Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Luna
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Kosova
<b>Postime</b> Postime : 11704
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Iη sυηsεт
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 14/10/2010

Schmitt: Në Shqipëri e Kosovë s’ka diskurs kritik historiografik Empty Schmitt: Në Shqipëri e Kosovë s’ka diskurs kritik historiografik

Thu 19 Apr 2012 - 13:35
Schmitt: Në Shqipëri e Kosovë s’ka diskurs kritik historiografik F1_schmids1334737475Prishtinë, 18 prill - Në Kosovë e Shqipëri vërehet një vazhdimësi e interpretimeve ekzistuese dhe në përgjithësi, temave të shqyrtuara nga historianët të cilët punojnë nëpër institucione. Në asnjërën prej këtyre vendeve nuk zhvillohet fare një diskurs historiografik kritik i historianëve profesionistë. Kjo ka qenë një prej porosive që historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, u ka lënë “homologëve” të tij shqiptarë, në vizitën e fundit në Kosovë. Të martën në amfiteatrin e madh të Bibliotekës Kombëtare e Universitare të Kosovës, historiani i njohur - i cili ka bërë shumë bujë me veprën e tij për Skënderbeun e vepra të tjera - ka mbajtur ligjëratë.

“Historia shqiptare - histori e Ballkanit” ka qenë titulli i ligjëratës që Schmittin e ka sjellë në Kosovë, me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në ligjëratën e tij rreth njëorëshe, ai mori në “shëtitjen historike” studentë, historianë, albanologë. Pak janë parë zyrtarë institucionalë. Relacioni i historiografisë shqiptare me atë të Ballkanit, kërkesa për rishkrimin e historisë, trajtimi për shkencëtarët joshqiptarë, ishin disa nga temat që ka prekur Schmitt, i cili së fundmi botoi veprën “Shqiptarët - një histori mes Orientit dhe Oksidentit”. Disa nga këto tema ai i prek në thelb në këtë vepër.

“Përplasjet” me historiografinë shqiptare, e sollën deri në kohën e pushteteve të sotme, për të dhënë një konstatim për gjendjen aktuale në Kosovë dhe Shqipëri.

“Në Shqipëri është një përpunim kritik i modeleve ideore të historiografisë komuniste dhe në Kosovë, një kthim i ngadalshëm e ballafaqim historiografik me interpretimet serbe që dominojnë tash, sepse pavarësia është një fakt i pakthyeshëm për shkak që e kanë njohur disa vende të mëdha”, ka thënë Schmitt, ligjërues i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës. Por, sipas tij, të dyja rastet bashkohen në një pikë.

“Nuk zhvillohet pothuajse fare një diskurs historiografik kritik i historianëve profesionistë. Aq më i lartë është zëri i kërkesës sidomos në Shqipëri për një rishkrim të historisë. Kjo kërkesë vjen nga mendimi se shteti dhe politika kanë një përgjegjësi për interpretimin e drejtë të së kaluarës e cila historianët i bën organ ekzekutues të një interpretimi të së kaluarës së përcaktuar nga instancat politike”, ka thënë ai.

Schmitt është ndalur për të vlerësuar gjendjen aktuale në Shqipëri, duke komentuar gjendjen e historianëve.

“Në Shqipëri rrinë ballë për ballë dy parti tepër konfrontuese dhe të dyja interpretojnë në mënyrë të kundërt pjesë të rëndësishme të historisë së re”, ka thënë Schmitt. Për këtë, sipas tij, “historianët janë zënë robër të zënkave të partive politike dhe kjo sqaron edhe mungesën e një historie bashkëkohore profesionale”.

Theksin e kumtesës të cilën e prezantoi në kryeqytet, Schmitt e vuri te historiografia shqiptare në kontekstin ballkanik. Për ta bërë këtë, ai fillimisht prezantoi një rregull.

“Historia gjurmohet në dy dimensione: në hapësirë e në kohë. Ky konstatim themelor është pranuar si i tillë kështu që kufizimi i veçantë këtyre dimensioneve pason rrallë”, ka thënë historiani i njohur.

Por, sipas tij, përveç interpretimeve të Eqrem Çabejt, në historiografinë shqiptare mungojnë ndryshimet hapësinore.

“Historiografia e Shqipërisë ka definuar territorin shtetëror si hapësirë veprimi dhe kjo për arsye politike ka nxjerrë një histori të Shqipërisë. Pas vitit 1991, materialet u përpunuan, u plotësuan dhe u paraqitën si historia e popullit shqiptar. Nga shteti amë ishte një definim i hapësirës; lindën pasojat e shënuara, narrativi që përfshinte vetëm Shqipërinë Adriatike, me disa shembuj nga Kosova”, ka thënë Schmitt, derisa ka shtuar se në vëllimin e katërt të “Historisë së popullit shqiptar” u përfshi edhe historia e Kosovës nën regjimin jugosllav.

“Por u harruan shqiptarët e republikave të tjera jugosllave. Kjo lidhet ngushtë edhe me faktin që në gjuhën shqipe mungon terminologjia që do të dallonte mes shqiptarëve brenda dhe jashtë shtetit kombëtar dhe do t’u bënte emër vendeve të banuara me shqiptarë”, ka shpjeguar ai.

Kur ka folur për terminologjinë, Schmitt ka përmendur edhe propozimin e publicistit tiranas Adrian Veliu, për ndarjen e shqiptarëve në shqiptarë dhe kosovarë.

“Nga perspektiva e Tiranës jashtë kufijve ekziston mundësia hapësinore e kompakte e Kosovës, por shqiptarët e tjerë, sipas këtij këndvështrimi, janë pak ose aspak të pranishëm. Nëse mungon një term për shqiptarët e Shqipërisë, atëherë nuk u diskutua kurrë për një term për shqiptarët jashtë kufijve të shtetit kombëtar”, ka thënë Schmitt, derisa ka shtuar se me këto lloj problemesh janë ballafaquar edhe vendet e tjera.

Sipas tij, propozimi i Veliut do të mund të sillte rezultat që gjeografia të merret si kriter dhe të flitet për shqiptarët në perëndim e lindje, por që duhen marrë parasysh edhe shqiptarët e Stambollit, ata të Bosnjës e të vendeve të tjera.

Zbërthimi i historisë shqiptare si histori ballkanike, sipas Schmitt, do të ishte shumë pozitiv.

“Të kuptohet historia shqiptare edhe si histori ballkanike do të mundësonte përfshirjen e saj edhe në kontekste të tjera, si të Evropës apo Lindjes së Afërt”, ka thënë ai.

Vend të theksuar në ligjëratën e mbajtur në Kosovë, Schmitt, i ka lënë edhe mënyrës së trajtimit të historianëve të huaj.

“Mund të konstatohet se në faktet historike shqiptare, të huajt thirren shpesh si dëshmitarë, edhe pse ata këtë rol nuk e kanë kërkuar kurrë”, ka thënë Schmitt, duke shtuar se kolegët e tyre shqiptarë nuk duhet t’i trajtojnë mendimet e tyre si kritikë fondamentale ose me motive politike, por si kontribut për një proces shkencor.

Vetë ligjëratën e tij e ka quajtur kontribut për diskutim.

“Motivi të flas para jush është interesi për historiografinë shqiptare në një kontest më të gjerë hapësinor, rajonal ballkanik, por edhe mendimi se internacionalizimi më i fortë i historiografisë shqiptare do të hapte horizonte të reja shkencore, por sipas vlerësimit tim do të hapte edhe rrugën për shumë qorrsokak të kaluar”, ka thënë ai.

Sipas Schmitt, shpeshherë harrohet të thuhet se koncepti i historisë shqiptare nuk u zhvillua në shkëmbim me mendime konkurruese në shoqërinë shqiptare, por u vendos juridikisht nga shteti totalitarist komunist shqiptar dhe u realizua me pjesëmarrjen e vetë diktatorit.

“Duke marrë parasysh situatën etnopolitike në Jugosllavinë titiste, historianët shqiptarë në Kosovë, iu bashkëngjiten interpretimeve të historiografisë së Republikës Popullore të Shqipërisë”, ka thënë Schmitt. “Vetëm në diasporë ekzistonin disa zëra kritikë të rrallë, të cilët kritikonin nacionalizmin e doktrinën shtetërore historike të Shqipërisë”, ka shtuar ai.

Pas ligjëratës, Schmitt, ka ndarë kohë që t’u përgjigjej pyetjeve që i janë bërë nga të pranishmit.

Schmitt, i cili ka zgjuar reagime të furishme në Shqipëri dhe më gjerë me biografinë e parë gjithëpërfshirëse për Skënderbeun, ka përsëritur se shumica e kanë kritikuar pa e lexuar fare librin e tij ose pas një leximi të pavëmendshëm. Të pranishmit e kanë pyetur Schmitin se kur ndërkombëtarët janë të gatshëm ta dëgjojnë historinë e vërtetë të shqiptarëve. Por njëri prej atyre që po ua tregon historinë e shqiptarëve të huajve dhe shqiptarëve, është vetë Oliver Jens Schmitt.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi