Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Viti i dytë vazhdon me shlyerjen e borxheve Empty Viti i dytë vazhdon me shlyerjen e borxheve

Tue 15 May 2012 - 16:34
Viti i dytë vazhdon me shlyerjen e borxheve Shqiptari-Johannes-Naber-300x198Elsa Demo

Krijimi i Këshillit të ri të Projekteve që funksionon pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë ndodh me disa ndryshime dhe në një situatë që nuk ka thjesht natyrë burokratike. Nga dje e deri më 14 maj të 2014-ës, ka për të funksionuar vetëm një këshill. Shkrihen këtu këshilli i projekteve për gjinitë e filmit artistik e dokumentar me atë të projekteve të filmit të animuar. QKK e hedh këtë hap për të bërë ekonomi me pak, duke paguar anëtarë bordi më pak, por më tepër për të konfirmuar se prodhimi i filmit të animuar ka rënë ndjeshëm.

Këshilli Miratues i Projekteve u zgjodh, si zakonisht, në bazë të propozimeve të shoqatave të kineastëve numri i të cilave ka shkuar shtatë. Si përfundim, është zgjedhur Elvira Diamanti e propozuar nga Albanian Producers and Filmmakers Association. Diamanti drejton aktualisht Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit. Është Bashkim Hoxha i propozuar nga shoqata “Lumiere”. Hoxha drejton Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Esat Ibro që përfaqëson Lidhjen e Kineastëve të Filmit Dokumentar, të cilën edhe e drejton dhe ka vijuar në gjithë këto vite me prodhimin e filmit dokumentar. Ylli Pepo si i dërguari i Universal Film Albania, e krijuar kohët e fundit. Nasi Lera si zë i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë. Ergys Faja i propozuar nga Shoqata e krijuesve të Animacionit Shqiptar “Albanimation”.

Të gjashtë këta, kanë hyrë e kanë dalë si anëtarë bordesh apo edhe përfitues projektesh të mëparshme.

Anëtari i shtatë, Skerdi Mahmutaj, mbron zërin e kineastëve të rinj të cilët janë grupuar në shoqatën “Belmond”. Për herë të parë QKK e bën zyrtar përfaqësimin e të rinjve në një këshill që në vite është dominuar nga të njëjtët emra të kinemasë dhe shpesh në konflikte interesi.

Po të jetë për rregulla të shkruara, ato përcaktojnë kufij për anëtarët e KMP-së, për shembull që nuk mund të marrë pjesë në mbledhjen në të cilën shqyrtohet një projekt kinematografik në të cilin vlerësohet se janë në konflikt interesi, apo nuk mund të jenë autorë të projekteve konkurruese, ose që kanë lidhje gjinie, farefisnie apo krushqie me ta, producentë ose bashkëproducentë të projekteve konkurrues.

Situata e re që dëshmon thurja e këtij bordi hyn tek shenjat jo të mira që kriza financiare jep te njerëzit, duke i përçarë dhe bërë më egoistë. Dalja me shoqata më vete nuk e ka bërë aspak më qytetar, të hapur e guximtar diskutimin e problematikave të kinemasë për të cilat luftohet vetëm në një hapësirë të ngushtë që është bordi i projekteve. Aty rrallë e kanë pasur të lehtë projektet e mira.

Dje, në mbledhjen e parë të bordit është bërë zgjedhja e Elvira Diamantit kryetare e grupit të punës. Dhe është miratuar projekti për Ditët e Filmit Shqiptar në Romë 2-4 qershor. Po ashtu anëtarët janë ngarkuar me dosjet e projekteve për filmin e shkurtër artistik. Ka për t’u bërë një shqyrtim nga e para e 17 projekteve me të cilën u mor bordi paraardhës. Afati është 28 maji.

Këshilli Miratues i Projekteve (KMP) ka për detyrë të vlerësojë dhe përzgjedhë projektet nga pikëpamja artistike e ekonomike, duke iu dhënë përparësi atyre projekteve që ofrojnë financime apo marrëdhënie bashkëprodhimi me producentë të tjerë, vendas apo të huaj. Kështu, kryetari i QKK-së Artan Minarolli, në mbledhjen e djeshme i ka përcjellë këshillit mesazhin se vizioni dhe politikat e QKK-së për situatën aktuale mbajnë parasysh dy prioritete: promovimi i kinemasë shqiptare jashtë vendit dhe nxitja e kooproduksioneve, e asaj që quhet industria e vogël e filmit shqiptar.

QKK, administron fonde publike, të përcaktuara me zë më vete në buxhetin e shtetit. Për vitin 2012 buxheti për projektet për film artistik me metrazh të gjatë, metrazh të gjatë- vepër e parë, metrazh të shkurtër, për film dokumentar dhe të animuar, është 70 milionë lekë. Minarolli thotë për “Shekullin” se ky buxhet është shpërndarë i gjithi, e kështu që Qeveria nuk do të mundet, edhe po të dojë, që të bëjë aventura financiare siç ka ndodhur në dy vitet e fundit kur e ka shkurtuar në 1/3 buxhetin e projekteve. “Për ne, 2011-ta ka qenë vit i vështirë financiar dhe i tillë është edhe viti 2012”, shton Minarolli. “Me këtë buxhet që kemi ne do të vazhdojmë të likujdojmë projektet e viteve të kaluara që u jemi borxhli dhe gjendja mund të stabilizohet vetëm në 2013-ën.” Nga vitit 2011 QKK-ja ka në proces financimi disa filma artistikë me metrazh të gjatë, disa të shkurtër, disa dokumentarë e të animuar dhe projekte të ndryshme si festivale, botime. Të ashtuquajturat “borxhe” të bartura do t’i marrin gati 60% buxhetit të projekteve në vitin 2013 dhe ajo që mbetet mund të shkojë për financimin e plotë për një film të gjatë. “Pra QKK është në gjendjen që nuk mund të mbështesë financimin për film, veçse të shlyejë financimet e prapambetura”, përfundon Minarolli.

Për këtë vit, QKK ka nënshkruar kontratë për zhvillimin e dy projekteve për film të gjatë artistik: “Engjëjt janë larg” me regji të Gjergj Xhuvanit, producent “On film Production sh.p.k, dhe “Anglia në çatinë time” me regji të Fatmir Koçit, producent “Act

Në rast se brenda shtatorit nuk do të ketë përgjigje pozitive për gjetjen e bashkëproducentëve për dy projekte të tjera, “Sorkadhet e trembura” me regji të Kirill Serebrennikov dhe skenar të Ismail Kadaresë, Producent “Albimage.sh.p.k.” dhe “Revolta” me regji të Mark Topallajt, Producent “Idromeno”, për të cilat ka disa vjet që flitet, atëherë QKK do të hapë konkurrimin për projekte të tjera të metrazhit të gjatë. Mjaft vonë është vjeshta për ata që, me gjithë kufizimet, kanë energji për të vazhduar. Në këtë mënyrë QKK e mban hapur dhe të pashkëputur procesin për ata që e përballojnë rrugën e gjetjes së producentëve dhe nxjerr jashtë procesit ata që megjithëse janë shpallur njëherë fitues, nuk ia kanë dalë brenda një vitit të gjejnë financa të tjera.



Skerdi Mahmutaj: Përshëndesim vendimin e Qendrës

“Dëshira e shoqatës që unë përfaqësoj është që të jem sa më i ndershëm, korrekt e objektiv në vlerësimet e mia në bazë të dijes dhe njohurive të mia. Them se është për t’u përshëndetur dhe vendimi i Qendrës që pranoi për herë të parë në bord një përfaqësim të kineastëve të rinj me shoqatën “Belmond”. Mendoj se kjo nismë duhet parë ashtu siç është: një konvergim brezash të kineastëve shqiptarë ku nga bashkëpunimi dhe sensi i mirë mes tyre, arti e në këtë rast filmi shqiptar, është ai që do të përfitojë.

Duhet të kthjellohemi që vetëm vlerat dhe talentet e vërtetë mund ta çojnë para një shoqëri e në këtë mënyrë vetvetiu zbehen dhe arbitrarizmat apo lëvizjet grupe-grupe. E përsëris, që e vetmja që e çon përpara diçka, është harmonia mes gjithë elementëve dhe në këtë aspekt, që përfshirja e kineastëve të rinj është pozitive.”



7 shoqata kineastësh ekzistojnë në Shqipëri dhe secila ka mesatarisht 10 anëtarë aktivë.

70 milionë lekë është buxheti për projektet për vitin 2012. Ky buxhet është shpërndarë i gjithi kështu që nuk do të mundet, edhe po të dojë qeveria, që të bëjë aventura financiare siç ka ndodhur në dy vitet e fundit kur e ka shkurtuar në 1/3 buxhetin e projekteve. Një projekt i rëndësishëm për t’u realizuar këtë vit është organizimi i Festivalit të Filmit Shqiptar 7-13 tetor, me buxhet 7 milionë lekë. Shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi