Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Hatixheja e ngujuar në shtëpi: Burri im 5 vjet në koma Empty Hatixheja e ngujuar në shtëpi: Burri im 5 vjet në koma

Wed 18 Apr 2012 - 18:09
Magdalena Alla As pesë ditë, as pesë muaj, por në këtë 18 maj mbush pabesueshmërisht pesë vjet në koma.Të vetmet gjëra që dallojnë se tek ai ka jetë janë sytë edhe goja. Janë të vetmet që 58-vjeçari fatkeq, Skënder Goga, lëviz në gjithë trupin e shtrirë dhe të palëvizur. Por me të dyja këto as flet, as sheh, as njeh dot të afërmit. Merr frymë, por edhe kjo hera-herës i vështirësohet. Në këto raste i sëmuri arrin mbledh buzët dhe bashkëshortes së tij, Hatixhesë, i duhet që ta ruajë çdo moment, për t’ia lëvizur në kohë kanjulin, aparatin e frymëmarrjes me të cilën merr frymë jo normalisht nga hundët, por nga gryka. ‘Edhe sytë i mban hapur afro dhjetë minuta, pastaj bie në gjumë. Gjatë gjithë kohës më shumë fle”, tregon 54-vjeçarja, Hatixhe Goga. Në një çast tjetër nëpërmjet sondës në formë shiringe të madhe, ajo i jep ushqimin në formë të lëngët e të copëtuar.

Gjendet në koma, edhe pse gëzon një pamje si të ishte krejtësisht i vetëdijshëm për gjendjen e tij, për çfarë ndodh rreth e rrotull. “Mjekët thonë që dëgjon, por thjesht nuk është në gjendje të reagojë”, thotë bashkëshortja. Me një fytyrë që nuk e pret të tillë prej një të sëmuri në koma, as e zbehtë, as e hequr, po krejt e kundërta. Kuqëlon e zbardhon, pa pikë rudhe, si të ishte e një trupi që vetëm gjendjes së komës nuk i përket. Nuk jep as për moshën që ka, por si dhjetë vjet më i ri. ‘Duket për marshallah! E kemi mbajtur mirë me ushqim dhe shërbim 24 orë. Por qenka e kotë. Asnjë ndryshim tjetër nuk ka bërë. Jeton sepse zemrën e ka të fortë, gjithë analizat i dalin mirë, por truri qenkërka kryesori. E ka të dëmtuar rëndë në krahun e djathtë pas veshit”, shton Hatixheja. Ka pesë vjet që ruan ditë natë lëvizjet e të shoqit, se mos ndoshta papritur një çast po ndodh mrekullia në dorë të të cilës e kanë lënë mjekët. ‘Shpresojmë’, i thonë ata vit pas viti, sa herë bën skanerin. Se ndoshta nis reagon, i vjen shikimi, i foluri. ‘Por këtë herën e fundit sikur na u fikën shpresat. Nuk kishte asnjë përmirësim. Madje një nga mjekët e dëgjova të pëshpëriste: Prapë e kanë sjellë këtë?!’. Hatixhja i falenderon mjekët për gjithçka që kanë bërë dhe të gjithë që e kanë parë janë habitur me këtë rast ‘të jashtëzakonshëm’. ‘Madje e ka vizituar edhe një mjek turk, i cili pasi e pa skanerin, nuk e mori përsipër. Tjetërkund, jashtë vendit nuk e kemi çuar, sepse nevojiten edhe shumë pará. Ne nuk kemi mundësi, as ndihma deri në këtë pikë’, thotë ajo. Pasi qëndruan 7 muaj në spital pa dalë pas aksidentit fatkeq që i ndodhi Skënderit, meqë gjendja nuk po përmirësohej, mjeku Fatos Olldashi i Spitalit Ushtarak iu tha: ‘Për mua rrini sa të doni. Por përderisa nuk po ka ndryshim, më mirë merreni në shtëpi’, kujton Hatixheja, e cila në fillim kishte frikë, a do ia dilte dot kësaj përgjegjësie, por tani arrin ia bën vetë të gjitha shërbimet.

Përveç ushqimit, çdo dy orë i lëviz sa mundet trupin, që t’i lehtësojë qarkullimin e gjakut. E lan përditë, pasi në të kundërt merr plagë. “E larë i thënçin! Nuk di si të ta shpjegoj moj motër larjen! Është dramë më vete. Aty në dyshek e lajmë, duke e rrotulluar, dhe dyshekun e ka me gropëza që mbledhin ujin’, thotë gruaja, të cilës i ndrin dora tek mbulesat e pastra të të shoqit. I jep çdo ditë edhe ilaçet pasi heras-herës ka tension të lartë apo ato kundër mbledhjes së ujrave të trurit. ‘Nga koka deri në fshikëzën e urinës ka një tub, drenazhim e quajnë mjekët, që mbledh ujërat e trurit’, shpjegon gruaja e shndërruar edhe në infermiere.

“Ndonjëherë më duket sikur do bëhet më mirë, se duket pak më mirë, por e kotë, në fund të fundit prapë ato shenja ka çdo ditë”, thotë, duke u ndjerë e pafuqishme, që nuk ka gjë tjetër në dorë veç shërbimit. Kur dëgjonte për raste të tjera, i dukeshin çudi pesë ditë apo pesë muaj në këtë gjendje. ‘Por jam pikërisht unë që po bashkëjetoj me këtë fat pesë vjet. Zoti na ka në dorë! Ndodhi ç’ndodhi, por Zot, mos më keq tek fëmijët!”, përgjërohet në lot. Më parë nuk ka qenë besimtare e madhe, por këto pesë vjet i është lutur me shpirt Zotit. ‘Gati po me humb shpresa, duke parë që mrekullia nuk po ndodh. Por prapë është po kjo shpresë që ngjallet sërish e më mban gjallë’, thotë Hatixhe Goga, gruaja me fat të keq dhe të pazakontë për çdo ditë, jo prej pesë ditësh, jo prej pesë muajsh, por prej pesë vjetësh.



Të rrosh a të mos rrosh me një njeri as të gjallë e as të vdekur?

Përfytyroni ç’jetë mund të jetë ajo e një gruaje që i rri te koka burrit të saj në koma prej pesë vjetësh?

Tortura sistematike shpirtërore dhe fizike e Hatixhesë përkapet tek lotët që shpërthejnë kur sapo ke komunikuar fjalitë e para me të në telefon. Edhe gjatë vizitës në shtëpi gjithë rrëfimin e ka të mbushur më shumë me lot se sa normal. Shenja të limitit të dhimbjes dhe durimit të ndjeshmërisë së një gruaje, qenieje njerëzore. As punon, as bën dot vizita, festa, dasma si dikur në krah të bashkëshortit. E shumta dy orë liridalje deri tek shtëpia e të ëmës, duke lënë fëmijët te koka e tij, të cilët në fakt nuk dinë ta kujdesojnë babanë si e ëma apo me një frymë deri tek marketi poshtë pallatit. ‘Jam njeri i ngujuar. Mik tjetër kam televizorin. Edhe njerëzit më vijnë, por prapë ata kanë shtëpitë e tyre. Fatin e keq e kam unë”. Vetë tregon dhe dhjetë vjet më e madhe në moshë. Është bërë me hernie diskale nga ngritjet peshë të të shoqit, i cili nga moslëvizja dhe trajtimi i mirë shtoi në peshë. ‘U detyrova t’i rralloj sasinë e ushqimit, se pesha mund t’i dëmtonte zemrën’, thotë. Megjithë vuajtjet e pashoqe dhe të drejtën e saj për të jetuar normalisht, duket e vendosur për të bashkëjetuar me të keqen që e ka zënë. “Do t’i shërbejmë njëri-tjetrit. Sa të kem këmbë e dorë do t’ia bëj hyzmetin. Kemi shkuar mirë. Është njeri kaq i mirë. Ne nuk i kemi bërë keq as mizës. Nuk e di pse na ndodhi ne”. Më mirë ta shohë në këtë gjendje apo mos ta shihte fare? “Kush e do këtë lloj jete?! Dhe kur ishte shëndoshë e mirë, im shoq thoshte shpesh: O Zot po më ndodhi ndonjë sëmundllik, nuk dua të prishem në fytyrë!’ Sikur e ndjente. I bukur është në fytyrë, por dhe në këtë gjendje nuk shihet me sy. Por kështu i sëmurë na duket sikur është bashkë me gjithë familjen. Brenda tij ka jetë. Është i gjallë mes të gjallëve. Eh sikur të paktën të fliste!..”, thotë dhe përhumbet në lotët dhe dhimbjen e saj të thellë gruaja dhe nëna Hatixhe, e cila nuk e di se ç’do të bëhet me ta, nëse një ditë ajo nuk do të ketë më fuqi..



Kur ndodhi aksidenti

Skënderi fatkeq kishte pak kohë që kishte dalë në reformë si një ish-nënoficer ushtrie. Për të plotësuar pensionin e parakohshëm punonte në një firmë private si roje. Rreth orës 22:15 merrte turnin dhe vinte makina e punës që e merrte. Niset në këmbë dhe pikërisht diku të rrethrrotullimi i Vorës i ndodh gjëma. Përplaset me një makinë të panjohur. “Gjëra që ndodhin. Vetë shoferi i makinës e çoi në moment në Spitalin Ushtarak. U duk nja dy muaj përditë e që atëherë nuk është dukur më. E hodhëm në gjyq, por fajin ia kanë lënë Skënderit. Hajde gjeje të drejtën!”, thotë Hatixheja. Ndërkohë kujton e përlotur momentin kur një kushërirë e saj e lajmëroi. “Nuk ishte as i mërzitur atë ditë. Më dukej e pabesueshme çfarë i kishte ndodhur. E kam gjetur tim shoq me rroba të gjakosura, këmbë e duar thyer. Mendova një aksident i riparueshëm, por një mjek më la të kuptoja se sa rëndë ishte ai”.



30 mijë lekë të reja në muaj merr familja si pension nga shteti. Hatixheja jeton në një shtëpi me vajzën që vazhdon master si radiologe dhe djalin tjetër ‘ku me punë e ku pa punë’. “Fëmijët jashtë më kanë ndihmuar. Mos ishin ata nuk do t’ia dilja dot gjithsesi. Shitëm dhe shtëpinë 3+1 që kishim në Vorë, se mos po e shpëtonim, por asgjë. Tani banojnë në 1+1 afër Medresesë. Edhe paratë e kësaj shtëpie i kemi pa shlyer”. Ndërkohë ilaçet kundër presionit të gjakut, shkarkimit të ujërave duan 5 mijë lekë në muaj.



Vuajtja e fëmijëve

Skënder e Hatixhe Goga kanë katër fëmijë. Tre djem dhe një vajzë. Dy djemtë më të mëdhenj janë nga 34 vjeç dhe 30 vjeç. Janë të martuar dhe jetojnë e punojnë në Itali. Ndërsa Hatixheja jeton në një shtëpi me vajzën 23 vjeçe që vazhdon master si radiologe dhe djalin tjetër, 28 vjeç, ‘ku me punë e ku pa punë’. ‘Vajza sidomos e ka vuajtur shumë sëmundjen e babait. Edhe janë mësuar deri diku tani, por prapë..’



Çfarë ha një njeri në koma

Në mëngjes dhe në darkë qumësht me biskota të copëtuara. Në drekë supëra, gjellë, e më shumë lëngjet e tyre. Ose dhallë, lëngje frutash, ujë etj. Në gojë nëpërmjet sondës në formë shiringe të madhe.

Mjeku Fatos Olldashi: Vdekja e përshpejtuar! Familjet shqiptare nuk e pranojnë

Emanuela Sako

Familjet shqiptare e kanë të vështirë të pranojnë përshpejtimin e vdekjes së të afërmve të tyre me metodat mjekësore, në rastet kur pacienti mbahet gjallë për vite me radhë falë aparaturave. Mjeku neurokirurg pranë Spitalit Ushtarak, Fatos Olldashi shprehet se e ka ndjekur gjendjen shëndetësore të pacientit Skënder Gogaj, por tanimë ai është nën kujdesin e familjarëve të tij. Olldashi tregon se ky është një rast i rrallë, pasi pacientët që kanë ndenjur më gjatë në gjendje kome, kanë zgjatur deri në tre vjet. Përsa i përket faktit nëse familjarët për raste të tilla duhet të japin urdhër ose jo për të mos i mbajtur më në jetë, ai rrëfen se familjet shqiptare e kanë traditë që t’i mbajnë sa më gjatë të jetë e mundur në jetë. Kjo ndryshe nga vendet e tjera të botës, të cilët në rastet kur pacienti vuan shumë apo është e pamundur që të kthehet në jetë, japin urdhër për heqjen e aparaturave. “Ne nuk kemi kuadër ligjor që t’u japë të drejtën e zgjedhjes familjarëve apo pacientëve, kur këta të fundit janë të përgjegjshëm që të zgjedhin nëse duan të jetojnë apo jo (eutonazia). Ne si mjekë nuk mund t’iu themi asgjë familjarëve për të zgjedhur. Në përgjithësi familjet shqiptare e kanë të pamundur t’i lënë njerëzit e tyre të ikin nga jeta”, -shprehet Fatos Olldashi.



Tritan Shehu: Eutonazia, akt kriminal që nuk duhet lejuar

Pacientët që vujanë prej vitesh nga sëmundje të ndryshme apo ndodhen me vite në gjendje kome, duhet të qëndrojnë të tillë edhe nëse mjekët nuk japin shpresa për t’u rikthyer në jetë. Ky është koncepti i familjeve shqiptare të cilët nuk e pranojnë eutonazinë, ose ndryshe të japin të drejtën që t’i jepet fund jetës së të afërmit të tyre kur ai nuk është më i vetëdijshëm. Tritan Shehu, anëtar i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, shprehet se të japësh leje për t’i marrë jetën dikujt nëpërmjet heqjes së aparaturave është diçka e gabuar dhe kriminale. “Kjo është e rrezikshme dhe krijon spekulime për krime të tjera. Mjekësia bën maksimumin për t’u shpëtuar jetën dhe për t’u lehtësuar dhimbjet, si dhe për t’u dhënë ndihmë që të jetojnë sa më gjatë të jetë e mundur. Diçka e tillë është e gabuar dhe kriminale”,- shprehet Tritan Shehu. Në të vërtetë kjo gjendje është bërë shkak për krijimin e përplasjeve të forta mes mendimeve të individëve, shoqatave të ndryshme, mjekësisë, shtetit dhe besimeve fetare. Eutanazia, apo ndryshe vdekja e ëmbël sipas greqishtes, është vullneti i pacientit në një stad të veçantë të jetës, apo familjarëve të tyre për t’i dhënë fund vuajtjeve përgjithmonë përmes një ndihme mjekësore.





Analizë

A duhet t’i lëmë vetëm?

Magdalena Alla

Mirë Skënderi, që ta quajmë se tani s’ka shpëtim dhe është në duar të Zotit, po Hatixheja dhe fëmijët e saj? Nëse kjo grua do të ishte fillikat me atë burrë në koma dhe nuk do të kishte as dy fëmijët, që të paktën pas pune edhe e zëvendësojnë – që të shohë edhe ajo përtej mureve të gurta – ç’do të bëhej me të dhe nevojat e saj? Nëse nuk do të kishte as dy fëmijë në emigracion, që i dërgojnë ndoca më tepër të holla të përballojë sëmundjen, ç’do të bënte vallë? Nëse fëmijët, të afërmit nuk ia kanë dalë t’i shterojnë lotët për t’i dhënë me shumë ngushëllim, një psikolog, a nuk do të dinte ta mbështeste më fort gruan e gjorë?

Në fund të fundit, një individ a duhet të rrethohet vetëm nga fëmijët dhe familja? A nuk lipset një shoqëri e organizuar me ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e saj? Dhe dilema tjetër; mirë Skënderi që nuk ka vetëdije të shprehë zgjedhjen e tij; të jetojë apo të mos jetojë më kështu, po për Hatixhenë dhe fytyrën e saj gjithë lot të pashpresë a ka një zgjidhje? A mund të ketë ligje për situata të tilla, që të mos ketë për të gjithë vetëm vuajtje dhe ekstremisht vuajtje? Ligjet e munguara duhet të rregullojnë të drejtën për të jetuar dhe të drejtën për të vdekur në Shqipëri.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi