Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Dasma, një përrallë nga e kaluara Empty Dasma, një përrallë nga e kaluara

Thu 17 May 2012 - 17:48
Emanuela SakoDikur nusja lyente gishtat në mjaltë dhe prekte pragun e derës së burrit. Pastaj ishin paja, vënia e bukës në krahë, daja, krushku i parë, rakia te këmbët, etj, etj. Detaje të një tabloje të harruar, që sot mund ta shohësh, shumë-shumë vetëm kur shfaqet filmi “Përrallë nga e kaluara”.Panorama e sotme e dasmave tona është larg vlerave shqiptare që ato mbartnin më parë. Një dasmë e konceptuar si një “mbrëmje argëtimi” mund të jetë gjithçka, por jo dasëm shqiptare. Rituali i dasmës tradicionale shqiptare është një botë e pasur, sot e braktisur. Ne nuk festojmë si më parë. Festojmë keq!

Tradita e dasmave shqiptare është nga më të bukurat dhe më të veçantat. Por sot dasma jonë kthehet shpesh në një spektakël bajat vallesh, gatimesh dhe sjelljesh të huazuara. Për disa është kthyer thjesht në pazar për të fituar ca para, por tradita e dasmës shqiptare vlen shumë më tepër se kaq.

Shekulli foli me koreografin e njohur Arian Sukniqi, njohës i ritualeve të dasmës tradicionale shqiptare. Z.Sukniqi, tregon disa nga vlerat që ka humbur dasma shqiptare dhe ngre shqetësim të thellë për fytyrën komerciale që ajo ka marrë kohët e fundit.



Z.Sukniqi, sa kanë ndryshuar dasmat shqiptare?

Sistemet rituale ku pjesë e tyre është edhe dasma, ndër vite kanë pësuar ndryshime, të cilat jo gjithmonë kanë shkuar në kahun pozitiv. Them kështu, se rituali i dasmës shqiptare ka disa vlera autentike. Dasmat kanë ndryshime në aspektin vizual, të organizimit, të shoqërimit të muzikor, të menusë së ushqimit (kulinaria e dasmave). Në vazhdën e këtyre aspekteve dasma ka pësuar një transformim total në kuadrin e një modernizimi pa destinacion.

Dasma është kthyer në një spektakël. Në një koncert që njerëzit e shtëpisë mundohen më tepër të kënaqin të tjerët sesa veten e tyre dhe çiftin. Ndërkohë që duhet të jetë e kundërta. Më parë dasma, bëhej nga i zoti i shtëpisë dhe të gjithë duhet t’i përshtateshin zakonit mikpritës të tij, i cili e bënte për të kënaqur veten dhe për të gëzuar çiftin e ri.



Realisht, çfarë ka humbur në traditën e dasmave shqiptare?

Tani kanë humbur elementët muzikorë si në veri dhe në jug. Në veri ka humbur cula, ndërsa në jug ka humbur polifonia, të cilat janë element të jashtëzakonshëm, por janë zëvendësuar nga teknologjia. Tani dasmat bëhen me dixhej, apo me këngëtar, ku më shumë ka muzikë të huaj.



Cilat janë disa nga veçoritë e dasmës shqiptare, të cilat kanë humbur?

Ka disa veçori, që janë tipike shqiptare dhe kanë humbur. Përshembull, dasmat shqiptare nisin disa ditë para dhe fillojnë me ekspozimin e pajës së nuses, e cila u tregohet gjithë miqësisë, lyerja e gishtave të nuses me mjaltë që i vendos te porta në momentin që hyn në shtëpinë e burrit, vënia e bukës në krahë etj.



Po hedhja e parave në dasëm ka qenë një ritual dominues më përpara dhe a është tradicionale shqiptare?

Ky rit nuk është tradicional shqiptar, por është krijuar nga grupet orkestrante që vijnë në dasmë për të fituar para. Kjo është një mënyrë tipike për të fituar para, madje mund të konsiderohet si një imponim me dhunë.

Ka qenë më përpara e kufizuar vetëm si histori sporadike e të pasurve. Të pasurit kishin si të vetmen mundësi për të shpalosur pasurinë dhe nivelin e tyre, prandaj dhe hidhnin lekë në valle. Ka qenë kryesisht një traditë e Shqipërisë së Mesme, ndërsa në jug dhe në very, jo. Edhe sot, kur hedhin lekë në dasmat e jugut është një stonaturë e paparë. Jugu nuk e ka pranuar deri vonë hedhjen e lekëve në valle gjatë dasmave, por kohët e fundit e ka pranuar.



Juve si ju duket ky gjest?

E thashë që hedhja e lekëve në vallen e nuses është kthyer në çështje pazari. Nëse lekët nuk hidhen për të gëzuar apo për të ndihmuar çiftin e ri për të blerë diçka, por merren nga orkestra e ftuar në dasmë, kjo nuk ka sens. Madje u krijon njerëzve ndjei inferioriteti sepse jo të gjithë kanë mundësi të hedhin para. Dhe kur orkestrës nuk i jepen parët e valles, ata nuk luajnë muzikë…. Është absurd.



Po në lidhje me muzikën që luhet në dasma, si mund ta përshkruani?

Dasmat janë kthyer drejt muzikës sllave, greke apo angleze.Tani nuk shihen më elementë si psh, polifonia. Plus edhe kur këndohet shqip, këndohet gabim. Ne kemi plot këngë dashurie, por nëpër dasma po dëgjojmë këngë si Ali Pasha, Emigranti etj. Në dasëm i këndohet dashurisë dhe gëzimit të çiftit të ri. Edhe kuzhina që përdoret, një devijim krejt i pavend… Ç’lidhje ka rizoto, spageti, peshku apo frutat e detit në dasmën shqiptare?!



Po vallja?

Nuk kanë lidhje fare me kërcimin tradicional. Këngët popullore i kërcejnë si të ishin latine, sidomos Napolonin. Nëpër dasma ka më shumë kërcime të huaja se sa shqiptare.



Më lart thamë se çdo gjë në dasmat e sotme është e huazuar me tepri. Në rastin e veshjeve të përdorura, a mund të kemi pak tolerancë?

Për mua, kur nusja gjatë dasmës ndërron tre fustane, njërin le ta veshë me motive tradicionale.



*************



Fatmire Duraj, e martuar në tetor ’81

Nga shtëpia e prindërve në shtëpinë e burrit. Kjo ka shumë domethënie për martesat tradicionale shqiptare të para viteve ’90, të cilat zhvilloheshin sipas një skeme të përcaktuar. Fatmire Duraj, nga Mallakastra, është martuar më 4 tetor 1981 dhe që nga ajo ditë ka krijuar familjen e saj me tre fëmijë. Madje ajo tashmë është gëzuar edhe me mbesë, për të cilën duket shumë e lumtur, që në jetën bashkëshortore ja doli mbanë.



Fatmire, në cilin vit jeni martuar?

Jam martuar më 4 tetor të 1981, në një dasmë të zakonshme fshati, ku janë mbledhur të gjithë miqtë dhe fqinjët. Kështu martoheshin në atë kohë, me shumë miq e shokë, të ftuar e të paftuar.



Çfarë mbani mend nga ajo ditë?

Mbaj mend që atë ditë vetëm më jepnin këshilla, hallat dhe tezet se si duhet të nusëroja dhe çfarë duhet të bëja kur të shkoja në shtëpinë e dhëndrit që të mos i turpëroja. Edhe në momentin që vinin krushqit, rrinte një grua në krahë ose përballë që të më ngacmonte nëse bëja diçka të padrejtë.



Konkretisht, cilat ishin porositë, që t’i duhet t’i kishe kujdes?

Si duhet të sillesha në shtëpinë time dhe në të burrit, çfarë duhet të bëja kur njerëzit këndonin ose kur të më ngacmonin me fjalë që “si po i lë prindërit” etj. Duhet të mbaja kokën ulur si mesazh modestie, nuk duhet të lëvizja, por të qëndroja gjatë gjithë kohës më këmbë, sepse kjo ishte shenjë respekti për miqtë e largët, etj



Si niste dasma?

Hapja e dasmës bëhej që ditën e mërkurë, ku hapej muzika dhe vinin njerëzit e parë. Ditën e enjte sillnin fustanet e nuses. Në grupin që përzgjidhej për krushq duhet të ishte në krye një burrë apo grua që dinte të mbante muhabetin. Burri nuk vinte me krushqit, siç ndodh sot. Që nga kjo ditë, familja ishte e pushtuar nga muzika dhe njerëz që vinin për vizitë. Dera e shtëpisë rrinte e hapur 3-4 ditë para për të gjithë të afërmit. Për të mos thënë që shumë njerëz vinin dhe dy javë para. Ndërsa sot, të vijnë të gjithë në lokal, në orarin që i ka vendosur i zoti i dasmës.



Na trego ndonjë ritual të veçantë, kur dilte nusja nga shtëpia e saj dhe kur futej në shtëpinë e burrit?

Kur nusja dile nga shtëpia duhet ta mbante daja për krahu, se duhet të ishte ai që e përcillte nusen. Kur nusja dilte nga shtëpia e prindërve hidhej raki në vendin ku ecte, ndërsa kur nusja hynte në portën e shtëpisë së burrit duhet të kishte mjaltë në duart e nuses dhe të vjehrrës, që të shkonin mirë dhe të kishte mbarësi.



Cila ishte muzika dhe menuja e përdorur?

Dasma dihet që kishte muzikë tradicionale popullore. Por, në ato vite u futën dhe disa këngë të lehta, mjaft të bukura dhe ritmike, me të cilat kërcenim. Nusja nuk ngrihej shpesh në valle, por vetëm në këngën e çiftit. Sot është Napoleoni, por ne nuk e kërcenim, sepse nuk ishte pjesë e krahinës sonë.



Lekë hidheshin?

Lekë nuk hidheshin, vetëm ndonjë kur humori dhe rakia arrinin kulmin.



Po menuja?

Menuja ishte mishi i pjekur në hell, patatja, djathi etj, ndërsa ëmbëlsirat ishin më karakteristike. Në anët tona në dasmë dilnin pjata me revani dhe bakllava.





Marsela Okolishta: “Dasmën e organizova sipas shijeve të mia”

Marsela tregon historinë e dasmës së saj dhe jep detaje nga ceremonia e zhvilluar. Ndërkohë rrëfen se nuk ka pasur farefis në shtëpi para ditës së dasmës. Por, të gjithë janë mbledhur ditën e ceremonisë. Ajo shpjegon se ka bërë gjithçka ka dashur për organizmin e dasmës, brenda mundësive ekonomike.



Marsela, kur jeni martuar?

Më 18 shtator të vitit 2001



Çfarë mbani mend nga ajo ditë?

Ne dasmën e bëmë sipas dëshirës sime dhe bashkëshortit tim. Të ftuarit kanë qenë të afërmit e familjes sime dhe shumë shokë e shoqe. Dmth, ftova kë desha vetë dhe përjashtova disa të tjerë nga lista, të cilët mendoja se nuk duhet të ishin pjesmarrës.



Kishe porosi nga prindëritpër të cilat duhet të kishe kujdes?

Porositë e vetme ishin që t’i respektoj prindërit e burrit, domethënë t’i pres e t’i përcjell. Ndërsa për ditën e dasmës nuk më kanë dhënë asnjë porosi, për mënyrën e qëndrimit, veshjes, apo shumë gjëra të tjera. Unë kam bërë çfarë më ka pëlqyer vetë. Kam qenë një nuse e lirshme, kam komunikuar me të gjithë. Nuse jam bërë ditën e premte, që kam pritur shoqërinë dhe ditën e shtunë në darkën e madhe. Dasma është bërë në local.



Si niste dasma?

Njerëzit kanë ardhur ditën e premte, domethënë shoqëria. Ndërsa ditën e shtunë njerëzit kanë ardhur në darkë, në lokalin që është bërë dasma. Të gjithë e dinin që mund të na bëheshin barrë në shtëpi dhe nuk erdhën. Dasma nisi me hyrjen e çiftit nën tingujt e valsit, ku qëndronin të gjithë njerëzit më këmbë. Ndërsa një fëmijë më hidhte petale para këmbëve të mija, e deri tek ulja në tavolinën e çiftit.



Cila ishte muzika dhe ushqimi i përdorur në dasmë?

Muzika ishte e përzier me këngë popullore dhe të lehta të huaja. Në fillim ishte valsi, më pas kishte muzikë popullore dhe kur ishte kulmi i dasmës kishte këngë të përziera të huaja me ritëm. Kryesisht greke. Ndërsa gatimi, ishte i servirur shumë bukur, të gjitha pjesët e mishit të vendosura në pjatë ishin me forma, kishte përzierje perimesh të pjekura, rizoto me perime, pije nga më të ndryshmet etj.



Na trego ndonjë ritual të veçantë, kur dole nuse nga shtëpia dhe kur u fute në shtëpinë e burrit…

Kur dola nga shtëpia ime po më hidhnin petale lulesh dhe oriz në kokë, derisa hipa në makinën që e kishin zbukuruar. Pasi takova të gjithë që na përshëndesnin, u nisëm të dy me makinë, ku shofer ishte bashkëshorti. Ndërsa në mbërritjen tek shtëpia e burrit na pritën me muzikë. Ditën tjetër, sapo jam zgjuar më është dashur vetëm të vishem dhe të nisem për disa ditë pushime jashtë vendit. E kishim programuar qëllimisht udhëtimin.





Legjenda e Krushqve

Në Dushkajë të Gjakovës ekziston një legjendë për vendin që quhet “Varret e Krushqve”. Ky vend ndodhet mes fshatrave: Gergoc, Maznik, e Kralan. Legjenda thotë që aty janë takuar në rrugë dy krushqi, nga dy dasma të ndryshme dhe janë vrarë me njëri tjetrin të gjithë.

Kur nuk ka mbetur asnjë i gjallë, edhe nuset zbritën nga qerret dhe dolën në dyluftim me njëra tjetrën. E gjithë kjo për çfarë? Vetëm mos t’ia lëshojnë udhën njëri-tjetrit, sepse besohej deri në marrëzi se udha e krushqeve, nuk thyhet. Rruga ku ato u ndeshën ishte e ngushtë vetëm një kahëshe.

Sot, në ato treva, kur bëhet Dasma, kur takohen dy krushqi në rrugë, njëra krushqi ndalet, ia heqin zinxhirët e qerreve të kuajve, i lëshojnë përtokë, derisa kalon kolona e krushqëve të tjerë, derisa të ndërrohen në rrugë, shkëmbejnë cigare, pijnë në këmbë, përshëndeten, ia urojnë njëri-tjetrit martesat dhe vazhdojne udhën.



Paja e nuses shqiptare

Një institut i rëndësishëm i së drejtës zakonore familjare, i njohur që nga kohët më të lashtë ka qenë paja e nuses. Në fshatrat shqiptare ku sundonte varfëria, paja ishte e kufizuar kryesisht me punime dore prej leshi (çorape e veshmbathje tjetër) që merrte me vete nusja.

Sipas librit “E drejta zakonore e Labërisë” paja përbëhej nga sendet vetjake të nuses, prandaj ato ishin pasuri vetjake e saj. Në Shqipërinë e Veriut, paja e nusës përfshinte edhe prikën.

Në Labëri paja përgatitej nga shtëpia e burrit. Babai i dhëndrit së bashku me babanë e nuses shkonin në pazar dhe i blinin rrobat e nuses që nga këpucët (zakonisht 2-3 palë) e deri tek shamia e kokës. Kjo normë e pashkruar e së drejtës zakonore ka vepruar kudo në Shqipëri e në Kosovë.





Disa rituale të dasmës tradicionale shqiptare

Dasma në vjeshtë

Festë familjare e shoqërore e martesës, që bëhet në shtëpinë e nuses dhe të dhëndrit. Ceremoniali i dasmës është i lashtë dhe ka një ritual mjaft të pasur. Dasma tradicionale shqiptare zakonisht bëhej në vjeshtë, kur ishin mbaruar punët bujqësore dhe ishte mbledhur prodhimi.



Ditët e dasmës

Dasma fillonte një javë, pesë ose tri ditë përpara marrjes së nuses, më përgatitjet e nevojshme. Dita e marrjes së nuses, e diela apo e enjtja, ishte më e rëndësishmja. Dasma zakonisht përfundonte ditën e tretë, kur nusja shkonte për ujë ose kur ajo do të gatuante diçka për famijen e re.



Krushku i parë

Që herët në mëngjes mblidheshin dasmorët, të ftuarit në dasmë. Prej tyre caktoheshin krushqit, ata që do të shkonin të merrnin nusen. Në krye vihej krushku i parë. Ceremoniali i dasmës shoqërohej me këngë të shumta, me valle, lojra, shaka, etj.



Dasma dhe Kanunet

Sipas kanunit të Lekë Dukagjinit dhe kanunit të Skënderbeut, krushku i parë ishte një shok i dhëndrit, por jo nga fisi i tij. Në krahina të tjera caktohej një burrë i moshuar, daja i dhëndrit, ose një person tjetër. Në disa krahina mund të shkonin një ose dy gra të quajtura dasmoresha. Shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi