Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Orion Shima dhe aroma e nënpyllit Empty Orion Shima dhe aroma e nënpyllit

Tue 20 Mar 2012 - 3:29
Orion Shima dhe aroma e nënpyllit Piktura-300x239Daniele Capra

Marrëdhënia mes artit dhe realitetit ka qenë përherë një nga problemet më të ndërlikuara për të gjithë ata që e përdorin këtë mjet shprehës. Me t’u kapërcyer ideja e lashtë e mimesit, sipas të cilit arti, pra edhe piktura, duhej të shërbente për të paraqitur realitetin (në veçanti natyrën, që mbahej si modeli më i lartë i së bukurës) ose të ndërmjetësonte mes botës së shqisave dhe anës hyjnore, që nga periudha e Rilindjes së vonë artisti kupton se si puna e tij mund të pretenduakësh një autonomi shprehëse dhe, në njëfarë mënyre, vetekzistuese. Veçanërisht fuqia dhe aftësia e pikturës për të krijuar kode dhe gjuhë autonome e çlirojnë artistin nga detyrimi për të dhënë llogari për krijimet e veta antinatyrore dhe të çuditshme pasi, siç shkruan Bonito Oliva tek Ideologjia e tradhtarit, “për të përballuar katastrofën e përgjithësuar artisti manierist e vesh veten me koracën e stilit”.

Piktura e Orion Shimës e kap dhe e rrok këtë farë nevojë – që do të jetë njëra nga armët e betejës së të tëra avangardave të shekullit të njëzetë – e cila parashikon lirinë për t’u marrë me gjithçka dhe për të hulumtuar në çdo drejtim pa kurrfarë pengese a vetëkontrolli. Artisti shqiptar, në të vërtetë, ka bërë të vetin një stil shumëformësh, që dallon në secilën punë nga ndryshime të vogla, si punë degëzimesh që i lejojnë të përziejë me freski zgjidhje sipërfaqesh, të një natyre krejtësisht teknike, me një zgjedhje tematike nën shenjën e një afërsie intime me natyrën, me peizazhin, me kafshët që gjallojnë në pyje. Nëse vepra e Shimës ka marrë hua, në ndonjë farë mënyre, në efekte dhe në teknikë nga impresionizmi i Degas-it e i Renoir-it, kjo ka të bëjë me subjektin, me atmosferën magjike gjithë shkëndijime e vezullime të një natyre të aftë për t’iu shpalosur çdo vështrimi të ndryshëm me të cilin artisti e mat veten duke gjetur hapësira të gjera lirie.

Në punët e tij natyra karakterizohet nga një atmosferë e magjepsur që të sjell ndër mend përrallat. Çdo degë është në vendin e vet, çdo kafshë lëviz e lirë duke shpalosur bukurinë e vet, gjallërinë e vet, që e tërheq si me magnet vizitorin duke e detyruar të ndalet e të sodisë. Ashtu si te Balada e marinarit të vjetër e Samuel Taylor Coleridge-it, ku një i ftuar në dasmë mbahet prej marinarit plak që i tregon në mënyrë hipnotizuese episodin e pabesueshëm që i ka ndodhur në anije, po kështu edhe punët e Shimës e detyrojnë edhe vëzhguesin e rastësishëm të zhbirojë mes penelatave. Joshja në të vërtetë ndodh si me magji falë syrit: jo syrit të magjepsur të marinarit plak, por syrit të vëzhguesit. Shima, ç’është e vërteta, e zhvendos në mënyrë të tillë te shikuesi patosin që krijon sa nuk ka se si t’i shmangesh soditjes.

Nga ana tjetër, sikurse teorizonte Giovan Battista Marino qysh në epokën e barokut, “poeti mrekullinë ka synim”. Letërsia, pikërisht si edhe arti, ka për qëllim mes të tjerash të krijojë imazhe që ta befasojnë, ta luajnë vendit, ta shkundin lexuesin. Mahnitja, mbajtja e frymës pezull, nuk krijohet thjesht nga qëllimi për të shkaktuar një efekt, por nga nevoja për ta marrë befas për dore spektatorin, duke e tërhequr vrullshëm në një vend të huaj për të, siç është pylli, për t’i treguar një rrëfenjëz.

Në mënyrë simbolike, siç ndodh në përrallat e traditës popullore europiane, pylli paraqitet si vend tëhuajsues duke qenë se është topologjikisht i koklavituar e i parrokshëm. Është hapësira e koklavitjes psikike që nuk arrihet dot të sundohet nga njeriu, por është edhe vendi ku gjallojnë kafshët e egra që janë të pajisura me një sërë aftësish (që mund të interpretohen në mënyrë alegorike), falë të cilave ia dalin të lëvizin e të orientohen lirisht. Në këtë univers magjik, të theksuar shpesh nga ngjyra në përshkallëzimin e nuancave të grisë dhe të së bardhës së borës që bie, ka vend për t’u mrekulluar, për të rigjetur gjurmët e një bote të largët e cila, në fund të fundit, nuk është e vërtetë, reale, por përkundrazi është një rrethak që nxit e ushqen fantazinë e atyre që e vështrojnë.

Mes gjethnajave të pyllit, në një çeltinë përmes brymës, shfaqet një dre me brirët të degëzuar e të fuqishëm. Shfaqet vjedhurazi dhe prania e tij duket sikur i bën të shtangin si kafshën, ashtu edhe spektatorin. Kafsha vetëm sa ngre pak kokën: nuhat gjë në ajër? Po përtyp thjesht pak bar dhe nuk ka pikasur asgjë? Nuk do ta marrim dot vesh kurrë dhe ndoshta nuk ka fare rëndësi. Dreri në të vërtetë mund të jetë real ose projektim i nënndërgjegjes sonë, kaq shumë piktura e Orion Shimës ushqehet me ndodhi të gjasshme dhe fakte imagjinare. Pylli simbolizon hapësirën e nënndërgjegjes së botës imagjinare, ashtu si mjegulla tek Amarcord-i i Federico Fellini-t: është rrethaku që mbështjell njerëzit duke zbuluar dhe fshehur vazhdimisht elementet që atij i përkasin. Tinëzare janë edhe pranitë, edhe banorët, madje edhe vështrimet e atij që me çdo kusht do që të shquajë diçka dhe si përfundim nuk ka rrokur kurrgjë.

Peizazhi, i thatë e i ëndërrt, është korniza brenda së cilës marrin vlerë konvencione që nuk i përkasin realitetit të përditshëm. Ka një gëlim jete, stimujsh, ngjyrash, pemësh që ndërthuren pa ndërprerje vijimësie, ndërsa një ujk ulërin në kafaz dhe një zog shpupuriqet. Piktura e shfaq veten kështu si një disiplinë autonomë, me një fuqi të lartë gjeneruese dhe në të cilën mund të tregohen gjëra jo të vërteta ose të pafaktuara, hije dhe fantazma, duke e shndërruar gjithçka në autonome, vërtetësore e të gjallë. Dhe, për kënaqësinë tonë, tmerrësisht të nevojshme.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi