Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Po ta dinin fëmijët vetminë e prindit Empty Po ta dinin fëmijët vetminë e prindit

Tue 5 Jun 2012 - 17:57
Po ta dinin fëmijët vetminë e prindit Familja-kripa-300x283Valeria Dedaj

Skena e Teatrit Kombëtar ka disa ditë që është zbrazur nga pajimet e dramës historike “Henri VI” të Shekspirit për t’ia lënë vendin dramës lirike “Përjetësisht dashuria” të Mihal Luarasit. Një ndërrim skenash që ka brenda metaforën: dallgët e historisë i lënë shkretë jetët njerëzore.

Mihal Luarasi e shkroi “Përjetësisht dashuria” në vitin 2003 duke pasur parasysh aktoren Drita Pelinku. Bashkë kishin punuar më 1956 për tragjedinë e Shilerit “Intrigë dhe dashuri”, ku Luarasi e pat zgjedhur për rolin e Luiza Milerit.

Ai atë e mendonte në rolin e Zarinës. Tani po e ngjit në skenë këtë personazh që ka moshën e aktores, 86 vjeç. Dhe jo vetëm moshën kanë të përbashkët Zarina dhe Drita. Përkrah saj është aktori Vangjel Toçe në rolin Dionit.

Fjala është për një dramë aktuale mbi temën e vetmisë së brezit të tretë, me të cilën shoqëria shqiptare më shumti këto dy dekadat e fundit po njihet, për shkak të rrethanave të reja, zhvillimi ekonomik e social, të cilat propozuan menjëherë një kurs që shkonte kundër natyrës dhe traditës së familjes shqiptare.

Zarina dhe Dioni janë dy pensionistë mbi të shtatëdhjetat që jetojnë vetëm. Djali dhe vajza e tyre janë në mërgim, në ShBA dhe Kanada. Luarasi ka kapur jetën e çiftit në 24 orë, nga njëri mëngjes në tjetrin dhe kjo copë jete mbahet me dialogun e të dyve që nis nga një ëndërr. Është një ëndërr “parafolëse” që ka parë Zarina dhe prej saj hapen biseda dhe plagë të vjetra, rikthime në të shkuarën e pasioneve, e dashurisë. Flasin për fëmijët, për fenë, për pronat etj.. dhe mundohen për secilën të fiksojnë një përgjigje. Ndërsa për frikën e madhe prej vetmisë nuk ka përgjigje asnjëri prej tyre, madje secili lutet për veten që të largohet i pari nga jeta. E kështu Luarasi sjell për publikun vetminë e një çifti që të ardhme ka vdekjen, por nuk lë diskutimin si për një fazë të natyrshme e të prishtme në jetën e njeriut për të cilin ky duhet të jetë edhe i përgatitur. Luarasit që si autor dhe regjisor shpesh i pëlqen të ngacmohet me rrethanat, nuk lë pa trajtuar çfarë e ka shkaktuar këtë gjendje të Zarinës dhe Dionit. Problemi ekonomik sipas tij është një nga shkaktarët më të fortë të vuajtjes shpirtërore, sepse ndërsa të rinjtë kanë marrë rrugën e emigrimit për kushte më të mira, prindërit luten në vetmi për fatin e tyre, deri në ditët e mbrame. Por për detaje, është kjo intervistë me regjisorin Luarasi.



Dramën lirike “Përjetësisht dashuria” e keni shkruar në vitin 2003 duke pasur parasysh aktoren Drita Pelinku. Pse?

Sepse e njoh Drita Pelinkun prej vitit 1956, kur vumë në skenë shfaqjen “Intrigë dhe dashuri” e cila, të përbashkët me shfaqjen e re ka dashurinë. “Përjetësisht dashuria” flet për individin, trajton gjendjen e moshës së tretë të individit, ku bën pjesë edhe Drita. Ajo kishte karakteristikat që mua më nevojiteshin që kjo pjesë të ngjitej në skenë.



Disa nga këto karakteristika?

Karakteristika të pasionit. Pavarësisht moshës ajo ka një fuqi shpirtërore dhe dashurinë. Ndërsa zëri i saj që tingëllon ende sikur të ishte 40 vjeç. Pikërisht për këto, e pavarësisht se dramën e kisha botuar, nëse s’do ta luante ajo, unë nuk besoj se mund ta sillja në skenë.



Përveç moshës, jeta e saj personale ka përkime të tjera me personazhin?

Nuk ka asnjë lidhje me jetën e saj personale, por ne të gjithë jemi të prekur nga ky problem social sepse të gjithë i kemi fëmijët jashtë, dhe ne jemi dhe në moshë të tretë, (e duke qeshur regjisori shton se “kam hyrë në të katërtën”).



Ekziston vetmia e këtij çifti, po ekzistojnë edhe shkaqet. Merreni ju me këto?

Unë e kam trajtuar problemin e vetmisë si pasojë e shkaqeve të ndryshme ekonomike, dhe sociale të shoqërisë, sepse vuajtja shpirtërore nganjëherë shkaktohet dhe nga ajo ekonomike. Edhe pse Dioni ka qenë nëndrejtor në një fabrikë, ai është një lexues shumë i mirë dhe pikërisht nga kjo ata diskutojnë problemet së bashku, dhe po së bashku u japin përgjigje qetësisht. Ndërsa Zarina ka mbaruar shkollën e mesme për rrobaqepësi dhe këtë zanat ka bërë tërë jetës prandaj dhe herë-herë ndihet si e painformuar.



Me sa pamë gjatë provave, ka momente që personazhet merren me besimin në zot. Përse feja?

Sepse feja është një tjetër pjesë e realitetit. Dikur ka qenë gjë e jashtëzakonshme të kapërceje nga një fe në një tjetër, pavarësisht se nuk ishin të ndaluara, dhe këto ndodhnin vetëm kur të rinjtë njiheshin me dashuri. Ndërsa sot të vetmit që mund të pyesin për fenë ngelen prindërit. Por kjo duhet parë dhe si ekzistencë e lirisë fetare në Shqipëri e cila ka ekzistuar ndër vite, pavarësisht se besojmë në fe të ndryshme. Pikërisht për këtë ka një diferencë ideologjike dhe fetare, sepse Zarina është një besimtare muslimane, ndërsa Dioni pavarësisht se është kristian, është ateist, për shkak se është “prurje” e sistemit komunist.



Ata luten që asnjëri të mos ngelet pa tjetrin.

Zarina është ajo i lutet zotit të mos e ndajë nga Dioni, as në botën tjetër. Nëse ai shkon në ferr, dashuria për të është aq e madhe, sa ajo pranon të shkojë me të. Asnjëri prej tyre nuk do që të vdesë tjetri i pari. Ata nuk e shprehin drejtpërdrejt atë që mendojnë, por secili pret aeroplanin e vet.



Aeroplani i kujt vjen i pari?

Vjen dhe merr vetëm njërin, por se cilin konkretisht, këtë ia lëmë shfaqjes.



Ata flasin edhe për shitjen e banesës. I keni vendosur në kushte materiale ekstreme këta njerëz?

Në një moment ata debatojnë mbi çështjen e shitjes së shtëpisë, lidhur me frikën se kjo çështje e pronësisë mund t’i ndajë fëmijët nga njëri-tjetri, ashtu siç janë ndarë shumë të tjerë. Sepse sot shumë njerëz po grinden për këto probleme, fëmija po ndahet nga babai, vëllai nga vëllai etj.. Por Zarina qetësisht i thotë Dionit “kjo nuk ka si të ndodhë sepse ata e duan njëri-tjetrin”.

Drama sa vjen dhe thellohet. Problemi nuk qëndron vetëm tek konflikti që zhvillohet në pjesë, por që edhe në realitet t’i jepet një zgjidhje kësaj çështje, të paktën para se të jemi pjesë e Bashkimit Europian.



Ju i besoni këto zgjidhje “para afatit”?

Ndryshe nga Shqipëria, në vendet e tjera europiane ekzistojnë shtëpitë e të moshuarve dhe jo me azilet e pleqve. Për shembull në Hungari, apo dhe në Zvicër që s’është ende pjesë e BE-së, ata ndajnë gëzimet së bashku, por apartamentet i kanë të ndara. Prandaj s’duhet të ndodhë siç po ndodh rëndom në shoqërinë tonë që përditë gjenden të moshuar pa jetë, sepse fëmijët i kanë jashtë shtetit dhe nuk ka kush përkujdeset për ta.



Bio

Mihal Luarasi u lind në Korçë më 1929, por në Tiranë edukohet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në degën e aktrimit. Vijon studimet për regji teatri në Akademinë e Arteve të Teatrit në Budapest, Hungari. Puna e tij e parë si regjisor profesionist është tragjedia e Shilerit “Intrigë dhe dashuri” (1956). Me “Dhelpra dhe rrushtë” ai fiton disa çmime në Festivalin e II Kombëtar të Teatrit. Në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës më 1966 vë në skenë për herë të parë “Cuca e Maleve”. Me “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit, dhe “Njollat e Murrme” të Minush Jeros, Lurarasi është bërë pjesë e atyre përpjekjeve në arte që brenda realizmit socialist të mund të ngrinin shqetësimin e njeriut intelektual. E njëjta gjë me vënien në skenë me trupën e Durrësit të dramës “Çështja e inxhinier Saimirit” e Fadil Paçramit. Në Teatrin e Operës dhe Baletit ai është regjisor i “Karmen”, “Traviata”, “Pranvera”, “Opera për tri grosh”, etj.. Dënimi me burg, me internim më pas, për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor” ndodhi në valën e goditjeve për liberalizëm që iu bë kulturës dhe arteve në vitet 1972-1976. Për gati 20 vjet, Luarasi dhe bashkëshortja e tij Edi, nuk e panë skenën e teatri, por kantierin e fabrikave e të punëve për mbijetesë të së shoqes si rrobaqepëse. Ka të ngjarë që “profesionionet” e dy personazheve të dramës “Përjetësisht dashuri” ta kenë origjinën tek jeta e Luarasëve.

Pas nëntëdhjetës çifti Luarasi vendoset në Hungari. Aty vë në skenë dramën e Rexhep Qosjes “Vdekja e një mbretëreshe”. Më 1995 rikthehet në Tiranë për të vënë në skenë dramën “Hekurat” e dramaturgut hungarez Goncz Arpad. Është autori i disa librave mbi teatrin, “Teatri Kombëtar në udhëkryq” (2003) dhe “Kujtesa që nuk fle” (2005). Më 2003 rikthehet përfundimisht nga Hungaria dhe shkruan dramën “Gomonet” e vënë në skenën e Teatrit Kombëtar nga regjisori Gëzim Kame. Në vitet e fundit ai ka punuar me dramën e Ruzhdi Pulahës “Streha e të harruarve” dhe për dy drama të vetat “Korbi i bardhë” dhe “Antigona kërkon të atin”.Shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi