Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Kuaj dhe biçikleta. Po viti ’97? Empty Kuaj dhe biçikleta. Po viti ’97?

Thu 17 May 2012 - 0:51
Kuaj dhe biçikleta. Po viti ’97? AB-SlideShow-09-300x197Elsa Demo

“Po i kthehemi historisë”, thotë ministri Bumçi, “dhe kjo është e mrekullueshme.”

Ministri i Kulturës Aldo Bumçi nuk e ka fëminore magjepsjen pas rizbulimeve me efekt gati arkitektonik mbi historinë, po edhe masën e kontrollit se çfarë mund të pësojë historia nga zhvendosjet për së dyti të figurave të saj, deri më tani të provuar nuk e ka. Kemi parasysh këtu pavijonin e Terrorit Komunist në Muzeun Historik Kombëtar si edhe idetë për muzetë e ardhshëm të diktaturës.

Në prani edhe të Ministrit, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit prezantoi dje, me rastin e 65-vjetorit të AQSHF-së, një shekull Shqipëri, një shekull shtet, përmes filmit dokumentar.

Për të pranishmit, kryesisht kineastë, i vetmi material i paparë ishte i quajturi “Rrethimi i Shkodrës” i vitit 1911. Dhuratë e Arkivave të Malit të Zi, ky material jo më shumë se 2 minuta, paraqet rrethina të Shkodrës me fshatarë që ngrohen në diell, burra e gra nëpër rrugë pazaresh, fëmijë të zbathur e të uritur që gënjehen nga dora e mbyllur e një ushtari të huaj, varganë me kafshë, bagëti, luftëtarë. Materialet në shumicën e rasteve janë pa legjenda, mjafton viti ndonjëherë.

1914, ardhja në Shqipëri e Princ Vidit. Në këto sekuenca Princi i huaj dhe Princesha Sofi që vetëm salutojnë ushtarakisht, jepen duke u imbarkuar prej Triestes.

Prej këtej historia kapërdihet me kafshate dhjetëvjeçarësh sa në Durrës në Tiranë.

Vitet 1914-1920 rrëshqasin në portin e Durrësit, në rrugët me shumë fëmijë, me çingije të cilat Ferdinando Salleo i ka sjellë me foto te “Gjashtë muaj mbretëri” si dëshmi e qytetërimit anas që gjeti Princ Vidi. Burra këmbëzbathur myslimanë që bëjnë sehir, djemosha që demonstrojnë aktin e pirjes së cingares para syrit të aparatit të një të huaji i cili kalon pastaj te qetë e lodhura.

Fokusi te etnografia mbetet edhe kur një i huaj xhiron me porosi të “Presidentit Zog” në Shkodër që mbërrin i shoqëruar nga një tabor malësorësh të armatosur mbi kuaj e biçikleta. Parada e forcave ushtarake është po aq e rëndësishme sa parada e malësoreve në xhubleta.

Ç’është periudhë e monarkisë, që në kolazh është kapur në vitet 1927-1937, identifikohet me një rit dasme në malësitë e veriut. Përcjellja e nuses e fshehur nën duvak dhe e palosur mbi kalë, nxjerrja e pajës në një sënduk, ndarja me të afërmit, hyrja në shtëpi të dhëndrit, zbulimi i fytyrës, kërcimi i grave dhe pjesëmarrja e fëmijëve, gatimet në tava, çukitja e ushqimeve nga dasmorët, është shtrirë e plotë.

Ka një kthim mbrapa në vitin 1935. Një dorë e shënon këtë vit në një fletë ditari gjermanisht. Shfaqet Tirana: me korpusin e ministrive, me qendër e bulevard për së mbari që mban emrin e Mussolini-t, gra me ferexhe, po edhe ndonjë sosh që pi birrë, Hotel Internacionali me pamje luksoze, fëmijë që shtyn karrocën e vet, pajtona po edhe makina.

Pamjet nga parada e 25-vjetorit të Pavarësisë që shoqërohen me zë tregimtari në italisht, janë prapë një pazar uniformash ushtarake po edhe ceremoniale të gardës me fustanellë, uniformash shkollore të vajzave të “Nanës Mbretneshë” po edhe veshjesh të gruas malësore. Nëpër këtë shesh të mbipopulluar, njerëzit i hedhin lule karvanit martesor për Zogun dhe Geraldinën.

Pushtimi italian paraqitet me zbritjen e qetë vetëm nga porti i Durrësit. Shkarkohen mjetet e rënda të luftës si të ishin ndihma për vendasit, dhe disa dhjetëra ushtarë me këmishë e kilota te gjuri, që po të mos kishin armët në trup dhe gjysmëhelmetat me pendë, mund t’i merrje me atë farë gjallërie që shfaqin në një ditë pranvere me diell, për ndonjë ekip çiklistikësh që ua bëjnë me dorë vendasve.

Nëpër këtë anonimat me qëllim “ruajtjen e objektivitetit”, kolazhi dokumentar kalon shkurt pushtimin gjerman, zbarkimin e anglezëve më 1944, luftën partizane dhe çlirimin e Shqipërisë, hyrjen në Tiranë të udhëheqësve të Luftës, Enver Hoxha me Omer Nishanin përkrah. Rindërtimi përligjet me pamje nga ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës prej “njerëzve që punojnë vullnetarisht pa pagesë”. Ndërsa në fshatrat e Shkodrës, fshatarët “e kthejnë Drinin në arat e veta”.

Terrori komunist përdoret këtu si i njëjti çelës që ka hapur historinë e Shqipërisë 1945-1990 edhe në pavijonin me të njëjtin emër në Muzeun Historik Kombëtar. Proceset gjyqësore ndaj grupeve të spiunazhit të trockistëve jugosllavë dhe agjentëve të imperializmit amerikanë deri dhe neofashizmit italian, marrë në bllok. Janë të njëjtat materiale që AQSHF-ja ia ka shërbyer MHK-së, sepse është e njëjta mënyrë e leximit të historisë.

Trokitja e gotave me Hrushovin, trokitja e gotave me kinezët, revolucioni ideologjik i vitit 1967, lindja e shtypit luftarak të gazetave të murit dhe fletërrufeve me shkronja të mëdha, kalojnë shpejt me kolonë zanore këngët e fëmijëve “një për të gjithë e të gjithë për një”.

Papritur njerëzit qajnë Enver Hoxhën dhe më në fund kolazhi i jep të drejtën vetes të ndalet te njerëzit: te trastat në radhë, te arkat e qumështit dhe të kosit, te autobusët dhe pallatet e rrjepur, te karrocat me kalë dhe biçikletat që shfaqen si refren i historisë në ndonjë cep rruge.

Vrapi i njerëzve, bashkëshortëve me fëmijë që rendin drejt anijes panameze “Legend” tërheq kronologjinë e periudhës së re: protestat e studentëve dhe marshi i liderit politik të 20 viteve të ardhshëm Sali Berisha; zbritja e protestuesve përgjatë rrugës përbri Televizionit Publik; rënia e shtatores së Enver Hoxhës si të ishte imitim kartoni; thirrjet në shesh drejtuar Xhejms Bejkerit “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”; vizita më 1993 e Papa Gjon Palit II dhe e Nënë Terezës, shoqëruar me fjalën përshëndetëse të Berishës; pamje e refugjatëve kosovarë në hyrjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” më 1999; dhe hyrja në NATO, Obama-Topi-Berisha shtrëngojnë duart më 4 prill 2009.

Me këtë kulmon 20-vjeçari i fundit dhe me këtë mbyllet 100 vjet shtet shqiptar përmes filmimeve. Nuk është fjala vetëm për dominimin e ngjarjeve me sfond të qartë politik, se si regjimet kalërojnë mbi një popull pasiv, por për lënien jashtë tregimit të historisë të atyre ngjarjeve historike si të vitit 1997 ku përmbysja e shtetit dhe humbjet njerëzore provuan harmoninë tragjike. Pranimi i saj përbën një turp që duan ta fshijnë nga historia.



Arkivit i duhet një qendër studimore

Me ç’përshtypje mbeteni nga 100 vjet Shqipëri në imazhe?

Mungonin shumë gjëra, në koncept. Që të bësh një film të tillë, vërtet nuk bën histori por ama duhet të nisesh nga historia. Etapat nuk ishin, ndërkohë që materialet janë. Ka materiale për kryengritje të 1910-ës, për Kongresin e Manastirit. Duhej që historia të ishte pasqyruar shkallë-shkallë në aspektet e saj më kryesore. Nuk është vetëm ardhja e Princ Vidit, ka materiale të tjera, siç ka për Luftën e Parë Botërore, shumë interesante, po edhe për vitin 1924 e që janë pika kyçe në këtë 100-vjetor.



Gjeni njëanshmëri?

Konfuzë më tepër, i përcaktuar, madje edhe gjatë periudhës së Zogut futen materiale të pushtimit italian, të rinisë fashiste, pastaj prapë vjen pushtimi. Duhej një mini-histori nëpërmjet materialit filmik. Historia është histori, duhet respektuar.



Ju duken jashtë paraqitjes objektive periudha e komunizmit dhe ajo demokratike?

Për 45 vjet komunizëm nuk mund të jepet vetëm terrori komunist. Më falni por, të nxjerrësh se është dënuar me patëdrejtë Hamit Matjani, kjo është një turp kombëtar.

Them se kemi të bëjmë me një mosthellim në ato që janë pika kulmore të historisë e që përfshijnë edhe industrinë, artin. Demokracia po ashtu ka etapat e saj të rëndësishme, që janë të jetës sonë dhe nuk mund të kalohen. Është rrëzimi i monumentit të diktatorit që nuk pasqyrohet fare. Një arkiv duhet të jetë objektiv shumë. T’i pasqyrojë të gjitha, le të mendojë ai që i shikon. Kjo është historia e kombit, e shtetit, nëpërmjet filmit. Duheshin të përzgjidheshin më mirë materialet.



Çfarë keni ju në këtë Arkiv?

Gjithçka që kam bërë. Arkivi na ka shërbyer mbi të gjitha për të mësuar. Ka qenë një qendër e madhe ku vinim i diskutonim filma tanët, të huajt, sepse ka pasur shumë filma të huaj. Unë kam parë thuajse tërë kryeveprat botërore dhe Arkivi ynë është i pasur me kinemanë e neorealizmit italian, e realizmit poetik francez të viteve ’30 dhe të Valës e Re franceze. Fatkeqësisht pas viteve ‘60 importuam shumë pak filma. Megjithatë arritëm që edhe në atë ngushticë financiare e ideologjike të sjellin kryevepra si ato që përmenda, përpos realizmit anglez, që zyrtarisht nuk mund të importohej. Kështu erdhi “Hamleti” me Lorenc Oliverin, filmi noir etj..



U fol për urgjenca të godinës, të kushteve ku ruhet trashëgimia, megjithatë juve ju shqetëson tjetër gjë. Çfarë?

Arkivi duhet të ketë një qendër studimore. Para vitit ‘90 kemi kërkuar, por nuk e mundëm dot Akademinë e Shkencave dhe u krijua Instituti i Studimeve të Arteve, ku do të studiohej kinemaja, teatri, artet, muzika. Por donim që ai sektori i kinemasë të ishte pranë film Arkivit. Kjo nuk u bë. Arkivi duhet të ketë një qendër studimore e të mos jetë thjesht qendër konservuese, restauruese e propaganduese. Kush do ta bëjë historinë e kinemasë? Këtu do të bëhet.



Urojmë që Arkivi të mos e vonojë më një retrospektivë të veprës së Kristaq Dhamos.

Mmm, s’jam shumë i interesuar. Unë çfarë bëra, e bëra.



Arkivit ia kanë hequr edhe rojën, edhe pastruesen



Materialet e refugjatëve nga Kosova në Tiranë ishin tuajat?

Po, kam depozituar në AQSHF të gjithë filmat e mi dokumentarë, mbi 80, në mënyrë që nesër t’iu shërbejnë kineastëve.



Ju keni ofruar edhe pamje për shkatërrimet e ’97-ës që këtu nuk përfaqësohej fare.

Edhe këto filmime ia kam ofruar Arkivit por nuk kanë ditë me i nxjerrë. Kam xhiruar atë vit në ato vende ku ma mbante, ku kam pasur mundësi. Kam xhiruar vjedhje, shkatërrimin e avionëve në Rinas, shkatërrimin e reparteve ushtarake etj.. Janë pamje që i kam përdor pjesërisht në një dokumentar që duhet “Skena e madhe”, Shqipëria si një skenë ku gjithë burrat dhe gratë janë aktorë.



Në tërësi si ju duk 100 vjet Shqipëri përmes imazheve?

20-vjeçari i fundit është lënë në vakuum. Arkivi është i varfër me ngjarje që kanë ndodhur në këto vite. Sa për t’ju përmendur përsëri vitin ’97, vrasjen e Azem Hajdarit, “Gërdecin”, “21 janarin”… Do të vijë koha që këto materiale të arkivuara do të duken aq interesante saç na duket rrethimi i Shkodrës më 1911. Duhet të jemi pak më patriotë në këtë drejtim.



Kishte diçka që nuk e kishit parë?

Rrethimin e Shkodrës nuk e kisha parë. Arkivi duhet mbështetur, ia kanë hequr edhe rojën edhe pastruesen, për të kursyer. Mua më vjen keq për indiferencën shtetërore ndaj arkivit. Këtu duhet të ketë një kameraman që të xhirojë qoftë edhe me kohë të pjesshme për nevojat e arkivit. Nuk mund të lihet kjo punë në dorë të televizioneve. Televizionet i kanë për vete.



Po cilësia e filmimeve?

Është defekti kryesor i videoprojektorit. Ju garantoj. Kjo që pamë është faqja e zezë, por kopjet origjinale janë yll fare. Këta s’kanë pare për të blerë një videoprojektor. Ky që kanë është qesharak, është amator, është për kopsht fëmijësh, jo për sallë kaq të madhe.



Te filmi “Vdekja e kalit” i vitit 1992 keni integruar në finale pjesën dokumentare të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës. Ku e ka burimin ai material?

Unë nuk kam përdor xhirimin e Fatmir Çepanit. Kam qenë me operatorin Spartak Papadhimitrin poshtë piedestalit dhe na kishin mbetur 6 minuta film kur është xhiruar ajo rënie.



Keni xhiruar atëkohë dhe spitalet psikiatrike?

Në Vlorë. Edhe këto janë materiale që nuk i kam shfaqur. Kam xhiruar në vitet 1991-‘92 me Spartak Papadhimitrin. Një tmerr njeriu në atë vend.



Atëherë, kësaj historie që pamë sot i mungonte jeta e njeriut shqiptar.

Vetë dokumentari është një çikë tendencioz, sepse ne nuk heqim dorë nga një lloj servilizmi për të paraqitur arritjet e atij që është në pushtet. Dhe kjo po na dëmton shumë, shpesh këtë lloj servilizmi e quajnë “autocensurë”.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi