Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anonymous
Vizitor
Vizitor

Në cilin shtet i bie të jetë Gjilani?  Empty Në cilin shtet i bie të jetë Gjilani?

Thu 21 Jul 2011 - 15:08
Në cilin shtet i bie të jetë Gjilani?  F.0720230350192_m
Ardian Azemi
Dikush thoshte se në Gjilan do të mbjellim rrush dhe kumbulla, që nënkuptohej të bëhet rrush e kumbulla Gjilani; dikush premtonte se Gjilanin tonë do ta bënin qytet dykatësh, ku rrugët hyrëse në qytet do të bëheshin me rrugë nëntokësore dhe mbi tokësore; e dikush premtonte se Gjilani do të bëhet me hekurudhë; që realisht, shqetësimi im ishte se kah do t’i binte treni, rrugët e ngushta, fëmijë plot qyteti, e mos e bëjë zot, të shkelte ndonjërin.

Për të shkruar për ndonjë qytet të Kosovës, natyrisht, në fillim duhet elaboruar pozitën gjeografike, ekonomike, shoqërore e politike. Gjilani si qytet gjendet në pjesë juglindore të Kosovës, ku pozita gjeografike është fare e mirë për faktin se shtrihet në pellgun e Moravës dhe realisht është qendër e rajonit të Anamoravës. Gjithsesi, është qendër që lidh disa qytete tjera, si Prishtinën, Ferizajn, Dardanën dhe pjesën e ndarë të Kosovës, Bujanocin, si dhe Lipjanin e Kumanovën.

Sipas informacioneve që kam, Gjilani si qytet njihet që nga viti 1342, kur këtu ka qëndruar mbreti serb i njohur me emrin Dushan. Në aso kohe, Gjilani njihej me emrin “Gnivlani” si i tillë përmendet në kartën e konteshës Milica. Mendimi më real rreth mënyrës së emërtimit të qytetit me emrin Gjilan, thuhet se është bërë në vitin 1750, ndërsa si qendër urbane - në vitin 1772, nga një familje e quajtur Gjinolli që vinte nga komuna e sotme Artana (ish-Novobërda), e që në fakt i takonte fisit Gjinaj, dhe nga kjo familje e mori edhe emrin Gjilani. Decidivisht, qyteti i Gjilanit është krijuar nga familje shqiptare dhe me të drejt mund të themi se ky qytet ka plotësisht identitet shqiptar.

Gjithsesi, Gjilani kishte ekonomi stabile

Gjilani njihej si qyteti thuajse më i pasur në Kosovë, për faktin se në këtë qytet kishte fabrika të shumta të cilat siguronin vende të shumta pune me të cilat qytetarët mbanin familjet e tyre dhe siguronin një jetesë relativisht të kënaqshme, por që ishin krejtësisht nën rrethim të hekurt nga okupimi serbo-sllav, dhe të diskriminuar e privuar nga liria totalisht. Nga gjitha ato fabrika që kishte Gjilani, sot nuk ka asnjë, disa prej tyre janë privatizuar në mënyra jo ligjore nga njerëz me autoritet në politikë, disa janë privatizuar nëpërmes AKM-së e më pas për shkak të mos funksionalitetit të duhur dhe keqmenaxhimit dhe trysnive nga institucionet e vendit, janë detyruar të mbyllen dhe një numër i madh punëtorësh të ikin në shtëpi dhe të mbesin pa asnjë të ardhur.

Po bëhen dymbëdhjetë vite nga përfundimi i luftës në Kosovë, nga e cila Gjilani pësoi shumë, nëse jo në numër të madh të viktimave e dëshmorëve, ekonomikisht, po. Të gjitha qeveritë e pasluftës, epiqendër për zgjedhje kishin komunën e Gjilanit dhe në tërësi Anamoravën.

U dhanë shumë premtime, u projektuan shumë prioritete infrastrukturore, investime qindra milionëshe. Dikush thoshte se në Gjilan do të mbjellim rrush dhe kumbulla, që nënkuptohej të bëhet rrush e kumbulla; dikush premtonte se qytetin tonë do ta bënin qytet dykatësh, ku rrugët hyrëse në qytet do të bëheshin me rrugë nëntokësore dhe mbi tokësore; e dikush premtonte se Gjilani do të bëhet me hekurudhë, që realisht, shqetësimi im ishte se kah do t’ binte treni, rrugët e ngushta, fëmijë plot qyteti, e mos e bëjë zot, të shkelte ndonjë fëmijë. Të gjitha këto premtime ishin pjesë e fushatave të tërësishme të të gjitha zgjedhjeve në Kosovë. Bile gjatë fushatave elektorale nuk kemi pasur shanse reale të dalim në qytet të shëtisim, sepse mbetnim nga dy a tri orë duke na ndal liderët të na përshëndesnin nëpër rrugët e qytetit. Ah sa të mirë që ishin, me plotë buzëqeshje, gazmor, aq të sjellshëm, plot e përplot fjalë të mëdha, ndërsa në anën tjetër, një zot e di se çfarë kanë thënë për qytetarët.

U premtua gjithçka, dhe asgjë nuk u realizua

Po kthehem pak në retrospektivë. Jo shumë moti, në fushatë zgjedhore lider të partive që tani po udhëheqin me vendin, premtonin gjithçka të bukur, sat ë bukura ishin ato premtime. Aq të bukura sa që hipnotizuan qytetarët të cilët mezi prisnin të vij dita e zgjedhjeve dhe të qesin “kokrrën” në kutit e votimit. E mbajmë mend se gjatë tubimeve, zotoheshin që nëse ne e marrim sërish pushtetin, në komunën tuaj do të investojmë njëqind milionë euro, e disa pak më shumë. Zot i madh zgjatna jetën, do të na bëjnë Gjilanin New York. Bile thoshin se “ne si qeveri e Kosovës do të bëjmë ndarjen e buxhetit në mënyrë proporcionale, që nënkuptohet si ndarje e barabartë për të gjitha komunat, pa dallim bindje politike a fetare”. Na luteshin neve qytetarëve që të bashkëpunojmë dhe përkrahim kryetarin i cili do të dal nga zgjedhjet, sepse do të jemi unik në veprimet tona të mëtutjeshme. Dëgjoheshin disa qytetarë kur pëshpëritnin mes vete, “ kjo është rren fund e krye”, ndërsa disa të tjerë dukeshin të lumtur, ndryshonin mimikat e fytyrës, aq të hareshëm nga fjala e liderit. Sa zhgënjyese.

Gjilanit iu premtuar këto qindra miliona euro, që tani po bëhet mbi gjysma e vitit dhe natyrisht, kur bëjmë llogari në total atë njëqind milionëshin e premtuar nga kryeministri, tani Gjilani do të duhej që në arkën e vet të kishte mbi njëzet e pesë milion euro, ngase është fare e lehtë të llogaritet, një mandat qeverisë komunal katër vjeçar, nga njëzet e pesë milion euro, bëjnë njëqind milion euro. Lëre që nuk ndodhi të mos investohej aspak, por komuna e Gjilanit u thellua në borxhe nga të cilat assesi nuk mund të dal. U nisën tash e disa vite rrugë për tu asfaltuar, kanë mbetur në gjysmë, jo për shkak të kushteve atmosferike, por kryesisht për shkak të mos zbatimit të kontratës që kanë bërë më qytetar, rrjedhimisht, premtimit të dhënë. Gjë që është pranuar edhe nga kreu i tanishëm i komunës së Gjilanit, z. Mustafa.

Të gjitha hyrjet në qytetin e Gjilanit nga qytetet tjera, janë në gjendje të mjerueshme. Bëhen “harrnime” të shpeshta, dy javëshe ngase menjëherë prishen. Këto rrugë, si gjithçka mund të duken, pos si hyrje në një qendër si Gjilani. Arrij të kuptoj, natyrisht, sepse krerët e institucioneve të vendit, në Gjilan vijnë jo rrallë herë, njëherë në katër vite, kam fjalën zyrtarisht, të njihen me përparimet ose ngecjet e komunës, sepse privatisht nuk e dijë sa herë vijnë, dhe është shumë e parëndësishme vizita të tilla. Gjilani njihet si qyteti ku ka një numër të madh të papunëve krahasuar me qytetet tjera të Kosovës. Shtresa me vitale e shoqërisë, rinia, për nga përqindja është në nivel të lartë. Shkollimi dhe arsimimi i rinisë Gjilanase është po ashtu e nivelit të lartë, por të cilët nuk e gjejnë veten askund, nuk sistemohen dhe injorohen nga pushteti qendror.

Shkëputja e komunikimit mes deputetëve dhe qytetarëve

Anarkia dhe kaosi ne komunën e Gjilanit është si rrjedhojë e mungesës së bashkëpunimit në mes strukturave të qeverisjes komunale dhe asaj qendrore, si dhe përçarja që ekziston tani e sa kohë mes drejtuesve të komunës dhe ekzekutivit të shtetit. Një faktor tjetër shumë që ndikon dukshëm në kolapsin ekonomik të Gjilanit dhe mosrealizimin e objektivave kryesore, është edhe mungesa e komunikimit mes qytetarit dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që vijnë nga Anamorava, të cilët domosdo kërkojnë votat për tu bërë deputetë dhe me rastin e futjes në Parlamentin e Kosovës shkëpusin me automatizëm komunikimin dhe nuk ngrinin zërin për interesa të rajoneve nga të cilat edhe vijnë edhe marrin votat.

Deputet e Kuvendit të Kosovës që vijnë nga Anamorava, janë vetëm “karrem” i grupacioneve politike që me ngulm mbrojnë interesat e ngushta të tyre, por edhe të politikave që në vazhdimësi kanë krijuar dhe vazhdojnë të krijojnë injorime ndaj Anamoravës dhe disa komunave të tjera në Kosovë.

Për fund, dua t’i përkujtoj deputetët e Kuvendit të Kosovës se, të gjithë duhet t’i bëjnë pyetje vetes se, çfarë kenë bërë për Gjilanin deri më tani..?, Sa herë jenv takuar si deputetë nga Anamorava pavarësisht përcaktimeve politike që t’i mbrojnë interesat e komunës së tyre? A jenë të informuar, (të paktën nga gazetat), se Gjilani është gjunjëzuar...? Se Gjilani është copëtuar nga procesi i decentralizimit…? Se komuna juaj tash e dymbëdhjetë vite po mbetet anash proceseve në Kosovë…? Janë pyetje që me të drejt duhet t’i parashtrojnë vetes së tyre, sepse kështu si kanë vepruar deri më tani, vaj halli për ta, që me ligjin zgjedhor në zona zgjedhore do të pësojnë shumë keq. Do të përuleni para qytetarëve, por mendoj se do të bëhet shumë vonë.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi