Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Calypso
Calypso
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 36630
<b>Hobi</b> Hobi : shkrimi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne hapat e jetes
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/05/2011

Ja si ruajne Shqiptaret kulturen tone ......Betonizimi i kalase se Lezhes, fillon shkaterrimi  Empty Ja si ruajne Shqiptaret kulturen tone ......Betonizimi i kalase se Lezhes, fillon shkaterrimi

Wed 9 May 2012 - 8:25
Ja si ruajne Shqiptaret kulturen tone ......Betonizimi i kalase se Lezhes, fillon shkaterrimi  Betonizimi-kalase-lezhe-300x237

Kur ka kaluar më shumë se një vit nga koha kur “Gazeta Shqiptare” dha e para alarmin që i kanosej kalasë së Lezhës, kjo e fundit tashmë është përballur me rrezikun: betonizimi i saj ka filluar.
Falë projektit ‘rivitalizues’, miratuar nga Instituti i Monumenteve dhe Ministria e Kulturës, mbi muret helenistike të një prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë sonë është ndërtuar një urë betoni! “Arna” që i është vënë monumentit disa shekullor stonon aq shumë me kalanë e ‘Skënderbeut’ sa sytë e pamësuar me këtë gjetje ‘alla shqiptarçe’, habiten deri në tmerrim. E si të mos mjaftonte kjo, parkimi për makinat që marrin tatëpjetën gjer në kodër, na është vendosur jo më shumë se mbi varret mesjetare, që përpos kësaj janë ende në fazë gërmimi.
Betonizimi i kalase se Lezhes, fillon shkaterrimi i monumentit
Kjo bëmë u vu re dje, kur një grup gazetarësh nga Tirana të ftuar nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë e së bashku me anëtarë të tij si Artan Lame, Artan Shkreli, Auron Tare, Lorenc Bejko e Pëllumb Xhufi, morën udhën drejt kalasë, me qëllim realizimin e një vizite sensibilizuese kundër asaj që u quajt motelizim i kësaj trashëgimie. Kjo, sepse projekti parashikon ndërtimin e një moteli, një fushe tenisi, një bari e restoranti (ndokush ironizon edhe një pishine) – të gjitha këto m’u në mes të mureve helenistike. Helbete, kjo bëhet për të mirën e vetë monumentit, se shteti paskësh menduar që me përfitimet prej vizitave të miletit, do mblidhen pare për ta mirëmbajtur…(në mbettë gjë me vlerë për t’u mirëmbajtur). Në këtë kuadër, Pëllumb Xhufi përdor një ironi të hollë, pothuaj sarkazëm, kur flet për të ardhmen e monumentit me realizimin e projektit. Tek transformimi i kalasë së Lezhës, por edhe e të tjerave që do të jepen me koncesion, Xhufi parasheh atë që mos e dhëntë Zoti të ndodhë: ato do të kthehen në mejhane, ku shkojnë sarhoshë për të ngrënë e për të pirë, e ku njerëzit që iu intereson monumenti shkojnë gjithnjë e më rrallë. Mendoni pak, një kala më e ‘vjetër se vetë Krishti’ të kthehet në pijetore… Le të rrahim gjoksin ne sa të duam se jemi ilirë e se kemi histori, kur në mes të dëshmisë së historisë ngremë një motel. Pas vizitës sensibilizuese, “Gazeta Shqiptare” mori opinionet e anëtarëve të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, mbi atë çka panë aty, e mbi atë çka parashohin me realizimin e projektit rivitalizues.
Artan Lame: JO MOTELEVE NË KALANË HISTORIKE TË LEZHËS!
Kemi sjellë këtu një faqe nga projekti i miratuar për rivitalizimin e kalasë, ku shihet xhamia mesjetare, objekt që më parë ka qenë kishë. Parashikohet që mbi të të ndërtohet, duke e bërë pjesë të kompleksit të moteleve. Shpresojmë të mos vënë edhe ndonjë krevat gjumi aty mbi territorin e xhamisë. Parashikohen edhe ndërtime të tjera, ndër të cilat edhe një fushë tenisi, por edhe një pishinë, për të cilën thonë se për shkak të presionit që po bëhet dhe protestës së shoqërisë civile, mund të na bëjnë nder e ta heqin. Kjo nuk është shpikje e jona por pjesë e projektit. Ajo çka duam t’i përcjellim çdo qytetari normal të këtij vendi në 100-vjetorin e Pavarësisë është: JO MOTELEVE NË KALANË HISTORIKE TË LEZHËS!
Lorenc Bejko: Projekti, deformues e shkatërrues i kalasë
Jemi në zemër të Akropolit të Lezhës e të ndërtimeve mesjetare të cilat kanë histori të gjatë, dhe që janë dokumentuar në burimet e shkruara deri në fillim të shek.19-të. Jemi në ambientet më përfaqësuese të historisë së antikitetit dhe mesjetës shqiptare, në një nga vendet më domethënëse për historinë e vonë të shek.19-20 dhe gjendja- rrënojë e këtyre strukturave është një nga elementet që e bën sajtin arkeologjik të Lezhës të vizitueshëm dhe me vlera autentike kulturore. Ndërtimi i këtyre infrastrukturave të papranueshme përbën një nga shkeljet jo vetëm të ligjit për trashëgiminë kulturore të Kartës së Restaurimit, por edhe gjithçkaje që lidhet me parimet e ruajtjes së vlerave historike dhe restaurimin në nivel ndërkombëtar. Është e papranueshme që të rrimë pa e ngritur zërin, ashtu siç është e papranueshme që ky ambient historik të rrënohet e të bëhet sikurse është bërë pjesa jashtë mureve rrethuese të kalasë, plot me ndërtime të paligjshme. Ky objekt është i rëndësishëm edhe në kontekstin ballkanik.
Këtu duket se nuk ka respekt për vlerën autentike të kalasë dhe ura e ngritur aty mbi murin helenistik, me gurë që nuk kanë lidhje fare me lëndën e parë, është konkurruese, e tepërt, vret syrin dhe është shqetësuese për cilindo vizitor. Ura mund të bëhej me material shumë të lehtë, që të tregonte një minimum respekti për vendin ku po hyn. Aty ka pasur një urë të thjeshtë metalike që qe ndryshkur dhe duhej zëvendësuar, por mund të ishte një urë druri që përshtatej e jo kjo.
Është e patolerueshme që të thuash se do të presim biznesmenin i cili do të aktivizojë projektin e restaurimit të mureve e t’i lësh ato të bien. Shteti Shqiptar sot harxhon 2 milionë dollarë për restaurimin e monumenteve dhe nuk gjen prioritet për të investuar në Parkun Arkeologjik të Lezhës në një vlerë që nuk shkon më shumë se 10 mijë dollarë. Shteti ka këtu në Lezhë punonjësit e Parkut Arkeologjik që e monitorojnë përditë, çka në fakt duhet të zgjidhte çdo problem që lidhet me qëndrueshmërinë e mureve. Tani nuk investohet, se po presim të ndërtojne motele dhe qebaptore dhe ai do të bëjë edhe restaurimin e mureve. Është e patolerueshme! Projekti që është paraqitur është deformues e shkatërrues i vlerave të historisë së kalasë së Lezhës. Ky objekt është tërheqës për turizmin për shkak të vlerave historike që ka, por me projektin ne i shkatërrojmë pikërisht ato vlera që e bëjnë tërheqëse. Nëntoka e kalasë nuk është gërmuar dhe nuk dihet se ç’ka.
Pëllumb Xhufi: Mejhane me sarhoshë në kala
Momenti i vetëm i restaurimit të vërtetë që unë pashë në këtë kala, u takon 35 viteve më parë, dhe është një mbajtëse prej çeliku që eviton rënien e mureve veriore të objektit. Janë bërë disa ndërhyrje qesharake, siç është ajo e urës hyrëse. Unë mendoj se ura duhej të ishte bërë funksionale, e thjeshtë, që të ishte e integruar në sistemin e kalasë e që të jepte përshtypjen e përkohshmërisë. Ajo duhej të ishte ideuar për të lejuar kalimin e vizitorëve nga njëra anë në tjetrën. Pas këtyre premisave, ajo që të skandalizon është se po mendohet të ngrihet një objekt me funksion social, pra lokal, në pjesën më dominante të kalasë, brenda mureve. Siç dihet, në pikat dominante të kalasë kanë qenë banesat e princërve, dhe nuk është çudi që aty të ketë qenë Pallati i Dukagjinëve për të mos thënë i Teutës, në themelet e asaj barake që do i ngrenë sipër. Ky nuk do jetë më vend tërheqës për vizitorët që vijnë të shohin muret e vjetra e historinë e tyre, por do të jetë vend për qejflinj të birrës a të dasmave, e ky objekt nuk është ideuar për këtë punë.
Me ngritjen e një ngrehine të tillë, që nga qyteti kalaja do të duket shumë keq, një objekt i ri mes mureve të hershme; e dyta, do të bëhet një objekt ku do të shkohet për dasma, dreka e darka. Urojmë që të mos ndodhë ajo tjetra që: të ikin vizitorët se do të bien në kontradiktë funksioni i vjetër i kalasë me të riun.
Aty nuk do mund të sjellësh fëmijët e shkollave, sepse do të kthehet në ambient qejfi. Kjo do të thotë se aty mund të fillojnë të luhen lojëra fati, siç edhe ka ndodhur në kala të tjera në Shqipëri, apo do të ketë motele e shtëpi publike. Mos u çudisni nëse ndodhin këto, sepse në kala mund të ishte ende më interesante një gjë e tillë, nëse kemi parasysh se ndërsa je në ambiente të lashta e me rëndësi mund të ndihesh dominues mbi gjithçka. Kështu, kalatë do na kthehen në mejhane ku shkojnë sarhoshë, që hanë e pinë, kësisoj njerëzit e interesuar për historinë do shkojnë gjithnjë e më pak.
Artan Shkreli: Parkimi është bërë mbi nekropol
Sa herë vij në Lezhë, aq sa mrekullohem nga bukuria e madhe e qytetit, dhuratë e natyrës, aq edhe trishtohem nga ato që shoh. Që në krye të herës mungon një sinjalistikë në kala që të tregojë se cilat janë vlerat e saj e se ç’histori ka secili mur aty. Në mes të hapësirës së kalasë, ka një xhami që më parë ka qenë kishë, e para kësaj ka qenë objekt i kultit pagan. Hyrja e kalasë së Lezhës ishte një dramë më vete. Aty u përballëm me një urë betoni që s’kishte asnjë lloj lidhjeje me vlerat e mureve ku qe vendosur. Në vend që të bëhej me dru apo me një strukturë që i përshtatej, aty ishte ngritur një urë betoni, që mbasi e kanë parë se ka dalë e shëmtuar i kanë vënë ca pllaka guri me ngjyra të ndryshme që e bëjnë të duket si një njollë në hyrje të kalasë. Kjo na tregon se si do të jetë ndërhyrja në kalanë e Lezhës.
Këtu duket se nuk do të vihet për muret antike me vlera të rëndësishme për historinë tonë kombëtare, as për lidhjen me Akrolisin në malin e Shëlbuemit, por duket se do të jetë vetëm një biznes i pastër, me qëllime fitimi dhe asnjë qëllim tjetër. Mendo se aty do të çojmë fëmijët tanë. Po si t’i çojmë fëmijët për të vizituar mejhanet në majë të kalasë së Lezhës, sikur të mos mjaftojnë ato që janë poshtë? Një miku ynë tha se “muret e kalasë po bien, se po presim biznesmenin”. Kjo është një batutë shumë e bukur për të sintetizuar në një fjali qëndrimin e establishmentit që drejton trashëgiminë kulturore në Shqipëri. Ata shohin si të vetmen rrugë shpëtimi shitjen e trashëgimisë.
Një tjetër çmenduri që pamë, është ngritja e parkimit për makina mbi varrezën, nekropolin mesjetar, aty ku praktikisht po bëhen gërmime. Shpresojmë se ministri i Kulturës dhe kryeministri të kenë parasysh edhe mendimet mbi dhënien me koncesion të kalave. Ka njerëz që mund t’i marrin me qira edhe pa ndërtuar mbi to objekte. Ne nuk kemi përfitim dhe e ngremë zërin në të mirë të trashëgimisë sonë. Nëse kryebashkiaku i Lezhës, siç është shprehur, mendon se motelizimi i kalasë së Lezhës sjell përfitime, ai nuk meriton votën e askujt. Ai le të shohë të gjitha ndërtimet pa leje që po bëhen në zonat arkeologjike të Lezhës, sepse është detyrë e veta funksionale. Nëse do të kishte një opinion publik të zhvilluar në Lezhë, kryetari do të kishte përfunduar në prokurori, bashkë me njësinë e policisë së ndërtimit që ai ka në hyqëm.
Auron Tare: Shteti na akuzon ne se po i bien muret!
Vizita e sotme është një vizitë sensibilizuese e një grupi njerëzish që kanë bonsensin e dashamirësinë ndaj monumenteve të kulturës. Vijmë në Lezhë për të sensibilizuar opinionin publik në radhë të parë dhe institucionet shtetërore për ndalimin e planeve për “rivitalizimin” e ndërtesave brenda kalasë së Lezhës. Nga ana tjetër, kjo vizitë është edhe një lloj thirrjeje që të ketë një vëmendje më të madhe ndaj trashëgimisë kulturore në përgjithësi. Vizita që bëmë ne sot këtu filloi me një surprizë mjaft të madhe që në hyrje, ku është ndërtuar një urë. Ky është një lloj përçudnimi i bërë me sa duket me lejen e IMK-së dhe MTKRS-së: një urë betoni mbi mure të shekullit IV para Krishtit, çka për mua është një tmerr i vërtetë për ruajtjen e parqeve historike dhe ruajtjen e autenticitetit të kësaj kështjelle. Kalanë e shoh si një objekt me vlera jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin. Si një njeri që jam marrë me trashëgiminë kulturore, do thosha se ne sot këtu vijmë si njerëz që e duam këtë trashëgimi, vlerat që mbart, por ne nuk jemi njerëzit e caktuar me ligj për t’i ruajtur e mirëmbajtur këto monumente. Këtë detyrë e ka shteti, IMK-ja dhe MTKRS-ja, të cilët paguhen me taksat e këtij vendi për t’i mirëmbajtur. Arkitekti që kërkon ta rivitalizojë këtë kala, akuzon Forumin e Trashëgimisë se nuk foli për rënien e murit antik, por kjo ‘akuzë’ është çmenduri sepse ne nuk kemi asnjë lloj mundësie financiare për t’u marrë me këtë punë dhe nuk jemi ne vendimmarrësit. Për rënien e murit duhet të përgjigjet vetë zotëria, IMK-ja dhe MTKRS-ja, që për këtë punë paguhen. Ka një drejtori trashëgimie që merr pjesë në të gjitha seminaret që organizon Europa, por që nuk vjen të shohë se po i bien muret e kalasë.
Xhemal Mato
Të vlerësosh një park do të thotë t’i vlerësosh edhe rrethinat, dhe i gjithë ekosistemi shërben më mirë kështu siç është për ekoturizmin se sa duke ndërtuar një hotel, i cili vetëm sa do ta shkatërrojë dhe do t’i ulë vlerat kësaj zone. (GazetaShqiptare / Lezha.eu)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi