Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Nje kerkese e hershme per Pavaresi Empty Nje kerkese e hershme per Pavaresi

Wed 11 Apr 2012 - 18:45
Message reputation : 100% (1 vote)
Nje kerkese e hershme per Pavaresi 1334142381-shqiperia_1878Një artikull interesant i profesorit të njohur tregon se përkujtesa e qytetarëve shkodranë drejtuar më 13 qershor 1878 lordit Bikonsfild dëshmon bindshëm që Pavarësia e Shqipërisë ka qenë synim i hershëm strategjik i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe nuk ra si rrufe në qiell të pastër në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor të vitit 1912. Për shkak të vendimeve të Kongresit të Berlinit për përgjysmimin e trojeve shqiptare në dobi të shteteve fqinje, ajo mbeti detyrë programatike për shqiptarët dhe pas kësaj date.

Qysh në nëntorin e kaluar kur filloj të mendohej dhe të diskutohej për 100-vjetorin e Pavarësisë në prag të fillimit të vitit jubilar në mediat, midis të tjerash u shtrua pyetja: Ne shqiptarët e fituam apo na e dhuruan pavarësinë?! Mëdyshje të këtij lloji nuk ka diskutim që na vijnë në mendje, dashur pa dashur, nën trysninë e një propagande e diplomacie shekullore antishqiptare, të cilat iu kundërvunë që në djep Pavarësisë sonë. Këtyre bastioneve dashakeqe i ka mbajtur anën dhe një pjesë e historiografisë. Mbështetje “shkencore” kësaj propagande, në një formë apo në një tjetër, vijon ti jepet edhe e sot e kësaj dite. Ndër “argumentet” e parapëlqyer të autorëve të dalluar në këtë front bije në sy pretendimi, se shqiptarët as nuk kishin menduar ndonjë herë deri në nëntor të viti 1912 për pavarësinë e vendit të vet. Shumë shumë paskan kërkuar vetëm autonomi kulturore e ndoshta edhe administrative pa iu shkuar në mend pavarësi jo që jo por as autonomi vetëqeverisëse?! Bartësit e kësaj mendësie nuk marrin mundimin t’u drejtohen mendimit politik shqiptar dhe kërkesave politike të Lidhjes së Prezrenit dhe të Kryengritjeve të mëdha antixhonturke të viteve 1910-1912.

Në këto 20 vjet të tranzicionit po riqarkullojnë pikëpamje të vjetra në studime voluminozë dhe në konferenca shkencore ndërkombëtare përmes provokimesh të njëpasnjëshme ndaj historisë së shqiptarëve për probleme themelore të saj. Hidhen “teza”, kinse të reja, mbi identitetin e shqiptarëve, mbi rolin e familjeve të mëdha, mbi figurën e Skënderbeut me kërkesa të ethshme për çmitizimin e tyre, pa bërë fjalë për Luftën Nacionalçlirimtare.

Në këtë vazhdë ecin, çka na intereson për temën që po trajtojmë në shkrimin tonë, dhe pikëpamjet mbi fillimet tejet të vonuara të nacionalizmit shqiptar. Ky nacionalizëm efemer paska mbetur në shpërgaj, në fillesat e tij dhe nuk duket ta ketë kapërcyer, sipas autorëve të zellshëm të këtyre pikëpamjeve pragun nacionalizmit kulturor dhe të jetë ngjitur në nivelin nacionalizmit politik. Për të provuar tezat e tyre, kinse bashkëkohore, autorët e huaj e, madje, bashkë me to edhe shqiptarë mbeten peng pa dashje dhe, me sa duket, më shumë me dashje të leqeve që i pat ngritur dikur mesjeta kristiane bizantino-osmane zhvillimit kombëtar të shqiptarëve. Dhe në ditët tona, ajo vijon t’i ngrejë kësisoj leqesh edhe zhvillimit euro-atlantik të tyre përmes çmitizimit frontal momenteve kulmore të historisë së tyre.

Në kushtet e zbatimit të kriterit mesjetar bizantin të identifikimit të fesë me kombësinë në Evropë dhe posaçërisht në Ballkan si dhe zbatimit të sistemit të mileteve në Perandorinë Osmane për kombin shqiptar të ngritur pa paragjykime mbi tre besime, zhvillimi, le të shprehemi me terminologjinë moderne të sotshme, i nacionalizmit u bë shumë më i ndërlikuar dhe për rrjedhim dhe tejet më i vështirë, e, pse jo, dhe i rrezikuar deri në asgjësim. Në rrethanat e krijuara me Krizën Lindore të viteve ’70 të shek. XIX, kur u vu në pikëpyetje sundimi osman në Ballkan dhe bashkë me të dhe vetë fati i trojeve të shqiptarëve dhe e ardhmja e tyre politike vërehet një hop i madh në zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe në mendimin politik shqiptar, vërehet kalimi nga nacionalizmi kulturor në nacionalizmin politik. Muaji qershor i vitit 1878 shënon një kufi të qartë në ecurinë e këtij shndërrimi cilësor me Përkujtesën e Shkodrës të 13 qershorit 1878 dhe vendimin e 15 qershorit të Kuvendit themelues të Lidhjes së Prizrenit, pas dy ditësh.

Memorandumi apo Përkujtesa e përfaqësuesve të qytetarëve shkodranë e hartuar nga Pjetër Gurakuqi, Myderriz Daut Boriçi e të tjerë, drejtuar ministrit të punëve të jashtme të Anglisë, lordit Bikonsfild, më 13 qershor 1878 dallon jo vetëm për paraqitjen e shkëlqyer të kauzës shqiptare përpara Fuqive të Mëdha, mbi bazën e një analize të mprehtë të rrethanave ndërkombëtare të kohës në shkallë evropiane dhe ballkanike. Çka ka shumë më tepër rëndësi, në te parashtrohet për herë të parë në kontekstin politik dhe diplomatik të atëhershëm synimi strategjik i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare antiosmane. Ky monument madhor i mendimit politik shqiptar qe injoruar dhe mohuar me këmbëngulje e deri në ditët tona,

Në Përkujtesën e paraqitur Forijn Ofisit autorët dhe nënshkruesit e saj kërkuan haptazi dhe me këmbëngulje që autonomitë lokale të ruajtura deri më atëherë me aq xhelozi të kurorëzoheshin me një administratë të pavarur në shkallë kombëtare. U formulua dhe u shpall botërisht për herë të parë, me sa dimë deri më tash, synimi strategjik i Rilindjes sonë Kombëtare për krijimin e shtetit modern të njësuar.

Kërkesa programore e rilindasve shkodranë për pavarësi u formulua dhe u parashtrua për zgjidhje prej tyre qysh në vitin 1878. Nacionalizmi politik shqiptar, siç dëshmon ky dokument, ecte pothuajse në një hap me nacionalizmat ballkanas. Në rast pamundësie për t’i njohur Shqipërisë pavarësinë kombëtare, në të u parashtrua me realizëm dhe largpamësi nga autorët dhe varianti alternativ i krijimit të një shteti shqiptar autonom.

Kongresi i Berlinit, siç e bëri të qartë, pa kaluar shumë ditë, kryetari i tij, lordi Bikonsfild nuk u mblodh për t’i dhënë fund sundimit osman në Ballkan. Diplomacia europiane u muarr vesh mes vedit për 30 e sa vjet për t’i zgjatur jetën këtij sundimi. « Distancimi » i atdhetarëve shkodranë nga kërkesa e porsa parashtruar prej vetë atyre për pavarësi nuk shpreh lëkundjet e tyre apo dobësinë e LKSH, por realizmin dhe largpamësinë e autorëve të Manifestit të tyre politik. Këtu duhet kërkuar shkaku që kjo kërkesë nuk pati kohë të siguronte mbështetje më të gjerë përveçse në Kalabri dhe në Trieste. Ndërsa varianti alternativ i programit të parashtruar më 13 qershor nga Shkodra, u shndërrua menjëherë, pas dy ditësh, në flamur të luftës afro katërvjeçare të udhëhequr nga Lidhja e Prizrenit në mbrojtje të tërësisë së trojeve amtare dhe për sigurimin e autonomisë. Pavarësisht nga këto rrethana Përkujtesën e Shkodrës mund ta quajmë pa ngurruar Program të LKSH.

Kërkesa për pavarësi e datës 13 qershor 1878, u formulua dhe u parashtrua brenda trevave shqiptare. Ajo nuk u importua dhe aq më pak u imponua prej së jashtmi, pavarësisht nga konsultimet e autorëve të saj me përfaqësues të kolonisë shkodrane në Trieshte dhe me kolonitë arbëreshe në Itali. Që kjo kërkesë ishte pjellë e truallit shqiptar nuk vihet në dyshim as nga pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e ndonjë përfaqësuesi të këtyre kolonive, si Pjetër Kjara në hartimin e tij i frymëzuar në këtë veprim nga Jeronim de Rada. Paria e Shkodrës në bashkëpunim me koloninë shkodrane të Trieshtës dhe me arbëreshët e Italisë, Memorandumin drejtuar lordit Bikonsfild e botoi, në formë broshure, në gjuhën italiane, duke ia bërë të ditur dhe opinionit publik evropian. Çuditërisht kjo broshurë e vogël nuk gjendet nëpër bibliotekat tona.

Djepi i formulimit dhe i parashtrimit të programit kombëtar të lëvizjes së shqiptarëve për çlirim kombëtar u bë pikërisht qyteti i Shkodrës, përfaqësuesit e të cilit e mbështetën, mund të thuhet, masivisht. Përkujtesën, siç pranohet në dhjetëra dokumente konsullore që e përcollën atë nëpër kancelaritë diplomatike të Evropës, e kanë nënshkruar qindra qytetarë shkodranë. Në të u shkrinë dhe mendimet e intelektualëve jo të paktë të shpërndarë nëpër Shqipëri dhe jashtë saj. Pohimet që janë shprehur lidhur me këtë çështje mbeten për t’u dokumentuar.

Shkodra, qyteti më homogjen shqiptar, më i madh dhe më i zhvilluar i kohës, jo rastësisht, qëndroi në ballë të luftës ideore për përcaktimin, formulimin dhe parashtrimin jo në rrugë individuale por me një nismë kolektive, të rrugëve më të drejta dhe më të plota për shpëtimin e atdheut në ato momente dhe në perspektivë.

Përkujtesa e 13 qershorit 1878 doli pikërisht nga mesi i intelektualëve atdhetarë shkodranë nga qyteti i tyre për vetë shkallën e zhvillimit, ekonomik, shoqëror dhe kulturor të tij në përqasje me qendrat e tjera urbane të vendit tonë aso kohe, pa bërë fjalë për ato rurale, sidomos ato malore. Shkodra, qyteti më i populluar në Shqipëri ishte qendra më e rëndësishme ekonomike, zejtare dhe tregtare e trojeve shqiptare. Ajo ishte një nga qendrat e rëndësishme të tregtisë tranzite në Ballkanin Perëndimor me një rreze shumë të gjerë veprimi.

Kontaktet e Shkodrës me botën e jashtme realizoheshin përmes tregtisë, korrespondencave, përmes shtypit dhe fizikisht. Mjafton të përmendim faktin që firma Çoba, në momentin për të cilin bëhet fjalë kishte lidhje tregtare dhe letërkëmbim përveçse brenda trojeve shqiptare edhe me qendra të rëndësishme jashtë vendit që nga Venediku e Trieshte, Vjena e Dubrovniku, Spliti e Lioni e deri në Selanik e më përtej në Baku të Kaukazit. Dokumentet që vërtetojnë këto lidhje janë përgatitur dhe vënë në qarkullim nga studiuesi i palodhur dhe skrupuloz i onomastikës shqiptare në Mesjetë, Kolë Luka.

Porse kontaktet e Shkodrës me Evropën dhe më gjerë nuk qenë vetëm ekonomike-tregtare, për interesa financiare.

Në mesin e shekullit XIX lidhjet dhe bashkëpunimi midis qarqeve atdhetare e revolucionare shqiptare e atyre italiane dhe hungareze në Shqipëri e sidomos në Itali e deri në Evropën Qendrore janë të shumta. Më aktivë në këtë drejtim u treguan personalitete si Jeronim de Rada, Pashko Vasa, Zef Jubani, Pjetër Kiara e plot shkrimtarë e veprimtarë politikë arbëreshë, në kontakte të ngushta me figura si Xhuzepe Garibaldi, Dora d’Istria e të tjerë, Dhe një nga qendrat më të rëndësishme dhe më aktive të këtyre marrëdhënieve ka qenë pikërisht qyteti i Shkodrës.

Zef Jubani, aso kohe, nëpunës pranë konsullatës franceze në Shkodër, të drejtuar nga i mirënjohuri Hecard (Ekar), së bashku me Pjetër Gurakuqin, një ndër hartuesit e Përkujtesës së 13 qershorit të viti 1878, ndihmonin, qysh në vitin 1859, kalimin tranzit të emigrantëve italianë, dezertorë nga radhët e ushtrisë austriake, përmes Shkodrës drejt Francës.

Qytetari italian, republikani dr. Oroncio Dedano, pjesëtar i Shoqërisë “Italia e Re” (Giovane Italia), që luftonte për bashkimin politik të Italisë nën një pushtet laik, siç dëshmojnë dokumentet konsullore austriake, themeloi në Shkodër një klub me emrin “Mbledhje për leximin e gazetave dhe revistave”, kuptohet perëndimore. Një klub i tillë nuk ndeshet në asnjë prej qyteteve shqiptare gjatë Rilindjes. Ai kishte tërhequr mjaft banorë të Shkodrës dhe ata qenë regjistruar anëtarë në këtë vatër të rëndësishme kontakti të qytetit me mendimin politik evropian. Veprimtaria e tij vëzhgohej me kujdes nga autoritetet konsullore austriake dhe ato kishtare në vend, ndërsa nuk bëhet fjalë për ndonjë reagim të autoriteteve osmane të kohës në vilajetin e Shkodrës.

Përkujtesa e shkodranëve ishte shprehje e synimeve madhore, finale të një kombi të ngritur mbi ndarjet fetare, thuajse uniformisht nga veriu në jug të vendit. Ajo qe dëshmi e formësimit që më herët të identitetit kombëtar dhe pasqyrë e zhvillimit të ndërgjegjes kombëtare, jo vetëm në veri të vendit ku ajo edhe u shpreh dhe u shpall botërisht. Interpret të kësaj ndërgjegjeje u bënë Pjetër Gurakuqi Daut Boriçi me shokë shumë. Me Përkujtesën e Shkodrës të 13 qershorit dhe me programin autonomist të miratuar dy ditë më vonë, në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit, më 15 qershor 1878 nuk është fare e vështirë të vendoset, në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kufiri midis nacionalizmit kulturor dhe atij politik shqiptar. Nacionalizmi kulturor shqiptar i vënë në darën e politikave bizantiniste-osmane të zbatimit në kohët më të reja të kriterit mesjetar të identifikimit të fesë me kombësinë në Ballkan dhe të sistemit të mileteve në Perandorinë Osmane, vijonte në kushte tejet te ndërlikuara, madje, dhe shumë të rrezikshme për zhvillimin kombëtar të shqiptarëve.

Hopi që Lëvizja Kombëtare Shqiptare shënoi në fund të viteve ’70 të shekullit XIX ishte shprehje e interesave madhore afatgjate të një kombi të ngritur mbi tre besime. Kjo shpjegon dhe arsyen përse ky komb me një shumicë myslimane vijoi të mbijetonte në mesin e Evropës deri në ditët tona. Mbi këtë bazë ka ecur deri më tani dhe ecën dhe sot e kësaj dite gjithë zhvillimi kombëtar i shqiptarëve drejt integrimit euroatlantik të vendit tonë.

Në ballë të përpjekjeve për realizimin e programit strategjik të Nacionalizmit shqiptar do të qëndrojë në fillimet e shekullit XX djali i njërit prej formuluesve të këtij programi në vitin 1878, djali i Pjetër Gurakuqit, Luigji i mirënjohur, i cili pas 34 vjetësh përkrah Ismail Qemalit dhe pjesëtarëve të tjerë të Kuvendit të Vlorës ngriti më 28 nëntor 1912 flamurin e Pavarësisë të projektuar në Shkodër qysh më 13 qershor 1878 nga i ati i tij dhe Daut efendi Boriçi e të tjerë.

Përkujtesa e Shkodrës arriti në Berlin pa u mbyllur punimet e tij. Megjithatë ajo nuk u muar në konsideratë as nga Kryetari i tij as nga ndonjëri prej përfaqësuesve të fuqive të tjera pjesëmarrëse në të. Në se kërkesa për pavarësi ishte e papranueshme për ta edhe kërkesa alternative për autonominë e parashtruar po në këtë dokument nuk tërhoqi vëmendjen e tyre edhe pasi ajo u mbështet nga vendimet e Kuvendit themelues të Lidhjes së Prizrenit dy ditë më vonë, më 15 qershor 1878. Fuqitë evropiane të kohës nuk qenë të interesuara të pranonin ekzistencën e çështjes shqiptare në një kohë kur ajo do ta provojë qenien e vet e madje forcën e saj jo vetëm në letër. Ndërkohë Kongresi morri në konsideratë çështje momentalisht të paqena të nxitura prej tyre siç çështja maqedone apo ajo armene.

Fakti që Përkujtesa e shkodranëve nuk arriti të merrej në konsideratë dhe të shqyrtohej në tryezën e bisedimeve të Kongresit të Berlinit, me sa duket, ka ndikuar jo pak veç arsyeve të tjera, që ajo të mos vlerësohet edhe nga autorët shqiptarë për risinë madhore që ajo solli në mendimin politik shqiptar. Nuk duhet harruar fakti që ajo u pat bërë e njohur sapo u formulua më 1878 dhe qe publikuar edhe më 1938 në kuadrin e 60-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit. Megjithatë, vetëm pas botimit dhe paraqitjes kritike të saj nga Prof. Dr. Selami Pulaha më 1978, në prag të 100-vjetorit të Lidhjes, ajo filloi të trajtohej dhe të vihej në pah edhe pse me luhatje, rëndësia e saj në parashtrimin e kërkesës së pavarësisë së Shqipërisë si çështje e shtruar për zgjidhje. Më në fund, në botimin e ri të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar zuri vend pikëpamja se Përkujtesa e shkodranëve përfaqëson mendimin politik më të përparuar të Rilindjes, e cila shtroi detyrën strategjike të saj që mbeti në rend të ditës edhe sot e kësaj dite.

Përkujtesa e qytetarëve shkodranë drejtuar më 13 qershor 1878 lordit Bikonsfild dëshmon bindshëm që Pavarësia e Shqipërisë ka qenë synim i hershëm strategjik i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe nuk ra si rrufe në qiell të pastër në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor të vitit 1912. Për shkak të vendimeve të Kongresit të Berlinit për përgjysmimin e trojeve shqiptare në dobi të shteteve fqinje, ajo mbeti detyrë programatike për shqiptarët dhe pas kësaj date. shqiperia com
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi