Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Legjenda
Anetar i perjashtuar
Anetar i perjashtuar
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 40
<b>Postime</b> Postime : 5560
<b>Hobi</b> Hobi : FUTBOLL
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne vendi e dashur quhet tetova
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 19/02/2012

Xhafer Durmishi: ”Zëri i popullit” dhe zëri i Jusuf Gërvallës Empty Xhafer Durmishi: ”Zëri i popullit” dhe zëri i Jusuf Gërvallës

Wed 14 Mar 2012 - 1:30
usuf Gërvalla: "Në verë të vitit 1966, kur një pjesë naive e shqiptarëve me banim në Jugosllavi kishin zënë të besonin se me rënien e Rankoviqit perënduan gjithë të ligat, Partia e Punës e Shqipërisë doli me një analizë të hollësishme, që tregonte të kundërtën. Artikulli që po e sjellim këtu, as sot nuk ka humbur asgjë nga aktualiteti i vet. Përkundrazi, ai vlen edhe për situatën e sotme në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia."

Enver Hoxha: Kush përgjigjet për krimet e gjenocidit në Kosovë "Zëri i popullit", 31 gusht 1966)



Xhelati i popujve të Jugosllavisë J. B. Tito dhe klika e tij për të shpëtuar lëkurën e vet, për të shpëtuar sistemin e shtypjes, të shfrytëzimit e terrorit që po tronditet nga themelet, "sakrifikoi", bashkëpunëtorin më të ngushtë, Rankoviçin, të cilit i veshi të gjitha fajet dhe e ngarkoi me të gjitha dështimet, gabimet, krimet dhe disfatat e gjertanishme të regjimit titist. Me shkarkimin e Rankoviçit nga të gjitha funksionet shtetërore dhe të partisë në Jugosllavi, në gjirin e bandës titiste shpërtheu haptazi lufta për pushtet midis klaneve kroato-sllovene e serbomadhe, që kanë përkatësisht përkrahjen e imperialistëve ... e të revizionistëve sovjetikë. Kjo është një shprehje e qartë e kontradiktave të thella klasore e nacionale që brejnë prej kohësh dhe po shembin mbretërinë e Titos, shprehje e kalbëzimit, degjenerimit dhe dekompozimit të sistemit titist.>>>

Ngjarjet e fundit treguan edhe një herë se Jugosllavia titiste ndodhet në rrugë kryq. Tradhëtia ndaj marksizëm-leninizmit nga ana e klikës së Titos që e ktheu Jugosllavinë në një shtet borgjez kapitalist me të gjitha tiparet e veta, solli (dhe do të sillte medoemos) përçarjen në gjirin e saj, se ajo do të zhvillonte, sikundër që zhvilloi, nacionalizmin e shovinizmin në mes pjesëtarëve të saj dhe, si rrjedhim, grupimet e ndryshme kombëtare në Jugosllavi që përpiqeshin të afirmoheshin, të forconin pozitat në shtet, në ekonomi, në ushtri, gjithsecili në kurriz të tjetrit dhe më i forti kundër më të dobëtit. U ringjall dhe u përcaktua rruga e rivaliteteve të vjetra nacionale-shoviniste serbo-kroate.
E tërë politika nacionale e klikës së Titos gjatë këtyre njëzet e ca vjetëve ndaj kombësive të ndryshme është karakterizuar nga shtypja e pabarazia, nga shfrytëzimi dhe diskriminimi ekonomik e kultural. Në mënyrë të veçantë titistët kanë zbatuar terrorin më të egër, më gjakatar, gjymtimet dhe asgjësimin fizik mbi popullsinë shqiptare në Jugosllavi. Popullsia shqiptare në Jugosllavi me shtypjen e përgjithshme që ka pësuar nga regjimi skllavërues, nga politika e tij shoviniste çkombëtarizuese është një aktakuzë e fuqishme, e pakundërshtueshme kundër rendit policor të Beogradit. Mbi kurrizin e saj janë bërë persekutime të tipit fashist, tortura fizike e shpirtërore, është zbatuar gjerësisht krimi i genocidit.
Klika e Titos, pas plenumit të 4-të të së ashtuquajturës LK Jugosllave po përpiqet me të gjitha mjetet të shpëtojë regjimin titist nga katastrofa, drejt së cilës po rrukulliset me shpejtësi duke u orvatur t'ja ngarkojë përgjegjësitë e rënda për gjendjen pa rrugëdalje të krijuar në Jugosllavi ish kryetarit të UDB-së, bashkëpunëtorit më të ngushtë të Titos, Rankoviçit. Në gjithë Jugosllavinë po bëhen përpjekje për ta vënë UDB-në, këtë organizatë famëkeqe gjakësorësh, më mirë në shërbim të regjimit titist, duke hequr prej saj, sa për sy e faqe, ndonjë kriminel tepër të kompromentuar. Kështu, me urdhër të Titos, u bënë disa "spastrime në gjirin e jerarkisë drejtuese të UDB-së." U hoqën disa ministra të punëve të brendshme në ato republika e krahina ku politika shoviniste e shtypjes dhe e çfarosjes nacionale ka qenë më e egër dhe ku mundësia e shpërthimit të zemërimit popullor ka vënë në rrezik vetë ekzistencën e regjimit titist. Kështu ndodhi në Serbi, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Bosnjë e Hercegovinë e gjetkë. Kështu, sipas lajmeve të shtypit jugosllav, edhe në "krahinën" e Kosovës janë bërë ndryshime në udhëheqjen e UDB-së. Përgjegjësit e gjertanishëm të UDB-së në Kosovë Miça Mijushkoviç, Stanislav Gerkoviç e Sh. Kajtazi u shkarkuan duke u zëvendësuar nga të tjerë "specialistë" të UDB-së si Xhevdet Hamza e Dushko Ristiqi. Por popujt jugosllavë nuk mashtrohen. Aq më tepër nuk mashtrohet populli shqiptar në Jugosllavi. Kjo fushatë gjoja "spastrimesh" është një llustër për të mbuluar krimet e pashlyeshme të regjimit titist, për të larë nga përgjegjësitë klanin Tito-Kardel-Bakariç, që doli përkohësisht i fituar nga lufta për pushtet. Ajo bëhet, më në fund, për ta paraqitur Titon si "shpëtimtar të situatës", që gjoja kujdeset për të rivendosur "rendin e ligjshmërinë" e asgjësuar nga vetë sistemi titist dhe UDB-ashët fashistë, të cilët gjithmonë kanë vepruar nën drejtimin e Titos dhe klikës së tij.
Por asnjë manovër nuk e shpëton dot klikën titiste. Krimet e genocidit që janë zbatuar kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit, Maqedonisë e Malit të Zi, janë produkt i politikës së nacionalizmit e të shovinizmit të egër që ka zbatuar regjimi titist. Për ato duhet të përgjigjet në radhë të parë vetë Titua dhe, bashkë me të, e tërë banda e tij, që nga peshkaqenët e mëdhenj Rankoviç, i cili është i lyer gjer në gryk me gjakun e popullit shqiptar në Jugosllavi, Kardel, Bakariç, B. Jovanoviç, L. Kolishevski e të tjerë e deri tek ata më të vegjëlit, si Dushan Mugosha, Veli Deva, Xhavit Nimani, Ali Shukriu, Gjoko Pajkoviçi, Çedo Mijatoviçi, Çedo Topalloviçi, Sinan Hasani, Xhevdet Hamza etj.
Partia e Punës e Shqipërisë, duke u nisur kurdoherë nga pozita të drejta parimore marksiste-leniniste, ka demaskuar me kohë dhe me vendosmërinë më të madhe të gjitha krimet e shëmtuara që banda tradhëtare e Titos ka vazhduar të kryejë në dëm të popujve në Jugosllavi, dhe në mënyrë të veçantë në dëm të popullsisë shqiptare të atij shteti.
Ne kurrë nuk kemi ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjmë në punët e brendëshme të Jugosllavisë. Përkundrazi është klika revizioniste e Titos ajo që e ka ngritur në sistem ndërhyrjen në punët e brendëshme të Shqipërisë e të vendeve të tjera, ajo që për më se njëzet vjet nuk ka lënë gjë pa bërë në luftën e saj kundër popullit shqiptar, kundër PPSH, kundër RPSH dhe kundër rendit shtetëror e shoqëror socialist të vendosur në Shqipëri. Ndërhyrjet e klikës titiste në Shqipëri, veprimtaria e saj e vazhdueshme komplotuese e diversioniste, aleancat e saj me armiqtë më të tërbuar të popullit shqiptar, që nga fashistët, ballistët, zogistët e deri në imperialistët ..., monarko-fashistët grekë e revizionistët hrushovianë kundër PPSH, janë të njohura tanimë nga gjithë bota. Natyrisht, të gjitha këto ndërhyrje të klikës së Titos në punët e brendëshme të Shqipërisë kanë hasur në kundërshtimin e vendosur të popullit tonë, janë bërë copë e thërime nga vigjilenca dhe uniteti revolucionar i popullit shqiptar, që është bashkuar me partinë e tij, si mishi me kockën. Por në rast se klika revizioniste e Titos përcjell në varr me aq ceremoni e pompozitet provokues një tradhëtar të tillë me damkë të njohur të popullit shqiptar e të PPSH si Panajot Plaku, aq më tepër ne i kemi të gjitha të drejtat të ngremë zërin tonë për të mbrojtur interesat jetike të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, e cila jeton nën terrorin e klikës së Titos e të UDB-së, nën rrezikun e përhershëm të çkombëtarizimit e të çfarosjes masive.
Krimet, vrasjet e asgjësimi fizik i popullsisë shqiptare të Jugosllavisë nga ana e klikës titiste si dhe politika për çkombëtarizimin e saj, përbëjnë një vijë sistematike, e cila ka filluar qysh në ditët e para të çlirimit dhe ka vazhduar e vazhdon me egërsi gjithënjë e më të llahtarshme edhe sot e kësaj dite. Këto krime e kjo politikë genocidi nuk mund të shlyhen nga kujtesa e asnjë njeriu të ndershëm në botë, e aq më pak në kujtesën e atyre që i kanë hequr dhe i heqin përditë mbi kurrizin e tyre. Kurrë nuk do të harrojë popullsia shqiptare në Jugosllavi ngjarjen e hidhur të vjeshtës së vitit 1944, kur banda Tito-Rankoviç arrestoi në Tetovë 10 000 shqiptarë dhe pushkatoi pa gjyq 1200 prej tyre, pa bërë fjalë për ata që vdiqën në burgjet. Cinizmi, egërsia, tërbimi për të çfarosur shqiptarët kanë karakterizuar gjithmonë veprimet e banditëve titistë. Kur një patriotësh shqiptarë protestoi në komandën titiste për këto krime, gjenerali Apostokli, komandant i atëhershëm i Brigadës së parë maqedonase, u përgjegj: "Kjo nuk është asgjë, është një pastrim që bëjmë. Këta që vriten duhet të qërohen". Dhe Vukmanoviç Tempo, i cili ishte i pranishëm atëherë, urdhëroi: "Akoma mbani njerëz nëpër kampe? Ata që kini për të pastruar, i qëroni shpejt". Ky urdhër i përfaqësuesit personal të Titos u zbatua me zell të madh. Në nëntorin e vitit 1944, mijëra fshatarë të pafajshëm shqiptarë u pushkatuan rrugëve të Maqedonisë, u dogjën në zjarr, u infektuan me qëllim dhe vdiqën nga tifua e morrit.
Brez pas brezi populli shqiptar i Jugosllavisë do të kujtojë me urrejtje të papërmbajtur, kundër klikës gjakatare titiste, masakrën e Drenicës të dimrit të 1944-ës, kur divizionet jugosllave, nën pretekstin e spastrimit nga elementët armiq, rrethuan zonën e çliruar të Drenicës dhe masakruan rreth 30 000 burra, gra, pleq e fëmijë shqiptarë. Ngjarja e Drenicës ishte një kasaphanë e vërtetë, një asgjësim sistematik e i organizuar i popullsisë së këtyre krahinave me kombësi shqiptare. Përse dhe me ç'qëllime titistët u sulën si bisha mbi popullsinë shqiptare dhe e mbuluan përsëri me gjak shqiptar Kosovën e martirizuar? I vetmi faj i kësaj popullsie ishte kombësia e saj shqiptare dhe qëllimi i titistëve ka qenë dhe mbetet asgjësimi i popullsisë shqiptare në përgjithësi. Në këtë rrugë ata ecin pa u ndalur edhe sot e kësaj dite. Mbi 2000 shqiptarë në Mitrovicë dhe më se 1000 të tjerë në Gjilan, mijra shqiptarë që shkuan si partizanë në brigadat jugosllave për të luftuar fashistët, u vranë me plumbin pas kokës, me urdhër të shtabit jugosllav. Qindra shqiptarë të tjerë të rekrutuar ushtarë nga jugosllavët, u pushkatuan prej tyre gjatë rrugës Prizren-Tivar. 1200 djem shqiptarë që kishin mbetur nga ky udhëtim tragjik, u pushkatuan në Tivar. Në Gorica të Tristes më shumë se 2000 shqiptarë nga Maqedonia, të mobilizuar në brigada pune, u mbytën me gaze helmuese. Asgjësimi fizik i shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi kryhej në mënyrë sistematike. Nga të dhënat e dëshmitarëve e të dokumentave del se më shumë se 40 000 vetë kanë rënë nga plumbi, bajonta dhe helmi gjatë viteve 1944-1948.
Por ky terror asgjësues i klikës titiste kundër popullit shqiptar të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit, Maqedonisë e Malit të Zi vazhdon edhe më i egër e më i organizuar pas vitit 1948. Udhëheqja revizioniste jugosllave, pas daljes së rezolucionit të Byrosë Informative më 1948 me të cilën u dënua tradhëtia e Titos ndaj marksizëm-leninizmit dhe çështjes së socializmit, shtoi shtypjen e egër dhe të gjithanshme mbi popullsinë shqiptare të Jugosllavisë, mbi të cilën si gjatë viteve 1948-1950 ashtu edhe gjatë periudhës 1951-1965 shpërtheu vala e vrasjeve, arrestimeve dhe torturave më çnjerëzore.
Titistët me të gjitha mjetet nxitin vëllavrasjen midis shqiptarëve, ringjallin jo vetëm gjaqet e vjetra, por me kombinacione të ndryshme krijojnë gjaqe të reja. Për zgjerimin e tyre, oficerët e UDB-së, me anën e agjenturës, organizojnë rrëmbime dhe çnderime vajzash e grash kosovare dhe pastaj i shtyjnë të vriten, ndërsa ligjet, me qëllim inkurajimi, parashikojnë dënime të lehta. Kështu, ndërsa gjatë vitit 1965 në krahinën e Kosovës u kryen 41 vrasje dhe 74 plagosje, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti u bënë 26 vrasje dhe 46 plagosje të rënda.
Por a mund të shprehen me fjalë dhe të përshkruhen krimet dhe barbarizmat e pashembullta që klika titiste kreu në dimrin 1955-1956 kundër popullsisë shqiptare gjatë të ashtuquajturit "aksion të armëve". Për zbatimin me përpikmëri të operacionit kriminal dhe për drejtimin e operacioneve ndëshkimore Titua ngarkoi vetë Rankoviçin, formoi edhe një shtab, në të cilin ishin caktuar njerëzit më të sprovuar në barbarizma, shovinistë nga më të tërbuarit, kriminelë të regjur, që kanë lyer duart me gjakun e popullit shqiptar të Kosovës. Ky shtab udhëhiqej nga Dushan Mugosha, Gjoko Pajkoviçi, kolonel i UDB-së Çedo Mujoviç, Çedo Topalloviçi, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, etj.
E para që pësoi goditjen e terrorit ishte krahina e Rugovës. Ekspedita ndëshkimore me oficerin e UDB-së Bogolub Rediçin në krye, me pretekstin e kërkimit të armëve, torturoi barbarisht pothuajse të gjithë burrat e kësaj krahine. Ata i rrihnin për vdekje me pendrak (kërbaç me peshë të një goditje prej 70 kg), i mundonin me anën e korrentit elektrik dhe i linin tërë natën të zhveshur e zbathur në dëborë. Pastaj i vinin në kolonë dhe i futnin në kanal, ku uji kishte ngrirë nga të ftohtit e madh që i kalonte të 15 gradët nën zero. Në të njejtën mënyrë vazhduan torturat e masakrat në Junik të Gjakovës, në Deçan të Pejës, në Suharekë të Prizrenit, në Llap të Prishtinës, në Vuçiternë, në Drenicë, Mitrovicë etj.
"Brenda një nate" – tregon ndër të tjera emigranti kosovar Brahim Rexh Binaku nga katundi Drenoc i rrethit të Gjakovës, – UDB-ja na mori ne 34 burra të Drenicës dhe na grumbulloi në kullën e Shaban Ibishit, ku gjatë natës oficeri i UDB-së Drago Kileviç me katër milicë serbë na rrihnin një nga një në dhomat e kësaj kulle me një llastikë që ishte i mbushur brenda me copa metali, me shqelma, me grushta, me qytën e pushkës dhe me dru. Pas kësaj UDB-ja në çdo tri-katër ditë merrte në pyetje secilin prej nesh dhe na thosh se çfarë kini bërë para 20 vjetëve.
Emigranti Din Sadrija nga Istoku i Pejës ka deklaruar:
"Në katundin Dubovc UDB-ja ka bërë tortura të tmerrshme nën pretekstin e armëve. Këto u bënë në postën e milicisë. Nga 50 shtëpi që ka katundi, për 5 muaj me radhë u torturuan 50 burra". Shumë ndër ta si rezultat i torturave, u vranë ose u sakatuan. Të marrin dëshminë e emigrantit tjetër Xhem Zek Haxhija, nga katundi Bogë i Rugovës – Pejë: "Në muajin janar të vitit 1956, oficerët e UDB-së të rrethit të Pejës Bogolub Radiç e Vllado Dazhiç për një ditë na grumbulluan 65 burra në dyqanin e katundit dhe filluan të na torturojnë. Torturat dhe poshtërimet e UDB-së nuk u shtrinë vetëm mbi ne burrat por edhe mbi gratë shqiptare, gjë që nuk kanë mundur ta bëjnë as sulltanët e Turqisë e as kralët e Serbisë e Malit të Zi në malësitë tona." Të tilla dëshmi mbi mizoritë barbare të kriminelëve titistë ka shumë.
Me qindra njerëz vdiqën në duart e xhelatëve të UDB-së, gjatë torturave ose pas disa ditësh. Shumë të tjerë, duke mos qenë në gjendje t'u rezistojnë torturave për të dytën e të tretën herë, i kanë dhënë fund jetës në mënyrë tragjike, duke u vrarë, mbytyrr, therur, duke u hedhur në pus, në lumë, etj. Kurse mijra të tjerë mbetën të gjymtuar e të paaftë për punë, një pjesë prej të cilëve kanë vdekur pas shumë vjetësh, një pjesë u çmendën dhe një pjesë po vuajnë akoma edhe sot nga plagët e shkaktuara qysh atëherë. Dhe për t'i vënë kapak veprimtarisë prej xhelatësh, autoritetet jugosllave lëshuan urdhërin kategorik që shqiptarët e gjymtuar gjatë torturave të vjetëve 1955-1956 të mos pranoheshin në asnjë mënyrë nëpër spitale për t'u mjekuar.
Të burgosurit shqiptarë që ndodhen në burgjet titiste, jetojnë në kushte çnjerëzore. Vetëm në burgun e Nishit ndodhen mbi 2000 shqiptarë të burgosur. Gjithashtu edhe në burgun e Sremska Mitrovicës, që është edhe ky burg qendror, ka mbi 700 të burgosur, një e treta e të cilëve i përkasin kombësisë shqiptare. Ndërsa gjysma e të dënuarve me akuza politike në Srem janë shqiptarë. Titistët i kanë kthyer krahinat shqiptare në Jugosllavi në burgje e kampe përqëndrimi të çfarosjes masive. Për këtë dëshmojnë burgjet në Nish e Srem, në Idrizovë të Maqedonisë, në Prishtinë, në Gjurakovc, në Suharekë, në Goli Otoku etj. Kudo shqiptarët në Jugosllavi jetojnë me frikën e pasigurisë për të nesërmen. Vdekja qëndron varur mbi kokat e tyre si shpata e Damokleut. Një i burgosur kujton me llahtarë: "Kam parë lloj-lloj krimesh kundër shqiptarëve, – thotë ai. – Kam parë krime të atilla që e thernin njeriun në qafë si qengjin. Por ç'kam parë në burgun e Prishtinës një ditë nuk mund ta përshkruaj. Edhe tani tmerrohem kur mendoj ato krime dhe më rrok frika. Në burg kishin qenë tre shqiptarë. Njëri prej tyre ishte therur copa-copa, dy të tjerët ishin gjallë, por njërit ia kishin thyer duart dhe këmbët, ndërsa tjetrit ja kishin prerë një vesh, i kishin nxjerrë një sy dhe i kishin prerë njërën mustaqe me gjithë buzë."
-Në burgjet e Jugosllavisë, veçanërisht në Kosovë, ka hyrë fjala e fundit e teknikës moderne. Ato janë pajisur me dhoma frigoriferi dhe kaloriferi. Të arrestuarit i futin në dhomën e frigoriferit lakuriq me një temperaturë shumë gradë nën zero dhe i mbajnë atje për dy deri tri orë rrjesht. Pastaj i futin menjëherë në dhomën e kaloriferit, ku temperatura është mbi 30 gradë. Ky ndryshim i menjëhershëm i temperaturës e shkatërron organizmin e njeriut. Kjo torturë bëhet me qëllim që të dërmojë njerëzit nga ana shëndetësore dhe për t'u thyer vullnetin që të pranojnë akuza të pabaza e të vihen në shërbim të titistëve. Të tilla dhoma ka në burgun e Prishtinës, Nishit dhe Idrizovës.
A nuk të kujton një trajtim i tillë që u bëhet të burgosurve shqiptarë në burgjet titiste, trajtimin e antifashistëve nëpër kampet e përqëndrimit të nazistëve gjermanë? Dhe s'ka si të ndodhë ndryshe për deri sa drejtori i burgut të Nishit ka kryer po këtë detyrë edhe në kohën e kralit e të pushtuesve gjermanë dhe tani të titistëve. Po kështu edhe drejtori i burgut të Sremit është i njohur si çetnik dhe profesionist për vrasje dhe tortura. Në të tilla burgje vuajnë persekutimet më të egra shkrimtari patriot kosovar Adem Demaçi,
patriotët Ramadan Shala, Selajdin Daci, Shefqet Deçani dhe qindra patriotë të tjerë, të cilët bashkë me popullin shqiptar të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit, Maqedonisë e Malit të Zi, nuk i janë nënshtruar dhe nuk do t'i nënshtrohen kurrë zgjedhës së Titos, dhunës çfarosëse, diskriminimit nacional e genocidit, që janë ngritur në sistem shtetëror nga regjimi titist. Vetëm shtatë ditë pas "kthesës" së Brionit mundi të ikte nga skëterra titiste dhe të vinte në Shqipëri, por me nofulla të copëtuara dhe ulok nga torturat e UDB-së së Budvës punëtori Hamit Fejzulla Sollova nga Vuçiterna. Ai u rrah në mënyrë çnjerëzore nga shtatë agjentë titistë vetëm, sepse, pas punës lodhëse të ditës, në pushimin e drekës në hijen e një parku, me dy shokë të tjerë, po këndonte një këngë në gjuhën amtare! Kjo qe e mjaftueshme për njerëzit e UDB-së që ta rrahin keq, t'i thyejnë nofullat dhe ta hedhin në rrugën e madhe. Raste të tilla ka me qindra edhe sot e kësaj dite.
Ne pyesim: Kush përgjigjet për këto krime të tmerrshme të genocidit, që për dhjetra vjet me radhë, në mënyrë sistematike, kryhen nga regjimi titist kundër popullsisë shqiptare në Jugosllavi? A mos vallë vetëm Rankoviçi dhe banda e tij udbashe? Jo. Për këto e krime të tjera duhet të përgjigjen jo vetëm ekzekutuesit kryesorë, jo vetëm shërbëtorët, por në radhë të parë ustai i tyre në krime, xhelati Tito, dhe gjithë banda e tij kriminale.
Një nga aspektet dhe objektivat e vijës së përgjithëshme të politikës nacionale të klikës së Titos, veç vrasjeve e krimeve masive, ka qenë dhe mbetet çkombëtarizimi i popullisisë shqiptare të Jugosllavisë në çdo mënyrë e me çdo mjet. Për këtë qëllim ata kanë kombinuar masat administrative dhe terrorin policor me veprimtarinë e dendur propagandistike, e cila synon dhe shprehet me mbytjen e frymës patriotike, me mohimin e autoktonisë ("në tokat tuaja jini të ardhur, prandaj duhet të ikni këtej"), me mënjanimin e masave shqiptare nga jeta politike dhe mohimi i kërkesave të tyre nacionale, me çoroditjen dhe degjenerimin me "opium" fetar dhe me ndezjen e armiqësive e të vllavrasjeve sipas parimit imperialist "përça e sundo".
Gjatë periudhës së fundit dhjetëvjeçare propaganda titiste është përpjekur me të gjitha mjetet të "argumentoj" e të përligjë "integrimin" violent të masës shqiptare në grupet etnike serbe, maqedone, malazese, shpërnguljen gjoja "vullnetare" të shqiptarëve në vende të huaja, orvatjet për të ndryshuar emrat e vendeve nga shqiptare në sllave, turqizimin e sforcuar të shqiptarëve dhe, nën presionin e privacioneve ekonomike, thithjen e shqiptarëve në thellësi të Jugosllavisë.
Parulla e "lirisë për të jetuar ku të duash" dhe "për t'u quajtur si të duash" përbën në esencë imponimin politiko-ekonomik të shqiptarit për t'u larguar nga vendlindja e tij dhe për të jetuar në thellësitë e largëta të Jugosllavisë, apo për të emigruar në Itali, Austri, Gjermani Perëndimore, etj., si skllav i kapitalit monopolist. Po për titistët çdo mjet është i përshtatshëm për të arritur qëllimin. Jo më kot dhe jo rastësisht Gjoko Pajkoviçi, anëtar i KQ të LK Jugosllave, ish sekretar i LKJ për Kosovën, shpalli si vijë zyrtare të detyrueshme "lirinë" për shqiptarët që të mohojnë kombësinë e tyre. Në sesionin e 2-të të legjislaturës së 3-të të këshillit krahinor të Kosovës ai pat thënë duke bërë aluzion të hapur për turqizimin, ose më mirë të themi çkombëtarizimin e shqiptarëve, edhe këto: "Askush nuk mund të më ndalojë të shkoj në shkollën turqishte në se dua vetë... Kjo është liria ime, unë mundem me qenë serb, turk, amerikan e ku ta di unë". Kozmopolitizmi i revizionistëve nuk ka kufi, por ky kozmopolitizëm shprehet në një drejtim shumë të caktuar: për t'u mohuar shqiptarëve, nën të ashtuquajturën liri për "të zgjedhur" çfardo kombësi tjetër, të drejtën për të qenë shqiptar.
Në fushën e ekonomisë titistët, për të detyruar masën shqiptare të shpërngulet për në thellësi të territorit jugosllav, përdorin gjerësisht presionin ekonomik dhe taksat shumë të rënda. Të gjitha krahinat shqiptare në Jugosllavi nga pikëpamja ekonomike janë shumë të prapambetura, pasi të gjitha objektet kryesore industriale janë përqëndruar kryesisht në Serbi, Kroaci e Slloveni.
Në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit dhe në krahinat e tjera shqiptare pushteti titist u ka dhënë rëndësi vetëm atyre sektorëve ekonomikë nëpërmjet të të cilëve mund të shfrytëzojë pasuritë e mëdha të këtyre krahinave dhe këto pasuri i dërgon për në thellësi ose perëndim, duke sjellë varfërimin në masën shqiptare. Me të tilla metoda të shfrytëzimit tipik kolonialist veprohet në minierat e pasura të Trepçës, Devës, Goleshit, etj. Në këto miniera personeli administrativ dhe specialist është serbo-maqedon dhe malazez. Në qoftë se në këto miniera kërkon shqiptarin, atë e gjen në kategorinë e punëtorit të pakualifikuar. Edhe në ato pak objekte industriale dominon elementi sllav, p.sh. nga 400 punëtorët e fabrikës së duhanit në Gjilan, vetëm 90 janë shqiptarë.
Krahinat e banuara nga shqiptarët janë shndërruar në koloni që po shfrytëzohen intensivisht nga serbët, malazezët e maqedonët. Papunësia rritet me shpejtësi. Lidhur me këtë Slobodan Peneziqi, në Prishtinë, ka deklaruar qartë: "Me gjithë përparimet, papunësia nuk zgjidhet, është nevoja që punëtorët të shkojnë në krahina të tjera". Kurse më vonë Dushan Mugosha, si sekretar i atëhershëm i LK të Kosovës, deklaroi hapur: "Ne ende nuk jemi në gjendje me i sigurue punë një numri të madh njerëzish. Për çdo vit afër 7000 banorë të kësaj krahine (Kosovës) shkojnë me kërkue punë në viset e tjera të vendit, jashtë Kosovës e Metohisë". Ndërsa çdo vit 14000 krahë pune të rinj i shtohen armatës së të papunëve. Ky fenomen ka vazhduar edhe më vonë me të njëjtat ritme. Më 20 gusht 1966, Tanjugu njoftonte se në mbledhjen e veçes ekzekutive të Kosovës e Metohisë u konstatua se "numri i njerëzve që futen në punë në këtë krahinë pakësohet gjithënjë e më tepër dhe janë duke u pakësuar gjithënjë e më tepër mundësitë për marrjen në punë të punëtorëve të rinj. Sipas të dhënave statistikore, në fund të muajit maj të këtij viti kishte 5000 punëtorë më pak të futur në punë se në majin e vitit të kaluar."
Në këto rrethana shpërnguljet për në thellësi të Jugosllavisë, aktualisht, përbëjnë formën kryesore të çkombëtarizimit të krahinave shqiptare. Për rrjedhim, që nga viti 1958 dhe deri më sot, me dhjetra mijra banorë shqiptarë janë shpërngulur në krahinat veriore të Jugosllavisë, në Vojvodinë, në Kroaci, në Slloveni, veç faktit që deri tani, sipas pohimeve të shtypit, janë detyruar të braktisin vendlindjen e tyre për në Turqi më tepër se 250 000 shqiptarë nga Jugosllavia.
Shovinizmi i egër serbomadh e antishqiptar i titistëve është çfaqur edhe në fushën e arësimit e të kulturës.
Populli shqiptar në Jugosllavi është i bindur nga eksperienca e tij e gjatë se manevrat e sotme të klikës së Titos, pavarësisht nga fjalët e "ëmbla", pavarësisht nga maskat, kanë vetëm një qëllim: të forcojnë pushtetin e tronditur të klikës titiste, të forcojnë shtypjen nacionale, shfrytëzimin e çkombëtarizimin e Kosovës. Për popullin shqiptar në Jugosllavi, si për gjithë popujt e shtypur të Jugosllavisë, kriza e thellë që ka goditur klikën e Titos është një gjë që pritej, është pasojë e pashmangëshme e vetë kontradiktave antagoniste që ziejnë prej vitesh në gjirin e bandës së renegatëve.
Por eksperienca e hidhur shumëvjeçare nën sundimin e egër të bandës së Titos, e ka bërë popullin shqiptar të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit, Maqedonisë e Malit të Zi, të jetë vigjilent, të hapë sytë e t'i bëjë katër për të mos u mashtruar nga demagogjia e kurthet e klikës titiste që kanë shpërthyer kohët e fundit në gjithë vendin.
Loja që po bën tani Titua me anën e një grushti tradhtarësh, si Veli Deva, Ali Shukriu, Xhevdet Hamza, etj., është një lojë shumë dinake dhe e rrezikëshme. Por Titua dhe telallët e tij nuk mund të mashtrojnë njeri. Populli shqiptar i Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit, i Maqedonisë dhe Malit të Zi i njeh se kush janë titistët. Ai e di fort mirë se janë po këta Veli Devët, Xhavit Nimanët, Ali Shukrit e Xhevdet Hamzat, si dhe një grusht tradhëtarësh të tjerë, që kanë bashkëpunuar me bishat e Titos në krimet e përgjakshme të Drenicës e të Tetovës, të Ulqinit e të Prishtinës, të "aksionit të armëve" e të Pejës, janë ata që kur popullsia shqiptare e atyre krahinave ishte e përgjakur dhe e copëtuar nga klika e Titos-Rankoviçit, ata e lyenin dhe e zbukuronin regjimin xhelat të Titos. Populli shqiptar i këtyre krahinave nuk do të bjerë në lakun e ri të mashtrimeve të këtyre tradhëtarëve dhe padronit të tyreTitos, Kardelit, Bakariçit etj.
Sado të egra, cinike dhe dinake të jenë masat e sundimtarëve revizionistë të Beogradit, ata kurrë nuk do t'ja dalin në krye të çkombëtarizojnë, të çfarosin e të asgjësojnë popullsinë shqiptare të Jugosllavisë. Ky popull, i cili u qëndroi me heroizëm të mrekullueshëm valëve të tërbuara të pushtuesve otomanë e sllavë gjatë shekujve dhe ka ruajtur me guxim e vendosmëri heroike gjuhën, traditat, zakonet, kulturën e vet, personalitetin dhe vitalitetin e tij, të gjitha karakteristikat e veçoritë e tij kombëtare, përballë të gjithë orvatjeve çkombëtarizuese e asgjësuese, një popull i tillë nuk mund të nënshtrohet e të çfaroset kurrë. Ai është i përjetshëm dhe do të fitojë. Do të vijë dita që Titua e banda e tij pa tjetër do të japin llogari deri në fund për krimet e tyre të përbindshme, për genocidin e pashembullt në Kosovë.
(Artikull i gazetës "Zëri i Popullit", 31 gusht 1966. Ky artikull nën kudesin e Jusuf Gërvallës u ribotua në gazetën ”Bashkimi”, Organ i Frontit të Kuq Popullor, Janar 1981, faqe 4)

* Pjesë nga libri: Xhafer Durmishi: ”Zëri i popullit”dhe zëri i Jusuf Gërvallës, 2011, botuar në www.pashtriku.org
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi