Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Salomi
Salomi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 2617
<b>Hobi</b> Hobi : shoping
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne zemren e Shqiperise
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 01/02/2010

Pse energjia berthamore duhet te jete pjese perberese e jetes sot Empty Pse energjia berthamore duhet te jete pjese perberese e jetes sot

Sun 4 Mar 2012 - 22:21
Në këtë artikull specialisti i njohur i energjisë dhe impianteve bërthamore argumenton sepse njerëzimi e ka të nevojshëm këtë lloj energjie sot. Në formën e një shkrimi kundër-argumentues, ai shpjegon jo vetëm të mirat, por edhe pse kanë ndodhur deri më tashmë katastrofat prej impianteve bërthamore.Pak kohë më parë, në një bisedë me një mik të pasionuar pas zhvillimeve të teknologjisë, u përballa me një varg
argumentesh që ai paraqiste kundër përdorimit të teknologjisë bërthamore për të fituar energji elektrike. Sipas tij, më mirë botës le ti mungojë ajo pjesë e energjisë elektrike që prodhohet nga centralet bërthamore, që sot përfaqëson rreth 15% të prodhimit të përgjithshëm botëror të energjisë elektrike, se sa të kemi aksidente me pasoja globale.
A është kjo mënyra për të shpëtuar njerëzimin nga këto aksidente? Nxitur nga ky debat miqësor, ju drejtova informacionit që ekziston sot mbi aksidentet bërthamore dhe pasojat prej tyre.
Prodhimi i energjisë elektrike nga centralet bërthamore është padyshim zbatimi më i rëndësishëm, por jo i vetëm, i teknologjisë bërthamore në shërbim të njerëzimit. Meqenëse për këtë teknologji është shkruar e folur mjaft, në këto pak rreshta po përqendrohem në aksidentet që e kanë shoqëruar atë. Që nga vënia në shfrytëzim e centralit të parë bërthamor, deri më sot janë regjistruar rreth 100 aksidente bërthamore, nga të cilët 56 kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa 57 kanë ndodhur pas aksidentit famëkeq të Çernobilit.
Po a janë të gjithë këta aksidente si ai i Çernobilit? Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) e cilëson një avari në një impiant bërthamor (aksident) që shoqërohet me çlirim të radioaktivitetit dhe emetim të dozave të mëdha të rrezatimit, që mund të dëmtojnë qeniet e gjalla, të kenë ndikim në mjedis apo në vetë instalimin bërthamor.
IAEA i kategorizon avaritë bërthamore duke përdorur shkallën INES (International Nuclear Event Scale) që shtrihet nga niveli 1 në atë 7; një avari e nivelit 7 është cilësuar si “aksident me dëme serioze” ndërsa ajo e nivelit 1 cilësohet thjesht si një incident pa pasoja.
Referuar shkallës INES, ndër aksidentet më të rënda në historinë e përdorimit të centraleve bërthamore renditen aksidenti i Çernobilit (1986) dhe ai i Fukushimës (2011), të klasifikuar si të nivelit 7 bazuar në sistemin INES; aksidenti në reaktorin e ngritur pranë qytetit Kyshtym në Rusi (Shtator 1957), që është klasifikuar si i nivelit 6; zjarri në reaktorin e Windscale në Angli (Tetor 1957), që është klasifikuar si i nivelit 5; aksidenti në centralin bërthamor në Pensilvani (1979), i klasifikuar me nivelin 5; për të vazhduar me atë në centralin bërthamor në Tokaimura të Japonisë (Shtator 1999), të klasifikuar si i nivelit 4, gjithmonë sipas sistemit INES.
Secili prej këtyre aksidenteve ka historinë e vet. Kështu, aksidenti në centralin e Pensilvanisë konsiderohet si më i madhi i ndodhur deri në atë vit. Ndonëse çlirimi i radioaktivitetit në mjedis ishte shumë i vogël dhe nivelet e rrezatimit ishin të neglizhueshme, paniku në popullatën rreth zonës ishte shumë i madh. Autoritetet amerikane nuk kërkuan dhe nuk organizuan asnjë lloj evakuimi, por aksidenti u shoqërua me një evakuim spontan masiv. Rol të madh në këtë panik dhe evakuim spontan luajti media.

Fatkeqësisht, dhjetë vjet më vonë, kur energjetika bërthamore po fillonte një ngritje pas aksidentit të Pensilvanisë, një tjetër aksident, madje më i rëndi në historinë e derisotme të teknologjisë bërthamore, ndodhi më 26 Prill 1986 në centralin bërthamor të Çernobilit në Ukrainë. Tashmë për këtë aksident është folur shumë e ai analizuar hollësisht. Faktet tregojnë se sa ndodhi është pasojë e një pakujdesie tej imagjinatës nga ana e personelit drejtues të centralit, që përdorte një reaktor të një teknologjie tejet të prapambetur, ku masat e mbrojtjes, sistemet e sigurisë dhe procedurat e nevojshme për përballimin e avarive ishin jashtë çdo standardi. Pasojat e aksidentit u zgjeruan akoma më tepër për shkak të ndikimit të politikës, ku ngjarja u mbajt në fshehtësi, publiku nuk u njoftua për rrezikun që e kërcënonte dhe u evakua me shumë vonesë; ndërsa asnjë masë nuk u mor për trajtimin mjekësor të popullsisë. Në dallim nga aksidenti i Pensilvanisë, në rastin e Çernobilit media mungoi plotësisht dhe lajmi u bë I ditur vetëm pasi institucionet Suedeze detektuan rrezatim radioaktiv në territorin e Suedisë.
Për shkak të ekspozimit ndaj rrezatimit, 29 punonjës humbën jetën në ditët e avarisë; nga aksidenti raportohen në total 56 të vdekur, nga të cilët 47 punonjës dhe 9 fëmijë, por institucione të specializuara shënojnë se numri i të vdekurve si pasojë e ekspozimit ndaj rrezatimit nga ky aksident famëkeq luhatet në diapazonin nga 4000 deri në 9000 vetë.
Dhe, duke e quajtur koincidencë, në vitin 2011, pikërisht kur për së dyti energjetika bërthamore po ringrihej, duke u bërë atraktive madje edhe për vende të vogla, ndodhi aksidenti i Fukushimës, pasojat e të cilit është herët të diskutohen, ndonëse fatmirësisht deri më sot nuk raportohet ndonjë jetë e humbur nga ekspozimi ndaj rrezatimit.
Duket se sa përmenda më lart shkojnë në mbështetje të argumenteve të mikut tim. Por, a është vërtet kështu? Teknologjia bërthamore shtrihet në shumë drejtime të aktivitetit njerëzor si bujqësia, hidrologjia, gjeologjia, për të vazhduar me fusha të tjera ku së fundi, por jo e fundit për nga rëndësia, numërohet mjekësia bërthamore.

Sot mjekësia bërthamore është e pranishme në çdo pikë të rruzullit, duke dhënë ndihmesën e paçmuar për shpëtimin dhe shërimin e miliona e miliona njerëzve. Mendoni sa efikase janë për kurimin dhe diagnostikimin e sëmundjeve të ndryshme akseleratorët linearë, këto “bisturi” të mprehta dhe efikase në operacionet e tumoreve; apo burimet e kobaltit ose ceziumit, që janë të pazëvendësueshëm në shërimin e sëmundjeve kanceroze përmes bombardimit të qelizave të prekura nga sëmundja; apo përdorimet e jodit, tekneciumit, dhe shumë lëndëve të tjera radioaktive për diagnostikimin apo mjekimin e sëmundjeve të ndryshme.
Progresi në shumë nga këto fusha është i shpejtë; është veçanërisht i shpejtë në mjekësinë bërthamore. Është një progres që e prekim përditë, madje edhe në Shqipëri, ku tashmë ka disa akseleratore që përdoren me sukses ne mjekësi, ka disa burime kobalti që përdoren në onkologji; jodi e tekneciumi përdoren në diagnostikim e terapi pranë Spitalit të Tiranës dhe gama e aplikimeve zgjerohet për ditë e më shumë me pajisje gjithmonë e më bashkëkohore...
...Por, edhe në fushën e mjekësisë bërthamore, ku progresi dhe domosdoshmëria e teknologjisë bërthamore është tejet e qartë, janë shënuar për fat të keq disa aksidente, madje me pasoja tejet të rënda. Ndër ta do të përmend aksidentin në instalimin e radioterapisë në Kosta Rika, atë të Saragosës, aksidentin në Marok, në Goiania të Brazilit, atë që ka ndodhur në qytetin e Meksikos, atë të Tailandës, e të tjerë aksidente me pasoja më pak serioze. Do të jap më shumë hollësi vetëm për dy prej tyre.
Më 13 Shtator të vitit 1987, në qytetin Goiania në Brazil, është shënuar një aksident sa tragjik, aq dhe i habitshëm. Si pasojë e zhvendosjes në mjedise të reja të klinikës së radioterapisë, në mjediset e vjetra u “harrua” një burim shumë i fuqishëm ceziumi, që përdorej në pavionin e onkologjisë. Ky burim i vjetër radioaktiv u “rrëmbye” nga mjediset e spitalit dhe ra në duart e disa personave që donin ta shisnin për skrap. Pasi e çmontuan, autorët e rrëmbimit u habitën dhe u mrekulluan nga ndriçimi që i rrethonte, por kjo “kënaqësi” mbaroi shpejt; ajo u shoqërua nga katër të vdekur, ndotjen me lëndë radioaktive të 245 personave, nga të cilët 20 ju nënshtruan trajtimit mjekësor, dhe ndotjen radioaktive të dhjetëra hektarëve tokë. Tre vjet më vonë, në Saragosa të Spanjës, në dhjetor të vitit 1990, ishte i nevojshëm riparimi i një defekti në akseleratorin e elektroneve që përdorej për radioterapi në spitalin e qytetit. Riparimi u krye më 7 Dhjetor të atij viti; si pasojë e vendosjes së parametrave të gabuar nga ana e teknikut që kreu riparimin, akseleratori u vendos në një regjim jo normal pune, që nuk u vu re nga përdoruesit e tij. Në këto kushte të reja akseleratori emetonte një dozë rrezatimi rreth 6 herë më të lartë se sa ajo që emetohej para riparimit. Si pasojë, 27 pacientë iu nënshtruan një doze shumë të lartë; si rrjedhojë 11 prej tyre humbën jetën në harkun kohor nga 10 deri në 20 Dhjetor 1990.
Përveç gabimit nga ana e teknikut, edhe Autoriteti Rregullues përgjegjës për kontrollin e instalimeve bërthamore të Spanjës nuk ushtroi në kohë kontrollin e duhur, duke mos mundur kështu të mënjanojë pasojat. Një gabim i thjeshtë dhe një burokraci administrative prodhuan një nga rastet më tragjikë në përdorimin e teknologjisë bërthamore.

A mundet që edhe në këtë rast të përdorim të njëjtin arsyetim: të “trembur” nga aksidentet të ndërpresim aplikimet e mjekësisë bërthamore?
Pa asnjë dyshim na duhet të mbajmë po atë qëndrim që mbajmë ditë pas dite ndaj aksidenteve në transportin ajror, hekurudhor apo rrugor; të aksidenteve në impiantet e përpunimit të naftës e gazit, apo ndaj shumë aksidenteve të tjera që shoqërojnë proceset teknologjike.
Në të kundërt, për të kompensuar atë 15% përqind të energjisë elektrike që prodhohet nga energjia bërthamore, do të duhet ndërtimi i më shumë centraleve termike, me naftë, me qymyr apo gaz; më shumë hidrocentrale me basene ujore gjigande; apo impiante të tjerë me ndikim jot ë vogël në mjedis, që edhe ata shoqërohen me rrezikun e aksidenteve. Statistikat tregojnë se energjetika bërthamore ka numrin më të vogël të aksidenteve të shoqëruar me humbje jete për njësi të energjisë së prodhuar. Përveç aksidentit të Çernobilit, në asnjë rast tjetër nuk janë shënuar humbje jetësh njerëzore si pasojë e rrezatimit të çliruar nga një central bërthamor.
Prandaj rruga e vetme është avancimi teknologjik, zgjerimi i gamës së aplikimeve duke përmirësuar elementet e sigurisë së funksionimit të impianteve e pajisjeve të ndryshme duke nxjerrë mësime nga pësimet si dhe duke shtrirë sa më thellë që të jetë e mundur analizën e faktorëve të sigurisë. Dikur, në fazat e hershme të zhvillimeve teknologjike, njeriut i duhej të ndërhynte dendur për të siguruar funksionimin normal të pajisjeve dhe impianteve të ndryshme teknologjike. Dora dorës, kërkesat për rendiment më të lartë, siguri dhe komoditet u shoqëruan me automatizimin e proceseve dhe sot shkalla e robotizimit dhe kompiuterizimit të pajisjeve teknologjike është shumë e lartë. Sot, aeroplani drejtohet nga piloti automatik, njësoj drejtohet treni; në mënyrë automatike funksionojnë shumë e shumë pajisje të tjera.
Nëse dikur ndërhyrja e njeriut ishte e domosdoshme për të siguruar mirëfunksionimin e pajisjeve teknologjike, kjo ndërhyrje sot është në shumicën e rasteve pikërisht ajo shkaktarja e avarive dhe aksidenteve. Sot, shumica e aksidenteve janë pasojë e ndërhyrjeve të pakualifikuara të përdoruesve të teknologjisë.

Kësaj ligjësie i nënshtrohet edhe e ardhmja e energjetikës bërthamore; brenda viteve 2020 - 2030 energjetika bërthamore do mbështetet në reaktorët e gjeneratës së tretë - plus, që janë sisteme me siguri të vetëvetishme, ku mundësitë për aksidente do jenë të neglizhueshme dhe impakti i tyre në mjedis në rast aksidenti do jetë shumë i kufizuar.
Njerëzimi i është nënshtruar disa herë veprimit të rrezatimit radioaktiv; momenti më kulminant gjithsesi mbetet bombardimi mbi Hiroshimë dhe Nagasaki, pas të cilave u krijua përshtypja se në këto dy vende, madje as edhe një fije bari nuk do të mbinte më pas 100 vjetësh. Për fat të mirë, fotot dëshmojnë se ky parashikim nuk ishte i vërtetë; njerëzimi me mençurinë, vullnetin e këmbënguljen ka gjetur mundësi të pashtershme për progres, madje edhe të rilindë një qytet si Hiroshima, të bombarduar tmerrësisht 60 vjet më parë duke e shndërruar në një kohë të shkurtër në një qytet përrallor.

Nga Perparim Fuga (Fizikan, Specialist i energjisë dhe impianteve bërthamore)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi