Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Kutia me pastele fshehur në sënduk Empty Kutia me pastele fshehur në sënduk

Tue 5 Jun 2012 - 16:04
Kutia me pastele fshehur në sënduk Velo-300x173Valeria Dedaj

Piktori Maks Velo ha hedhur në qarkullim një botim autor të albumit “Pastel”. Pesëdhjetë e dy pastelet që përmban albumi janë realizuar përgjatë viteve 1960-2012 (pa llogaritur vitet e burgimit). Për kopertinë ka portretin e “Djalë me shegë në Pazarin e Tiranës”. Portrete janë 22 gjithsej, peizazhe 28 dhe 2 natyra të qeta.

Shumica e këtyre punimeve janë të periudhës përpara arrestimit dhe dënimit, pra deri më 1978, të tjerat pas lirimit nga Burgu i Spaçit.

Në radhë të parë të gjitha këto punë i bashkon teknika e pastelit e pastaj grupimi është bërë në portrete dhe peizazhe. Portretet u përkasin njerëzve të thjeshtë: një arixhofkë me kanistra dhe dajre, një pastruese me shami të kuqe, një bojaxheshë që pozon e ulur në karrige, një traktorist apo kooperativiste në mes të drithit etj..

Peizazhet paraqesin pamje të virgjra të fshatit shqiptar po edhe të qyteteve në vitet ’70-80, Gjirokastra, Elbasani, Vlora me turizmin e saj, detin, anijet në port.

Velo ndërthur jeshilen, vjollcën, blunë dhe të kuqen.

Pas vitit nëntëdhjetë Velo fut në pikturë udhëtimin, vendet dhe njerëzit që takon. Parisi është burim i hershëm frymëzimi dhe objekt në pikturën e tij me katedralet, urat dhe Senën. Është Spanja me simbolet e saj turistike, ndeshjet e toreadorëve, me plazhet dhe shtëpitë e ulëta mesdhetare.

Duke parë natyrën e kësaj pikture të Velos, kupton pse ajo nuk u asgjësua me të tjerat që përbënin për regjimin një formë të artit propagandë kundër pushtetit popullor. Autori flet veçanërisht për këtë në intervistën për “Shekullin”.





Teknika e pastelit ka qenë kriteri kryesor për grupimin e këtyre punëve?

I kam përdorur dhe vazhdoj t’i përdor pothuajse gjitha teknikat, ose me saktë ato që kam pasur mundësi: vajin, akrilikun, pastelin, akuarelin, lapsin, tushin, monotipin, litografinë, gravurën në linoleum. Pastelin e kam përdorur shumë gjatë kohës së diktaturës komuniste, sepse sollën pastele dhe letra speciale që i blinim me listë te Milika. Kështu quhej shitësja e “dyqanit të artit” për piktorët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Pastaj pasteli transportohej lehtësisht dhe ishte praktik në përdorim. Duhet të kem pasur mbi 300 pastele, tani kam afro 150. Kështu që mendova të botoj këtë libër vetëm me pastele.



Çfarë e kushtëzon zgjedhjen e teknikës, konkretisht të pikturimit me pastel?

Çdo mendim apo imazh zakonisht shoqërohet edhe me vetë-sugjerim për teknikën që do përdorësh. Megjithatë kam punuar dhe vazhdoj të punoj shumë në letër, sepse e kam më lehtë t’i ruaj dhe t’i transportoj punët.



Duke pasur parasysh peripecitë e jetës suaj, mund të na tregoni si kanë shpëtuar pastelet nga vitet ‘60 deri në kohën e burgimit tuaj?

Jam shumë sistematik dhe i rregullt, pastaj jetën time ia kam dedikuar vetëm punës. Kur hetuesi bastisi shtëpinë dhe vendin ku punoja më tepër u interesua për punimet abstrakte, këto punime ishin 250 vepra të cilat me vendim të gjyqit u dogjën më vonë. Ndërsa veprat që ishin me figuracion, në krahasim me ato abstrakte nuk m’i dogjën.



Pas daljes nga burgu i jeni rikthyer pastelit, siç tregojnë punët e viteve tetëdhjetë.

Në katalog janë 18 pastele që janë realizuar mbas burgut. Një ditë pas lirimit, mamaja më dha kutinë me pastele që e ruante të fshehur në sëndukun e saj. Këtë veprim e bënte çdo ditë, prandaj dhe unë fillova të besoj se do të rilindja përsëri.



Në ç’gjendje fizike janë tani?

Gjendja fizike e tanishme është shumë e mirë. I ruaj me xhelozi, se janë një dokumentacion i rrallë dhe me shumë vlerë.



Mund të flasim për një influencë nga piktori juaj i preferuar, Van Gog, veçanërisht në peizazhe?

Influencën e Van Gogut e kam pasur gjithmonë në frymën, por jo përherë në teknikat, sepse ai është ngelet i përsëritshëm dhe i paimitueshëm.



Njerëzit që keni pikturuar tregojnë dhe për mjedisin ku ju jeni ndodhur në vite: kuzhinieri i kampit, muratori nga Selenica, bojaxhesha… Çfarë merr rëndësi për ju kur trajtoni figurën njerëzore?

Njëzetë e dy portrete janë shumë, pasi portretet janë të vështirë në realizim, por unë i kam punuar lehtësisht, sepse i kam dashur dhe adhuruar njerëzit e thjeshtë që kam pikturuar. Për shembull minatorin nga Selenica, e kam realizuar në 29 dhjetor të 69-ës në kampin e Vlorës. Ishte njeri i thjeshtë por i mirë. Këtë e them sepse nuk besoj të kem pikturuar njerëz të këqij. Kjo duket në sytë e tyre që për ta janë filtër i ndërgjegjes.



Dhe së fundi, a ruani punime të hershme, të rinisë, që nuk i keni ekspozuar ende?

Kam shumë vepra të paekspozuara. Unë i kam mbyllur marrëdhëniet me artistët e artit figurativ, sepse ata kanë ngritur një mur që vazhdon prej pesëdhjetë vitesh. Ndaj këtë album e botova me parat e mija, me ato të burgut.

Bio

Maks Velo u lind në Paris në 1935. Por gjithë jetën e çoi në vendin e tij. Emri i tij shënohet në listën e artistëve që do të goditeshin më 1973, pas Pleniumit IV të Partisë së Punës. Një “dasmë gjaku” që filloi me “të ngremë lart frymën revolucionare dhe në art” dhe u mbyll me internime, burgime në tunele minerale, pushkatime, apo trauma të forta. Maks Velo, arkitekt në profesion, në të njëjtën kohë piktor dhe artist, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pas shenjës së Plenumit, dënohet më 1978 sepse: vepra e tij “inspirohet nga Modigliani, Braque dhe Picasso, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”. Pra i burgosur politik për artin dhe idetë, sepse nuk bënte art politik, nuk mendonte politikisht siç bëhej në Shqipërinë Komuniste. Tablotë i digjen.

Vizatimet e arkitekturës e të portreteve, vizatimet abstrakte që fillojnë në vitin 1964, po ashtu dhe shumë punë në vaj e pastel të viteve ‘60-’70 janë dëshmi e lëvrimit në fshehtësi të artit abstrakt e surrealist në Shqipëri. Lirohet nga burgu në vitin 1986. Që nga koha kur në Shqipëri përmbyset diktatura, Maks Velo i kthehet jetës. Krijon, pikturon dhe shkruan. Është autor i disa vëllimeve me tregim “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, i veprës autobiografike “Kohë antishejë”, i shënimeve për arkitekturën “Paralele për arkitekturën”, i albumit “Jeta ime në figura” etj.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi