- SilvanaPrinceshe Forumi
- Gjinia :
Mosha : 32
Postime : 9370
Hobi : moda,leximi,poezia..ecc
Vendndodhja : In Italia
Anetaresuar : 03/10/2011
Me braktisi ne kohe te veshtira
Tue 29 May 2012 - 22:27
Populli thotë që kur të vjen e keqja hapi derën dhe kjo është mëse e vërtetë. Me një gjë të tillë po përballem unë tani dhe qenka më e vështirë nga sa e kisha menduar. Historia ime nuk është vetëm një histori dashurie, pasi këto kohë më kanë ndodhur shumë gjëra të këqija dhe një ndër to është edhe ndarja nga e dashuri, më saktë kjo i vuri kapak të gjithave. Gjithçka nisi më sëmundjen e babait tim. Pasi qëndroi më shumë se dy muaj në shtrat babai im u nda nga jeta. Për çdokënd humbja e babait do të ishte një dramë e madhe, por për mua ishte një tragjedi e vërtetë, pasi isha shumë e lidhur me të dhe ai ishte njeriu më i shtrenjtë që kisha në këtë jetë. Në atë kohë e humba vetëdijen dhe kalova një gjendje depresive. Më është dashur shumë kohë dhe punë që të dilja nga ajo gjendje që nuk më linte të bëja asgjë. Nuk kisha dëshirë për asgjë dhe gjithçka që bëja gjatë ditës ishte të mbyllesha në dhomë dhe të qaja për babain tim. Gjithsesi në ato momente një ngushëllim i mirë ishte puna, e cila më hiqte paksa mendjen nga ajo që po përjetoja dhe i dashuri im, i cili ishte gjithmonë i gatshëm të fliste me mua të më jepte paksa kurajo dhe shpresë për të ardhmen. Po përpiqesha të dilja nga depresioni kur më pushuan nga puna. Kjo ishte një tjetër dramë për mua, pasi ne ishim të varfër dhe pas humbjes së babait dhe pas humbjes së punës nuk kishim me çfarë të ushqeheshim. E të gjitha këto presione dhe të gjitha problemet e familjes në atë moment më kaluan mua. Duhet të përballesha unë me të gjitha, duhet t’ju gjeja unë zgjidhje të gjitha problemeve dhe duhet të gjeja unë para për të paguar faturat, për të blerë ushqimet, për t’ju dhënë motrës dhe vëllait më të vogël para për në shkollë. Ishte i padurueshëm ky pozicion dhe të gjitha këto përgjegjësi për mua, pasi isha vetëm 20 vjeçe. Nuk isha gati që të merrja të gjitha përgjegjësitë e familjes, aq më tepër kur mamaja nuk më ndihmonte aspak për këtë. Ajo është zemërmirë, por nuk ka qenë kurrë e aftë të marre një vendim, apo të gjeje zgjidhje për një problem të caktuar. Ajo ishte mësuar që çdo gjë ta bënte babai në shtëpi dhe ajo vetëm kujdesej për punët e shtëpisë dhe ne fëmijët. Në këtë kohë dhe në këtë situatë e qaja edhe më shumë humbjen e babait. Më dukej vetja plotësisht vetëm dhe pa asnjë përkrahje. Përpiqesha që atë boshllëk që ma kishte lënë babai ta mbushja me të dashurin tim, të cilin e doja marrëzisht dhe i besoja verbërisht. Ndoshta i kërkoja shumë atij, ndoshta i ngarkoja edhe gjëra që nuk i takonin, por ai ishte i vetmi njeri që më kishte mbetur. E në fakt edhe ai më ktheu shpinën. Ndërsa unë përpiqja të zgjidhja problemet që kishim në shtëpi dhe të dilja nga depresioni ai kishte gjetur një femër tjetër për të kaluar kohën, apo për t’u ndjerë mirë. Nuk e di çfarë marrëdhënie ka pasur, apo ka me atë femër, nuk e di çfarë e largoi nga unë, por si përfundim ai më kërkoi të ndaheshim dhe më tha se nuk mund të vazhdonte më me mua. Nuk dija ç’të thosha, nuk doja më asgjë në ato momente. E kuptova që e kisha humbur edhe të vetmen shpresë që më kishte mbetur. Ai iku dhe unë mbeta e mjerë. Një muaj më vonë e zbulova se ai më kishte lënë për një femër tjetër. Kjo do ta thellonte edhe më shumë gjendjen time. Nuk kisha më dëshirë të jetoja dhe të vazhdoja këtë jetë që isha duke bërë. Edhe pse përpiqesha shumë nuk arrija të merrja përgjegjësitë në shpinën time. U ndjeva keq, shumë keq dhe për mua ishte fundi. Nuk kisha gjetur një punë tjetër dhe tashmë u dorëzova. U mbylla në mjerimin tim ku vazhdoj ende të jem. Edhe pse vazhdoj ta dua ish të dashurin tim nuk mund të kthehem më me të, nuk mundem t’i kërkoj një mundësi të dytë. Ai më braktisi në kohë të vështira dhe kjo është tradhtia më e madhe që mund t’i bëhet një njeriu të dashur. Tashmë jam vetëm dhe e mjerë, pa asnjë shpresë për të ardhmen. Nëna më thotë shpesh se gjërat do të bëhen më mirë dhe shumë shpejt do të bëhemi edhe ne mirë, por unë nuk e besoj. Unë fajësoj atë për të gjithë gjendjen time. Edhe pse nuk ia kam thënë drejtpërdrejtë ajo e kupton më së miri që e fajësoj, ose ndoshta ndihet vetë fajtore. Qan ndonjëherë dhe përpiqet të më ndihmoje, por nuk është e aftë, ajo nuk di ta bëje këtë.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi