Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Bluzat e bardha te “Gabi”, rrezikohen pacientët Empty Bluzat e bardha te “Gabi”, rrezikohen pacientët

Tue 10 Apr 2012 - 1:41
Emanuela SakoBluzat e bardha janë kthyer në burim infeksionesh për pacientët që kurohen në spitale. Shkak për këtë është bërë blerja e rrobave te “Gabi” pa marrë parasysh se mund të rrezikojnë shëndetin e pacientëve në spitale. Ky është një skandal për personelin e spitaleve tona, sepse fusin nëpër dhomat e pavijoneve infeksione të ndryshme, të cilave nuk u dihet origjina. Në një vëzhgim të bërë nga gazeta “Shekulli” pranë tregut më të afërt të rrogave të përdorura, në krahë të Spitalit Neurologjik, rezulton se në çdo moment tezgat mbushen me bluza të bardha, të cilat rrëmojnë nëpër rroba të vjetra.Dëshira e tyre për të blerë me çmim të lirë dhe rroba firmato duket se i ka joshur së tepërmi, teksa shkojnë nga tezga në tezgë. Më pas, me rroba nëpër duar drejtohen nëpër spitale pa larë duart. Lidhur me këtë çështje, Drejtoria e QSUT-së, bën të ditur se personeli që del jashtë ambienteve të punës me uniformën e spitalit shkel rregulloren. Megjithatë kjo drejtori na kërkoi që t’iu vinim në dispozicion fotot e personalet të fotografuar nga gazeta. Në këtë rast përjashtohet kategorikisht blerja tek “Gabi”, e cila konsiderohet si një burim infeksionesh.

Presidenti i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi shprehet se nëpërmjet përparëses së bardhë dhe duarve të palara mund të merren lloj-lloj infeksionesh të ndryshme, të cilat mund të përcillen tek pacientët e shtruar. Në këtë rast, pacientët mund të kurohen për një sëmundje dhe të dalin me një sëmundje tjetër infekive. Tregtarët e “Gabit”, i hedhin rrobat përtokë, në pluhur, të cilat lagen nga shiu dhe ruhen kudo nëpër vende të ndotura. Prandaj rrobat janë mbartëse të infeksioneve dhe alergjive të shumta. Mesa duket për mjekët, infermierët dhe personelin mbështetës, kjo rregullore dhe masat e marra nuk përbëjnë rrezik. Ato vazhdimisht kryejnë këtë ritual të zakonshëm, në kërkim të rrobave firmato.

Pavarësisht deklaratave për marrjen e masave, një çështje e tillë është ende prezente. Nga ana tjetër edhe rastet e infeksioneve spitalore janë tepër të larta. Vetë raportet e Ministrisë së Shëndetësisë, tregojnë shifra të larta të infeksioneve spitalore, ku një burim i tyre janë edhe infeksionet e futur nëpërmjet përparëses apo duarve të mjekëve dhe infermiereve që kontrollojnë tek “Gabi”. Askush nuk shqetësohet për prejardhjen e këtyre veshjeve, apo të mikrobeve që mund të mbartin. Ato nuk rrezikojnë vetëm pacientët, por edhe qytetarët që janë frekuentues të tregjeve me rroba të përdorura.

Sistemimi i tyre në ambiente është jashtë çdo kushti normal, që mund të ofroj një ambient për tregtim, ku pluhuri dhe balta bashkëjetojnë në mjerim me dengjet e veshjeve. Në këto rroba, jo vetëm që mungon një dezinfektim fillestar i këtyre veshjeve, por edhe hedhja e tyre në mes të katër rrugëve e bën situatën edhe më alarmante. Institucionet shëndetësore nuk kanë ndërmend të marrin asnjë masë për të frenuar mundësinë e përhapjes së infeksioneve të ndryshme. Mbyllja e këtyre tregjeve nuk është menduar për asnjë moment as nga ana e bashkisë, që mbledh taksat, por as nga ana e ministrisë së Shëndetësisë.

Deri më sot nuk është menduar që të paktën këto tregje të sistemohen në ambiente më të përshtatshme, ku të largohet mundësia që veshjet të përzihen nga tymi dhe balta. Era nga pirgjet e mëdha me rroba që dikur janë përdorur në vende të huaja shiten afër tregut ushqimor, siç është rasti i tregut te Spitali i Neurologjisë. Në vende të tjera, shohim rroba të përdorura me erë të rëndë dhe fruta perime të tregtohen një pëllëmbë më larg. Por njerëzit as që nuk shqetësohen fare për pasojat, vazhdojnë mëse të qetë të bëjnë pazaret e tyre. Ky aktivitet tashmë ka mbi 20 vjet që lulëzon i lirë dhe pa asnjë kontroll të veçantë për sigurinë e qytetarëve. Nga ana e tyre tregtarët shprehen se nuk kanë se çfarë të bëjnë. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar bukën e gojës dhe për t`u mbajtur gjallë.



Urdhri i Infermierit: Infermierët shkelin rregulloren

Mjekët dhe infermierët që punojnë në institucionet shëndetësore çdo ditë thyejnë Kodin e Etikës, duke dalë nëpër rrugë me bluzën e bardhë që është uniforma e tyre e punës. Ata i sheh vazhdimisht në rrugë jo vetëm me përparësen e bardhë, por edhe me mjetet e tyre të punës që i mbajnë nëpër duar pa asnjë lloj mbulese. Jo vetëm kaq. Ata mund t’i gjesh edhe nëpër kafene, duke konsumuar kafe apo duke u takuar me njerëz të ndryshëm, sërish në të njëjtat kushte. Sipas presidentit të Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi kjo shkelje është duke rrezikuar rëndë jetën e pacientëve.

Kjo për faktin se bluzat e bardha të mjekëve, të cilët frekuentojnë ambiente nga më të ndryshmet bëhen bartëse të infeksioneve dhe viruseve, ndërkohë që transmetohen lehtësisht në plagët e pacientëve të cilët kurojnë. Nga ana tjetër, ato nxjerrin jashtë ambienteve të spitalit baktere dhe infeksione që mund të merren nga të sëmurët. Për Skënderin, problemi kryesor qëndron tek mjekët dhe infermierët e QSUT-së. Sabri Skënderi shprehet se për tre muajt e parë të këtij viti, Drejtoria e QSUT-së ka marrë 4 masa ndaj infermiereve që blejnë rroba të përdorura me uniformën e punës.

Masat që merren ndaj tyre janë; gjoba, paralajmërimi për heqje nga puna dhe në rast përsëritjeje, personi do të pezullohet për 3 muaj nga puna. “Ky është një problem që ne jemi marrë vazhdimisht. Personeli mjekësor thyen etikën profesionale. Sipas rregullore që përfshihet në Kodin e Etikës, kjo sjellje është e dënueshme. Gjoba që parashikohet për raste të tilla kap shifrën e 10 mijë lekëve deri në 100 mijë lekë. Ndërkohë që merret masa dhe për largimin nga puna ”,-shprehet Sabri Skënderi. Sipas tij, infeksionet që mund të shkëmbehen nëpërmjet përparëses janë të shumta dhe të rrezikshme. Një pacient kurohet në spital për një sëmundje dhe rrezikon të marrë disa të tjera. Kjo sjellje e personelit shëndetësor është kthyer në një ritual të vazhdueshëm dhe në një xhiro që zhvillohet gjatë orarit të punës nga spitali tek tregu dhe e anasjellta.





Mjekja infeksioniste: Rrobat, rrezik për infeksione të lëkurës

Rrobat e përdorura që shiten në tezga përbëjnë një burim infeksionesh, apo burim të alergjive të ndryshme. Mjekja Infeksioniste, pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr3. Imelda Zeqo, shpjegon se rrobat e përdorura që tregtohen në tregje të hapura mund të infektojnë të gjithë njerëzit nga infeksionet në lëkurë, siç janë rastet e prekjes nga Sreptokoku, Stafilokoku etj. Ajo shpjegon se duhet treguar një kujdes i veçantë nga të gjithë ata që kontrollojnë nëpër tregje për rroba dhe këshillon që të lajnë me detergjentë rrobat dhe më pas t’i veshin. Gjithashtu, ajo rekomandon larjen dhe dezinfektimin e plotë të duarve.



Tregjet, burim infeksionesh

Njerëzit nuk e kuptojnë ende sesa të dëmshme janë rrobat që ata blejnë. Jo të pakta janë rastet kur ata pa u merakosur fare i provojnë këto rroba në momentin që i veshin, duke i lënë kështu një rrugë të hapur infeksioneve të ndryshme që ata mund të marrin nga pakujdesshmëria për shëndetin e tyre.

Rrobat vijnë nga vende të ndryshme të europës të futura nëpër thasë, pa siguruar minimumin e kushteve të higjienës. Thuhet se disa vijnë të dezinfektuara. Prandaj, tezgat kanë një erë të rëndë kur u afrohesh.

Aktualisht, nuk është marrë ndonjë masë nga Ministria e Shëndetësisë për të kontrolluar dhe parandaluar përhapjen e infeksioneve nëpërmjet mbylljes së tregjeve. Tregtarët vazhdojnë të ushtrojnë të lirë aktivitetin pavarësisht se si i tregtojnë apo mënyrën se i mirëmbajnë mallrat që hyjnë çdo ditë në shtëpitë e shqiptarëve.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi