Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Egërsia e njeriut po e përdor natyrën si objekt personal Empty Egërsia e njeriut po e përdor natyrën si objekt personal

Wed 13 Jun 2012 - 17:30
Egërsia e njeriut po e përdor natyrën si objekt personal Letra-216x300Valeria Dedaj

Ekspozita “Të përballesh me klimën” e hapur në Muzeun Historik Kombëtar prezanton qëndrimin dhe interpretimin që pesë karikaturistë suedezë dhe një shqiptar i bëjnë shkatërrimit dhe natyrës dhe burimeve të saj.

Artistin shqiptar Agim Sulaj që prej vitesh jeton në Itali, e shqetësojnë pasojat që shkatërrimi i mjedisit do të ketë më së shumti te e ardhmja e brezit të ri. Këtë dimension të shkatërruar të së ardhmes përcaktuar qysh sot nga njerëzit, Sulaj e trajton në pesë punët e tij ekspozuar në MHK. Mesazhet e tij janë të qarta: nëse përdorim biçikletën apo nëse kujdesemi për burimet natyrore të ujit, mund të shpëtojmë jo vetëm natyrën, por dhe shndërrimet gjenetike tek gjallesat.

Këto janë punë të viteve të fundit, të vlerësuara me çmime ndërkombëtare. Me karikaturën ai ka filluar të merret rreth viteve 1980, kur botonte në Revistën “Hosteni”, fillimisht si ilustrues shkrimesh e më pas me kopertina dhe lëvrimin e gjinisë së mirëfilltë.

Ia vlen “Të përballesh me klimën” edhe sot në Muzeun Historik Kombëtar, me penat e artistëve suedezë: Magnus Bard, Ribber Hansson, Helena Lindholm, Love Antell dhe Karin Sunvisson, të cilët nëpërmjet karikaturave të tyre mundohen të ngrenë zërin për të solidarizuar sadopak opinionin publik.



Në të pesta karikaturat që prezantohen në “Facing Climate” ju tregoni lidhjen e individit me natyrën, me pyjet, me ujërat. Është kërkesë e ekspozitës apo shkatërrimi dhe ndotja e mjedisit përbëjnë një shqetësim të përhershëm te ju?

Në thelb për këtë flet “humori” që unë përdor për temën. Punimet e mia me temën e ujërave apo pyjeve demonstrojnë për raportin njeri-natyrë dhe vlerësimi i këtyre punëve nga ndërkombëtarët, ka bërë që unë të jem sot pjesë e asaj ekspozite në Tiranë. Sepse kjo ekspozitë, ka qenë “shëtitëse” pas inaugurimit në Shkup vitin e kaluar. Shqipëria është pjesë e një zinxhiri sensibilizues, prandaj mesazhi i ekspozitës për përkujdesjen ndaj klimës duhet të përcillet sidomos në rajonin e Ballkanit.

Bashkëveprimi i njeriut me ujin. Sa ka të bëjë kjo temë me origjinën tuaj vlonjate?

Qyteti i Vlorës më frymëzon sepse është vendi ku kam kaluar fëmijërinë, dhe kam hedhur hapat e parë në pikturë. Çdo vit kaloj aty pushimet, duke pikturuar mbresa e fragmente deti. Ndoshta në këtë rast nuk ka të bëjë vetëm me Vlorën, por me gjithë Shqipërinë. Ka të bëjë në thelb me njeriun dhe egërsinë e tij për ta përdorur natyrën si objekt personal dhe jo si një pasuri të brezave të ardhshëm. Por meqenëse përmendëm Vlorën, kujtoj se akoma derdhen në detin e Vlorës burime të mrekullueshme me ujë të pijshëm, ndërkohë që në banesa mungon ky ujë, prandaj ende dhe sot tek tuneli i Vlorës shumë qytetarë i shikon me bidonë në radhë për të marrë ujë mali.



Një nga karikaturat mbante shënimin “Unë gjithmonë përdor biçikletën”, e bëni këtë që thoni?

Ai është një mesazh i shkurtër me dy rreshta, që nënkupton mënyrën time se si kujdesem ndaj mbrojtjes së natyrës, prandaj kam shkruar se për të lëvizur përdor më tepër biçikletën. Por për të folur për jetën sot, temat dhe mesazhet prej tyre janë sa të duash: uria, etja, paqja, kriza ekonomike e njerëzve të varfër dhe të pasur.



Keni bërë së fundi subjekt në karikaturë fenomene apo personazhe të atyshëm?

Mund të përmend karikaturën “Poltrona e Berluskonit”, edhe pse unë pak e lëvroj portretin në karikaturë. “Poltrona e Berluskonit” është vepër fituese më 2011, me çmimin e nderit nga World Press Cartoon, Portugali.



Cila është vija ndarëse pikturë-karikaturë?

Krijimtaria ime mbështet në dy drejtime. Piktura i referohet mbresave e ngacmimeve të fëmijërisë, peizazheve e rrugicave të pikturuara me një teknikë hiperrealiste. Ky stil e veçon punën time nga autorët e sotëm. Ndërsa në karikaturë mesazhi është më social, herë-herë më i mprehtë, e herë-herë më i revoltuar karshi fenomeneve, të jetës apo dëmtimeve të natyrës.



Çfarë konkretisht?

Ndërtimet e shumta apo shtesat e godinave që i kanë hequr Vlorës dhe Tiranës lidhjen time me të kaluarën. Shpesh me duket sikur kam ardhur në një shtet tjetër. E vetmja pjesë e pandryshuar ngelet: Dajti në Tiranë dhe tuneli tek “Uji i ftohtë” në Vlorë. Nëpërmjet këtyre kuptoj se jam në vendin tim.



Po mbi ndotjen që vjen apo synon të vijë nga “fqinjët” keni një opinion?

Bregdetin e Shqipërisë mendoj se jemi ne të parët që po e shpartallojmë me indiferentizmin tonë kur bëhen ndërtime pa kriter, ndërsa fqinjët kanë “shfrytëzuar” vetëm rastin.



Për Pavarësinë keni menduar diçka?

Po punoj një cikël pikturash kushtuar mbresave të pavarësisë dhe vendit tim matanë Adriatikut. Dëshira është ta prezantoj në Tiranë, por akoma nuk mund ta konfirmoj. Por me lejoni që të falënderoj trupin diplomatik te Ambasadës Suedeze në Tiranë: Zotin Patrick, Nicholas, e punonjësit shqiptarë që ndodhen aty si znj. Merita, Enkeleda etj., për mikpritjen e ngrohtë dhe seriozitetin e punës së tyre në lidhje me këtë aktivitet, si dhe kolegen, artisten pjesëmarrëse nga Suedia Helena Lindholm, të cilët mundësuan pjesëmarrjen e punëve të mia në këtë ekspozitë.



Bio

Agim Sulaj, (Tiranë, 1960) u vendos në Vlorë në moshën 2-vjeçare. Ndoqi Liceun, dhe studimet për pikturë i përfundoi në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Italia është vendi ku jeton si artist i lirë e ka ekspozuar në qytetet e Brindizit, Venecias, Bolonjës, Milanos, Romës etj.. Punët e tij kanë qarkulluar në ekspozita kolektive në mjaft vende të Europës, përfshi edhe Shqipërinë. Temat e emigracionit me eksplorimin i botës shqiptare në vend të huaj ai i ka trajtuar në ekspozitat “Midis vëllezërve të Italisë”, “Artisti me valixhe”, apo lidhjet që njeriu ruan nëpërmjet kujtimeve me botën e shkuar si në ekspozitat “Vepra Hiperreale” etj.. Megjithatë me karikaturën i ka prirë më tepër e mbara, një gjini që ai e ka lëvruar qysh në vitet tetëdhjetë te “Hosteni”, Revista kryesore e humorit e satirës në Shqipërinë Socialiste, e ndoshta media më e lirë ndër mediat e mbikëqyrura rreptë nga censura në çdo cep. Me mjaft sukses ai ka përfaqësuar veten në nivelet botërore të karikaturës dhe këtë e tregon vlerësimi me çmimet ndërkombëtare në World Press Cartoon, Ranan Lurie Award, Ecc Kruishoutem, Iran Cartoon etj.. Përpos opinioneve që ai ka shprehur për “frymëmarrjen që i duhet karikaturës shqiptare”.Shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi