Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Durrsaku
Durrsaku
V.I.P Forumi
V.I.P  Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 47
<b>Postime</b> Postime : 12667
<b>Hobi</b> Hobi : bisedat e sinqerta
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : diku
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 04/12/2011

Dokumentet: Peja e Gjakova jo serbe, harta ruse e neveritshme Empty Dokumentet: Peja e Gjakova jo serbe, harta ruse e neveritshme

Wed 11 Apr 2012 - 16:28
Dokumentet: Peja e Gjakova jo serbe, harta ruse e neveritshme 53299TIRANE-Dokumente franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët më 1912" është libri më i fundit i historianit Muhamet Shatri. Vëllimi dokumentar, marrë prej arkivave të Francës ka parë dritën e botimit nën siglën e botimeve "Toena" dhe hedh dritë mbi këndvështrimin e Parisit mbi Shqipërinë në vitin e Pavarësisë. Janë 159 dokumente të periudhës mars, prill, maj, dhe korrik, gusht, shtator e deri më 5 tetor të vitit 1912-të, kur filloi Lufta I Ballkanike që përfshihen në libër. Prof. Shatri ka sjellë në këtë botim serioz, opinionet që ambasadat e Francës në Vjenë, Shën Petersburg, Romë, Berlin dhe në Londër, si dhe legatat në Beograd, Cetinë, Sofje dhe në Athinë, përcillnin informata të rëndësishme drejt Parisit. Secili dokument hedh dritë mbi ngjarje e situata, ku janë të përfshirë shqiptarë e të huaj, e ku mbi të gjitha mësojmë trendet e kohës në politikën shqiptare, por edhe prapaskenat e mosmbrojtjes së Shqipërisë. Ne kemi veçuar njërin prej tyre, si më interesantin. Është pikërisht një raport nga Ambasada e Stambollit që shkon drejt Parisit, ku del në pah 'përplasja' ruso-franceze mbi etninë e Pejës, Gjakovës, Prizrenit, etj.
Libri
Sipas autorit të librit, Prof.dr. Muhamet Shatrit, libri hedh dritë mbi farsën e Zgjedhjeve Parlamentare të pranverës së vitit 1912, të cilat ishin fund e krye të drejtuara kundër shqiptarëve; për politikën antishqiptare të xhonturqve, për Lëvizjen e Oficerëve dhe për rolin e oficerëve me origjinë shqiptare në këtë lëvizje, si dhe për bashkëpunimin e saj me Lëvizjen Shqiptare. Në këto dokumente pasqyrohen rrjedhat kryesore të Kryengritjes së Përgjithshme kundërosmane, kërkesat dhe pikat kryesore të marrëveshjes shqiptaro-osmane, si dhe qëndrimi i shteteve ballkanike dhe i Fuqive të Mëdha ndaj saj.
"Konsulli i Francës në Shkodër, që ishte një polak levantin dhe që e urrente Austro-Hungarinë, në të gjitha rrjedhat, në vilajetin e Shkodrës, shihte gishtin e politikës austriake dhe të kolegut dhe rivalit të tij, Adolph von Zambaur. Ky, në dallim prej përfaqësuesve të tjerë konsullorë, shprehte admirim për Haxhi Adil Beun dhe shpresonte në premtimet e tij për reformat", - shprehet Shatri. Të bën përshtypje se në relacionet e konsullit të Francës në Shkup, Kosova trajtohet si Shqipëri Veriore. "Viset në veri të Shkupit ishin Shqipëri Veriore edhe për kolonelin Maucorps, atashe ushtarak i Ambasadës se Francës në Stamboll. Edhe nënkonsulli i Francës në Manastir, Lëvizjen Kryengritëse të Dibrës e trajtonte pjesë të Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare dhe sanxhakun e Dibrës, si pjesë të Shqipërisë", - thotë Shatri. Ndërkaq, vetëm përfaqësuesi i Francës në Beograd, Kosovën e quante Serbi e Vjetër të mbushur me kryengritës shqiptarë!
"Ambasadori francez në Stamboll sikur nuk pajtohej me një, si e quante ai, hartë të keqe, të cilën e kishte bërë kolegu i tij rus, në të cilën Peja, Gjakova, Prizreni, që ishin qendra të kryengritjes shqiptare, nuk ishin shqiptare, por serbe. Ai sikur shprehte habinë se si është e mundur që kryengritja shqiptare të zhvillohej në 'zemrën e Serbisë', të cilën që të gjithë e njihnin për Shqipëri", -vëren Shatri, duke nënvizuar se kjo nuk e pengonte atë që të ndihmonte kolegun e tij rus për t'u përpjekur që ta bindte Portën që mos t'u bënte lëshime të tepërta shqiptarëve në pikëpamje të autonomisë. Sipas Shatrit, me gjithë këto qëndrime disonante, shumica e përfaqësuesve konsullorë e diplomatikë të Francës, ndryshe nga kolegët e tyre rusë, kishin një qasje më objektive, sidomos për sa i takon shtrirjes së trojeve etnike shqiptare. Por, përkundër kësaj, sidomos pas përfundimit të kryengritjes dhe marrëveshjes shqiptaro-osmane, qeveria franceze, në funksion të forcimit të aleancës me Rusinë, angazhohej që shqiptarëve të mos u jepej autonomia dhe mbështeste synimet ekspansioniste të shteteve ballkanike ndaj Shqipërisë.
Rëndësia kryesore e këtij vëllimi është zgjerimi dhe kompletimi i raporteve franceze për çështjen shqiptare gjatë vitit 1912. Kjo njëkohësisht, mund të merret si pjesë plotësuese e serisë së madhe të Dokumenteve Diplomatike Franceze , të botuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës ndërmjet dy luftërave botërore.
Dokumenti
Në tërësinë e dokumenteve që boton në librin e tij Muhamet Shatri, veçojmë njërin, që në renditje mban numrin 46. Është një letër që Ambasadori i Francës në Stamboll i dërgon Poincarit, kryeministër e ministër i Punëve të Jashtme të Francës, në datën 4 gusht 1912. Në të ai paraqet gjendjen në trojet shqiptare të kohës, rrezikun që paraqet një autonomi e mundshme e Shqipërisë në shpërbërjen e Perandorisë Osmane. Herë-herë, është real në ato që thotë e herë-herë mbron interesat e Francës, që kërkonte një lloj stabiliteti në rajon... Por, nuk lë pa përmendur edhe rolin që luanin në Shqipërinë e kohës apo kundra saj, Austria, Italia, Greqia apo Serbia.
46. RAPORT I AMBASADORIT TË FRANCËS NË STAMBOLL, PËR SHKËLQESINË E TIJ, ZOTIN POINCARE, KRYEMINISTËR DHE MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME, LIDHUR ME ÇËSHTJEN SHQIPTARE
Nr. 448. Stamboll, më 4 gusht 1912
Gjendja në Shqipëri
Çështja shqiptare, që është sot preokupimi i Turqisë, paraqitet edhe me probleme të politikës së jashtme, zgjidhja e të cilave shqetëson fqinjët e Perandorisë Osmane. Bullgaria, Serbia dhe Greqia pajtohen të kundërshtojnë, me përkrahjen e Rusisë, vendosjen e një pushteti autonom në Shqipëri. Një pushtet i tillë nuk do të mund të vendosej pa shkaktuar luftën e racave në tërë Turqinë evropiane. Ç'është, në të vërtetë, Shqipëria? Kolegu im rus ka sajuar një hartë më neveritëse se ajo hartuar nga turqit.
Duhet cekur që të krishterët e Maqedonisë nuk do të pajtoheshin t'i nënshtroheshin një kohë më të gjatë zgjedhës së administratës osmane nëse shqiptarët do të liroheshin prej saj; autonomia shqiptare do të përcillej së shpejti me autonomi të tjera, kufijtë e të cilave nuk do të ishin më të lehta për t'i gjetur ku do të gërshetoheshin të gjithë popujt e Rumelisë. Ky do të ishte fundi i dominimit turk në Evropë, ku osmanlinjtë si të Mëdhenjtë e shekullit XV, do të ngushtoheshin në Stamboll dhe në periferinë e tij.
Këto perspektiva shkaktojnë tronditje të madhe në mendjen e njerëzve, sidomos tek bullgarët, të cilët i bëjnë pyetje vetvetes nëse duhet të kenë frikë nga rrethanat që hapen para tyre apo, në të kundërtën, a duhet të shfrytëzojnë rastin që e kishin lënë pa e përfituar para katër vjetësh dhe përsëri u ofrohet ambicieve të tyre. Kabineti i Geshovit është në anën e të maturve dhe të paqedashësve, por do të detyrohet të bëjë shumë përpjekje për të frenuar të furishmit dhe të padurueshmit. Është e dyshimtë që do të qëndrojë një kohë të gjatë kundër tyre, përkundër përkrahjes së diplomacisë ruse.
Në të vërtetë, Rusia është me këmbëngulje në anën e maturisë si ndaj Turqisë në Evropë dhe është kërkuese ndaj vetvetes në Azi. Ajo do të bënte me dëshirë lëshime në kontestin turko-persian me çmimin e veprimit të saj paqedashës në Sofje. Mua më është dukur që në interes të paqes që është interes francez, si dhe për shkak të aleancës sonë me Rusinë, duhet që unë, pa kërkuar motivin që ka sot kabineti i Petersburgut, as qëllimin që i cakton vetes për të ardhmen të japë ndihmën time kolegut tim rus, që madje edhe më ka kërkuar, për të larguar Portën që t'u bëjë lëshime të tepërta shqiptarëve në pikëpamje të autonomisë. Unë kam takuar Vezirin e Madh dhe ministrat janë të vendosur të mos shkojnë larg në këtë drejtim, vetëm do të duhej dëshiruar që ata të mos dorëzohen para rrethanave përtej asaj që do të dëshironin të pranonin. Me këtë drejtim, do të ishte mirë që shpërbërja e Dhomës të mundësonte shqyrtimin, pa vonesë, me shqiptarët, synimet e të cilëve shtohen me kohën.
Veprimi i Austrisë është krejt i kundërt me atë të Rusisë; nuk ushtrohet drejtpërsëdrejti me rrugë diplomatike, por të gjitha mjetet e presionit që ka vënë në veprim për të detyruar Portën t'u bëjë shqiptarëve lëshimet më të mëdha, deri te autonomia, fjalë kjo që po e refuzon për të kaluar më lehtë çështjen. Është e qartë që ajo përkrah çdo gjë që synon ta shkëputë Shqipërinë nga Perandoria Osmane. Çasti kur Italia është kapluar nga ekspedita e vet afrikane i duket tejet i përshtatshëm, pa dyshim, për të shtrirë ndikimin e vet mjaft nxitës; sipas tij Shqipëria përfshin vetëm vilajetin e Shkodrës, pjesën veriore të vilajetit të Janinës dhe atë të Manastirit, që është në perëndim të liqenit të Ohrit. Nëse i besohet zotit de Giers, Prishtina, Peja, Gjakova dhe Prizreni, që janë qendra të kryengritjes së tanishme, nuk janë shqiptare, por serbe. Përkundrazi, shqiptarët kërkojnë si territor të tyre tërësinë e katër vilajeteve të Shkodrës, të Janinës, të Kosovës dhe të Manastirit që përmbajnë sigurisht, ai i Janinës një popullate të madhe greke, ai i Kosovës serbe, kurse ai i Manastirit bullgare, pa folur për krahinat ku grekët, serbët dhe bullgarët jetojnë të përzier me përpjesëtime tejet të ndryshme, madje edhe në marrëdhënie shumë të këqija me shqiptarët. Krijimi i një Shqipërie brenda kufijve që po ia caktojnë sllavët nuk do të kënaqte shqiptarët, ndërsa krijimi i një Shqipërie më të gjerë do të shkaktonte kryengritjet e të krishterëve jo shqiptarë kundër një dominimi (...)
Nënshkruar: Bompard
AMAE, Turquie, Guerres Balkaniques, IV, Vol. 232, 1-20 aoiit 1912, AIH, F. 206.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi