Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Një oaz i fshehur pak më tej… Empty Një oaz i fshehur pak më tej…

Tue 3 Jun 2014 - 15:13

Është vetëm 6 kilometra nga rruga nacionale Pogradec-Korçë, por duket disa herë më larg, ndoshta sepse fshati Grunjas vëmendje nuk ka pasur kurrë. Problemet janë të shumta, e po aq të shumta janë edhe premtimet për zgjidhjen e tyre. Por, nëse hallet shtohen, premtimet nuk realizohen kurrë. E në këtë realitet, banorët duhet të jetojnëe e të ngrenë çdo ditë jetët e tyre.

Sapo lë rrugën nacionale, fshati i parë është Çaushlia, nga ky fshat deri në atë të radhës, Kakac, aksi prej 2,7 kilometrash është copë... Më tej, nga Kakaci deri në destinacion, rreth 2,3 kilometra, rruga rregullohet sërish. Duket si një vrapim stafete, një pjesë e shtruar, pastaj e pashtruar, dhe pastaj e shtruar sërish. E rëndësishme është që fshati Grunjas, apo Verçu siç e ka emrin e vjetër para se t’ia ndryshonin në kohën e komunizmit, vuan një komunikim jo normal me rrugën nacionale, që është sa afër një grusht kilometrash, po aq edhe larg e vetëm. Për disa kilometra, Grunjasi dikur ka pasur më se 170 familje, ndërsa sot ka vetëm 50 të tilla.

Që në hyrje të fshatit, sytë t’i vret ajo që vetëm emrin mund ta ketë shkollë. Pas djegies së godinës së vjetër tri vjet më parë, fëmijët u strehuan në këtë vend, si një zgjidhje që u mendua si e përkohshme, por që nuk u ndryshua kurrë. Banorët tregojnë se gjendja e saj ka qenë edhe më e keqe, por në mungesë të vëmendjes shtetërore, ata ndërhynë vetë për rregullimin e saj, duke përdorur fondet që hidhen në vakëfin e fshatit, të paktën sa për të mbajtur në këmbë çatinë.

Naxhifer Beleshko: Jo, jo, jo, bile atë shkollën e kam mbuluar unë me fondin e vakëfit, se më vinte shumë keq për fëmijët, se ajo ishte e rrënuar dhe thashë sa të zërë ndonjë fëmijë brenda, se ishte gjynah se ata merrnin dhe dru atje, se kishin rënë drutë, dhe jam detyruar bashkë me një komision, iu kam dhënë 3 milionë lekë të vjetra dhe e kemi mbuluar vetëm për fëmijët, se ishte gjynah për fëmijët që ata të rrinin jashtë ose të aksidentoheshin.

Banorët të tregojnë për shkollën e dikurshme, ku mësonin rreth 200 nxënës e që i plotësonte të gjitha kushtet për një mësimdhënie të denjë.

Haxhi Pere: Kanë qenë shumë kushte të mira: laborator, klasa, kabinete letërsie, kimie, fizike, matematike… Po sot? Sot s’ka asgjë, është shkollë që është shkatërruar fare, komplet.

Sikur të mos mjaftonte godina, e rëndësishme është edhe ajo që po ndërtohet pas mureve të rrënuara e të mbytura në errësirë. Fëmijët duan, por pak marrin, e kështu vështirë se mund të ngrihet një e ardhme e vërtetë.

Kamberina Pere: Neve kemi një muaj pa një mësues matematike, e si do shkojmë në provimet? Disa nxënës mund të mos ta kenë qejf matematikën, unë për vete jam e përshtatshme për matematikën dhe nuk e kemi. Në Dhjetor na erdhi mësuesi i historisë dhe gjeografisë, neve na bie që s’kemi mësuar asgjë nga histori-gjeografia. Dhe kimia, informatika, nga këto s’marrim vesh gjë, asgjë, asgjë.

Marsida Pere: Do të doja të ishte më e lyer, të kishte ambient më të pastër. Këtu nuk mundemi të rrijmë dot, të bëjmë mësim.

Natyra është treguar e pakursyer me këtë zonë, mjafton të dallosh se si ajo shkrihet deri atje tej në horizont, ndryshe nga çka dhënë shteti, pak ose aspak. Banorët, më së shumti merren me blegtori, fshati ka rreth 2000 krerë dele e dhi, rreth 100 lopë, e po ashtu dhjetra koshere bletësh, e megjithatë tregu mungon.

Asqeri Beleshko: Për tregun më mirë mos pyet fare, tregu mund të sigurohet me një fjalë në rrugë të paligjshme, të pa autorizuar, se nuk ka mundësi tregu. Është vështirësia më e madhe për krijimin e tregut.

Nëse blegtoria është një mundësi për të hedhur disa hapa, bujqësia - siç thonë - ka vdekur, e kjo sepse nuk ka ujë vaditës. Gjithçka bëhet edhe më ironike, kur të thonë se fshati ka një rezervuar, që mban më se 1 milionë litra kub ujë, por që banorët nuk e përdorin dot, për shkak të kostos së lartë të energjisë në stacionin e pompimit. Ujë ka dhe ujë s’ka… ky është realiteti.

Kryeplaku Adriatik Pera: Si ja bëjmë për tokat e fshatit për ujë? Presim nga Zoti për shi. Shtëpitë e fshatit janë 200 metra larg liqenit dhe sërish duhet të presim nga Zoti. Nga Zoti, po, për vaditje dhe për të gjitha. E nëse nuk bie shi, mbaron investimi.

Turizmi do të ishte një mundësi e madhe për këtë zonë, e investimet nuk mungojnë. Banorët janë përpjekur të hedhin bazat e para, dikush në një mënyrë, dikush në një tjetër, për të ndërtuar një oaz të vogël turistik. Kanë ruajtur me egoizëm pyjet rreth fshatit, e po ashtu s’kanë lejuar asnjë dëmtim tjetër të natyrës.

Genti Pere: Verçuni dhe tërë zona përreth kanë qenë një nga perlat e muzikës popullore, kanë marrë pjesë nëpër Festivalet e Gjirokastrës, nëpër të gjitha aktivitetet shtetërore, ka pasur grup teatror, një aktivitet të mirë arsimor dhe kulturor, por sot është në këtë gjendje, që ju e shikoni dhe shpresojmë që të marrë për mirë. Por, që ky vend të zhvillohet, duhet medoemos investimi i infrastrukturës.

Në fshat janë ndërtuar edhe stabilimente të vogla peshku, apo edhe shtëpi pritjeje, e gjithë kjo e ndërthurur me traditat e zonës, e ku historia mplekset me kulturën.

Fatmir Lico: Nëse bëhet rruga, mendoj dhe jam i bindur se kjo do të ketë shumë zhvillim. Do të ketë zhvillim… Ashtu siç është bërë ky investim, do bëhet diku tjetër diçka tjetër, do zhvillohet fshati dhe zona.

Refki Pere: Unë mendoj se, në një të ardhme, do të kthehet njësoj si në Dardhë dhe në Voskopojë, sepse është i njëjti ambient, e njëjta klimë, e njëjta natyrë piktoreske shumë e bukur e pyjeve dhe gjithë ambientit që na rrethon, por duhet edhe një vëmendje më e madhe nga shoqëria, nga bizneset, nga shteti, me qëllim që të kontribuojnë më shumë në mbarëvajtjen e rrugës sonë.

Përveç infrastrukturës dhe investimeve që i takojnë shtetit, si rruga, shkolla, vaditja etj, zona ka gjithçka për të qenë një destinacion turistik. Ka natyrën, e po ashtu ka banorët mikpritës, që kanë bërë e po bëjnë edhe sot ç’të munden, për të ngritur e ruajtur vlerat e fshatit të tyre. Duan vetëm një mundësi, asgjë tjetër, një mundësi për të pasur e arritur atë që u takon, që nis nga vetëm 2,7 kilometra rrugë. Një mundësi zhvillimi, që jo vetëm do të pengonte largimin e tyre të mëtejshëm, por edhe do të rikthente të larguarit në fshat. Mjafton kaq pak, për ta ngritur kaq shumë. Mundësitë janë, shpirti i madh e kultura po ashtu, ato thjesht po presin të shfrytëzohen… / Top Channel
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi