Vlorë, "Banda e Vlorës", premiera e trupës së varietesë
Thu 1 Mar 2012 - 11:55
VLORE- Trupa e Varietesë e Teatrit “Petro Marko” e qytetit të Vlorës shfaqi mbrëmjen e djeshme premierën e titulluar “Banda e Vlorës”, që ishte edhe e para për këtë vit.
“Banda e Vlorës”, me regji të Agron Hamos, muzikë të Artur Dhamos dhe skenografi të Agron Jakupit, sjell për spektatorin copëza nga jeta e përditshme të trajtuara në sensin e humorit. Një bandë frymore është elementi ku merr shkas trupa realizuese me protagonistë parodistët e njohur tashmë në të gjithë vendin, për të sjellë buzëqeshjen tek artdashësit. Madje, kjo buzëqeshje ka qenë e pakursyer gjatë gjithë shfaqjes, teksa loja e Agron Hamos, Muhamet Likës dhe Afrim Agalliut, alternohej me atë të drejtueses së bandës, aktores Desantila Kristo, aktorit Artan Islami, apo me interpretimin e këngëtarëve Ludmilla Baballëku, Rovena Ibrahimi dhe Drini Kanani, si dhe shoqëruar me pjesë baleti klasik, skeçe dhe parodi të arrira.
Kjo shfaqje, e pritur mjaft mirë nga artdashësit, vlerësohet edhe si një dëshmi e ecurisë së suksesshme të trupës së varietesë, ndoshta e vetmja e këtij lloji në vend. Parodistët vlonjatë, që janë vlerësuar nga Presidenti i Republikës me Titullin “Mjeshtër i Madh”, pjesë e Estradës Profesioniste ose Trupës së Varietesë së Teatrit “Petro Marko”, vazhdojnë të përcjellin tek spektatorët krijimet e tyre përmes dinamizmit krijues dhe interpretues. Pjesë e kësaj ishte edhe premiera e re, e cila, sipas drejtorit të Teatrit, Dhimitraq Furxhi, “të jep kënaqësinë ta ndjekësh dhe të argëtohesh”. Premiera, që është financuar nga bashkia e qytetit, do të shfaqet për disa netë me rradhë.
(d.b/BalkanWeb)
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi