Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Jozefina Topalli Grua lind, Presidente bëhesh Empty Jozefina Topalli Grua lind, Presidente bëhesh

Wed 7 Mar 2012 - 19:59
Jozefina Topalli Grua lind, Presidente bëhesh Jozefina-Topalli-300x240Jozefina Topalli është një grua e kontestuar. Ky kontestim është aq i fortë sa del e mjafton për të fshirë edhe hiret e saj femërore.
Shkodranes së bukur në krye të Parlamentit i duhet më shumë mundim për të qenë një grua në politikë sesa për të mbetur një grua e bukur. Më shumë se buzë, sy e flokë që mbajnë erë të mirë, ajo ka dashur të jetë një primadonë në oborrin e vrazhdë të politikës.
Dhe ajo ia ka arritur të jetë Gruaja e Parë në Partinë Demokratike. Ky status e shumëfishon vlerën e vet kur në jetën e zj. Topalli, të partisë së cilës i përket, por edhe të Republikës, vijnë e takohen dy pika që së bashku zgjaten drejt historisë: Shqipëria këtë vit feston 100-vjetorin e Pavarësisë dhe një presidente republike grua do të ishte një simbolikë për t’u shënuar.

Ky vit, në fakt i tillë do të jetë, i mbushur me simbole: do të flitet për data e akte; do të flitet për etërit themelues; dy rryma historikisht të ndara do të ofrojnë variantet e tyre të historisë dhe pyetja bëhet: ‘a mjafton simbolika e një gruaje si presidente, personaliteti i së cilës përçohet më shumë si përçarës se sa si përbashkues?’
Pyetje që pasojnë pyetje mund të jenë sfilitëse për ata, brenda sigurisë së të cilëve dyshimi rri si mish i huaj, por ja edhe një pyetje tjetër lidhur me ‘faktorin Jozefinë’. Nëse ajo është e fortë dhe inteligjente, dy cilësi që sigurisht i janë dashur për të mbijetuar në politikën mashkullorisht të ashpër shqiptare, pse preferon të bëhet presidente, duke e ditur se ky institucion nuk është klimaksi, por fundi i karrierës së një politikani në Shqipëri? Një vështrim i shpejtë mbrapa në kohë të ofron një listë burrash të cilët e kanë mësyrë presidencën, pa e ditur se pas saj do t’ia nisnin lojës nga zeroja, apo, më keq ende, do ishin jashtë loje me gjithsejt. Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe së fundmi Bamir Topi janë shembuj të kësaj. Nëse Sali Berisha përmendet si kundërshembull, kjo e ilustron më shumë argumentin: Sali Berisha është në një ligë më vete; në një league of extraordinary gentleman. Jozefina Topalli m’anë tjetër sillet dhe do që të jetë Sali Berisha, por Sali Berisha nuk mund të jetë.
***
Nëse Jozefina Topalli nuk është si Sali Berisha, si kush është atëherë ajo? Në fakt askush nuk tha që zj.Topalli nuk është si z. Berisha: ajo mund të jetë si Doktori, por nuk është sa ai. Ka një ndryshim të madh mes ‘si’ dhe ‘sa’. ‘Si’, jo çdo herë mat cilësinë dhe ‘sa’, jo çdo herë mat sasinë. Për të kuptuar Jozefina Topallin, ndoshta duhen përimtuar gratë e tjera të Partisë Demokratike ndër vite. Më saktë, gratë simbol të forcës së parë politike opozitare antikomuniste në Shqipëri. Pauzë e gjatë. Ah po, Partia Demokratike nuk ka pasur gra simbol. Kujtimi më i fortë i një gruaje demokrate na vjen në formën e Rushen Golemit, një zonje gjithashtu të hijshme, i vetmi kontur femëror në entourage-in demokrat të fillim viteve ’90, mbushur me burra karizmatikë të llojit Berisha, Pashko, Hajdari, Ceka e Zogaj. Zj.Golemi, një mjeke, dukej se ishte aty, me kurorën e flokëve të bardhë, për të thënë se edhe gratë do të kishin vendin e tyre në dekorin e demokracisë. E djathta dukej sikur i kishte kthyer gratë te Familja, te një prej vlerave që në parim mbetet një kolonë e vlerave konservatore.

Pas Rushenit mbërriti Jozefina, një katolike nga një familje e madhe dhe antikomuniste e Shkodrës. Koha që e solli në PD përcaktoi edhe drejtimin e prirjen e ligjërimit të saj politik: antikomunizmin. Partia Demokratike, pas diskursit të fillimviteve ’90, mbushur me komunistë e kriptokomunistë, e rimori sërish këtë tezë pas ngjarjeve të ’97-ës, ndihmuar shumë edhe prej kompozitës së Komiteteve të Shpëtimit Publik mbushur me ish-oficerë dhe ish-komunistë të vijës së ashpër. Jozefina, grua nga një familje e persekutuar e një qyteti antikomunist, e shprehte më mirë se kushdo këtë frymë të rilindur në PD. Nëse Rushen Golemi dëshmonte se në aulat demokrate kishte vend edhe për gratë intelektuale, Jozefina Topalli shpallte se në skalionet pdiste ishte koha e antikomunistëve tradicionalë, që do hakmerreshin pikërisht për ‘rikthimin e komunizmit në pushtet’. Nëse ajo quhej Jozefinë, ishte katolike prej Shkodre dhe mund të shndërrohej në njëfarë Nore qëndrestare, aq më mirë.
***
Ndërkohë antikomunizmi si emergjencë, por edhe si devizë politike erdh e ra. Partisë Demokratike, për të ardhur në pushtet pas dy mandatesh të humbura, në vitin 2005 iu desh ta rishpikte veten. Makeover-i i Sali Berishës u mbështet te të rinjtë, të rikthyerit, por edhe gratë. Kombinimi i të triave shënoi shndërrimin e forcës së djathtë, por në të njëjtën kohë prodhoi një kulturë të re: menaxherët po zinin vendin e operatorëve politikë. Fakti se Jozefina Topalli dëshiron një vend në Presidencë është ndoshta shenjë se ajo e fut veten te këta të dytët. Si dëshmi e asaj se roli i operatorëve politikë po tkurret, mbeten rezultatet e dobëta të Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e fundit vendore, ku të djathtët të komanduar nga Topalli humbën terren, sidomos në komuna. Një vend në Presidencë, për Jozefina Topallin do të thotë tre mandate në pushtet. Çdo oreks më shumë se kaq është thjesht babëzi dhe asnjë babëzi nuk i shkon një zonje.
***
Jozefina Topalli është një grua e kontestuar. Në politikë, sigurisht. Por edhe jashtë saj, nëse ajo do të ishte mësuese, mjeke, aktiviste e shoqërisë civile a çfarëdo tjetër, e tillë do të kishte qenë. Burrat nuk i duan gratë e forta; ato nuk i duan as vetë gratë. Nëse i besojmë maksimës së feministes Simone de Beauvoir, grua nuk lind, por bëhesh, fakti se Jozefina Topalli është grua e kontestuar dëshmon se ajo është bërë.
*Botuar në revistën Madame MAPO të muajit shkurt 2012.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi