Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
BeSaa
BeSaa
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Kosova
<b>Postime</b> Postime : 11852
<b>Hobi</b> Hobi : leximi dhe muzika
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Ne Zemren Shqiptare..
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 12/11/2011

AUTORËT SLLAVË E MOHOJNË AUTOKTONINË E SHQIPTARËVE NË “TOKAT SLLAVE”	 Empty AUTORËT SLLAVË E MOHOJNË AUTOKTONINË E SHQIPTARËVE NË “TOKAT SLLAVE”

Wed 21 Dec 2011 - 21:42
ME RASTIN E PROMOVIMIT TË

ENCIKLOPEDISË SË

AKADEMIKËVE MAQEDONAS



Institucioni më i lartë shkencor maqedonas, Akademia e Shkencave dhe Arteve Maqedone (ASHAM), qëndrimet e veta nacionaliste dhe antishqiptare, dhe “konstatimet” se shqiptarët janë ardhacakë në “trojet sllave” pakurfarë mbështetje shkencore, në këtë Enciklopedi i ka shpallur haptas. Ky nuk është një rast i veçantë sepse historiografia maqedone, pa edhe ajo slllave nëpërgjithësi, çdo herë popullin shqiptar aty ku jeton sot me shekuj, e ka quajtur si të huaj dhe cilësuar si një popull të pacivilizuar, agresiv dhe okupues të trojeve të huaja.

Akademikët maqedonas për të kaluarën historike të popullit shqiptar, pa kuarfarë dyshimi, janë bazuar në tezat e mirënjohura antishqiptare të shkencëtarëve serb dhe të atyre maqedonas që kanë qenë me qëndrime proserbe. Pastaj janë bazuar edhe në politikanët serbë që historikisht, haptas kanë kryer një luftë antishqiptare, jovetëm në trojet ku jetojnë sot shqiptarët por edhe më gjerë. Shkencëtarët serbë dhe proserbë të mbështetur në tezat e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Serbe (ASHAS) dhe të përkrahur nga politikanët të cilët vazhdimisht zhvillonin një politikë gjenocidale dhe shfarosëse antishqiptare, janë këta: Jovan Cviji}, Vlladan \or|evi}, Ivo Andri}, Risto Nikoli}, Vasa ~ubrilovi}, Atanasije Uro{evi} dhe Jovan Trifunoski. Më vonë, si “politikan” dhe si “shkencëtar i dalluar” që me falsifikime e trillime është orvatur të japë tepër për kauzën sllave paraqitet edhe Nijazi Limanoski, e shumë të tjerë të çiftit të tij (këta janë vetëm disa prej tyre).

Ndër autorët e përmendur që për herë të parë orvatet në mënyrë “shkencore” ta argumentojë depërtimin e shqiptareve në “trojet sllave”, është Jovan Cviji}. Në veprat veta shkencore të karakterit antropogjeografik, ( si ky kanë vepruar edhe shumë studiuesë e politikanë të kohës), në tërësi thotë se shqiptarët në “trojet sllave” ku jetojnë sot, janë të ardhur pas invazionit të turqëve osmanlinj në Ballkan, përkatësisht ata (shqiptarët) një pjesë të “trojeve sllave” i okupuan gjatë shek. të 17 e të 18. Invazioni i shqiptarëve, sipas tij, pat qenë i dhunshëm sepse popullatën sllave me forcë e paskan detyruar t’i lëshojë shtëpitë e veta. Në “konstatime të këtilla” patën ardhur edhe autorët e më vonshëm në studimet e tyre.

Këtë sot akademikët maqedonas, nëpërmjet të ashtuquajturës Enciklopedi maqedonase (ndoshta do të ishte më mirë të quhej e Maqedonisë), synojnë ta vërtetojnë me fakte që s’kanë kurfar mbështetje shkencore. Në fakt, kjo Enciklopedi, sipas vlerësimeve që i kanë bërë shkencëtarët shqiptarë dhe politikanët shqiptarë në Maqedoni e më gjerë, shkakton një urrejtje ndëretnike (do të thuhej edhe luftënxitëse) në mes shqiptarëve e maqedonasve.

Më tepër për qendrimet sllave lidhur mbi autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre shekullore dhe si i shikojnë cilësitë e shqiptarëve në veprat e tyre, po e paraqesim artikullin që vijon ( kujtojmë se ky artikull një herë është paraqitur në faqet e internetit, por tani për shkak të aktualitetit po e paraqes përsëri).

AUTORËT SLLAVË E MOHOJNË AUTOKTONINË E SHQIPTARËVE NË “TOKAT SLLAVE”

Në historiografinë sllave mund të gjenden mjaft studime lidhur me çështjen e autoktonisë shqiptare. Autorët sllavë i ka interesuar origjina dhe etnogjeneza e shqiptarëve, madje edhe autoktonia e tyre (në kohën e fundit edhe në Enciklopedinë e Akademikëve të Maqedonisë). Këtë nuk e kanë bërë me ndonjë qëllim që t’i tregojnë botës se kush janë shqiptarët, por të mundohen në çfarëdo mënyre, duke përdorur metoda shkenctarisht të papërfillta, ta nxjerrin në dritë “të vërtetën mbi shqiptarët”. Me këtë kanë synuar që ta bëjnë botërisht “të qartë” se ata janë një popullatë e ardhur nga viset e Shqipërisë. Bile e tregojnë edhe kohën kur kanë ardhur në “tokat sllave” dhe prej ku. Objektivi i tyre ka qenë që me këbmëngulje t’u tregojnë qarqeve shkencore dhe atyre politike, brenda dhe jashtë vendit, se popullata sllave në trojet ku jeton sot është autoktone, kurse popujt e tjerë, duke aluduar për shqiptarët, janë të ardhur (alloktonë).
Në konstatimet e tyre, fillimisht kanë ardhur në përfundim se shqiptarët e sotëm kanë origjinë iliro-pellazge, dhe se janë më të vjetrit në Ballkan. Në sajë të kësaj kanë dhënë edhe një definim lidhur me kuptimin autoktoni. Sipas definimit të tyre, tregohet se cili popull është më i vjetër që përherë të parë i ka populluar trojet e sotme, madje sqarohet edhe koha se prej kur fillon historia e Ballkanit.

Autorët sllavë në studimet e veta e tregojnë edhe shtrirjen gjeografike të popullatës më të vjetër (parahistorike), përkatësisht iliro-pellazgëve. Sipas tyre, ky popull ka qenë i ngulitur në Ballkanin Perëndimor. Kjo shtrirje përputhet plotësisht me trojet e shqiptarëve të sotëm. Teza e këtillë është e pranueshme edhe nga autorët shqiptarë të cilët merren me çështjen shqiptare.

Ndër studiuesit më të dalluar në shkencën sllave, i cili ka dhënë një kontribut të dalluar në fushën shkencore, është Jovan Cvijiq (1865-1927). Ky autor serb në studimet e veta antropogjeografike ka ardhur në përfundim se popullsia shqiptare është me origjinë iliro-pellazge dhe është një ndër popujt indoevropjanë më të vjetër në Ballkan dhe autokton. Në konstatim të këtillë kanë ardhur edhe autorë të tjerë sllavë të cilët do t’i përmendim më vonë.

Megjithatë, konstatimet e këtilla nuk kanë qenë në interes të politikës sllave, posaçërisht të asaj serbomadhe, në veçanti. Borgjezia serbe e kohës së Cvijiqit(më parë e pas tij),ka udhëhequr një politikë kryekëput ekspanzioniste-gllabitqare. Qëllimi i saj, duke u dhënë rëndësi faktorëve natyrorë, ka qenë që t’i okupojë ato vende të cilët mundësojnë dalje në det, dhe që kanë rëndësi gjeostrategjike. Për të mbrijtur këtë qëllim, është dashur në fillim vendi të çlirohet nga okupuesi osman, e pastaj, sa më tepër që është e mundur, të merr vend nga trojet e popujve të tjerë. Që të arrihej objektivi i caktuar, qeverisë serbe, më vonë edhe asaj jugosllave, para dhe pas LDB, duhej t’i vinin në dihmë edhe puntorët e shkencës në krye me Akademinë e shkencave.

Pikërisht, për këtë qëllim, Cvijiqi, mbështetësit e tij të kohës dhe pasuesit e mëvonshëm, duke haruar atë që kanë konstatuar më parë, filluan të plasojnë teza të reja për çështjen shqiptare të paqëndrueshme në fushën shkencore, që ju kanë shërbyer interesave të politikës shtetërore gllabitqare. Këto teza të Cvijiqit gjejnë mbështetje edhe në kohët e mëvonshme nga autorët sllavë.

Shkolla gjeografike e drejtimit antropogjeografik të cilën e themeloi Jovan Cvijiqi, dallohej me dy cilësi: e para, mbështetet në sqarimet parciale dhe në shtrembërimin e fakteve që flasin për autoktoninë e shqiptarëve, dhe, e dyta, ka pasur qëllime kryekëput politike.
BeSaa
BeSaa
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Kosova
<b>Postime</b> Postime : 11852
<b>Hobi</b> Hobi : leximi dhe muzika
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Ne Zemren Shqiptare..
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 12/11/2011

AUTORËT SLLAVË E MOHOJNË AUTOKTONINË E SHQIPTARËVE NË “TOKAT SLLAVE”	 Empty Re: AUTORËT SLLAVË E MOHOJNË AUTOKTONINË E SHQIPTARËVE NË “TOKAT SLLAVE”

Wed 21 Dec 2011 - 21:43
Jovan CVIJIQ, në studimet e veta antropogjeografike, edhe pse jep një shpjegim për shtrirjen e ilirëve në trojet ku sot jetojnë sllavët, kur bën fjalë për autoktoninë e shqiptarëve në “tokat sllave”, ai, pasi ka qenë në shërbim të politikës shtetërore, orvatet t’i shtrembërojë faktet, duke manipuluar me të dhëna të tjera të cilat nuk kanë ndonjë mbështetje shkencore në nxjerrjen në dritë të çështjes së autoktonisë së shqiptarëve (një kundërshtim me vetë veten i pakontestueshëm që nuk do koment?!). Qëndrimet e tij pseudoshkencore për mosprezencën e shqiptarëve në këto troje para shekullit të 18, përbëjnë një strategji të një politike ekspanzioniste gllabitqare e gatuar në Akademinë e shkencave në Beograd. Këto qëndrime i përcuallë edhe akademikët e sotëm serbë të Akademisë së shkencave të cilët mundësuan që në territorin e ish Jugosllavisë komuniste të shkaktohen luftra shkatërruese me qëllim të ekspanzionit territorial të Serbisë.

Aspirata dhe ide për krijimin e një Serbie të madhe, mund të gjenden në veprat antropogjeografike dhe etnografike të Cvijiq -it. Për popullatën shqiptare në Kosovë e në Maqesdoni ai bën fjalë në shkrimet e botuara midis viteve 1912 dhe 1921. Në këtë kontekst çështjen shqiptare e trajton në kuadër të çështjeve që kanë të bëjnë për Gadishullin Ballkanik, si, bie fjala, për antropogjeografinë, etnologjinë; pastaj mbi daljen e Serbisë në detin Adriatik ose në detin Egje etj[1].

Cvijiq, veç të tjerave, në kuadër të shkollës gjeogrfike të drejtimit antropogjeografik, të cilën e kishte themeluar vetë,themeloi edhe edicionin “Vedbanimet dhe prejardhja e popullsisë”. Në këtë edicion kanë dalë shumë libra shkencore dhe monografi. Në këto libra, Cvijiq me bashkëpuntorët e vet, dhe ata më vonë që i qenë besnikë shkollës së tij, e patën cënuar rrëndë të kaluarën historike të shqiptarëve, madje edhe veçoritë atropogjeografike dhe psikologjike të tyre, thotë akademik Hivzi Islami (2003).

Ai, në veprat e tij, haptazi e justifikon politikën ekspanzioniste gllabitqare të Serbisë, dhe gjithnjë përpiqej të gjente argumenta se kinse serbët, si historikisht, ashtu edhe etnografikisht dhe antropogjeografikisht, me “vetëdije më të fortë kombëtare”, paskan të drejtë që në shtetin serb të përfshijnë edhe vende të tjera rreth Serbisë[2].

Qëllimi i Cvijiq-it në krijimin e tezave antishkencore ka qenë që t’u tegojë qarqeve shkencore e më gjerë, se shqiptarët në trojet e sotme, si në Kosovë e në Maqedoninë Perëndimore, janë të ardhur nga Shqipëria. Për kohën e migrimeve të tyre, thotë se kanë ndodhur në kohën pas luftrave austro-turke të viteve 1689-1690 dhe 1737-1739, kur popullata serbe i pat lëshuar vatrat e veta, dhe, në vendin e zbrastë, paskan imigruar shqiptarët. Me vendosjen e kësaj popullate, thotë ai, është bërë islamizimi dhe shqiptarizimi i sllavëve të mbetur. Shqiptarët nëpërmjet rajonit të Kosovës depërtuan edhe në pjesët e tjera të Serbisë. Nëpërmjet rrugëve të tjera depërtuan edhe në Maqedononë Perëndimore dhe Veriore. Depërtimet e këtilla të shqiptarëve, thotë Cvijiqi, më së shumti kanë përparuar në shekullin e 17 e të 18 dhe gjysmën e parë të shekullit 19. Natyrisht, popullata e ardhur, njëkohësisht pat bërë edhe islamizimin dhe shqiptarizimin e serbëve në përmasa më të mëdha[3]. Këtë tezë të Cvijiqit, akademik Hivzi Islami e demanton në mënyrë kategorike. Konstatimet e Cvijiqit dhe të pasuesëve të tij,thotë ai,nuk janë të pranueshme, sidomos, për shkaqe gjeografike dhe demografike. Shqipria e veriut është territor malor me resurse të kufizuara për ekzistencë, dhe nuk ka qenë e mundur të ketë një popullsi aq të madhe për ta populluar tërë Kosovën dhe vendet e tjera ku sot jetojnë shqiptarët, nënvizon akademik H.Islami. Për këtë, thotë ai, flasin edhe faktet kadastrale turke qush në shekullin e 15 dhe të 16[4].

Në analizat shkencore që iu ka bërë veprave të Cviji}-it,ky studiues i dalluar në fushën shkencore, vjen në përfundime mjaft korrekte. Në interpretimet e informacioneve dhe të dhënave nga terreni, Cvijiq “ishte joobjektiv,spekulant e konstruktues i konkluzioneve, shovinist e hegjemon”, nënvizon akademik Hivzi Islami[5]. Mirpo tek Cvijiq vërehet e diçka tjetër. Sipas nevojës së situatave të ndryshme dhe interesave të politikës gllabitqare-shoviniste serbe, ai pat ndërruar tezat e veta dhe kriteret në vlerësimin e fakteve dhe realitetit në hapsirë. Mëtutje, vazhdon ai,për një të vërtetë shkencore Cvijiq insistonte se duhet kërkuar argumente dhe kritere të qarta e të verifikuara, por me kusht që ato të jenë në favor të Serbisë e të serbëve.Por, nga ana tjetër, kur bëhej fjalë për popujt joserbë, argumentet dhe faktet që mund të nxirnin në pah të vërtetën, i kontestonte, përfundon akademik Hivzi Islami[6].

Një ndër autorët serb që ka dhënë kontributin e vet në fushën antropogjeografisë dhe përkrahës i denjë i doktrinës cvijiqjane, është edhe Atanasije Urosheviq. Ky studiues, pasi ka punuar si profesor në Univerzitetin e Shkupit gjer në penzionim (1964) dhe pas penzionimit vazhdoj të punojë në Univerzitetin e Prishtinës, dhe pasi ka jetuar për tërë kohën e tij në trojet ku jetojnë shqiptarët,pati rastin që observimet antropogjeografike t’i bëjë në masë më të madhe tek shqiptarët. Studimet që i bën për popullatën shqiptare kanë pasur për qëllim që ta tregojnë atë çka nuk është e vërtetë dhe t’u shërbejë qarqeve shkencore e politike serbe për qëllime të caktuara.

Analizën e disa veprave me rëndësi të këtij autori e ka bërë prof. Asllan Selmani (profesor në Univerzitetin e Shkupit). Urosheviqi, thotë ky analist, në asnjë punim nuk e përdor statistikën zyrtare, por vetëm të dhëna që i ka mbledhur vetë në terren, përkatësisht në rajonet e hulumtimeve të tij. Në veprën “Kumanovo” (1949) ai përdor kryekëput të dhëna të mbledhura në vetë rajonin që e ka hulumtuar për një kohë më të gjatë. Këtu ai,tërë mundin e vet, nënvizon Selmani, e ka derdhur për të treguar e dëshmuar se rajoni i Kumanovës për çdoherë para shekullit të 17 edhe më vonë, ka qenë i populluar vetëm me popullsi sllave. Madje, ai ka pasur për tendencë që popullatën e cila sot jeton aty, ta definojë si serbe. Konstatimet e zbrazëta të Urosheviq-it, mbeten vetëm të shkruajtura, sepse faktet e së vërtetës të nxjera nga burimet arkivore, flasin krejtësisht për diçka tjetër.

Është për t’u theksuar se tërësisht edhe ky autor gjendet në vazhdën e njëjtë cvijiqjane, thekson Selmani, sepse prezencën e shqiptarëve në këtë rajon e sheh si rrjedhojë e pasukseshshme e luftës së ushtërisë austriake në fund të shek. të 17 dhe fillimit të atij 18. Gjatë kësaj periudhe, sipas Urosheviq-it, masovikisht paskan depërtuar thellë shqiptarët në tokat sllave, kurse kolonizimin serb të trojeve në Maqedoni, nuk e përmend aspak, përfundon, në mes tjerave, prof. A.Selmani, në analizën që ja bën veprës “Kumanovo” të autorit serb, Atanasije Urosheviq[7].

Sipas analizave të bëra veprave të autorëve sllavë nga ana autorëve shqiptarë, shihet se kontribut të madh për mosprezencën e shqiptarëve në Maqedoni ka dhënë edhe Jovan Trifunoski. E gjithë veprimtaria e këtij autori, thotë prof. A.Selmani, “është ngjeshur me metodologjinë shabllone të antropogjeografisë tendencioze që kalon në tendosjet e thella të mohimit të prezencës së shqiptarëve në Maqedoni dhe përkundrejt fakteve e dokumenteve historike…”[8].

Jovan Trifunoski, në studimet e veta antropogjeografike thotë se, popullatën shqiptare dhe vendbanimet e tyre ka filluar t’i studijojë qysh nga fundi i vitit 1940 dhe të vitit 1941. Madje, për shkak të fillimit të LDB, këto studime i ndërpret dhe përsëri i rifillon, por përsëri me ndërprerje, në vitin 1945 dhe vazhdon gjer në vitin 1979[9].

Gati në të gjitha studimet e veta, kujdes më të madh i ka kushtuar autoktonisë shqiptare. Ai “konstaton” se shqiptarët në tërësi janë të ardhur nga Shqipëria, dhe se, para tyre aty paskan jetuar vetëm popujt sllavë. Në këtë “përfundim shkencor” ai vjen jo në bazë të fakteve shkencore të gjetura në ndonjë literaturë thelbësore historike, të cilën ndoshta nuk ka pasur mujndësi ta gjejë; as në sajë të dokumentave arkivore që mundësojnë tepër në ndriçimin e së vërtetës, por në bazë të observimeve në teren[10].

Jovan Trifunoski[11] popullatës shqiptare kujdesin më të madh ja kushton në dy veprat e tija voluminoze: “Kumanovska-preshevska Crna Gora” (botim i SANU, Beograd,1951)dhe“Polog-antropogeografska prouçuvanja”(botim i SANU, në edicionin e njohur “Naselja i poreklo stanovnishtva”,Beograd, 1976).

Rajonet e studiuara në veprat e përmendura, Trifunoski nuk i ka zgjedhur rastësisht, thotë dr. A.Selmani (2004), por që më parë të caktuar për qëllime të qarta, të mohojë prezencën e shqiptarëve para shek. 18 e të 19 dhe “shkenctarisht” të dokumentojë tezën e konstruktuar më parë. Në mbledhjen e informatave ai përdor një metodë që në shkencën e gjeografisë bashkëkohore është e papranueshme, dhe nuk sjell në kurfarë kostatime të vërteta që do të kenë ndonjë vlerë shkencore. Sipas kësaj metode, informatat i mbledh vetëm me pyetjen e popullatës vendase dhe kostaton me të thënat “ashtu më thanë”[12].

Edhe veprën që ja kushton rajonit të Pollogut me titull: “Polog-antropogeografska prouçavanja”, nuk e ka zgjedhur rastësisht.Kjo nga fakti se aty përqindjen më të madhe e përbëjnë shqiptarët. Edhe këtu kategorikisht e mohon prezencën e shqiptarëve para shek. të 18. Në këtë libër, në mes tjerave, shkruan: “ me vendosjen e sllavëve në Pollog, popullsia ilire ishte e detyruar të shpërngulet ose të bëhet viktimë dhe të sllavizohet”(cit. nga A.Selmani, 2004). Nga kjo shihet se vetë po vjen në konfuzion. Nëse e mohon prezencën e shqiptarëve, atëheren, pse thotë se aty para tyre kanë qenë ilirët, kur dihet botërisht (edhe ai vetë!)se këta janë paraardhësit e shqiptarëve.

Në analizën që ja bën kësaj vepre prof. A. Selmani, duke cituar autorin, shton: “Shqiptarët në mënyrë intensive kanë depërtuar (në Pollog, shton A.S.), veçanrisht në shek. e 19… në fshatrat e zbrazura të krishterëve depërtuan dhe mbizotëruan shqiptarët myslimanë të ardhur… popullsia sllave në Pollog me rastin e depërtimit të tyre në fillim të shek.7 veçanrisht në viset malore, në vendbanimet e përkohshme blegtorale dhe në fshatra të fushës u takua me popullsi të vjetër vllehe dhe shqiptare”. Madje, Trifunoski në këtë vepër shpik edhe atë se shqiptarët para se të vijnë në Pollog, nuk paskan ditur për grurin, gështenjën, ujitjen, misrin, specin, domaten, livadhin, kosën e shumë të tjera, prandaj emrat e tyre i paskan përdorur në gjuhën maqedone. Nëse këto nuk i kanë ditur, atëheren, ku i kanë kullotur delet (dhëntë) e tyre, pyet prof. Asllan Selmani, duke përfundur analizën e veprës së J. Trifunoskit për Pollogun, që kryesisht i është kushtuar shqiptarëve.

Në një analize që i kam bërë më parë një artikulli të Trifunosk-it, me titull: “Albansko stanovnishtvo u SR Makedoniji”(botuar në revistën “Zemlja i ljudi”, sv.12, Beograd 1982.), për popullatën shqiptare të Maqedonisë Perëndimore, përfshirë edhe Prespën, thotë se ajo ka imigruar gjatë shek. të 18 e të 19, në kohën kur në pjesën evropjane të Turqisë paraqitet një periudhë e një situate kaotike. Në këtë kohë, thotë ai, duke iu referuar dokumentave turke të cilat nuk i citon, fillon të dobësohet ndikimi i pushtetit qendror shtetëror dhe të rritet ndikimi i udhëheqsave lokalë. Këta të fundit janë munduar që ta zgjerojnë zonën e vet të ndikimit duke e shpërngulur popullatën krishtere dhe në vend të saj të sjellin popullatë myslimane-shqiptare. Kjo e fundit nuk ka emigruar nga shkaku i ndonjë dendësie të madhe të popullimit në vendin amë, por ngase shumë banorë të ardhur kanë qenë të dërguar me qëllime të caktuara. Për konstatimet e këtilla J. Trifunoski është mbështetur në të dhënat e një autori serb, R.Nikoliq, i cili duke ju referuar ndonjë dokumenti turk të cilin nuk e citon, por vetëm e përmend, thotë se në shtetin turk kishte ekzistuar një farë lloj sistemi i popullimit të myslimanëve shqiptarë dhe dërgimin e tyre jashtë me qëllime të caktuara[13].

Në një botim për Pellagoninë, me titull: “Bitolsko-Prilepskata kotlina, antropogeografski prouçuvawa” ku bën një studim për vendbanimet dhe popullsinë, në anketimet që i pat bërë në një periudhë prej 6 vjet (1951-1957),Trifunoski konstaton se shqiptarët në këtë rajon (nuk i ka përfshirë shqiptarët e qytetit-Manastirit) numërojnë 1420 persona (9.3%) dhe janë të banuar në 34 vedbanime fshatare. Thotë se të gjithë shqiptarët e këtij rajoni janë të ardhur nga Shqipëria në gjysmën e dytë të shek. 18 dhe në gjysmën e parë të shek.19. Në këtë kohë patën imigruar 1049 familje (74%) të quajtur gegë! Pjesa tjetër është nga Shqipëria e jugut. Këta janë toskë e përbënin 346 familje!

Në punimet e veta Trifunoski, shqiptarët i quan me cilësi shumë të dobëta: plaçkitës, vrasës, grabitqarë, njerës të dhunës e terorit,e çfar jo tjetër. Me këtë ai është orvatur që për shqiptarët të krijojë një imazh krejtësisht të gabuar. Nga fundi i shek. të 18 dhe gati tërë shek. e 19 shqiptarët, thotë ai, janë organizuar në çeta të ndryshme me qëllim që ta plaçkitin popullatën krishtere sllave dhe me dhunë ta dëbojnë nga trojet e veta. Se sa ka qenë e përgjakshme lufta midis çetave shqiptare dhe popullatës sllave të pambrojtur nga ana e pushtetit turk, flasin edhe këngët popullore, emrat topografike etj. Plaçkitjet, vrasjet, kërcënimet dhe djegiet e fshatrave maqedonase dhe vllehe, kanë qenë karakteristikë e dhunës kaotike që e kishte përfshirë pjesën e Maqedonisë në të cilën sot jetojnë shqiptarët, përfundon ky autor sllavo- maqedon në përshkrimin që ua bën karakteristikave të shqiptarëve si popull që nuk ka të ngjajshme me popullatën sllave[14].

Trifunoski, jo vetëm që tregon kohën dhe mënyrën e imigrimit të shqiptarëve në “trojet sllave”, por ka shkuar akoma më tutje. Ai në bazë të “fakteve që ka zbuluar” i tregon vendet në Shqipëri prej ku kanë emigruar. Kështu, për shembull, një pjesë e shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore (aty hyn edhe Prespa), thotë se kanë ardhur prej rrethit të Korçës, të Pogradecit (në këtë të fundit numrin më të madh të banorëve e përbën popullata e konfesionit të krishterë) dhe prej rrethit të Kolonjës[15]. Nëse këto të dhëna, të cilat nuk janë të konfirmuara nga vetë autori, shihen përciptazi, pa ndonjë analizë me mbështetje shkencore, atëherë do të mendohet se me të vërtet shqiptarët qenkan të ardhur dhe nuk janë autoktonë. Mirpo, me një analizë të shkoqitur shkencore, do të shihet se edhe shqiptarët e Prespës janë autoktonë dhe jetojnë për kohë të gjatë në trojet e veta shekullore.

Sa për ilustrim, po japim një shembull me shqiptarët e Prespës për të cilët edhe po bëhet fjalë në këtë libër. Është e vërtetë se nga shkaqe të ndryshme, një numër i vogël i popullatës së sotme shqiptare ka ardhur nga rrethi i Kolonjës e nga ndonjë rreth tjetër në kohën e Ali Pashë Tepelenës, pastaj në fund të shek. 19 dhe në dekadën e parë të shek. 20. Një pjesë e tyre duke ardhur nga ana jugore, u vendos në fshatrat të pozicionuara afër kufirit grek, si, në Lubonjë e Nakolec. Në Lubonjë gjer në Luftën e Parë Botërore ka pasur 18 shtëpi arnaute (shqiptare, F.A.)[16]. Pas kësaj lufte, të gjithë shqiptarët “arnautët” shpërngulen prej aty dhe Lubonja mbetet etnikisht fshat i pastërt. Familjet që u larguan prej aty, u vendosën në fshatra të tjera. Disa shkuan në Kranjë, Arvat, Gërçar, Podmoçan (familja e Cuke Lubonjës ose Isuf Karanfilit, u vendos përgjithmonë në Turqi). Një pjesë tjetër e familjeve të ardhura u vendosën në Bellocërkën e Poshtme dhe të Sipërme. Kjo popullatë, që veten e quajti “Kolonjarë” sipas vendit prej ku emigroi, popullatën tjetër shqiptare që e gjeti aty e quajti “të vendit”. Siç shihet, vetë popullata shqiptare në Prespë ndahet në “të vendit” dhe “të ardhur”. Megjithatë, ky fakt nuk mund të merret si konstatim për të ardhur në përfundim se shqiptarët nuk janë vendas-atoktonë, siç pretendon Trifunoski e të tjerë. Kjo mund të sqarohet me atë se pjesa e ardhur migrimin e ka bërë brenda trojeve stërgjyshore. Prandaj mund të thuhet se, një popullatë që migrimet i bën brenda trojeve të veta, nuk mund të jetë e ardhur, por, prap mbetet autoktone, sepse,në këtë rast, e ka ndërruar vetëm vendin e jetesës. Lëvizjet e këtilla në shkencë janë të njohura si lëvizje metanastazike[17].

Nga çka u fol më lartë, mund të përfundohet se, të gjithë autorët sllavë, padallim se cilës përkatësie nacionale i takojnë, me këmbëngulje tentojnë që qarqeve shkencore e më gjerë, t’ua bëjnë “të qartë” se shqiptarët “në tokat sllave” janë të ardhur nga Shqipëria gjer në she. e 18. Para këtij shek, aty paskan jetuar vetëm sllavë. Me flajë të tjera, ata kategorikisht e hedhin poshtë tezën që më parë vetë e kanë pranuar, dhe që tani botërisht e pranuar në qarqet shkencore, mbi autoktoninë e shqiptarëve në trojet ku me shekuj jetojnë.

Nga ana tjetër, autorët shqiptarë e të huajë, në sajë të argumenteve shkencore e hedhin poshtë tezën sllave, dhe thonë se shqiptarët që jetojnë në trojet ilire janë vendas-autoktonë dhe gjatë së kaluarës historike nuk kanë bërë kurfarë ekspanzioni për okupimin e trojeve të huaja. Lidhr me këtë, ja se ç’thotë shkencëtari i shquar shqiptar me renome evropjane, Eqrem Çabej: “Vendbanimi i sotëm i shqiptarëvet nuk është një trevë ekspansioni, por një trevë restrikcioni, përfundim i një ngushtimi të paprerë gjatë historisë shqiptare” (cituar nga H.Islami, 1990).

SI I SHIKOJNË AUTORËT SLLAVË CILËSITË E SHQIPTARËVE

Në historiografinë sllave, përveç se që është shkruajtur për autoktoninë e shqiptarëve,aty mund të shihet se i është dhënë rëndësi edhe cilësive të tyre. Me shkrimet e veta autorët sllavë kanë dashur t’i tregojnë botës se shqiptarët janë okupues të trojeve të tyre(sllave), kurse për nga karakteri janë aq të dobët sa nuk ka të dytë në botë!

Pse autorët sllavë ju kushtuan kaq kujdes autoktonisë dhe cilësive të shqiptarëve? Përgjigje kësaj pyetje do t’i japim në vazhdim (për autoktoninë dhamë hollësira më parë).

Për cilësitë e shqiptarëve dhe për “punën e tyre” që patën bërë në “tokat e okupuara” kanë shkruajtur shumë autorë sllave, por ne do t’i përmendim vetëm disa prej tyre. Ata janë: Vladan Gjorgjeviq, Jovan Cvijiq, Risto Nikoliq, Jovan Trifunoski, Jakim Sinadinovski dhe Nijazi Limanovski.

Vladan Gjorgjeviq, ish kryeministër serb në periudhën 1897-1900, veç angazhimeve të tjera që i ka pasur si qeveritar, pat gjetur kohë që t’i kushtojë kujdes edhe çështjes shqiptare .Jo se ka pasur ndonjë simpati ndaj këtij kombi të lashtë ballkanas, por,përkundrazi, duke pasur një urrejte të pa parë, është orvatur që në çfarëdo mënyre t’u tregojë qarqeve shkencore e politike të vendit të tij dhe, posaçërisht, Fuqive të Mëdha të asaj kohe, t’ jua bëjë në dije se kush janë shqiptarët që jetojnë në Ballkan (me një pjesë në trojet e okupuara sllave). Për ta mbrijtur qëllimin e vet, ai, pikërisht në kohën kur duhej Shqipëria të pranohej si shtet (1912) nga Fuqitë e Mëdha, shkruajti një libër me titill: “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” ( në origjinal: “Arnauti i Velike Sile”) që, veç në gjuhën serbe, e botoi edhe në atë gjermane e frënge. Këtë e bëri me qëllim që përmbajtja e këtij libri, të jetë sa më afër politikës evropjane.

Në këtë libër autori Gjorgjeviq, duke u orvatur t’i mbulojë planet e veta grabitqare ndaj trojeve shqiptare, shformon haptazi historinë e kombit shqiptar. Në përpilimin e këtij libri citon në tërësi autorë sllavë që kanë pasur qëndrim tërësisht antishqiptar. Pastaj,citon edhe autorë të huaj duke treguar se kinse edhe ata po e tregojnë “të vërtetën” mbi shqiptarët. Duke vënë këmbë që Fuqitë e Mëdha të mos e pranijnë Shqipërinë si shtet të pavarur, është munduar që në mënyrë më çnjerëzore të shkruajë për cilësitë e shqiptarëve. Dhe, duke krijuar botëkuptime negative , Fuqitë e Mëdha, sipas tij, nuk do ta pranonin Shqipërinë si shtet, dhe të kërkonin që populli shqiptar të udhëhiqej nga ndonjë komb tjetër. Sa ja mbrijti qëllimit të tij, tani tregon vetë historia.

Në vazhdim do të tregojmë disa nga “faktet” që ai i paraqet në librin e vet mbi cilësitë e shqiptarëve.

Shqiptarët, sipas tij, nuk kanë kurfarë ndërgjegje kombëtare; ata nuk përfaqësojnë komb ngase nuk i posedojnë cilësitë e një kombi.Pastaj, ai bën tentim që edhe “shkenctarisht” të bëjë njëfarë ndarje antropologjike në mes shqiptarëve të veriut dhe të jugut. Për të parët thotë se janë brakiqefalë (kokëshkurtër), kurse ata të dytët qenkan doliqefalë (kokëgjatë). Sa i përket gjuhës, ai vetë bën pyetje: Vallë kanë shqiptarët gjuhë kombëtare të veçantë (ndoshta vallë, mendon se mund ta kenë të huazuar- kush e di?!)? Jo. Përgjigjen e jep vetë, por negative. Gjorgjeviq thotë se, në shqipen ka pesë dialekte të ndryshme që dallohen ndërmjet tyre! Prej tyre dy janë kryesorë dhe më të përhapur: gegërishtja në veri dhe toskërishtja në jug. Që të dy këta dialekte nuk paskan lidhje njëri me tjetrin. Nëse ai i jugut shkon në veri duhet të ketë përkëthyes se nuk e kupton atë të veriut.Pastaj shkon akoma më tutje, ku thotë: “ Shqipja e sodëshme asht nji lamsh gjuhësh të përzieme nga ma të ndryshmet. Kjo çorbë gjuhnash mund të krahasohet ndofta ma tepër me jevgenishten”[18] (një urrejtje e pa skurpullt!). Për alfabetin shqip thotë se, shqiptarët kanë marrë një alfabet të huajë që të mund të shkruajnë. Këtë ata e kanë bërë më 1908 në Kongresin e Manastirit. Nga kjo vjen në përfundim “ky njohës i mirë i shqiptarëve”, se kur s’ka shkronja nuk mund të bëhet fjalë as për shkrime. Prandaj nuk mund të jetë as çudi që shqiptarët të jenë i vetmi komb (edhe pse shqiptarët nuk i pranon si komb, prap e përdor nocionin komb!) në Evropë pa kurrfarë letërsie?![19]

Nga këto disa të dhëna që që i përmendëm më lartë, shihet se ai me këmbëngulje është munduar t’i tregojë botës, posaçërisht Fuqive të Mëdha të asaj kohe, të cilat duhej të vendosnin për fatin e Shqipërisë, që shqiptarët akoma nuk janë formuar si komb, dhe se nuk kanë aftësi për të mbajtur një shtet më vete. Prandaj, thotë ai, se, ata në fillim duhet që t’i udhëheqë një komb i njhur dhe përparimtar, dhe ai është kombi serb!

Përkëthyesi i këtij libri, me përmbajtje antishqiptare, Mustafa Kruja, në parathënien e librit shkruan disa fjalë që janë mjaft me rëndësi për lexuesin shqiptar. Ja se çfar thotë:

“Shqiptarët po ta këndojnë me kujdes qi meriton,do të mësojnë shumë sende të dobishme prej këtij libri”.

“Opinjoni publik (mendon për atë serb, f.a.) përkrah veprën politike të qeverisë së tij qi përpiqet me nxjerrë frytin ma të madh prej fitimit t’ armëvet…nji ish-kryeministër ven në dispozitë të kombit të vet pendën e tij të zjarrët e ma të pa shkrupull se armët qi bajnë namin në fushat e Kosovës e të Maqedonis… dhe një Naltësi Mbretërore i shoqnohet ati në ndihmën të qeveritarëvet qi janë kapërthye në luftë diplomatike kundra krijimit të një shteti shqiptar”.

Duke ju drejtuar lexuesit shqiptar, për opinionin e armikut, thotë:

“ S’ka dyshim se si për njeriun me vete ashtu edhe për nji popull qi deshiron me dijtun e me qortue të metat e veta,opinjoni i anmiqvet asht tepër i dobishëm”.

Pastaj si përfundim përkëthyesi Mustafa Kruja, duke këshilluar, thotë:

“Anmiku detyrën e vet e ka krye. Ndashti asht detyra e jonë me përfitue dhe

prej nji vepre të këtilë: me qortue gabimet, me ndrequn të metat e me u lamë

para botës nga shpifjet”.

Siç shihet autorët serbë duke qenë kryekëput antishqiptarë, për cilësitë e shqiptarëve dhe kombit shqiptar, kanë shkruajtur edhe libra.

Me qendrime mjaft të theksuara antishqiptare paraqitet edhe Jovan Cvijiq.

Shpifjet e këtij autori mund të shihen në shumë vepra të shkruar. Në veprën e tij: “Ballkansko polluostrvo i juzhnosllovenske zemlje”, kur bën fjalë, për sh., për dekadencën e blegtorisë pas luftrave ballkanike,veç të tjerave,si shkaktarë i quan edhe shqiptarët.Ndokund nga fillimi i shek.të 19, thotë Cvijiqi,blegtorët serbë ( thotë serbë sepse maqedonët nuk i pranon si komb) kanë qenë shumë të rrezikuar nga imigrimet e shqiptarëve prej Shqipërisë në vendet e Maqedonisë Jugperëndimore. Shqiptarët sipas tij, duke depërtuar në vendet që nuk i kanë pasur asnjëherë të tyre, paskan bërë plaçkitje dhe përdhunime të mëdha në popullatën sllave dhe, blegtorëve ua paskan grabitur dhentë.Pra, sipas këtij autori serb, një ndër faktorët për shkuarjen në dekandencë të blegtorisë te popullata joshqiptare, paskan qenë shqiptarët!? Ai më tutje thotë se shqiptarët paskan formuar çeta grabitqare të cilat, sipas tij, kanë pasur për detyrë që t’i takojnë blegtorët vendas dhe t’ua marrin dhentë. Me këto akte të tyre çnjerëzore, ata i kanë penguar lëvizjet e blegtorëve. Pikërisht për qëndrimet e këtilla të shqiptarëve, thotë Cvijiqi, Sllavët popullatën e vërtetë shqiptare (nuk thotë se cila është popullatë e vërtetë shqiptare,) e kanë quajtur armikun më të madh të tyre. Në vazhdim thotë: “Pravosllavni smatraju prave Arbanase za svoje najveqe neprijatelje”. Domethënë vetëm shqiptarët e vërtetë qenkan armiqtë e sllavëve (ndoshta vallë për shqiptarë të vërtetë i mendon ata për të cilët thotë se formomin çeta grabitqare për të plaçkitur blegtorët, ose për ata që e përzinin popullatën sllave nga tokat e tyre bujqësore për t’u bërë vetë pronarë, ose ata që paskan bërë zullume nëpër fshatrat sllave…?).

Sipas qëndrimeve të këtilla të Cvijiqit, po del se shqiptarët paskan cilësi më çnjerëzore që nuk i paska komb tjetër në Ballkan! Mirpo, të shtojmë edhe atë. Cvijiqi si studiues i madh në fushën shkencore, ishte dashur që të konstatojë, se prej ku ky dallim kaq i madh ndërmjet cilësive të shqiptarëve e atyre të sllavëve, kur dihet fakti se ata për një kohë shumë të gjatë jetojnë në fqinjësi (ndoshta mendon se shqiptarët si popull i pacivilizuar, do kenë zbritur si të tillë prej ndokund?!)?

Risto Nikoliq , Ky autor serb, si shumë të tjerë, është marrë tepër edhe me çështjen shqiptare. Kur flet për shqiptarët, thirret edhe në dokumantat turke (po përmendim se nuk citon kurfarë dokumentash). Sipas literaturës turke, thotë ai, shqiptarët në rajonin e Manastrit-Prilepit edhe në atë të Prespës, kanë qenë të vendosur në pikat shtrategjike me qëllim që popullatën serbe (maqedone, f.a.) vendase ta kenë nën kontrollë të pandërprerë. Ata në “tokat sllave” kanë hyrë me ndërprerje të kohë-paskohëshme me qëllim që të bëjnë edhe plaçkitje e vrasje.

Jovan Trifunoski, në punimet e veta shqiptarët i quan plaçkitës, vrasës e çfar jo tjetër. Me këtë ai është orvatur që të krijojë një imazh krejtësisht të gabuar për shqiptarët.

Nga fundi i shek.18 dhe gati tërë shek. e 19 shqiptarët, thotë Trifunoski, qenkan organizuar në çeta të ndryshme, me qëllim që ta plaçkitin popullatën krishtere- sllave dhe me dhunë ta dëbojnë nga trojet e veta. Sesa ka qenë e përgjakshme lufta midis çetave shqiptare dhe popullatës sllave të pambrojtur nga ana e pushtetit turk, flasin edhe këngët popullore, emrat topografike etj. Plaçkitjet, vrasjet, kërcënimet dhe djegiet e fshatrave maqedonase dhe vllehe, kanë qenë karakteristikë e dhunës kaotike që e kishte përfshirë pjesën e Maqedonisë në të cilën sot jetojnë shqiptarët, përfundon ky autor sllav. Nëse këto të dhëna të Trifunoskit janë të vërteta, atëheren po del se populli maqedon në të kaluarën nuk paska qenë vetëm nën sundimin turk ,por edhe atë shqiptar. Prej turqëve, mirësisht, u çlirua njëherë e përgjithmonë, por prej shqiptarëve, për fat të keq, nuk qenka “çliruar”!

Nga autorët maqedonë që i përmend shqiptarët si një popull zullumqar e grabitqar, përkatësisht me cilësi të vrazhda, është edhe Jakim Sinadinovski (me profesion sociolog).

Në një studim kompleks gjeografik i bërë për rajonin e Mariovës nga një grup autorësh (1984), me punimin e vet studios paraqitet edhe ky autor. Në këtë studim, veç tjerave, paraqet edhe disa hollësi mbi shqiptarët.

Kur shqiptarët dibranë nuk patën mundësi t’i plaçkitin fshatrat e Mariovës, përshkak të sulmeve të tyre grabitqare, thotë ky sociolog, atëherë banorët e fshatrave të Tikveshit, duke parë rrezikun e vet, filluan të shpërngulen në drejtim të zonave kodrinore-malore të Mariovës që të kërkonin strehim. Plaçkitësit shqiptarë patën depërtuar vetëm nga fundi i shek. 18, në kohën kur patën mundësi t’i grabitin në tërësi edhe fshatrat e Mariovës.Pastaj nëpërmjet të kësaj ane depërtuan edhe në një pjesë të Tikveshit. Nga këto arsye, vazhdon ai,një pjesë e kësaj popullate u shpërngul në Kavadar (ndoshta aty ka qenë më e mbrojtur, f.a.), kurse një pjesë tjetër u islamizua (mendon nga presioni i shqiptarëve! f.a.)

Kur anarkia e pushtetit turk arriti maksimumin, thotë Sinadinovski, atëherë, nën presionin e sulmeve të pandërprera plaçkitëse të bandave kaçake shqiptare, një numër i dukshëm i fshatrave të Mariovës qenë të detyruar të shpërngulen në viset më të ulta ku kanë pasur strehim më të sigurtë nga sulmet e përmendura. Kjo, sipas tij, ndodhi në fund të shek. 18 dhe fillimin e shek. 19.

Siç shihet, shqiptarët, sipas këtij autori maqedon, paskan qenë ”plaçkitës të mëdhenj” dhe të organizuar në banda, ose siç i quan ai “banda arnaute”.

Një ndër autorët e tjerë që me “fakte shkensore” i tregon cilësitë negative të shqiptarëve është një studiues që, më mirë do të ishte të quhej pseudoshkencëtar, sepse që të gjitha “veprat” e tija janë të mbushura plot me shpifje dhe qendrime absurde ndaj karakterit të shqiptarëve që nuk kanë të bëjnë me shkencën, quhet Nijazi Limanovski.

Për punimet (do të ishte e tepëruar po të thoshim vepra shkencore, sepse nuk kanë kurfarë lidhje me ndonjë përmbajtje shkencore) e këtij autori, analizë të çkoqitur ka bërë prof. Asllan Selmani, në veprën e tij studioze: “Popullsia e Maqedonisë” (2004). Në këtë vepër ai bën një analizë të një fejtoni të tij me titull: “Islamizimi në Maqedoni” botuar në të përditshmen “Veçer” të Shkupit, në 23 vazhdime, prej datës 25 shtator gjer më 21 dhjetor të vitit 1980 (në origjinal: “Islamizacija vo Makedonija”).

Fejtonin në tërësi prof. Selmani e cilëson si panfletist, nga shkaku se ai aty “kurdis histori sipas hamendjes, ringjall valën e pseudoshkencës së deplasuar, e cila qëmoti e ka humbur tregun e shitjes”. Në këto konstatime vjen se aty është përdorur një literaturë tendencioze e borgjezisë serbomadhe e botuar në kohën kur Maqedonia quhej “Juzhna Serbija”. Mirëpo për shkak të cilësisë gazetareske dhe pretendimeve shkencore, Limanovski atë nuk e citon në tërësi, thotë analisti.

Në analizën që e bën prof. dr. A. Selmani, kujdes të posaçëm u ka kushtuar vëtëm katër vazhdimeve: vazhdimit të tretë të datës 27 shtator, vazhdimit të pestë të datës 30 shtator, vazhdimit të dymbëdhjetë të datës 8 tetor dhe vazhdimit të pesëmbëdhjetë të datës 11 tetor 1980.

Në analizën që ja bën vazhdimit të tretë, në mes tjerave, citon: “Në gjysmën e dytë të shek. 18…, shqiptarët drejtohen nga Maqedonia Perëndimore në rrethinën e Ohrit, Dibrës… duke shtrydhur popullatën sllave, e cila ose ka qenë e detyruar t’i lëshojë vendet e tyre ose të pranojë fenë islame, e pastaj një pjesë edhe të islamizohet”.

Edhe në vazhdimin e pestë, sipas analistit në fjalë, Limanovski, shkruan: “Islamizimi e më vonë shqiptarizimi, vazhdon edhe me depërtimin e shqiptarëve në gjysmën e parë të shek.18”.Sipas filozofisë së këtij autori shton A.Selmani, në kritikën që e bën, barrën kryesore të procesit të islamizimit të popullatës maqedonase e paskan bartur shqiptarët. Pastaj, “ky është edhe një absurd historik i tipit të vet dhe dukuri e çuditshme, e pa njohur në rrjedhat historike”, nënvizon ky analist i dalluar në fushën shkencore.

Në fejtonin e vet Limanovski shkruan edhe për torturat që i paskan bërë shqiptarët ndaj kombit maqedon. Ai për bazë në konstatimet e veta i ka marrë ekceset e rastit, të cilat edhe nuk mund të trajtohen si proces historik, që të mund të merren si fakte për nxjerrjen në dritë të një procesi që ka ndodhur në të kaluarën. Mirëpo, ekceset, thotë në analizën e vet prof. A.Selmani, nuk krijojnë histori, por proceset. Për fyerjet dhe ofendimet që ua bën shqiptarëve ky autor, shton edhe këtë citat: “nëpër disa fshatra tregojnë plakat me veshë të prerë prej shqiptarëve të tërbuar që ua kanë këputur për shkak se paskan qenë të reja dhe nuk e kanë ditur gjuhën shqipe”. Prej të dhënave që i jep Limanovski në fejtonin e vet, analisti Selmani vjen në një përfundim të tillë, se ai i ka përdorur masakrat e ushtërisë serbe mbi popullsinë shqiptare gjatë luftrave ballkanike, duke ja ngjitur shqiptarëve.

Nga analiza e përgjithshme që i ka bërë fejtonit të përmendur të autorit Nijazi Limanovski, prof. Asllan Selmani, vjen në këtë përfundim: “Punimet e këtij më shumë janë pamflete politikaneske se sa hulumtime shkencore për të ndriçuar të vërtetën shkencore në këtë fushë”[20].



Nga shpegimi i përgjithshëm që bëmë lidhur me shikimin e autorëve sllavë mbi cilësitë e shqiptarëve, mud të vihet në këto përfundime absurde:

- shqiptarët nuk u dashka të trajtohen si komb!

- ata qenkan të pacivilizuar, prandaj nuk paskan as kulturën e vet, as alfabetin e vet, sepse këtë të fundit e paskan të huazuar,

- shqiptarët qenkan vrasës, dhunues, plaçkitës, njerës të torturave dhe çka mos tjetër, ndaj kombeve të tjerë,

- shqiptarët qenkan okupatorë të trojeve ku sot jetojnë në Maqedoninë Perëndimore,

- ata paskan shqiptarizuar dhe islamizuar një pjesë të popullatës maqedonase që sot jeton kryesisht në Maqedoninë Perëndimore,

- shqiptarët nuk paskan luftuar kondër okupatorit shekullor osman sikurse popujt e tjerë për t’u çliruar, por luftën që e kanë bërë, paskan patur për qëllim të okupojnë troje të huaja!

- gati në të gjitha trojet ku jetojnë sot në Maqedoni, qenkan të ardhur dhe i paskan okupuar me dhunë.

Që të gjitha këto janë shpifje të autorëve sllavë me qëllime të caktuara që ndaj botës të krijojnë imazh krejtësisht të gabuar për shqiptarët.

Megjithatë, autorët e huajë e shqiptarë nuk mendojnë kështu. Studiuesi britanik John Evans në veprën e tij “Letrat Ilire” botuar në vitin 1878, për cilësitë e shqiptarëve thotë: “Gjithçka më bën të kujtoj se nuk jam as në mes të sllavëve e as në mes të turqve. Këta janë me të vërtetë bashkëpatriotët e Skenderbeut dhe të Aliut të Tepelenës-shqiptar, trashëgimtarë të fortë si shkëmbi, një racë luftarake dhe gjithmonë e pamposhtur! Shqiptari është nga natyra i shpejtë, energjik, skeptik, gjithnjë në lëvizje dhe nuk duron mbikqyrjen. Për të, mbi gjithçka është liria” (E. Jacques, 1996)

Lidhur me cilësitë e shqiptarëve ja seç thotë studiuesi i shquar shqiptar Eqrem Çabej: “Në viset ku kanë ngulitur janë dëftuar një element me cilësi pozitive. Ata nuk kanë qenë vetëm njerëz të armëve dhe nuk kanë qenë njerëz të avanturave luftarake, si mundohet t’i paraqesë një historiografi tendencioze. Kanë qenë përkundrazi, përveçse ushtarë, edhe njerëz të kulturës. Gjatë kohëve ata kanë populluar dhe kulturuar vise të pabanuara e të shkreta. Nga gjiri i tyre kanë dalë edhe njerëz të shquar, të cilët i kanë lënë nder atdheut të të parëve dhe atdheut të tyre të ri” (cituar nga H.Islami, 1990).

[1] H.Islami: Spastrimet etnike (politika gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve), Pejë 2003.

[2] Ibid

[3] Ibid

[4] Ibid

[5] Ibid

[6] Ibid

[7] A.Selmani: Popullsia e Maqedonisë, Shkup 2004.

[8] Ibid

[9] F.Abdullai: Prespa (vështrime gjeografike), Shkup 2004.

[10] Ibid

[11] Ky autor veprat e tija voluminoze i ka batuar në gjuhën serbe nëBeograd, kurse punimet e tjera në gjuhën kroate. Në gjuhën maqedone nuk ka shumë të botuara.

[12] A.Selmani: vepëre cituar

[13] F.Abdullai: vepër e cituar

[14] F. Abdullai: vepër e cituar

[15] J. Trifunoski: Albansko stanovnishtvo u SR Makedoniji, Zemjla i ljudi, sv.12,Beograd, 1982.

[16] Stojan Lembo, në veprën e tij “Lubojno…” të cituar më lartë, informatat për përbërjen etnike të Lubonjës gjer në LPB i ka marrë nga informatorë (persona të moshuar), por të pa konfirmuara me ndonjë dokument ose diçka tjetër. Prandaj në rastin e përmendur, nuk thotë “shqiptarë” por “arnautë”, ashtu siç janë quajtur shqiptarët në atë kohë nga ana e pushtetit osman. Në shpegimin që e kemi bërë për përbërjen etnike të Prespës, për përbërjen etnike të Lubonjës (në kohën e përmendur), kemi dhënë sqarime të hollësishme.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi