Kosova s‘ka qenë kurrë tokë serbe

Vetëm fati dhe rasti i solli Serbët ta zgjedhin Kosovën si fushë lufte, mbasi në realitet Kosova nuk ka qenë kurrë ndonjëherë tokë serbe e vërtet dhe më vonë në rivendikimet e tyre Serbët, para dhe pas luftës ballkanike nuk kanë mundur ta provojnë që krahina e Kosovës dhe krahinat e tjera shqiptare fqinje ishin sllave, dhe as që munt t‘a provonin kur e aneksuan Kosovën, sepse numri i sllavëve ishte aty tepër i vogël. Sa për shprehjen "Stara Serbija", d.m.th. "Serbija e Vjetër", që serbët e përdorin zakonisht për ta quajtur kështu Kosovën, duhet theksuar se ajo shprehje nuk ka asnjë bazë historike dhe se Serbët e kanë shpikur vetë nga mezi i shekullit të XIX, për t‘i shërbyer më mirë qëllimevet të tyre ekspasioniste në dëm të Shqipërisë. Këtë taktikë e kanë përdorur edhe Bullgarët në propagandën e tyre me fjalën Maqedhoni, e cila ka mbetur si një shprehje gjeografike që nga kohët e vjetra kurse ata e kanë paraqitur Maqedhoninë si një tokë irredente bullgare pa marrë parasysh egzistencën e elementëve etnike të tjera. Për shembull Kaçaniku, Presheva, Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, Ohrija, paraqiten si pjesë të Maqedhonisë bullgare, kufitë e së cilës janë shënjuar arbitrarisht dhe pa asnjë karakter etnik e gjeografik. Këtë sistem ka përdorur në jugë edhe propaganda greke me fjalën Epir, e cila në realitet në dokumentat historike dhe letrare të vjetra është sinonim i Shqipërisë, ashtu si fjala epirote tregon çdo gjë që është shqiptare ose ka të bëjë me gjuhën shqipe. Gjuha shqipe tregohesh me fjalët "gjuhë epirote" dhe Skënderbeu njihesh në kohët e kaluara si Princ i Epirit. , kurse propaganda e fortë greke i ka shlyer këto gjurma përpara opinionit të përbotshëm. Para dhe pas luftës ballkanike shumë krahina shqiptare u aneksuan prej Serbis sa që munt të thuhet se një Shqipëri e dytë ekzistonte jashtë kufivet politike të Shqipërisë dhe kishte mbetur nënë sundimin e Serbëve. Të gjitha këto krahina quhen zakonisht në gjuhën shqipe; "Kosovë", edhe kur bëhet fjalë për krahinat që janë në shumë larg nga "Fusha e Kosovës". Për sa i përket Pejës dhe Jakovës (Gjakovës, shënimi ynë), ajo njihet prej nesh si pjes e Kosovës, kurse emri i vërtetë i saj në shqipe është "Dukagjin". Të huajt e tregonin me emrin me emrin "Metohi", meqë rrjedh nga greqishtja dhe do të thotë pronë e kishës. Për të forcuar konsideratat historike, duhet kujtuar se në ngjarjet e zhvilluara në ato krahina shqiptare kanë një rëndësi të veçantë. Para ardhjes së Romanëvet dhe Sllavëvet në Ballkan, vendi ka qenë në dorë të Illirianëvet, stërgjyshër të Shqiptarëvet, të cilët u shquan sidomos me mbretërit e tyre në kohën e Teutës, me kryeqytet Shkodrën, dhe me mbretërinë e Dardanis, me kryeqytet Shkupin. Fiset dhe mbretërit ilirianë treguan një gjallëri të madhe dhe okuponin pjesën më të madhe të Ballkanit perëndimor. Veçanërisht mbretërija e Dardanisë që përfshinte gjithë Kosovën dhe kishte Shkupin si qendër, ka lojtar një rol historik me rendësi.
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Kosova, djepi i shqiptarizmit Empty Re: Kosova, djepi i shqiptarizmit

Thu 19 May 2011 - 8:47

Kongresi i Berlinit që copëtoi Shqipërinë

Prapë në Kosovë ndodhen më von ndërmarrjet për ringjalljen e atdheut shqiptar. Fakti historik që e rifilloi rilindjen shqiptare ndodhi në vilajetin e Kosovës, në Prizrend, ku u themelua Lidhja e famshme me emrin Lidhja e Prizrenit (1878). Nga Kosova filluan të zhvillohen degët e kësaj organizate madhështore që si shkëndijë u përhap në shtytjen e ndjenjës kombëtare në të gjitha anët e Shqipërisë. Kosovarët ishin elementët kryesorë të Lidhjes që e vunë në zbatim programin e mbrojtjes së interesave shqiptare duke luftuar kundër Malazezëve, Serbvëve dhe Grekërve. Krijimi i Lidhjes u shkaktua nga traktati i Shën Stefanit (1878), i cili u rishikua mandej në Berlin. Krerët shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e Kosovës dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në mbledhjen e Lidhjes në Prizren vendosën: të shpëtojnë sidomos Atdheun nga coptimi i dekretuar nga Kongresi i Berlinit në favor të kombeve fqinj; së dyti t‘i imponojë Qeverisë otomane autonominë e Shqipëris brenda kufivet administrativ të katër vilajeteve të Janinës, Manastirit, Shkupit dhe Shkodrës, me Ohrin si kryeqytet, e më në fund ta përgatitin kombin për luftën e fundit, për pamvarësinë e tij të plotë. Përveç kësaj Lidhja dërgoi në Kongresin e Berlinit delegatët e saj, por desideratat e tyre u as që u dëgjuan, mbasi në atë mbledhje nuk kish njerëz që të tregonin dëshirë të mirë për të evituar të këqijat që i rezervoheshin Shqipërisë. Kështu që u vendos në atë Kongres coptimi tokave shqiptare për të kënaqur lakmit serbe, malazeze dhe greke. Por vullneti i Shqiptarëve të armatosur nuk u përkul prej këtij vendimi të padrejtë; për të ruajtur integritetin toksor shqiptar, Lidhja kundërshtoi me të gjitha fuqitë dhe me rezistencën e saj krenare. Fuqitë shqiptare luftuan burrërisht në Plavë e Gusi dhe i shpëtuan ato krahina nga zgjedha malazeze. Ashtu luftuan dhe në Hot dhe në Grudë si dhe në Ulqin ku Evropa u detyrua të dërgojë një flotë ndërkombëtare për të kërcënuar Shqiptarët dhe nga ana tjetar e shtërngoi Sulltanin të bëje një ekspeditë për të dënuar kryengritësit shqiptarë që kishin vendosur më mirë të vdisnin se sa të lëshonin një pëllëmbë tokë të vendit të tyre.

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi