Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

“Skenat kulturore shqiptare janë kultura grindavece” Empty “Skenat kulturore shqiptare janë kultura grindavece”

Tue 15 May 2012 - 2:40
“Skenat kulturore shqiptare janë kultura grindavece” Blerina-Rogova-Gaxha-300x189Anila Shuka



Lajpcig

Blerina Rogova Gaxha ka studiuar në Prishtinë letërsi dhe punon si redaktore e kulturës në gazetën e përditshme “Zëri”. Poezi nga vëllimi i saj i parë “Gorgonë” (Rozafa 2009) janë përkthyer në gjermanisht (Lichtungen, maj/qershor 2011; Wespennest, nëntor 2010), dhe u prezantuan edhe në panairin e librit në Lajpcig 2012.



Blerina, në poezitë e tua përmendet shumë shpesh e zeza. Cila është arsyeja?

Ato kanë lindur në një periudhë të trishtuar të jetës. Kjo mërzi që kam pasur ka ndikuar që edhe këto poezi të jenë të zeza. Ato kanë lindur në rrethana të çuditshme, në një kohë të përzierë. Poezitë e para prej këtij cikli janë shkruar qysh para vitit 1999, në kohën kur unë isha nxënëse e shkollës së mesme. Të tjerat janë shkruar shtatë vjet më vonë. Kur po bëja studimet posdiplomike një mik i imi m’i kërkon disa poezi, i lexon dhe më shtyn që ta vazhdoj shkrimin e tyre.



Kur ke shkruar poezi për herë të parë?

Në moshën 17-vjeçare, por kanë një dallim të madh për nga poetika ato që janë shkruar në fillim dhe ato që janë shkruar më vonë. Të parat kanë qenë poezi fëmijërore, shumë më të ndjeshme e ndoshta pa racionalizëm. Ndërsa libri, si libër ka temë dashurinë, meqë dashuria është tema më e madhe e krejt letërsisë. Veprat më të mëdha të letërsisë janë shkruar mbi temën e dashurisë. Libri ka tri nën-tema ose tri cikle, që fillojnë me njëfarë ringjalljeje, me përjetimin e kësaj ndjenje dhe pastaj me një fund apo me një vdekje letrare. Pra me librin përfundon edhe një projekt letrar.



Ç’drejtim ka projekti i ardhshëm?

Projekti i ardhshëm është gati në përfundim, është një libër tjetër me poezi, të cilat ndryshojnë shumë edhe për nga vokacioni, për nga poetika dhe kanë një filozofi tjetër.



Cila është kjo filozofi?

Është filozofi e njeriut që tashmë është i formuar më shumë nga ana letrare, kulturore, politike. Ato kanë edhe një angazhim të vogël ndoshta social, të cilin nuk e ka pasur vëllimi i parë.



Çfarë ka ndikuar në këtë ndryshim?

Ka ndikuar kamuflimi i jetës sonë letrare e kulturore nga politika, ka ndikuar ngushtësia e të parit të letërsisë, mungesa e dashurisë mes njerëzve në vendin tim. Më parë jam koncentruar vetëm tek vetja dhe tek ajo që ndjej unë. Por tashmë, duke e parë veten në mesin e një rrethi letrar që është shumë i ngushtë, ose që është për interesa shumë të ngushta, ka ndikuar që edhe letërsinë ta shoh më ndryshe. Vështirësitë që janë rreth botimit të një libri në Kosovë ndikojnë që një shkrimtar, po e quaj veten shkrimtar tashti, ndikojnë që ta gjejë formën e vet dhe ato që ka, ato që ndjen, t’i shprehë përmes artit, si një revoltë ndaj shoqërisë, ndaj realitetit.



Cilët janë shkrimtarët që kanë ndikuar në zhvillimin tënd letrar?

Kohë pas kohe me vite kam pas autorë të ndryshëm të parapëlqyer. Këto kohë ose viteve të fundit nuk kam një autor të veçantë që e pëlqej, por kam një orientim nga letërsia moderne frënge, nga poezia frënge Prevert, nga ekzistencializmi, Sartre, por edhe Brodsky më pëlqen shumë. Këta janë përkthyer dekadave të fundit dhe janë disa prej autorëve, të cilët më flasin më shumë.



Sa seriozisht merret Blerina Rogova Gaxha si poete?

Në vitin e parë pas botimit të librit fare pak, për të mos thënë aspak. Nëse botohesh në Kosovë, merresh pak seriozisht, por nëse fillon të botohesh diku në vende të huaja dhe një publik tjetër, siç është ai gjermanishtfolës, në përgjithësi ta vlerësojnë më shumë punën. Fillojnë e shkruajnë për ty, të shohim shumë më ndryshe. Sot besoj që merrem shumë seriozisht, por tri-katër vite më parë shumë më pak.



Ti punon si gazetare e kulturës në të përditshmen “Zëri”. Çfarë ndikimi ka kjo punë në zhvillimin tënd letrar?

Puna që e bëj nuk më pengon për shkrimin e poezisë, për letërsinë, vetëm se më harxhon më shumë kohë fizike, por në të njëjtën kohë, më len në margjina të njëjta të njohjes së autorëve të ndryshëm, të shkrimeve të ndryshme dhe njohjes së kulturës në përgjithësi, e më nxit që përpos gazetarisë, publicistikës, të shkruaj edhe letërsi, të mos i lër anash as njërën e as tjetrën.



Si e përjeton skenën kulturore shqiptare?

Skenat kulturore shqiptare, e Kosovës edhe e Shqipërisë, janë të vogla dhe si të tilla, janë kultura grindavece, si do të thoshte Kafka, plus kanë një tjetër mungesë, që kanë mungesën e traditës së madhe në letërsi. Si e tillë besoj që sot edhe letërsia në përgjithësi, edhe letërsia në veçanti, kanë një trajtim joserioz: Fakti që institucionet, ose ata që do të duhej të jepnin paratë për njerëzit krijues, në mënyrë që të depërtonin nëpër vendet e huaja, ose që të krijonin mundësinë të paraqiteshin nëpër panairet ose të prezantoheshin nëpër vendet e tjera, fakti që nuk ndihmojnë, që nuk japin para për kulturë, ndikon shumë që të ngelen brenda vendit. Është një trajtim joserioz ndaj politikës në përgjithësi.



Kjo është ana politike, po ana letrare?

Kjo është ana politike, por është e lidhur shumë me anën letrare, sepse shumë autorëve të rinj i humb interesi dhe motivimi për të shkruar. Nëse i kthehemi vetëm anës letrare, letërsia në Kosovë ka vetëm disa dekada, letërsia e femrave ka munguar pothuajse plotësisht. Në dekadat e fundit ose mbas 99-ës kemi pasur autorë që kanë shkruar shumë, por që kanë pasur pak cilësi. Dalëngadalë kjo gjeneratë e re, ka nisë me i qitë pikat kryesore ose njerëzit kryesorë që i kanë folur në një mënyrë tjetër letërsisë, në një mënyrë shumë moderne, duke i lënë anash, ndoshta shpesh edhe elementin patriotik, elementin social edhe me një koncentrim të thellë, vetëm brenda elementit letrar.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi