Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Kristo Frasheri: Një album për Ismail Qemalin! Empty Kristo Frasheri: Një album për Ismail Qemalin!

Mon 23 Apr 2012 - 3:44
Kristo Frasheri: Një album për Ismail Qemalin! 52581_2TIRANE-Një album për Ismail Qemalin. Kjo është dhurata që historiani i njohur shqiptar Kristo Frashëri na bën me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. I botuar vetëm këto ditë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Silvano Pedrollon, albumi i Frashërit përmban 114 fotografi, gravura e faksimile dokumentesh të rëndësishme mbi vitin 1912 dhe mbi pavarësinë e Shqipërisë.
Kopertina e albumit shfaq një imazh të menduar të plakut të urtë të Vlorës, ndërsa dedikimi është si vijon: "Ky album i kushtohet Burrit të Madh, Ismail Qemalit, i cili vuri gurin e parë në themelet e shtetit kombëtar të pavarur shqiptar më 28 Nëntor 1912". Albumi shfaq fotografi të Ismail Qemalit në mosha të ndryshme dhe me familjen, me miq atdhetarë si për shembull me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Dhimitër Zografin, Pandeli Calin, Qazim Kokoshin, por edhe fotografi të anëtarëve të qeverisë së parë të Shtetit të Pavarur Shqiptar.
Albumi hapet me një parathënie nga vetë historiani, që në fakt ribotohet. Për herë të parë, artikulli është botuar me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në "Zëri i Popullit", më 28 nëntor 1962, pra plot 50 vite më parë. Në të, Frashëri ngre lart figurën e Ismail Beut dhe veprën e tij, pasi ofron një jetëshkrim të detajuar, që nga rinia e hershme e deri tek dita kur mbylli sytë. "Emri i këtij udhëheqësi të ndritur, që në ato ditë të zymta të nëntorit 1912 interpretoi më mirë se kushdo aspiratën shekullore të popullit shqiptar dhe sanksionoi në mënyrë të shkëlqyer përpjekjet e pandërprera të dhjetëra brezave për liri e pavarësi, përkujtohet me respekt nga mbarë vendi në këtë përvjetor jubilar", - shkruante Frashëri më 1962.
Mbas parathënies, albumi na jep një gravurë të Vlorës në shekullin e XVI, në kohën e Sinan Pashës, që ka qenë stërgjysh i Ismail Qemalit dhe themelues i familjes Vlora. Nga Ismail Vlora janë shkëputur rrëfime mbi rininë, jetën, familjet, burgosjet, dënimet, vështirësitë që ka pasur gjatë rrugës që e bëri të lavdishëm. Jeta e tij vjen e rrëfyer prej tij...
Nga seria e dokumenteve veçojmë një telegram që plaku i urtë ia ka nisur monarkive ballkanike më 28 nëntor 1912, me të cilin njofton shpalljen e Pavarësisë Kombëtare të Shqipërisë dhe premton se Shqipëria do të bëhet fakt paqeje në Ballkan. Fill pas saj është vënë edhe një faksimile e përgëzimeve që kreut të qeverisë së Vlorës i vijnë për aktin e shpalljes së pavarësisë. Vend të rëndësishëm në album zë edhe selia e qeverisë shqiptare të Vlorës (1913-1914), dhe poshtë saj shënimi i Sefa Vlorës: "Mbas gati dy muajsh qëndrimi në shtëpinë e Xhemil Beut, Ismail Qemali vendosi që qeveria të shkonte në një ndërtesë të shtetit. U zgjodh për këtë qëllim, godina që quhej 'Karantinës' në skelë të Vlorës. Të rinjtë do ta mbajnë mend këtë ndërtesë, se deri në vitin 1939 ka shërbyer si muze i bashkisë së qytetit".
Përveç imazheve të vetë plakut të urtë, kemi në album pamje të Vlorës ditën e ngjarjes së madhe, por edhe festimin e 1- vjetorit nga populli. Është vënë në këtë botim edhe shkrimi i fundit i tij më 22 janar 1919, dhe jo pa vend. "Sot është ditë vendimtare për Shqipërinë: Do ngjallemi ose do të vdesim. Sikur të kisha të holla, do të isha hedhur deri në Amerikë për një marrëveshje të plotë me atdhetarët e atjeshëm...". Kjo tregon atë çka Ismail Beu mendonte në ditët e fundit të jetës së tij. Frashëri nuk ka lënë jashtë vëmendjes as rrëfimin e Renzo Fallaschit mbi ditën kur ai shkoi në spital për të mos dalë më i gjallë prej aty. "Më 23 janar 1919... pasi kishte ngrënë drekë, doli para gazetarëve që po e prisnin. Sapo filloi të fliste, u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte", - shkruan Fallaschi.
Kristo Frashëri, ka vënë në këtë album edhe faksimile të gazetave italiane të kohës, që i japin jehonë njoftimit të vdekjes së plakut të urtë, siç është gazeta "L'Unione Liberale" në numrin e datës 27 janar 1919. Nuk është lënë jashtë vëmendjes së historianit Frashëri as ardhja e trupit të pajetë në Vlorë dhe varrimi i tij, ku siç citohet të ketë thënë Ali Asllani, Komanda ushtarake italiane kishte kërkuar që të mos shpalosej asnjë flamur kombëtar shqiptar. Mbas kujtimeve të bashkëkohësve të Ismail Vlorës për varrimin e tij, Kristo Frashëri e ka mbyllur albumin me tekstin e "Himnit të flamurit".

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi