Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Fuqia e pakuptuar e librit Empty Fuqia e pakuptuar e librit

Thu 8 Mar 2012 - 16:11
AGIM BAÇI
Debati që përfshiu botimin e librit të Hitlerit, pa dyshim që meriton vëmendje. Mjaft figura publike u përfshinë në arsyetime të ndryshme, si pro botimit, ashtu edhe kundër botimit. Nga ata që mbështesin botimin shtrohej çështja se duhen çmitizuar të tilla tekste dhe se mundësia për ta gjetur një libër të tillë ekziston edhe në gjuhë të tjera, veç shqipes. Ndërkaq, kundërshtarët e librit u fokusuan në racizmin që shfaq përmbajtja e atij libri, duke kujtuar atë filozofi që ushqeu mjaft njerëz në vrasjet më masive në botë, siç ishte Lufta e Dytë Botërore.
Por, në të gjitha diskutimet, duket se u anashkalua ajo që vlen më shumë kur bëhet fjalë për një libër: se çfarë roli mund të ketë në shoqëri një libër. Dhe këtu duket se jemi kujdesur pak, ose fare pak, lidhur me rëndësinë që kanë botimet në Shqipëri. E nëse kemi reagim për shkak të asaj që ka ndodhur pas botimit të këtij libri, kjo është një shenjë pozitive për të kuptuar se janë idetë ato për të cilat duhet të preokupohemi.
Në fakt, botimi duket sikur ka të bëjë thjesht me thyerje të ligjeve, ndërkohë kemi harruar të fokusohemi tek ajo që ka ndodhur me historinë e librit edhe në mjaft vende ku ai është botuar, ku libri ka qenë dhe është një rrezik i hapur i mundësisë për të krijimin e klimës naziskine. E po t’u referohemi edhe mjaft vendeve europiane, ku ka grupe të tilla, vlen të shqetësohemi edhe më shumë për shkak të jetës së trazuar të rinisë shqiptare, e cila është në një dyzim marrëdhëniesh me familjen dhe shoqërinë. Kjo për shkak të mungesës së debateve të vërteta lidhur me ndryshimet që ka pasur shoqëria.
Pikësëpari, ky lloj botimi vjen si pasojë e asaj që shumë qytetarë në këtë vend guxojnë të bëjnë kur mungojnë kufijtë etikë dhe ku individi mendon se mund të provojë çdo gjë pa marrë parasysh pasojat. Ndërkaq, institucionet që merren me menaxhimin e librit, por edhe sociologë e psikologë, duhej të kishin diskutuar prej kohësh për një rrezik që mund të vijë qoftë edhe nga kontakti në gjuhë të huaj me këtë libër, që ka krijuar një makth në të shkuarën e që vijon ta ketë potencialin për rrezikun ende, për shkak se ato ide kanë provuar se mund të gjejnë hapësirë në kushte dhe kultura të ndryshme.
Shoqëria ka detyrimin e saj, përmes institucioneve që paguhen për të shqyrtuar të tilla ngjarje, që të mos përgatitet thjesht kur të kemi ndonjë pasojë, por të diskutojë sa është në kohë me shkakun. Sepse i njëjti libër, ku është botuar në vende të ndryshme, është shoqëruar më së pari nga një debat i gjerë, ku janë sqaruar të gjitha anët negative, ku është diskutuar rreziku dhe, më në fund, kur librit i është hapur rruga, pjesa më e madhe e shoqërisë e ka parë atë libër në shembullin “se si nuk duhet të jemi”.
Por neve na mungojnë institucione debatuese për librin, duke harruar se në historinë e zhvillimit, asgjë më shumë se sa libri nuk ka shkaktuar ndryshime, që të ketë ndikuar në krijime grupesh të ndryshme, në grupe filozofie, grupe politike, grupe të shoqërisë civile. Nuk është thjesht historia e Dantes, që përmes Komedisë Hyjnore i dha jetë italishtes. Por mjafton të kujtojmë se vetëm disa kohë më parë, Gjermania e shpalli Gëten si emrin më influent në të gjithë shoqërinë gjermane, ndërkohë që e gjithë shoqëria krenohet se janë pasues të Getës dhe Shilerit.
Libri vlen që të hapet një debat mbi rëndësinë e asaj që lexojmë. Sepse nëse libri i Hitlerit zgjon nazizmin, ka shumë libra të tjerë që mund të zgjojnë horrorin, urrejtjen fetare, urrejtjen racore, prostitucionin. Ose edhe një e keqe tjetër, që disa libra të dobët, që lexohen me detyrim në shkolla, t’u krijojnë idenë fëmijëve që letërsia është humbje kohe.
Më së pari, shoqëria duhet të përkujdeset për idetë që diskutohen, sepse nga ato vijnë më pas grupet e ndryshme. Për këtë është e rëndësishme që t’i kushtojmë vëmendjen shkakut, e jo pasojës. Sepse dukuria e pasojës shihet edhe me policët, që duket se synim kanë gjobat, e jo rregullimin e trafikut, siç duken vendimet në gjykatë, ku i akuzuari shihet më shumë si një objekt i dënimit, dhe jo i mundësisë së rehabilitimit që duhet të shohin gjykatësit. Dhe të gjitha këto vijnë sepse ne vijojmë ende të përgatitemi për pasojën, pa e kuptuar ende se shërimi apo zgjidhja vjen kur jemi njohur dhe dimë se si të sillemi me shkakun.
Ne duhet të kujdesemi për çdo ide, që qoftë edhe një qytetar i vetëm të mos jetë i cenuar në rrugëtimin e tij për të qenë më së pari një njeri. Dhe në këtë kontekst, nuk duhet parë nëse janë kushtet apo nuk janë kushtet për të ndodhur, por hipoteza që ajo mund të ndodhë, për shkak se është në kundërshtim me vlerat njerëzore, me arsyen.
Gjithashtu, nuk duhet asesi t’u japim jetë të tilla botimeve me argumentin e lirisë së shprehjes, pasi botimi i librave të tillë nuk është aspak respekt për lirinë e shprehjes – një gjë e shenjtë kjo në demokraci. Sepse liria e shprehjes nuk nënkupton lirinë e botimit të traktateve politike apo gjithfarësojesh që kanë shërbyer dhe janë përdorur për të nxitur urrejtje dhe barbari. Në qoftë se lejohen të tilla botime, atëherë kjo gjë mund të arrijë shumë larg dhe shoqëria do të humbë qenien e saj si një organizëm i vetëdijshëm për pasojat e veprimeve që kryen.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi