Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Legjenda
Anetar i perjashtuar
Anetar i perjashtuar
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 40
<b>Postime</b> Postime : 5560
<b>Hobi</b> Hobi : FUTBOLL
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne vendi e dashur quhet tetova
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 19/02/2012

Master, Hazis Gjergji: A dinte të shkruante Mbreti Zog? Empty Master, Hazis Gjergji: A dinte të shkruante Mbreti Zog?

Wed 14 Mar 2012 - 1:29
Me rastin e 80-vjetorit të shpalljes së Ahmet bej Zogut “Mbret i shqiptarëve”, një shtëpi anonime botuese hodhi në tregun shqiptar një libër voluminoz me 721 faqe të formatit të madh, të autorit Hysen Selmani, me një titull të çuditshëm: “Nga notimet e Zogut I mbretit të shqiptarëve”, Tiranë, 2008. Fjala notimet në gjuhën shqipe është shumësi i shquar i emrit notim; i cili shpreh veprim sipas foljes me notue. Kemi garat e notimeve, notimet mbi ujë e nën ujë; notimet në bollëk, notimet në kujtime etj. Nëse nuk ësht fjala për pasurimin e gjuhës shqipe me ndonjë huazim të panevojshëm nga anglishtja, personalisht më pëlqen ta marr fjalën notimet, si një metaforë të bukur letrare që tregon se si ka notuar Ahmet Zogu mbi ujrat dhe nën ujrat e historisë së Shqipërisë. Botimi “Nga notimet e Zogut...” mund të merret edhe si një testament. Hartuesi i tij deklaron: “Mbreti Zog nëpërmjet ndihmësit të tij, kolonel Hysen Selmanit, i le shqiptarëve edhe të huajve shënimet e Tij. Këto shënime, ne po ia paraqesim me kënaqësi popullit, të sigurtë se do të japim një kontribut për plotësimin e historisë, jo vetem asaj shqiptare, por edhe historisë ballkanike, europiane...” 1)
Gjithsesi duhet thënë se këto shënime voluminoze të ish-mbretit Zog të paraqitura me firmën e Hysen Selmanit nuk janë as të parat e as të vetmet. Rrëfimin e parë të dokumetuar e zbardhur në 30 faqe ish-gazetari amerikan Herman Bernstein dhe është hedhur në internet nga albanologu i njohur Robert Elsie. Në shënimin paraqitës, Elsie thotë se Mbreti Zog nuk ka lënë asnjë shkrim me dorën e tij. “I shkolluar në Stamboll dhe folës rrjedhshëm me gojë i disa gjuhëve, ai nuk kishte njohuri të mjaftueshme pë të shkruar shqip. Çatin Saraçi e cilëson atë pothuajse analfabet. Kjo histori është një nga dëshmitë më të afërta gojore të Zogut. Ajo është marrë me shënime në gjuhën angleze në vitin 1933 nga Herman Bernstein, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, i cili e quan atë "historinë e jetës së sundimtarit shqiptar, e treguar nga vetë ai në vetën e tretë." 2)
Çatin Saraçi, një ndër ish-shokët dhe bashkëpuntorët më të ngushtë të Ahmet Zogut gjatë sundimit të tij në Shqipëri, në dorëshkrimin e tij të vitit 1940 dëshmon: “Zogu nuk e mësoi kurrë gramatikën shqipe dhe sot e kësaj dite ai nuk është në gjendje për të shkruar një rrjesht në gjuhën shqipe. Ai kurrë nuk ka shkruar një letër për dikë me shkrimin e tij. Është e vërtetë se ai mund të shkruajë në alfabetin e vjetër turk; por është fakt se shkruan shumë dobët, siç jam informuar nga Sulo Bogdo që e ka parë dorëshkrimin e tij...” Një nga bashkëkohësit e Zogut, patrioti i njohur Kadri Prishtina (Hoxhë Kadria) dëshmon se Ahmet bej Zogolli, më 1910–1911, ishte anëtar i klubit “Mahfel” të Stambollit, i cili kërkonte që gjuha shqipe të shkruhej me gërma arabe. Po ashtu, oficeri madhor Faik Quku në shënimet e tij historike shkruan: “Zogu nuk shkonte në shoqërinë “Bashkimi” që përpiqej për të drejtat shqiptare e për pavarësinë e Shqipërisë, por në shoqërinë “Mahfel”, e kryesuar prej Arif Hiqmet Kumanovës, e cila, në pagesë e në shërbim të qeverisë osmane, kundërshtonte shoqërinë “Bashkimi”, luftonte kundër pavarësisë së Shqipnisë dhe të drejtave të saj, si dhe pretendonte alfabetin arab për shkronjat shqipe" 3).
Megjithatë, aftësia apo pamundësia gramatikore e Ahmet Zogut për të shkruar kujtimet e tij, nuk përbën ndonjë problem të madh, pasi shumë nga memorialet e personaliteteve historikë janë hedhur në letër nga ndihmësa profesionistë. Çështja e shënimeve të Ahmet Zogut qëndron tek paraqitja e tyre në vetën e tretë. Zakonisht njeriu rrëfen historinë e jetës së vet në vetën e parë, pasi mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për saktësinë, vërtetësinë apo fallcitetin e ngjarjeve që rrëfen; ndërsa kur tregimi bëhet në vetën e tretë le shteg për shumë abuzime, gënjeshtra e mashtrime. Në rastin konkret, sipas rrëfimit të Zogut më 1933, Bernstein shkruan: “Kur ai ishte tetë vjeç, babai i Ahmetit vdiq. Por, edhe pse periudha e zisë për vdekjen e tij nuk kishte mbaruar, nëna e Ahmetit vendosi ta dërgonte djalin në shkollë në Konstandinopojë. Dhe, në vitin 1903, ai u largua për kryeqytetin e Perandorisë Turke, i shoqëruar nga një shërbyes i vetëm. (p.4)
Ndërkaq, po sipas dëshmive të Zogut, Selmani shkruan: “Xhemal Pash Zogu kaloi një ftohje dhe vdiq në tetor 1904… Pas një viti zije të vdekjes së babait, Zogu u nis për në Stamboll… në datën 15 shtator 1905... Sapo mbërriti në Stamboll nën kujdesin e Fadil Pash Toptanit, hyri në shkollë në Gallatasaraj. Ahmet Zogu ishte 7 vjeç kur shkoi në Stamboll, por ishte i përgatitur… Në ditët e pushimeve, si të premteve, festat e ndryshme, Zogu shkonte në shtëpinë që kishte marrë me qira e në të cilën banonin 4 rojet dhe kujdestarët e tij.” (f. 19, 21, 22)
Por ndryshe i kishte të regjistruara në kujtesë tregimet e ish-bashkëshortit Ahmet Zogu për shkollimin e tij në Stamboll, vejusha Geraldina Zogu. Në rrëfimin që bën përpara biografes së saj, Jozefina Dedet (Joséphine Dedet), ajo tregon: “Nxënes i Liceut Gallata Saraj, Ahmeti kishte arritur të ndiqte dy klasë në vit, gjithë duke jetuar në kushte shumë të vështira. Ai ia detyronte mbijetesën e vet bujarisë së popullit shqiptar të Stambollit – kopështarë, kafepjekës, gjellberës, që kishin vënë kursimet e tyre në dispozicion të tij – dhe një mjeku turk që e kishte shëruar nga një pnoumeni dhe që më pas e kishte marrë në shtëpinë e vet.4)
Shkaktari i rënies së Ahmetit në atë mjerim, sipas Geraldinës, ishte Sulltan Abdyl Hamiti II. Këtë fakt, ajo ia ka treguar, përveç të tjerëve, edhe historianit amerikan Bernd J. Fischer, në bashkëbisedimin e tyre në Kosta del Sol të Spanjës, në korrik të vitit 1981. “ Geraldina, gruaja e tij e ardhshme,” shkruan Fischer, “pohon se menjëherë pas mbërritjes në Stamboll, ai u thirr në takim nga sultan Abdyl Hamiti, në sajë të ndërhyrjes së disa shqiptarëve me pozita të larta pranë Portës. Sipas kësaj historie, djaloshi i hyri në zemër Sulltanit, ndaj ky i propozoi ta bënte adjutant të djalit të vet të vogël. Mospranimi i këtij propozimi nga ana e Ahmetit shkaktoi zemërimin e Sulltanit dhe atë të xhaxhait të tij, i cili kishte marrë përsipër shpenzimet e mbajtjes në Turqi. Sulltani dha urdhër që djaloshit t’i priteshin të gjitha mundësitë e komunikimit me Matin, ndërsa i ungji i preu çdo mbështetje financiare.”5)
Por në “notimet e Zogut…” të shkruara nga Hysen Selmani, takimi i tij me Sulltan Abdyl Hamitin II, tregohet krejt ndryshe: ‘Pas pak vitesh, Fadil Pash Toptani dhe Halil Pash Kraja, i cili ishte njeriu më i afërt i Sulltan Hamidit, i krijuan mundësinë e paraqitjes në audiencë me Sulltan Hamidin. Meqenëse Zogu nuk e zotëronte aq mirë turqishten, Halil Pasha ia përkthente. Sulltanit i bëri përshtypje pasi Zogu nuk e zotëronte aq mirë gjuhën, por Sulltani i donte shumë shqiptarët dhe kur Zogu u paraqit ai i vuri dorën në sup dhe i tha: “Të studioni mire, se familja juaj i ka dhënë shërbime të mëdha Perandorisë, po ashtu duhet të bëni edhe ju,” dhe urdhëroi Halil Pashën që ta kishte në kujdesin më të madh.” (f. 22)
Një lidhje të drejtpërdrejtë me Zogun ka patur edhe studiuesi britanik Xhozef Suajër (Joseph Swire), i cili ka marrë të gjitha përgjigjet nga “Madhëria e Tij Mbreti Zog për mjaft pyetje lidhur me veprimtarinë e tij të hershme,” Suajër shkruan: “Ahmeti ishte arsimuar në shkollën përgatitore për oficerë në Manastir dhe Gallatasaraj. Kur shpërtheu Lufta Ballkanike, ai ishte në Stamboll…” 6)
Po ashtu, mësuesi i lendës së Historisë në Institutin Kyrias, Kristo Dako, pasi ka biseduar me “një mik të vjetër nga ata që kishte pasë kontakt shumë të ngushtë me Shtëpinë e famshme Zogu, e sidomos me Mbretin tonë, qysh në vogëli” dhe pasi ka lexuar “gjithçka që është shkruar për të”, pra dhe Suajerin (1929), dëshmon: “Mësimet Ahmet Zogu i ndoqi në Galata Saraj dhe në shkollën e oficerëve… Në shkollën e oficerëve Ahmeti gjithmonë u tregue më lart se detyrat që i ngarkoheshin; e kështu nuk e mbanin shumë kohë në një gradë, sepse shpejt dilnin në pah cilësitë e tij, që tregonin se ay ishte krijuar të jetë një Komandant i denjë.”7)
Pra, dëshmitë e marra nga goja e Ahmet Zogut përmendin Liceun e Gallatasarajit dhe një shkollë ushtarake, o në Samboll, o në Manastir (Bitolje). Siç dihet, Lycée de Galatasaray (turqisht: Galatasaray Lisesi) ishte në kohën e Perandorisë Osmane, siç është edhe sot, shkolla e mesme më e vjetër, më autoritarja dhe më e shtrenjta e Turqisë moderne. E themeluar nga Sulltan Bajaziti II në vitin 1481 në Stamboll, me emrin "Galata Sarayi Enderun-u Humayunu" , ajo u reformua rrënjësisht nga Sulltan Abdylazizi më 1868, duke iu përshtatur modelit të arsimit francez, me emrin "Lycée Impérial Ottoman de Galata-Sérai" (turqisht: Galatasaray Mekteb-i Sultanisi). Gjuhët bazë në Lycée u vendosën frëngjishtja e turqishtja; të detyrueshme: latinishtja e greqishtja dhe fakultative: anglishtja , gjermanishtja e italishtja. Shumë nga mësuesit vinin nga Europa Perëndimore, në veçanti nga Franca, ndërsa nxenësit nuk kishin dallim etnie, feje apo race; mjaftonte t’i përgjigjeshin një pagese të majme. Mjaft prej nxënësve të këtij liceu u bënë shtetarë e diplomatë të shquar, profesorë e shkencëtarë, shkrimtarë e artistë të famshëm në të gjitha shtetet e krijuara pas rënies së Perandorisë Osmane, përfshi këtu edhe Turqinë e Qemal Ataturkut. Në këtë Lycée ka studiuar edhe politikani shqiptar Ali bej Këlcyra (1891-1963). Autori i monografisë Ali Këlcyra-aristokrati kuq e zi, (2005), Tanush Frashëri, ka nxjerrë nga arkivi i kësaj shkolle Nr. e Amzës, ku figuron i regjistruar në vitet shkollorë 1904-1909. Cool
Në lidhje me pretendimin e Zogut mbi shkollimin e tij në Lycée de Galatasaray, historiani Xheisën Toms (Jason Tomes), autor i librit King Zog of Albania: Europe’s self-made muslim monarch, London 2003, New York 2004, shprehet se “mungesa e emrit të tij në të dhënat e mbijetuar dëshmon se ai kurrë nuk ka përfunduar një kurs aty.” 9) Po ashtu, Ali bej Këlcyra, ndonëse ka një arkiv të pasur me qindra faqe dokumente, letra, kujtime, korrespondenca etj., në asnjë faqe të tyre nuk e përmend Ahmet Zogun si shok shkolle. Përkundrazi, emri i tij del në kujtimet e një ish-nxënësi të një shkolle tjetër. Ky nxënës është politikani Mustafa Merlika Kruja (1887-1958). Në librin e tij, “Kujtime vogëlie e rinie”, Kruja dëshmon se është njohur me Ahmet Zogollin në Nümune-i Terakki Idadisi të Stambollit, në vitin shkollor 1906-1907. Idadija Terakki e Stambollit kishte tre nivele studimi: fillor (ilkokul, 4 klasa), të mesëm (rüştiyesi, 3 klasa) dhe atë të lartë (idadisi, 3 klasa). Mustafa Kruja kishte mbaruar 7 klasat e para në Mejtepin dhe Rüshdijen e Krujës (vendlindjen e tij), 2 klasa të larta në Idadijen e Janinës dhe në Terakki Idadisi të Stambollit kishte ardhur për të mbaruar vitin e fundit. Duke u mbështetur në dëshmitë e Hysen Selmanit se Ahmet Zogu i kishte marrë mësimet e fillores në Burgajet, në Nümune-i Terakki Idadisi duhet të ketë hyrë në klasën e 5-të, përkrah moshatarëve të tij 11 vjeçarë. Kruja ishte 8 vjet më i madh se Zogu, prandaj ishte interesuar ta takonte dhe ta ndihmonte nxënësin e ri të ardhur nga krahina fqinje e Matit; por Zogu, siç shkruan Kruja, ishte tip i ftohtë dhe i mbyllur dhe, pas dy-tre takimeve të para, secili shoqërohej me shokët e klasave të veta.10)
Nümune-i Terakki (shqip: Shembull i Progresit) është themeluar si shkollë private nga profesori i njohur i lendës së Matematikës në Akademinë e Marinës të Stambollit, Mehmet Nadir Bey, në vitin 1884. Pas dymbëdhjetë vitesh të suksesshme, shkolla u shtetëzua dhe vazhdoi veprimtarinë arsimore me emrin Terakki Idadisi (shqip: Idadija e Progresit). Në vitin 1910, për herë të parë në historinë e shkollave turke, ajo mori emrin që ka edhe sot: İstanbul Lisesi (Liceu i Stambollit), i njohur zakonisht si İstanbul Erkek Lisesi ( IEL) dhe renditet si një nga shkollat elitare publike në Turqi. Nxënësit e Galatasaray Lisesi-t kishin një diapason më të gjerë në përvetësimin e gjuhëve të huaja, veçanërisht në frengjisht, por edhe ndjekësit e İstanbul Lisesi mësonin frengjisht e gjermanisht dhe garonin denjësisht në konkurset e pranimit në fakultetet e universiteteve të Stambollit. Ashtu si Mustafa Kruja i Terakki Idadisit edhe Ali bej Këlcyra i Galatasaray Lesisit, kanë konkuruar dhe fituar të drejtën për të vazhduar studimet në Fakultetin e Shkencave Politike e Sociale (Mülkiye-i-Sehahané) të Stambollit, duke i përfunduar me sukses në vitet respektive: Kruja më 1910 dhe Këlcyra më 1912.
Kështu, duke mos i shkruar vetë kujtimet e jetës së tij, personat e tjerë kanë dhënë vende dhe mosha të ndryshme të fillimit të shkollimit të Ahmet Zogut, disa në Stamboll, të tjerët në Manastir (Bitolje): Geraldina përmend moshën 6 vjeç (i marrë peng), Selmani 7 vjeç (i marrë peng), Bernstein 8 vjeç, Kruja 11 vjeç, Tomes 11vjeç, Dako 13 vjeç, Fischer 8 dhe 13 vjeç (i marrë peng). Këtu duhet sqaruar se “marrja peng” e Ahmet Zogut nga sulltani është një përrallë e sajuar për të hequr paralele me marrjen peng të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, në një kohë që praktika e marrjeve peng nuk praktikohej më të paktën qysh nga Reformat e Tanzimatit (1839). E dyta, kur Ahmet Zogu u nis nga e ëma në Stamboll, i ati kishte dy vjet që kishte vdekur natyralisht, pa asnjë implikim me pushtetin qëndror të Perandorisë Osmane. Aq më pak mund të flitet për pengmarrje në vitin 1908, kur sulltan Abdyl Hamiti II ishte marrë “peng” për vete nga oficerët xhonturq dhe mbahej i survejuar në Selanik.11)
Për përfundimin e studimeve të Zogut, Herman Bernstein thotë: “Pas diplomimit të tij në Lice, Ahmed hyri në shkollën ushtarake turke, me qëllim që të ndiqte gjurmët e paraardhësve të tij luftarakë... Përfundimisht, në korrik 1912... ai e braktisi shkollën dhe shkoi në Mat për të ndihmuar popullin e tij në luftën për liri kombëtare.” Hysen Selmani e saktëson datën e nisjes së tij nga Stambolli, në gjysmën e dytë të korrikut 1912, duke këmbëngulur se Zogu i ka përfunduar studimet e shkollës. Ndërsa sipas Geraldinës, burri i ardhshëm i saj u largua nga shkolla “në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, pas mbarimit të studimeve në akademinë ushtarake të Bitoljes (Manastir). E para, Ahmet Zogu u nis nga Stambolli per në shtëpi e jo nga Manastiri; e dyta, është e pamundur që një 16 vjeçar të mbarojë studimet në një Akademi Ushtarake; e treta, nëse vërtet Ahmeti ka vazhdur ndonjë shkollë ushtarake në Stamboll, mundet që të ketë mbaruar tre vjet Ruzhdije (rüştiyesi, 3 klasa) në Nümune-i Terakki Idadisi dhe ka kaluar për t’i mbaruar tre të lartat (idadisi, 3 klasa) në Kuleli Askeri Lisesi (Kuleli Military High School) e themeluar qysh më 1845 nga sulltan Abdymexhiti I në Çengelköy të Stambollit. Por përsëri edhe Kuleli është një shkollë kadetësh dhe jo Akademi Ushatrake. Edhe me supozimin se ka qenë në Kuleli, përsëri Ahmet Zogu nuk ka arritur të marrë maturën, pasi u detyrua të kthehej në Mat para se të fillonte vitin e fundit.12)
Mjegullnaja e shkollimit të Ahmet Zogut në Stamboll nuk u shpërnda as nga librat dhe artikujt e shumtë të botuar në njëzet vitet e fundit mbi jetën dhe veprimtarinë politike të tij. I befasuar nga shumëllojshmëria e dëshmive kontradiktore mbi shkollimin e Zogut, studiuesi anglez Xheisën Toms (Jason Tomes), shtron krejt spontanisht dyshimin se pse “mbreti Zog kurrë nuk e bëri krejtësisht të qartë se cilat shkolla ka ndjekur dhe në cilën kohë. Informacioni është aq skematik dhe i njëtrajtshëm, sa që ngrihet dyshimi se ai donte që njerëzit të mendonin se kishte kryer më tepër shkollim se sa ishte e vërtetë. Pretendimi se ai kishte arritur të merrte dy klasa në hapësirën e çdo viti shkollor, vetëm sa e konfirmon ndjeshmërinë e tij për këtë pikë.13)
Si përfundim, përderisa të flasin dokumentet, mund të konsiderohet si më afër të vërtetës, dëshmia e bashkëkohësit dhe mikut të ish-Mbretit Zog, Eqrem bej Vlora, i cili thotë: “Edhe pse, ç’është e vërteta, ai (Zogu) nuk kishte ndonjë shkollim të mirëfilltë: disa vjet në konviktin “Nymune-i Terakkij” në Stamboll, i dhanë atij mundësinë ta mësonte mirë gjuhën turke, por për ndonjë thellim të çfarëdoshëm shpirtëror, ai nuk pati as kohë, as dëshirë...” 14)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi